• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERROI JETE SEJFI PROTOPAPA

April 15, 2014 by dgreca

Vdiq në moshën 91-vjeçare anti-komunisti më i vjetër në SHBA, inxhinieri i NASA – Sejfi Protopapa/
Historia Bostonit, nuk mund të shkruhet pa historinë e emigracionit shqiptar!/
NGA BEQIR SINA, New York/
Boston, Massachusetts : Vdiq pas një sëmundje në moshën 91-vjeçare Sejfi Protopapa, anti komunisti dhe Ballisiti më i vjetër në SHBA, ish inxhinieri i NASA. Ai jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin Wayland të Massachusetts ku ishte vendosur aty së bashku me familjen e tij qysh në vitin 1944, kur u arratisë nga Shqipëria, pas ardhjes së qeverisë komuniste.
Në Shtetet e Bashkuara, Protopapa, duke iu bashkëngjitur grupeve anti komuniste në diasporë, së bashku me shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës, shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Çamëve dhe Arbëreshëve, lujatën një rol historikë, për më shumë se gjysmë shekulli – duke mbajtur gjallë frymën patriotike dhe kombëtare.
Sejfi Protopapa ishte bir i një avokati patriot me origjinë nga fshati Protopapë i Korçës. Ai ka lindur në Berat më 20 shkurt 1923. Arsimohet në fillim në vendlindje dhe vazhdon shkollimin në Itali . Në vitin 1943, kur ishte vetëm 20 vjeç, emërohet komandanti i një çete të Ballit, që vepronte në zonën e Roskovecit, e ndodhur midis Beratit dhe Fierit.
Në vitin 1944 ai largohet përfundimisht nga Shqipëria për tu rikthyer vetëm në vitin 1991 pas rënies së komunizmit. Fillimisht vendoset në Itali dhe më tej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu në SHBA, ai vazhdoi studimet dhe diplomohet për Fizikë Bërthamore, duke punuar si inxhinier . Ishte i martuar me një estoneze dhe baba i tre fëmijëve.
Protopapa : ” Nga e keqja duhet të ndahemi menjëherë dhe përfundimisht”.
Sejfi Estref Protopapa u largua prej atdheut të tij, në nëntor të vitit 1944 me ardhjen e “farës së keqe” komunizmit, siç e quante ai, si një nga kuadrot e Ballit Kombëtar, si një nga personat e padëshirueshëm të Partisë Komuniste Shqiptare, sepse ai kishte bërë publike Direktivën Sekrete të Enver Hoxhës të datës 10 shtator 1943, ku ky porosiste organizatat e partisë të qarqeve të Shqipërisë që të fillonin luftën kundër organizatës së Ballit Kombëtrar, për ta quajtur atë shkaktar të mosbashkimit dhe të vllavrasjes…
Në kujtimet e tij lexojmë :”Unë me kushërirën time Diturinë, tregon Sejfiu, pasi mbaruam studimet në Itali në qershor të vitit 1943 u kthyem në Berat me dëshirën e madhe që të merrnim pjesë me armë në luftën Antifashiste”.

Historia Bostonit, nuk mund të shkruhet pa historinë e emigracionit shqiptar. Në historin bostoniane, kanë zënë vend tashmë dhe ngjarjet shpirtërore të kombit tonë. Dhe si të tilla janë edhe tre ngjarjet më të rëndësishme të muajit Mars. Janë data këto, të cilat, na bëjnë ta quajmë këtu në Boston, “Marsi Nolian” Janë përvjetorët e Nolit, të cilat kremtohen nga kisha shqiptare ortodokse në SHBA-së, dhe gjithë komuniteti shqiptarë në Amerikë. Janë pikërishtë tre përvjetorët historikë, që mbledhin rreth vetes jo vetëm besmitarët Orthodokës, por edhe Vatranët e kulluar, patriotët e atdhetarët mbarëshqiptarë.
I tillë ka qenë në kujtimet e mija edhe, 8 Marsi 1908 – i cili përkoi në 2008 gjashtë vjetë më parë me 100-vjetorin i dorëzimit të Fan Nolit në prift, gjë që shënon dhe ringritjen e kishës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që po në atë vit, më 22 mars 1908, është 100-vjetori i të parës Liturgji Hyjnore në gjuhën shqipe nga At Theofan Stilian Noli, gjë që shënoi dhe themelimin të kishës shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. Ndërsa po në mars – më 13 mars 1965 në Florida do të mbyllte sytë Theofan Stilian Noli .
Më 22 Mars 2008, tek varri i Kryepeshkopit Theofan Stilian Nolit, ditën kur shqiptarët e Amerikës përkujtuan 100 vjetorin e ditës kur u mbajtë Mesha për herë të parë në gjuhën Shqipe në sallën “Knights of Honor” të Bostonit në kujtimet e mija është edhe përshëndetia e inxhinier Sejfi Protopapa, patriot dhe veteran i diaspores, i cili ka punuar e kontribuar për demokracinë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës gjatë gjithë jetës së tij, së bashku me shumë shqiptarë patriot dhe atdhetarë të shquar të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai foli plot pathos, duke nënvizuar se gjënia e Peshkop Nolit, ishte se ai përcaktoj gjuhën Shqipe, në meshërimet kishtare si themelin e kombit Shqiptar, që do të kërkonte pavarësinë . Më tej ati thënë në këtë fjalim Protopapa, :” unë e përfytyroj lehtë zërin baritonë të Peshkop Nolt, duke dhënë liturgjinë e shënjtë në gjuhën Shqipe. Zëri i tij në gjuhën Shqipe në atë kishë të thjeshtë si edhe shkrimet dhe botimet në atë periudhë, ishin ndër pjesët kryesore të mureve për ndërtimin e shtetit të ri Shqiptar që shpalli pavarësin e vet në 28 Nentor 1912 “, ka thënë ndër të tjera një ndër anti komunistët më të vjetër në diasporë, Sejfi Protopapa.
Simbas professor Thanas Gjikës, thuhet se :” Menjeherë mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, Sejfi Protopapa u angazhua në luftën për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai u bashkua me z. Antoni Athanas, Very Rev’ Arthur Liolin, etj dhe shkoi në Shqipëri për të mbrojtur Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai ka shkruar artikuj të ndryshëm për këtë problem dhe investoi për të shugurar priftërinj orthodksë shqiptarë në Rumani, Maqedoni dhe këtu në Amerike, priftërinj që punojnë në rrugë të pavarur prej Hirësisë së tij Janullatos. Z. Protopapa në këtë drejtim punon në përputhje me rrugën e ideuar prej Sami Frashërit, i cili kur e ngriti i pari problemin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare si vepër me rëndësi kombëtare, tha se atë duhej ta kryenin së bashku shqiptarët e krishterë në bashkëpunim me shqiptarët myslimanë…” lexojmë në shkrimin me titull “Tre mësime nga jeta 90- vjeçare e Sejfi Protopa” nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika

