Kosova: Treni nga Beogradi drejt Mitrovicës Veriore, i axhendave të rrezikshme të Serbisë/
– Nga qeveria e Kosovës, nga ministrja e Dialogut Edita Tahiri, brenda tre ditëve të kaluara u bënë dy deklarata ku tërhiqet vërejtja edhe për axhendat e rrezikshme të Serbisë, e para deklaratë pas hedhjes së një bombe natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri dhe e dyta për “trenin ilegal” me nisje nga Beogradi që pa lejen e autoriteve kosovare të kalojë kufirin për të arritur sot në Mitrovicën Veriore, atje ku serbët kanë ndërtuar te ura një mur ndarje, rrënimi i të cilit brenda këtij muaji janar kërkohet në rezolurën e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës në fundvitin 2016/
PRISHTINË, 14 Janar 2017-Behlul Jashari/ Nga Beogradi për në Mitrovicën veriore, sot në ditën e parë të vitit të ri serb, është nisur një tren, që, sipas Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, është qarkullimi i parë hekurudhor në këtë relacion që nga 1999-ta.
Viti 1999 ishte viti i përfundimit të luftës dhe i lirisë së Kosovës.
Media raporton se, treni nga Beogradi drejt Mitrovicës Veriore nga brenda është “dekoruar” me afreska të monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ndërsa nga jashtë me flamurin e Serbisë dhe etiketën “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë të botës, përfshirë edhe atë shqipe.
Nga qeveria e Kosovës, nga ministrja e Dialogut Edita Tahiri, brenda tre ditëve të kaluara u bënë dy deklarata ku tërhiqet vërejtja edhe për axhendat e rrezikshme të Serbisë, e para deklaratë pas hedhjes së një bombe natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri dhe e dyta për “trenin ilegal” me nisje nga Beogradi që pa lejen e autoriteve kosovare të kalojë kufirin për të arritur sot në Mitrovicën Veriore, atje ku serbët kanë ndërtuar te ura një mur ndarje, rrënimi i të cilit brenda këtij muaji janar kërkohet në rezolurën e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës në fundvitin 2016.
Në deklaratën e djeshme ministrja Tahiri theksonte se, “Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve”, se, “Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe faktori ndërkombëtar duhet ta ndal Serbinë” dhe se, “Serbia ka axhenda të rrezikshme, që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, edhe Kosovën edhe partnerët ndërkombëtarë”.
Ministrja kosovare bënte të ditur se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta ndal trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës, si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.
Ndërsa në deklaratën e 11 janarit, pas sulmit në mbrëmjen e një dite më parë me bombë ndaj objektit të zyrave të qeverisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore të inauguruara në 28 dhjetor 2016 nga ana e ministres për Dialog, Tahiri, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit të dialogut Prishtinë-Beograd, ministrja bënte të ditur se iu ka drejtuar menjëherë Bashkimit Evropian me një letër për të kërkuar që të ndërhyjë për ndaljen e destruksioneve të Serbisë ndaj Kosovës.
“Së fundi, madje edhe diskursi politik i Serbisë ka eskaluar nga niveli më i lartë, ndërkohë që Milorad Dodik është bërë një zëdhënës për skenarët e ndryshimit të kufijve”, theksonte Tahiri. Dodik, president i Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, sipas medias, ditë më parë ka deklaruar edhe për bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë.
Pas dërgimit letrës tek BE-ja, menjëherë në mbrëmjen pas sulmit me bombë ndaj zyrave të qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, ministrja kosovare Edita Tahiri deklaroi edhe se, “përgjigja e Bashkimit Evropian ka qenë e menjëhershme dhe në të cilën ata kanë theksuar se BE-ja është e përqendruar seriozisht në këtë çështje dhe se zhvillimet negative duhet të ndalen”.