Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika (USA)/
Këto javët e fundit në Gazeta Shqiptare në Tiranë u botuan një varg intervistash të gazetarit F. Veliu me atdhetarin shqiptaro-amerikan Sejfi Protopapa. Duke qenë se e kam njohur prej 17 vjetësh këtu në SHBA si atdhetar dhe bashkëpunëtor të të paharrueshmit Antoni Athanas, si një veprimtar aktiv të autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare, disa muaj më parë ia mblodha disa kujtime për t’i festuar me një grup intelektualësh 90-vjetorin në Worcester MA. Nga kujtimet e z. Protopapa dhe nga intervistat e tij të botuara tani së fundi kam nxjerrë tre mësime shumë të vlefshme për të gjithë ne shqiptarët:
1. Nga e keqja duhet të ndahemi menjëherë dhe përfundimisht.
Sejfi Estref Protopapa u largua prej atdheut në nëntor të vitit 1944 si një nga kuadrot e Ballit Kombëtar, si një nga personat e padëshirueshëm të Partisë Komuniste Shqiptare sepse ai kishte bërë publike Direktivën Sekrete të Enver Hoxhës të datës 10 shtator 1943, ku ky porosiste organizatat e partisë të qarqeve të Shqipërisë që të fillonin luftën kundër organizatës së Ballit Kombëtrar për ta quajtur atë shkaktar të mosbashkimit dhe të vllavrasjes…
Unë me kushërirën time Diturinë, tregon Sejfiu, pasi mbaruam studimet në Itali në qershor të vitit 1943 u kthyem në Berat me dëshirën e madhe që të merrnim pjesë me armë në luftën Antifashiste.
Babai im ishte mplakur, nuk merrej me politikë, qëndronte neutral; kurse xhaxhai, ndonëse nuk ishte anëtar i Ballit Kombëtar, ishte simpatizant i kësaj organizate, sepse ai vleresonte udhëheqësit e Ballit për shkollimin dhe atdhetarinë e njohur të tyre.
Të ndodhur para presionit të të rinjve komunistë, unë dhe Dituria, pranuam të bashkoheshim me ta, për të treguar se nuk ishim profashistë, por atdhetarë antifashistë, që donim të luftonim pushtuesin. Dituria u bashkua me forcat e armatosura dhe doli malit partizane, kurse unë, si çalaman që isha, nuk më dërguan në mal, por më mbajtën në qytet për të punuar si sekretar e shaptilografist në Prefekturë, ku ishin vendosur veprimtarë të PKSH-së. Midis të rinjve me të cilët unë fillova të bashkëpunoja për të shaptilografuar trakte dhe materiale të PKSH-së ishin Kristaq dhe Margarita Tutulani, të cilët i njihja dhe i simpatizoja si njerëz të zgjuar dhe patriotë. Margaritën, e cila ishte dhe mjaft e bukur, e kisha pasur bashkënxënëse në shkollën qytetse. Kristaqi herë më diktonte shkrime të veta, herë trakte të ardhur nga qendra. Bashkëpunimi me ta vazhdoi gati një muaj, mbasi forcat e karabinierisë italiane ( forca të mbretit Viktor Emanueli), në korrik 1943 kryen një aksion spastrimi duke arrestuar e vrarë 30 të rinj antifashistë beratas, shumica komunistë, midis të cilëve Margaritën dhe Kristaqin.
Unë u temba, nuk shkova disa ditë në Prefekturë dhe prisja të më arrestonin. Por pas disa ditësh më njoftuan të shkoja përsëri në Prefekturë. Nuk isha anëtar i PKSH-së, madje as kandidat i saj, punoja thjesht si sekretar, daktilografist dhe shaptilografist për shumfishimin e materialeve që vinin nga qendra.
Aty nga data 12-13 shtator 1943 postjeri, solli dhe la një zarf në zyrën ku isha unë. Me që ai nuk tha se ishte material sekret dhe me që shefi im nuk ndodhej aty, unë, duke menduar se materiali duhej kopjuar e shumëfishuar për ta shpërndarë sa më parë, e hapa zarfin dhe e lexova materialin. Ishte një direktivë sekrete firmosur nga Shpati. Midis të tjerash më kanë mbetur në mendje këto fjalë:
…ne duhet të punojmë në drejtimin që vijon: Ta demaskojmë dhe ta diskreditojmë Ballin në popull, ta paraqisim në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes. Të bëjmë që populli… të revoltohet dhe kështu gjithë përgjegjësia historike e mosbashkimit të popullit shqiptar dhe e përpjekjes me armë të bjerë përmbi Ballin Kombëtar. ( Këtë fragment e kemi verifikuar me materialin Nga direktiva sekrete e Enver Hoxhës dërguar më 10 shtator 1943 gjithë komiteteve qarkore të PKSH, botuar në veprën Shqipëria në Luftë, autor Muharrem Dezhgiu, Tiranë, GLOBUS R. 2001, f. 334. Shënimi ynë, Th. L. Gj.)