Pasaporta
Emri: Sejfi
Mbiemri: Protopapa
Datëlindja: 20 shkurt 1923
Vendlindja: Berat
Origjina: Familje bejlerësh në fshatin Protopapë të Korçës
Vendbanimi: Wayland, Massachusetts, SHBA
Larguar nga Berati më 1944
Kthyer në vitin 1992

Arsimi
Tetëvjeçar në Berat
Shkollën e Mesme Tregtare në Vlorë
Ndërpret studimet në Universitetin e Peruxhias për Financë
Diplomohet për Fizikë Bërthamore në SHBA

Filed Under: Komunitet Tagged With: 91 vjec, nderroi jete, Sejfi Protopapa

E vërteta e vrasjes së gjyshit të Rugovës

November 4, 2013 by dgreca

Nga Sejfi Protopapa*/

Para ca kohësh, anëtarët e organizatës internetore Alb-Shkenca diskutuan rreth idesë se babai dhe gjyshi i të ndjerit Ibrahim Rugova ishin ekzekutuar nga komunistët në Kosovë, ngaqë ishin anëtarë të Ballit Kombëtar, e si të tillë, i binte të ishin bashkëpunëtorë të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Se nga u motivua ky debat është për mua mister. Sepse debati lindi kur njerëz nga e gjithë bota po nderonin njeriun, individin Ibrahim Rugova, si një udhëheqës të vërtetë shqiptar, i cili në rrugë paqësore kërkoi me vendosmëri çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe. Dhe mbi të gjitha, a duhet që fëmijët dhe nipërit tanë të vuajnë apo të nënvleftësohen për shkak të veprimeve tona?
Gjëja më interesante në debatin tek Alb-Shkenca ishte se të dyja palët binin plotësisht dakord për një gjë: që çdo anëtar i Ballit Kombëtar automatikisht kishte qenë “i keq” dhe “ipso facto” një bashkëpunëtor i nazizmit.
Z. Auron Tare përcolli në diskutim një dosier të zbulimit britanik si një provë përfundimtare të bashkëpunimit të babait dhe gjyshit të të ndjerit Rugova me nazistët. Ai ofroi të njëjtin dosier për të ndihmuar Alb-Shkencën të shkruajë historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Dhe i njëjti Auron Tare më ofroi mua të njëjtën dosier për të provuar se Mit’hat Frashëri ishte bashkëpunëtor i nazizmit.
Unë i dërgova z. Tare një mesazh në të cilin i sugjeroja se ai dhe z. Kokonozi (një tjetër diskutant) po i referoheshin Mehdi Frashërit, i cili kishte qenë kryeministër gjatë luftës. Ai m’u përgjigj se nuk po ngatërronte emrat. Kjo më bëri t’i shkruaj disa fjalë për Mit’hat Frashërin, udhëheqësin tim gjatë luftës antifashiste të organizatës së Ballit Kombëtar në Shqipëri.
Në 7 prill 1939, kur italianët pushtuan Shqipërinë, Mit’hat Frashëri ishte pronar i një librarie në Tiranë. Në atë librari dhe në atë datë i pati fillimet e saj organizata antifashiste e Ballit Kombëtar.
Asnjëherë gjatë kohës së luftës, Mit’hat Frashëri nuk u punësua në administratat e udhëhequra nga qeveritë e ndryshme kuislinge shqiptare. Ai ishte udhëheqësi nominal i Ballit Kombëtar dhe në këtë kapacitet, ai mbështetej nga një numër shqiptarësh të ndritur, ndër të cilët edhe këta njerëz:
Prof. Abaz Ermenji kishte studiuar në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ai u internua në ishullin e Ventottenes nga fashistët italianë. Kur u lirua nga internimi, ai organizoi disa çeta luftëtarësh në verilindje të Beratit për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi italian. Prof. Ermenji udhëhoqi çetat e tij në një ofensivë ushtarake kundër forcave fashiste në Berat (qyteti im i lindjes). Në atë operacion, forcat komuniste ndenjën mbi prapanicat e tyre dhe bënë sehir. Gjatë luftës civile unë isha nën komandën e Prof. Ermenjit.
Prof. Vasil Andoni kishte studiuar në Universitetin Britanik në Stamboll. Ai ishte profesor në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit. Ne e konsideronim atë si njeriun më aktiv për rilindjen e shkollave shqipe në Kosovë. Ai ishte bashkëpunëtori më i afërt i Mit’hat Frashërit. Vëllai i tij, Alfredi, ishte zëri shqiptar në ‘BBC’-në e Londrës.
Prof. Safet Butka kishte studiuar në Austri. Ai ishte profesor në Liceun e Korçës kur u internua nga Italia fashiste në Ventottene. Ai ishte udhëheqësi i forcave të Ballit Kombëtar në Kolonjë.
Prof. Zef Pali kishte studiuar për letërsi në Itali. Ai ishte profesor në Gjimnazin e Shkodrës. Ai ishte një orator dhe shkrimtar i shkëlqyer.
Avokat Hasan Dosti kishte studiuar për jurisprudencë në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ai kishte qenë kryetari i Gjykatës së Lartë në Shqipëri. Ai udhëhoqi delegacionin e Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes, ku u takuan përfaqësues të dy grupeve antifashiste shqiptare: Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar.
