Nga Elida Buçpapaj/
Ministria e Brendshme në diktaturë ka qenë një nga organizmat më famëkeqe të regjimit, me hallkat e saj përmes të cilave mbante nën kontroll dhe frikë të gjitha strukturat e shoqërisë prej superstrukturës deri tek shqiptarët e thjeshtë. Syri vigjilent për të kapur çdo pakënaqësi që kulmonte me luftën e klasave kundër armikut. Kjo ministri gjithashtu merrej me trafikim të drogave dhe cigareve.
Edi Rama e ka të lidhur fatin e tij me tre Ministra të Brendshëm të Shqipërisë, njëri i kohës të diktaturës dy të tjerë të postdiktaturës.
Ministri i parë, është i fundit ministër i Brendshëm i diktaturës. Gramoz Ruçi, kryetari aktual i parlamentit të Shqipërisë, dora e hekurt e PS që i ka dhënë pushtetin dhe e ka mbajtur në pushtet Edi Ramën.
Pa Gramoz Ruçin, Edi Rama nuk e merrte dot drejtimin e PS.
Për të censuruar opozitën, duke ia mbyllur mikrofonat dhe nxjerrë jashtë salle, Edi Rama i ka dhënë në dorë Ruçit frenat e drejtimit të Parlamentit, siç shihet Ruçi e nxjerr menjëherë jashtë loje jo vetëm opozitën por edhe pluralizmin politik.
Ministri i dytë i Brendshëm i Edi Ramës është një nga vartësit e tij më të bindur. Saimir Tahiri, i njohur si një nga yesman-ët më fanatikë të Edi Ramës. E keni parë sot Erion Veliajn si i thur ditirambe Edi Ramës, si i përgjërohet, si i gjunjëzohet, si i lëpihet. E njëjta gjë edhe me Saimir Tahirin. Dukej sikur Tahiri nuk merrte dot as frymë pa lejen e bosit të tij, kryeministrit të Shqipërisë. Edi Rama dhe shërbëtori i tij i bindur Saimir Tahiri e nisën mandatin e parë në luftë gjoja frontale me krimin e organizuar, duke eleminuar bastionin e drogës në Lazarat me të ardhura vjetore sipas Guardia di Finanza me rreth 5 miliardë Euro dhe nga ana tjetër duke e kanabizuar gjithë Shqipërinë me parcela droge.
Edi Rama ka qenë avokati mbrojtës i Saimir Tahirit kur polici i antidrogës Dritan Zagani doli me akuza direkte. Dritan Zagani u detyrua të largohet nga Shqipëria, sepse ishte e qartë se jeta e tij ishte në rrezik. Edi Rama nuk i ka ndalur asnjë çast sulmet kundër Zaganit, mbështetur në shpifje të ulta që mund t’i vërtetojë çdo hulumtues.
Rënia e Saimir Tahirit është rënia e Edi Ramës.
Ministri i tretë i Brendshëm është Fatmir Xhafaj, gjithmonë i përmendur për vëllain e tij të dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg nga drejtësia italiane si trafikant, dënim i pakryer, sepse Agron Xhafaj i kishte shpëtuar duke u kthyer në Shqipëri, ku nuk i ka hyrë asnjë ferrë në këmbë deri në momentin kur opozita solli regjistrime ku ai shfaqej në bisedë me një trafikant droge.
Natyrisht, Agron Xhafaj mund të ekstradohej nga qeveritë Berisha. Gjithashtu Fatmir Xhafaj nuk duhej të priste deri sot, por do të duhej ta kishte ekstraduar të vëllain prej 2002 që kur ishte deputet apo ministër i qeverisë Majko. Nuk mund të pretendojë për Vetting të policisë Fatmir Xhafaj duke e patur të vëllain Agron Xhafajn një wanted nga shteti italian.
Normalisht, sapo opozita doli me regjistrimin, Fatmir Xhafaj do të duhej të jepte dorëheqjen menjëherë deri sa të zbardhej çështja. Nëse ai nuk e jepte dorëheqjen, do të duhej të ishte Edi Rama që ta shkarkonte. Por në vend të shkarkimit, Edi Rama u bë mbrojtës fanatik i Ministrit të tretë të Brendshëm.
Dorëzimi vullnetar i të vëllait të Ministrit të Brendshëm nuk e shfajëson Ministrin Xhafaj, përkundrazi i vërteton të gjitha akuzat e opozitës, ku akuza e parë themelore është se Agron Xhafa i kishte ikur dënimit, dhe kjo përbën një tjetër akt të dënueshëm të tij.
Ndërsa Edi Rama endet në qiellin e Europës nga njëri shtet tek tjetri, opozita sot deklaroi se Dëshmitari X është rrezikuar me jetë nga akt terrorist i njerëzve të Edi Ramës. Ky fakt nuk është vërtetuar, por kërcënimet që ka marrë me jetë Dritan Zagani janë vërtetuar. Dritan Zagani akuzohet nga Edi Rama dhe kërcënohet nga mafia. A nuk është e çuditëshme që Zagani është nën shenjestrën e kryeministrit Rama dhe mafies.
Vetdorëzimi i Agron Xhafaj në drejtësinë italiane, është rënia e Fatmir Xhafajt dhe rënia e dytë e mbrojtësit të tij Edi Rama, i cili kërcënon me destabilizim, sa herë që ministrat e tij të brendshëm vihen nën akuza me lidhje të drejta apo të zhdrejta me krimin e organizuar.