Leximi i këtij materiali më tronditi, vijon z. Protopapa. Deri në atë ditë ekzistonte një atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar, vendimet që u morrën në Mukje më 2 gusht 1943 për luftë të përbashkët për çlirimin e atdheut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira pas luftës për të vendosur populli me votën e tij regjimin që do të dëshironte; kishin mbushur me shpresa optimiste gjithë popullin, sidomos ne veprimtarët antifashistë. Kurse pa pritur Shpati (Enver Hoxha) po porosiste që të punohej për diskreditimin e Ballit Kombëtar si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes, në një kohë kur një luftë vllavrasëse nuk ekzistonte. Më vetëtiu në kokë se PKSH-ja po synonte që ta krijonte luftën vllavrasëse dhe fajin t’ia hidhte Ballit Kombëtar, për ta mënjanuar si rival pushteti.
I tronditur futa materialin ne zarf dhe me të në xhep shkova në shtëpi. Babai pasi e lexoi më tha: Shko tek Veliu. Ky më tha t’ia shpija Abas Ermenjit, kryetarit të Ballit Kombëtar për qarkun e Beratit. Shkova në Bashki, ku ishin vendosur e punonin veprimtarët e Ballit, ia dorëzovas zarfin z. Ermenji. Ky më falenderoi dhe udhëzoi që të kopjohej dhe të botohej sa më parë në gazetën FLAMURI, organ i Ballit. Pas kësaj unë nuk shkova më në Prefekturë, madje u largova nga Berati, shkova disa ditë në fshatin Protopapë për t’u takuar me kushërinjtë e atjeshëm. Në Protopapë më dërgonte babai gjatë pushimeve verore kur isha nxënës në shkollën qytetse. Mendova të delja malit si ballist, por kushërinjtë e mij atje ishin lidhur me lëvizjen partizane. Pasi u shpjegova atyre shkaqet pse nuk doja të punoja më për Partinë Komuniste, u ktheva në Berat. Mendoja të mos lidhesha me asnjë forcë politike, të shikoja punën time si neutral. Mirëpo një mesditë, kur kisha marrë babain tim në skarë të biçikletës për ta kthyer nga kafeneja në shtëpi për të drekuar, jo larg Prefekturës, më preu rrugën Ceno Vermishi. Më ndali duke vënë dorën në timon e duke shtrënguar një pushkë që mbante në krahun tjetër, më tha me një ton aspak miqësor: „Sejfi pse nuk ke dalë nga Prefektura, ajde, ajde se na duhesh!“
Babai im, duke kuptuar kërcënimin, i tha me inat: „More djalë duke hedhur një pushkë krahut mendon se je bërë burrë dhe mund të na presësh rrugën. Na lër rehat se po shkojmë të hamë drekë, Sejfiun takoje më vonë“.
Unë nuk shkova në Prefekturë, por shkova në Bashki ku takova z. Ermenji dhe i tregova kërcënimin që më bëri Ceno Vermishi. Ai e kuptoi se komunistët donin të më eleminonin fizikisht, si njeriun që kisha bërë publik direktivën sekrete të Enver Hoxhës. Më dha dy trima të armatosur të më mbronin në çdo situatë, vëllain e tij të vogël Zeno Ermenjin dhe një trim nga Moglica e Korçës, Selim Moglicën. Mbas disa ditëve vendosa të largohem nga Berati.