Avokat Skënder Muço u ekzekutua nga nazistët në Vlorë. Unë jam krenar për të gjithë udhëheqësit e mi të Ballit Kombëtar, por e quaj veten me fat dhe të bekuar që pata mundësinë të njihem personalisht me z. Muço. Si përfaqësues i Ballit Kombëtar, ai mbante lidhje me oficerin amerikan të stacionuar në afërsi të Himarës.
Z. Hysni Lepenica ishte një komandant i rëndësishëm i Ballit Kombëtar në Shqipërinë e jugut. Ai u vra në krye të forcave balliste në luftimet me forcat italiane në Gerhot të Gjirokastrës.
Prof. Nexhat Peshkëpija, profesor matematike në Gjimnazin e Tiranës ishte një nga bashkëpunëtorët e parë të Mit’hat Frashërit.
Dhe lista mund të vazhdojë gjatë.
Për hir të së vërtetës historike, Z. Auron Tare duhet të jetë i qartë se, në 7 prill 1939 nuk kishte parti komuniste në Shqipëri, kishte vetëm tri grupe komuniste. Partia Komuniste u krijua vetëm pasi forcat gjermane filluan ofensivën e tyre kundër Bashkimit Sovjetik në qershor 1941. Deri në atë kohë, komunistët shqiptarë nuk ishin lejuar nga bosët e tyre sovjetikë të luftonin kundra pushtuesve italianë, sepse në fuqi ishte një pakt mossulmimi, i firmosur nga ministri i Jashtëm gjerman, Ribbentrop dhe ai sovjetik, Molotov.
Unë e informova z. Tare se i kam takuar personalisht gjatë luftës dy oficerët e misionit britanik në Shqipëri: Kolonel MacLean dhe Major Julian Amery. Unë isha prezent, por jo pjesëmarrës në sulmin që forcat e Ballit Kombëtar i bënë një autokolone gjermane në rrugën për në Lezhë. Unë i isha bashkëngjitur misionit britanik që po vrojtonte operacionin nga një majë kodre në distancë. Në fakt, pas mbarimit të luftës, kontaktova me Mr. J. Amery (ai ishte anëtar i Parlamentit britanik në atë kohë) për të nxjerrë nga kampet e aleatëve në Itali kushëririn tim Fatbardh Guri, i cili kishte qenë nën komandën e Abaz Ermenjit gjatë luftës civile.
Marrëveshja e Mukjes në vitin 1943 midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar ishte evenimenti historik më i rëndësishëm që përcakton pozicionin antigjerman të Ballit. Duke nënshkruar atë marrëveshje, komunistët e njohën automatikisht Ballin Kombëtar si një organizatë antifashiste.
Në komunikimin me Z. Tare i kërkova të fokusohej në këtë arsyetim: Partia Komuniste synonte dhe punonte energjikisht për të marrë frenat e pushtetit në dorë. Në bisedat private të udhëheqjes komuniste lufta partizane kundër gjermanëve trajtohej thjesht si një mjet për të arritur atë qëllim. Ndërkohë që po planifikonin vendosjen e diktaturës komuniste, ata nuk mund të lejonin bashkekzistencën e një entiteti politik në vend. Komunistët thjesht do harxhonin energjitë kot me sulme ndaj njerëzve si Mustafa Kruja, Shefqet Vërlaci, Ernest Koliqi, Xhafer Deva e të tjerë, që publikisht kishin mbështetur aksin Musolini-Hitler. Ata kolaboratorë do të zhdukeshin automatikisht nga skena politike fill pas disfatës së forcave të Aksit.
Ishte pikërisht kjo arsyeja që komunistët i përqendruan të gjitha forcat e tyre kundër Ballit Kombëtar. Për më tepër, atyre u duhej të përballeshin me pasojat e Marrëveshjes së Mukjes.
Fushata propagandistike dhe politike kundër Ballit Kombëtar injoroi të gjitha rregullat e ndershmërisë dhe arsyes. Fushata filloi që në shkëndijat e para të luftës civile dhe vazhdoi pa pushim deri në rënien e regjimeve komuniste në Europën Lindore në fillim të viteve ’90. Çdo ngjarje, qenie njerëzore, organizatë e objekt që kërcënonte mendjen paranojake të regjimit iu atribuua Ballit Kombëtar dhe si të tillë, u etiketuan si tradhtarë e të rrezikshëm. Me etiketën e Ballit në kurriz, shumë njerëz u ekzekutuan e shumë familje vuajtën burgime dhe internime. Me atë etiketim në kurriz, edhe fëmijët e vegjël vuajtën, ata privoheshin nga marrja e dhuratave për Vitin e Ri dhe përçmoheshin nga shokët e klasës. Të gjitha mjetet e komunikimit u përdorën për të ofenduar e tallur Ballin, duke përfshirë strukturat qeveritare e partiake, si dhe shkollat e mediat.
Vlen të pranoj këtu se Partia Komuniste ia doli mbanë në fushatën e saj propagandistike kundra Ballit Kombëtar, përderisa edhe sot intelektualët shqiptarë (të vërtetë ose pseudo) akuzojnë të ndjerin Mit’hat Frashëri si një kolaborator të nazi-fashistëve.
Duke përmbledhur, kam këto për të thënë:
1. Në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ngjarjet politike ishin shumë komplekse. Një dosier i shërbimit sekret britanik nuk mund e nuk duhet të konsiderohet si bibla nga historianë seriozë, që përpiqen të zbërthejnë historinë e Shqipërisë së asaj periudhe.
2. Nga radhët e shërbimeve sekrete britanike doli edhe një Kim Philby, i cili ishte një agjent i dyfishtë i sovjetikëve. Mos bëhet fjalë për një dosier të tij?
3. Z. Abdulla Alarupi, një komandant i Ballit Kombëtar në zonën e Pogradecit, sulmoi një autokolonë gjermane që vinte nga Elbasani. Si rezultat, ai kapi rob dy ushtarë gjermanë. Oficeri britanik pranë komandës së z. Alarupi kërkoi që ata të ekzekutoheshin. Ndërsa komandanti ballist refuzoi, duke iu referuar traditës shqiptare sipas së cilës një person i paarmatosur nuk mund të vritet.
Duhet pasur parasysh se replika me z. Auron Tare është thjesht një element anësor në këtë shkrim. Në thelb të shkrimit është pyetja: Si ka mundësi që intelektualët shqiptarë, me përtaci, vendosin ta quajnë Ballin Kombëtar si një organizatë fashiste. Për këtë unë sfidoj çdo njeri që të debatojmë rreth kësaj çështjeje.
Për ata që dëshirojnë të kuptojnë plotësisht përmbajtjen politike të luftës civile në Shqipëri, sugjeroj ta konsiderojnë Marrëveshjen e Mukjes si pikën kulmore të asaj lufte. Në fshatin Mukje, Fronti Nacionalçlirimtar dhe Balli Kombëtar ranë dakord që të koordinojnë operacionet luftarake antifashiste. Balli Kombëtar përfaqësohej nga Hasan Dosti dhe Thoma Horollogaj. Në atë konferencë, Balli Kombëtar bëri vetëm dy kërkesa: që procesi demokratik të zbatohej me rigorozitet në Shqipërinë e pasluftës dhe që Kosovës t’i jepej e drejta të përcaktonte fatin e saj vetë, qoftë edhe me referendum, po të ishte e nevojshme. Në shkëmbim, Balli Kombëtar u ofroi komunistëve ta shkruanin si të donin pjesën tjetër të marrëveshjes rreth çështjeve politike e sociale.
Çdo njeri i paanshëm, e sidomos një intelektual shqiptar nuk duhet të ketë shumë vështirësi për të kuptuar se në Mukje vetë komunistët e njohën Ballin Kombëtar si një organizatë antifashiste. Ata nuk bënë një marrëveshje të tillë me ndonjë organizatë tjetër. Dhe në fakt, fill para luftës civile, Marrëveshja e Mukjes ishte preokupimi kryesor i Partisë Komuniste.
Unë këtë e di nga eksperienca personale, sepse isha i pari person nga Balli Kombëtar që më ra në dorë një dokument me urdhrin e Partisë Komuniste për të filluar luftën civile kundër Ballit Kombëtar. Ai dokument ishte nënshkruar nga Shpati (pseudonimi i Enver Hoxhës).
Në atë kohë Italia kapitulloi dhe forcat luftuese të të dyja kampeve u futën në qytetin tim të Beratit. Forcat gjermane që zëvendësuan italianët nuk u futën në Berat. Ata thjesht nuk kishin trupa të mjaftueshme për këtë gjë në atë stad të luftës.
Prof. Abaz Ermenji, udhëheqësi i forcave të Ballit për atë zonë, e ngriti shtabin e tij në godinën e Bashkisë, ndërsa komunistët e ngritën shtabin e tyre në ndërtesën e Prefekturës, 1500 metra më në lindje. Të dyja palët bashkëjetuan për rreth dy muajsh në paqe. Marrëveshja e Mukjes ishte akoma në fuqi.
Kur urdhëri për të filluar luftën civile arriti në Berat, komunistët vendosën të evakuoheshin nga Berati. Lufta civile filloi dhe vazhdimi i saj tashmë është regjistruar në histori.
Duhet pasur parasysh se deri në shpërndarjen e forcave të Ballit Kombëtar në fund të vitit 1944, sidomos në Shqipërinë e jugut, ekzistonte një vakum i plotë pushteti dhe forca kundërshtare të armatosura konkurronin me njëra-tjetrën. Gjermanët kishin aq pak forca sa mezi mbronin urat në arterien kryesore bregdetare dhe në rrugën Tiranë-Korçë. Komunistët dukeshin qartë në avantazh në drejtim të marrjes së pushtetit pas tërheqjes së gjermanëve. Si rrjedhim, forcat e Ballit Kombëtar ishin të sanduiçuara midis atyre komuniste dhe gjermane.
Për shembull, forcat e Ballit Kombëtar në Berat nuk i sulmuan gjermanët që mbronin nxjerrjen e naftës në Kuçovë dhe këta të fundit nuk sulmuan ballistët në Berat. Ndërkohë, komunistët, duke u treguar të mençur nuk sulmuan as forcat gjermane në Kuçovë e as ato balliste në Berat. Vetëm pseudohistorianët që dëshirojnë dhe/ose kanë nevojë të shtrembërojnë të vërtetën mund ta injorojnë bashkëjetesën e dy forcave antifashiste në Berat dhe Marrëveshjen e Mukjes.