Abaz Ermenji më besoi një çetë të madhe, një batalion, me 150 ballistë të armatosur për të vepruar në zonën e Roskovecit. Qëllimi ynë ishte ruajtja e rendit dhe e qetësisë, nuk organizuam asnjë ndeshje të armatosur kundër partizanëve, por as kundër gjermanëve. Këta ishin vendosur në Kuçovë dhe në Ura Vajgurore. Qëllimi i tyre ishte shfrytëzimi i vajgurit dhe rruajtja e rrugëve. Gjithsej në Shqipëri gjermanët sollën dy divizione me djem fare të rinj dhe me burra të moshuar. Luftime të vërteta kundër tyre nuk zhvilluan as forcat partizane, as ne ballistët…
Nga kjo dëshmi e z. Protopapa dhe nga materialet e botuara këto vitet për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, del e qartë se mbas hedhjes poshtë të vendimeve të Mukjes dhe shpalljes së Ballit Kombëtar si organizatë armiqësore prej udhëheqjes së PKSH-së, Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare mori edhe tipare të një lufte civili, vllavrasëse.
Kur formacionet balliste panë se pushka partizane u drejtua kundër tyre, ato u çorjentuan. Pati edhe formacione balliste që ranë në po atë gabim, dhe filluan të kryenin veprime luftarake kundër forcave partizane, madje disa prej tyre bashkepunuan me forcat gjermane. Pra duhet pranuar se Lufta mori tipare të një lufte civile, luftë për të siguruar pushtetin para se të arrihej çlirimi i atdheut, por për këtë dukuri nuk duhet të bëhet fajtor vetëm Balli Kombëtar, si është bërë deri më sot, mbasi shkaktari i parë i saj ka qenë direktiva sekrete e Enver Hoxhës, të cilën e bëri menjëherë publike djaloshi i zgjuar e guximtar, Sejfi Protopapa.
Ky veprim i këtij 20-vjeçari, i cili diti ta vlerësonte si duhej direktivën sekrete të Enver Hoxhës si akt antikombëtar, që nxiste kthimin e Luftës Antifashiste në një luftë vllavrasëse, në një luftë për pushtet, ka brenda mësimin e madh: prej së keqes duhet të ndahemi pa hezitim dhe në mënyrë përfundimtare.
Mirëpo shumica e historianëve tanë, ende edhe sot, nuk e pranojnë faktin se në fund të fundit Balli Kombëtar gaboi mbasi në atë gabim e shtyu pushka partizane, se përgjegjësia për deformimin e luftës mbas shtatorit 1943 së pari bie mbi udhëheqjen e PKSH-së sepse ajo e hodhi e para hapin e gabuar. Fatkeqësish këtë faj të PKSH-së historianët dhe opinionistët prokomunistë e kanë mohuar dhe vijojnë ta mohojnë ende. Ata vijojnë ta quajnë Ballin organizatë tradhëtare, vllavrasëse dhe ballistët dhe nacionalistët e rënë dëshmorë në luftimet kundër forcave italiane fashiste dhe atyre gjermane, nuk kanë pranuar t’i varrosin në Vorrezat e Dëshmorëve.
2. Autorët e veprave të realizmit socialist duhet t’i dënojnë krimet e tyre artistike.
Për publikimin e direktivës sektete, Sejfi Protopapa u anatemua prej Partisë Komuniste Shqiptare, u fut në listat e armiqve të popullit, kurse prej artit të realizmit socialist u kthye në një figurë negative përmes tipit të ballistit me emrin Sali Protopapa krijuar prej shkrimtarit Dritëro Agolli në romanin Komisari Memo, i cili u bë dhe film me titullin I teti në bronx.
Në vitin 1992, gjatë vizitës së parë që bëri z. Sejfi Protopapa në Shqipëri, i shkoi në shtëpi shkrimtarit Dritëro Agolli për të parë nëse ai, pas shkërmoqjes së diktaturës kishte evoluar, në se kishte kuptuar dëmet që i kishte shkaktuar politizimi i skajshëm veprave të tij.
Gjatë bisedës z. Protopapa i tha shkrimtarit se ai si ballist nuk kishte vrarë asnjë shqiptar dhe se nuk kishte bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, se i vetmi „faj“ i tij që nuk mund t’ia falte PKSH / PPSH-ja ishte denoncimi dhe publikimi i direktivës sekrete të Enver Hoxhës të 10 shtatorit 1943. Mirëpo shkrimtari nuk i kërkoi të falur për deformimet që kishte sajuar, por duke qeshur i tha se zgjedhja e emrit te personazhit ishte rastësore. Më tej ish ballisti i tha shkrimtarit se mbas shfaqjes së filmit dhe botimit të romanit, familjarët e tij në Shqipëri filluan të shikoheshin më egër se më parë, dhe ata, për të shpëtuar nga pasojat e luftës së klasave ndërruan mbiemrin. Përsëri shkrimtari nuk shprehu asnjë keqardhje.