Në lidhje me situatën në Kosovë, dua të filloj me vizitën time atje në 1972, si një nënshtetas amerikan. Gjatë udhëtimit tim nuk kisha shqetësime për sigurinë time personale thjesht sepse z. Rankoviç, ministri i Brendshëm, ishte eliminuar nga Tito në 1966. Duhet theksuar se rënia e Rankoviçit shënoi një erë të re për Kosovën. Më së fundi, shqiptarët e Kosovës me të vërtetë po bëheshin më të lirë dhe më të lumtur për mundësitë e ringjalljes së identitetit të tyre shqiptar. Nga ajo vizitë në Kosovë do përmend dy episode.
Tek po shkoja për në Gostivar, ndalova makinën kur pashë një djalë 10-vjeçar që po ecte në këmbë. E pyeta shqip se ku po shkonte. Ai më tha se po shkonte në shkollën që dukej në majë të një kodre të lartë për të mësuar shkrim e lexim në shqip.
Gjithashtu, unë shkova dhe në Beograd për të takuar z. Fadil Hoxha në zyrat e Partisë Komuniste të Kosovës, që ndodheshin në lagjen më të re beogradase. Fadil Hoxha ishte përfaqësuesi i Kosovës në Federatën Jugosllave gjatë kohës së Titos. Por fatkeqësisht, ai nuk ishte atje. Personit që e zëvendësonte atë i tregova se unë kisha marrë pjesë në luftën civile në Shqipëri si luftëtar i Ballit Kombëtar dhe se desha ta falenderoja z. Fadil Hoxha që i kishte shpëtuar jetën Ejup Binakut nga serbët e Kosovës. Ejupi ishte një mik i imi personal nga Gjakova, i cili kishte udhëhequr një grup prej 500 nacionalistësh shqiptarë, që ishin pjesë e lëvizjes për shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia, të udhëhequr prej intelektualit me shkollim francez, Prof. Selman Riza.
Dua të theksoj se pavarësisht të kaluarës sime si ballist, ose ndoshta pikërisht prej saj, zyrtarët komunistë shqiptarë në Beograd më trajtuan si një vëlla të vërtetë. Ata më dhanë drekë dhe më bënë një shëtitje për të parë qytetin.
Kuptohet që Balli Kombëtar në Shqipëri ishte përkrahës i flaktë i lëvizjes nacionaliste për pavarësi në Kosovë. Ndërkohë, edhe shqiptarët e mirë kosovarë e vlerësonin qartësinë e Ballit Kombëtar në lidhje me të drejtat politike dhe njerëzore të shqiptarëve në Kosovë.
Gjithashtu nuk duhet harruar se misioni ushtarak britanik në Kosovë e kishte atëherë bazën në pronat e familjes Kryeziu. Ndërkohë që po në Kosovë kishte edhe një Xhafer Deva, i cili ishte pro-gjerman dhe i cili organizoi një forcë milicore, që u dërgua pjesërisht në jug të Shqipërisë për të shtypur lëvizjen anti-gjermane atje. Duhet mbajtur shënim se forcat e Xhafer Devës ishin ato që vranë në Vlorë Hamit Meqemenë dhe avokat Skënder Muçon, i cili ishte anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.
Partia Balli Kombëtar u krijua në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, pas rënies së komunizmit (Balli Kombëtar i viteve ’40 ishte thjesht një organizatë politike e jo një parti). Në fakt, në mënyrë të tërthortë, unë kontribuova për krijimin e asaj partie. Gjithashtu, u takova me disa udhëheqës kosovarë në Zvicër për të diskutuar situatën në Kosovë. Eventualisht, gjatë viteve ’90, shqiptarët në Kosovë dhe kosovarët në Zvicër krijuan partinë e tyre të Ballit Kombëtar.
I solla këto fakte për të treguar se, me sa di unë, nuk kishte në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore ndonjë organizatë apo parti politike me emrin “Balli Kombëtar”. Kuptohet që ka pasur shumë njerëz që e simpatizonin Ballin, e për rrjedhojë mund ta kenë quajtur veten ballistë në nivel individual.
Komunistët serbë në Kosovë, të udhëhequr e të mbështetur nga z. Rankoviç, ekzekutuan babanë dhe gjyshin e të ndjerit Rugova, duke i etiketuar ata si ballistë (siç u përmend në diskutimin në Alb-Shkenca) thjesht për të mbuluar motivet antishqiptare të krimit të tyre. Ata shfrytëzuan efektivitetin e kësaj etikete, për të cilën komunistët e Shqipërisë kishin investuar shumë energji propagandistike. Natyrisht, e vërteta historike nuk përbënte prioritet për serbët antishqiptarë. Ndërkohë, Partia Komuniste në Shqipëri e trajtonte të vërtetën si një lojë me pasqyra.
Ata që rinxorën lajmin e gënjeshtërt rreth paraar-dhësve të Rugovës, kuptohet që dëshironin të cenonin e denigronin imazhin dhe trashëgiminë e fuqishme që Ibrahim Rugova ynë i la kombit shqiptar.
*Fizikant bërthamor
në pension, SHBA(Gazeta Shqiptare)

Filed Under: Featured Tagged With: e verteta e vrasjes, Ibrahim Rugoves, se gjyshit, Sejfi Protopapa

TRE MESIME NGA JETA E 90-VJEÇARIT SEJFI PROTOPAPA

September 15, 2013 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika (USA)/

Këto javët e fundit në Gazeta Shqiptare në Tiranë u botuan një varg intervistash të gazetarit F. Veliu me atdhetarin shqiptaro-amerikan Sejfi Protopapa. Duke qenë se e kam njohur prej 17 vjetësh këtu në SHBA si atdhetar dhe bashkëpunëtor të të paharrueshmit Antoni Athanas, si një veprimtar aktiv të autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare, disa muaj më parë ia mblodha disa kujtime për t’i festuar me një grup intelektualësh 90-vjetorin në Worcester MA. Nga kujtimet e z. Protopapa dhe nga intervistat e tij të botuara tani së fundi kam nxjerrë tre mësime shumë të vlefshme për të gjithë ne shqiptarët:

1. Nga e keqja duhet të ndahemi menjëherë dhe përfundimisht.

Sejfi Estref Protopapa u largua prej atdheut në nëntor të vitit 1944 si një nga kuadrot e Ballit Kombëtar, si një nga personat e padëshirueshëm të Partisë Komuniste Shqiptare sepse ai kishte bërë publike Direktivën Sekrete të Enver Hoxhës të datës 10 shtator 1943, ku ky porosiste organizatat e partisë të qarqeve të Shqipërisë që të fillonin luftën kundër organizatës së Ballit Kombëtrar për ta quajtur atë shkaktar të mosbashkimit dhe të vllavrasjes…

Unë me kushërirën time Diturinë, tregon Sejfiu, pasi mbaruam studimet në Itali në qershor të vitit 1943 u kthyem në Berat me dëshirën e madhe që të merrnim pjesë me armë në luftën Antifashiste.

Babai im ishte mplakur, nuk merrej me politikë, qëndronte neutral; kurse xhaxhai, ndonëse nuk ishte anëtar i Ballit Kombëtar, ishte simpatizant i kësaj organizate, sepse ai vleresonte udhëheqësit e Ballit për shkollimin dhe atdhetarinë e njohur të tyre.

Të ndodhur para presionit të të rinjve komunistë, unë dhe Dituria, pranuam të bashkoheshim me ta, për të treguar se nuk ishim profashistë, por atdhetarë antifashistë, që donim të luftonim pushtuesin. Dituria u bashkua me forcat e armatosura dhe doli malit partizane, kurse unë, si çalaman që isha, nuk më dërguan në mal, por më mbajtën në qytet për të punuar si sekretar e shaptilografist në Prefekturë, ku ishin vendosur veprimtarë të PKSH-së. Midis të rinjve me të cilët unë fillova të bashkëpunoja për të shaptilografuar trakte dhe materiale të PKSH-së ishin Kristaq dhe Margarita Tutulani, të cilët i njihja dhe i simpatizoja si njerëz të zgjuar dhe patriotë. Margaritën, e cila ishte dhe mjaft e bukur, e kisha pasur bashkënxënëse në shkollën qytetse. Kristaqi herë më diktonte shkrime të veta, herë trakte të ardhur nga qendra. Bashkëpunimi me ta vazhdoi gati një muaj, mbasi forcat e karabinierisë italiane ( forca të mbretit Viktor Emanueli), në korrik 1943 kryen një aksion spastrimi duke arrestuar e vrarë 30 të rinj antifashistë beratas, shumica komunistë, midis të cilëve Margaritën dhe Kristaqin.

Unë u temba, nuk shkova disa ditë në Prefekturë dhe prisja të më arrestonin. Por pas disa ditësh më njoftuan të shkoja përsëri në Prefekturë. Nuk isha anëtar i PKSH-së, madje as kandidat i saj, punoja thjesht si sekretar, daktilografist dhe shaptilografist për shumfishimin e materialeve që vinin nga qendra.

Aty nga data 12-13 shtator 1943 postjeri, solli dhe la një zarf në zyrën ku isha unë. Me që ai nuk tha se ishte material sekret dhe me që shefi im nuk ndodhej aty, unë, duke menduar se materiali duhej kopjuar e shumëfishuar për ta shpërndarë sa më parë, e hapa zarfin dhe e lexova materialin. Ishte një direktivë sekrete firmosur nga Shpati. Midis të tjerash më kanë mbetur në mendje këto fjalë:

…ne duhet të punojmë në drejtimin që vijon: Ta demaskojmë dhe ta diskreditojmë Ballin në popull, ta paraqisim në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes. Të bëjmë që populli… të revoltohet dhe kështu gjithë përgjegjësia historike e mosbashkimit të popullit shqiptar dhe e përpjekjes me armë të bjerë përmbi Ballin Kombëtar. ( Këtë fragment e kemi verifikuar me materialin Nga direktiva sekrete e Enver Hoxhës dërguar më 10 shtator 1943 gjithë komiteteve qarkore të PKSH, botuar në veprën Shqipëria në Luftë, autor Muharrem Dezhgiu, Tiranë, GLOBUS R. 2001, f. 334. Shënimi ynë, Th. L. Gj.)