Kjo bisedë tregoi qartë se Dritëro Agolli, një nga shkrimtarët më të talentuar të letërsisë së kohës së diktaturës nuk kishte bërë asnjë hap drejt pendesës, asnjë hap evoluimi, për të dënuar politizimin e skajshëm të veprave të veta të hartuara në përputhje me normat e metodës së realizmit socialist.
Fatkeqësish sot Dritëro Agollin, kalemxhinjtë prokomunistë e quajnë Patriark të letrave shqipe, dhe ky nuk revoltohet, nuk e konsideron fyerje, por e merr mburje një epitet të tillë, një epitet që nuk u është dhënë as Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Jeronim De Radës, Naim Frahërit, Gjergj Fishtës, etj. Dritëroi pra e ka për mburje të quhet si mjeshtri, kryeustai i letërsisë shqiptare të realizmit socialist, duke mos dashur të kuptojë se shumica e veprave të tij dhe e kolegëve të tjerë përbëjnë krimin artistik të kohës së diktaturës.
Nga takimi midis z-injve Protopapa dhe Agolli, duhet të nxjerrim mësimin e dytë: Shumica e krijuesve të kohës së diktaturës, që jetojnë ende, nuk kanë punuar me përkushtim për rinovimin e tyre, për depolitizimin e tyre, për t’u çliruar prej mendësisë komuniste, kësaj njolle gjaku në trutë e tyre…
2. Autoqefalia e Kishës Orthodokse Shqiptare është vepër kombetare qe duhet mbrojtur edhe prej shqiptarëve myslimanë.
Menjeherë mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, Sejfi Protopapa u angazhua në luftën për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai u bashkua me z. Antoni Athanas, Very Rev’ Arthur Liolin, etj dhe shkoi në Shqipëri për të mbrojtur Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai ka shkruar artikuj të ndryshëm për këtë problem dhe investoi për të shugurar priftërinj orthodksë shqiptarë në Rumani, Maqedoni dhe këtu në Amerike, priftërinj që punojnë në rrugë të pavarur prej Hirësisë së tij Janullatos. Z. Protopapa në këtë drejtim punon në përputhje me rrugën e ideuar prej Sami Frashërit, i cili kur e ngriti i pari problemin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare si vepër me rëndësi kombëtare, tha se atë duhej ta kryenin së bashku shqiptarët e krishterë në bashkëpunim me shqiptarët myslimanë…
NURI says
Ambasada amerikane dhe ajo angleze para se të largoheshin pas 1944 i shërbyen instalimit të komunizmit. Kushdo që shkonte në këto ambasada dhe dorzonte informacione sekrete për terrorin dhe pushkatimet që bënte komunistat mbi njerëz të pafajshëm menjëherë ja dorzonin Ministrisë Brendshme. Radio Londra pas 1944 bënte politikën e mashtrimit se qeveria komuniste do bjerë shpejt dhe shum patriota dolën malit me shpresë se Anglia dhe amerika do t?i ndihmonte kryengritsit antikomunistë. Kjo ishte loja për me i nxit antikomunistat me dalë malit dhe mandej me i dërguar ushtrinë dhe forcat e ndjekjes policore, ku të gjithë këto grupe intelektualësh dhe klerikësh u ekzekutuan dhe trupa anglo-amerikanë nuk ndërhynë kurrë. Mbasi i pastruan malet nga antikomunistët komunistat u larguan anglo-amerikanët sepse misioni i tyre kishte marrë fund në instalimin komunist sipas Traktatit të Jaltës të 1945, ku ishin firmosë nga terroristi stalin dhe protestanti amerikan, presidenti Ruzvelti dhe çifuti Çurçill që të kontribonin në instalimin e komunizmit në gjysmën e Europës sikurse ndodhi. Prandaj si të djathtët ashtu dhe të majtët në amerikë janë të lidhur me socialistët dhe komunistët sepse këta i duhen prapë për t?i përdorë nnëse rigjallërohen atdhetarët dhe klerikët katolik në mbrojtje të Shqipnisë nga çdo ndërhyrje ambasadorësh në punët e shtetit sikurse përzihen ambasadorët amerikanë sikur ta kishin koloni të tyre.