Leximi i këtij materiali më tronditi, vijon z. Protopapa. Deri në atë ditë ekzistonte një atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar, vendimet që u morrën në Mukje më 2 gusht 1943 për luftë të përbashkët për çlirimin e atdheut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira pas luftës për të vendosur populli me votën e tij regjimin që do të dëshironte; kishin mbushur me shpresa optimiste gjithë popullin, sidomos ne veprimtarët antifashistë. Kurse pa pritur Shpati (Enver Hoxha) po porosiste që të punohej për diskreditimin e Ballit Kombëtar si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes, në një kohë kur një luftë vllavrasëse nuk ekzistonte. Më vetëtiu në kokë se PKSH-ja po synonte që ta krijonte luftën vllavrasëse dhe fajin t’ia hidhte Ballit Kombëtar, për ta mënjanuar si rival pushteti.

I tronditur futa materialin ne zarf dhe me të në xhep shkova në shtëpi. Babai pasi e lexoi më tha: Shko tek Veliu. Ky më tha t’ia shpija Abas Ermenjit, kryetarit të Ballit Kombëtar për qarkun e Beratit. Shkova në Bashki, ku ishin vendosur e punonin veprimtarët e Ballit, ia dorëzovas zarfin z. Ermenji. Ky më falenderoi dhe udhëzoi që të kopjohej dhe të botohej sa më parë në gazetën FLAMURI, organ i Ballit. Pas kësaj unë nuk shkova më në Prefekturë, madje u largova nga Berati, shkova disa ditë në fshatin Protopapë për t’u takuar me kushërinjtë e atjeshëm. Në Protopapë më dërgonte babai gjatë pushimeve verore kur isha nxënës në shkollën qytetse. Mendova të delja malit si ballist, por kushërinjtë e mij atje ishin lidhur me lëvizjen partizane. Pasi u shpjegova atyre shkaqet pse nuk doja të punoja më për Partinë Komuniste, u ktheva në Berat. Mendoja të mos lidhesha me asnjë forcë politike, të shikoja punën time si neutral. Mirëpo një mesditë, kur kisha marrë babain tim në skarë të biçikletës për ta kthyer nga kafeneja në shtëpi për të drekuar, jo larg Prefekturës, më preu rrugën Ceno Vermishi. Më ndali duke vënë dorën në timon e duke shtrënguar një pushkë që mbante në krahun tjetër, më tha me një ton aspak miqësor: „Sejfi pse nuk ke dalë nga Prefektura, ajde, ajde se na duhesh!“

Babai im, duke kuptuar kërcënimin, i tha me inat: „More djalë duke hedhur një pushkë krahut mendon se je bërë burrë dhe mund të na presësh rrugën. Na lër rehat se po shkojmë të hamë drekë, Sejfiun takoje më vonë“.

Unë nuk shkova në Prefekturë, por shkova në Bashki ku takova z. Ermenji dhe i tregova kërcënimin që më bëri Ceno Vermishi. Ai e kuptoi se komunistët donin të më eleminonin fizikisht, si njeriun që kisha bërë publik direktivën sekrete të Enver Hoxhës. Më dha dy trima të armatosur të më mbronin në çdo situatë, vëllain e tij të vogël Zeno Ermenjin dhe një trim nga Moglica e Korçës, Selim Moglicën. Mbas disa ditëve vendosa të largohem nga Berati.

Abaz Ermenji më besoi një çetë të madhe, një batalion, me 150 ballistë të armatosur për të vepruar në zonën e Roskovecit. Qëllimi ynë ishte ruajtja e rendit dhe e qetësisë, nuk organizuam asnjë ndeshje të armatosur kundër partizanëve, por as kundër gjermanëve. Këta ishin vendosur në Kuçovë dhe në Ura Vajgurore. Qëllimi i tyre ishte shfrytëzimi i vajgurit dhe rruajtja e rrugëve. Gjithsej në Shqipëri gjermanët sollën dy divizione me djem fare të rinj dhe me burra të moshuar. Luftime të vërteta kundër tyre nuk zhvilluan as forcat partizane, as ne ballistët…

Nga kjo dëshmi e z. Protopapa dhe nga materialet e botuara këto vitet për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, del e qartë se mbas hedhjes poshtë të vendimeve të Mukjes dhe shpalljes së Ballit Kombëtar si organizatë armiqësore prej udhëheqjes së PKSH-së, Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare mori edhe tipare të një lufte civili, vllavrasëse.

Kur formacionet balliste panë se pushka partizane u drejtua kundër tyre, ato u çorjentuan. Pati edhe formacione balliste që ranë në po atë gabim, dhe filluan të kryenin veprime luftarake kundër forcave partizane, madje disa prej tyre bashkepunuan me forcat gjermane. Pra duhet pranuar se Lufta mori tipare të një lufte civile, luftë për të siguruar pushtetin para se të arrihej çlirimi i atdheut, por për këtë dukuri nuk duhet të bëhet fajtor vetëm Balli Kombëtar, si është bërë deri më sot, mbasi shkaktari i parë i saj ka qenë direktiva sekrete e Enver Hoxhës, të cilën e bëri menjëherë publike djaloshi i zgjuar e guximtar, Sejfi Protopapa.

Ky veprim i këtij 20-vjeçari, i cili diti ta vlerësonte si duhej direktivën sekrete të Enver Hoxhës si akt antikombëtar, që nxiste kthimin e Luftës Antifashiste në një luftë vllavrasëse, në një luftë për pushtet, ka brenda mësimin e madh: prej së keqes duhet të ndahemi pa hezitim dhe në mënyrë përfundimtare.

Mirëpo shumica e historianëve tanë, ende edhe sot, nuk e pranojnë faktin se në fund të fundit Balli Kombëtar gaboi mbasi në atë gabim e shtyu pushka partizane, se përgjegjësia për deformimin e luftës mbas shtatorit 1943 së pari bie mbi udhëheqjen e PKSH-së sepse ajo e hodhi e para hapin e gabuar. Fatkeqësish këtë faj të PKSH-së historianët dhe opinionistët prokomunistë e kanë mohuar dhe vijojnë ta mohojnë ende. Ata vijojnë ta quajnë Ballin organizatë tradhëtare, vllavrasëse dhe ballistët dhe nacionalistët e rënë dëshmorë në luftimet kundër forcave italiane fashiste dhe atyre gjermane, nuk kanë pranuar t’i varrosin në Vorrezat e Dëshmorëve.

2. Autorët e veprave të realizmit socialist duhet t’i dënojnë krimet e tyre artistike.

Për publikimin e direktivës sektete, Sejfi Protopapa u anatemua prej Partisë Komuniste Shqiptare, u fut në listat e armiqve të popullit, kurse prej artit të realizmit socialist u kthye në një figurë negative përmes tipit të ballistit me emrin Sali Protopapa krijuar prej shkrimtarit Dritëro Agolli në romanin Komisari Memo, i cili u bë dhe film me titullin I teti në bronx.

Në vitin 1992, gjatë vizitës së parë që bëri z. Sejfi Protopapa në Shqipëri, i shkoi në shtëpi shkrimtarit Dritëro Agolli për të parë nëse ai, pas shkërmoqjes së diktaturës kishte evoluar, në se kishte kuptuar dëmet që i kishte shkaktuar politizimi i skajshëm veprave të tij.

Gjatë bisedës z. Protopapa i tha shkrimtarit se ai si ballist nuk kishte vrarë asnjë shqiptar dhe se nuk kishte bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, se i vetmi „faj“ i tij që nuk mund t’ia falte PKSH / PPSH-ja ishte denoncimi dhe publikimi i direktivës sekrete të Enver Hoxhës të 10 shtatorit 1943. Mirëpo shkrimtari nuk i kërkoi të falur për deformimet që kishte sajuar, por duke qeshur i tha se zgjedhja e emrit te personazhit ishte rastësore. Më tej ish ballisti i tha shkrimtarit se mbas shfaqjes së filmit dhe botimit të romanit, familjarët e tij në Shqipëri filluan të shikoheshin më egër se më parë, dhe ata, për të shpëtuar nga pasojat e luftës së klasave ndërruan mbiemrin. Përsëri shkrimtari nuk shprehu asnjë keqardhje.

Kjo bisedë tregoi qartë se Dritëro Agolli, një nga shkrimtarët më të talentuar të letërsisë së kohës së diktaturës nuk kishte bërë asnjë hap drejt pendesës, asnjë hap evoluimi, për të dënuar politizimin e skajshëm të veprave të veta të hartuara në përputhje me normat e metodës së realizmit socialist.

Fatkeqësish sot Dritëro Agollin, kalemxhinjtë prokomunistë e quajnë Patriark të letrave shqipe, dhe ky nuk revoltohet, nuk e konsideron fyerje, por e merr mburje një epitet të tillë, një epitet që nuk u është dhënë as Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Jeronim De Radës, Naim Frahërit, Gjergj Fishtës, etj. Dritëroi pra e ka për mburje të quhet si mjeshtri, kryeustai i letërsisë shqiptare të realizmit socialist, duke mos dashur të kuptojë se shumica e veprave të tij dhe e kolegëve të tjerë përbëjnë krimin artistik të kohës së diktaturës.

Nga takimi midis z-injve Protopapa dhe Agolli, duhet të nxjerrim mësimin e dytë: Shumica e krijuesve të kohës së diktaturës, që jetojnë ende, nuk kanë punuar me përkushtim për rinovimin e tyre, për depolitizimin e tyre, për t’u çliruar prej mendësisë komuniste, kësaj njolle gjaku në trutë e tyre…

2. Autoqefalia e Kishës Orthodokse Shqiptare është vepër kombetare qe duhet mbrojtur edhe prej shqiptarëve myslimanë.

Menjeherë mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, Sejfi Protopapa u angazhua në luftën për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai u bashkua me z. Antoni Athanas, Very Rev’ Arthur Liolin, etj dhe shkoi në Shqipëri për të mbrojtur Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai ka shkruar artikuj të ndryshëm për këtë problem dhe investoi për të shugurar priftërinj orthodksë shqiptarë në Rumani, Maqedoni dhe këtu në Amerike, priftërinj që punojnë në rrugë të pavarur prej Hirësisë së tij Janullatos. Z. Protopapa në këtë drejtim punon në përputhje me rrugën e ideuar prej Sami Frashërit, i cili kur e ngriti i pari problemin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare si vepër me rëndësi kombëtare, tha se atë duhej ta kryenin së bashku shqiptarët e krishterë në bashkëpunim me shqiptarët myslimanë…

Filed Under: Kulture Tagged With: Sejfi Protopapa, Thanas Gjika

Artikujt e fundit

  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm
  • “50 VJETORI I REVOLTËS SË SPAÇIT”, HOMAZH DHE NDERIM TE VATRA
  • JU MIRËPRESIM NESËR TE VATRA
  • Shoqatat Shqiptare organizojnë “Piknikun shqiptar” në Staten Island, New York më 28 Maj
  • PAQEJA DHE MBROJTJA, NDESHJA DYFISHE N’EVROPË
  • ME VISARIN…
  • Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së
  • Misioni fisnik i AFC ndërthuret me simbolikën historike të New England Conservatory, Boston në 27 maj
  • Kryeministri Kurti mirëpriti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi
  • SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILLO GJUKANOVIQ-it ?

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT