NGA ISMAIL KADARE*/
Zoti ministër, desha t’ju bëj një pyetje fare të thjeshtë, dhe po aq pa të keq:sa banorë ka Shqipëria?
Pyetja i drejtohet një ministri të Brendhshëm të Shqipërisë, gjatë një darke te fqinjët e mi, në Mal të Robit.
Pres që ministri të ngryset, por ai e mban veten. Turp më vjen që ta them, por vetëm para dy muajësh e kam marrë vesh shifrën e vërtetë. Pesë milionë!
Biseda është bërë para tri vitesh.
Kam kujtuar se, më në fund qenka ndrequr një nga keqkuptimet më dramatike të Shqipërisë: Çështja e numrit të banorëve të saj.!
Shpresa ka qenë e kotë. Pas dy-tre muajësh që Shqipëria u bë më në fund pesëmilionëshe, e keqja u rikthye me ngulm. Jo pesë, por tre.Ashtu si më parë. Ashtu si tri vite! Si trembëdhjetë! Si tridhjetë vite më parë.!
Është përmendur disa herë mendimi, më saktë habia e Jakob Fallmerayer më 1860, se popullsia e turqëve osmanë në fillimet e perandorisë së tyre, në vitet 1300, ishte afërsisht sa ajo shqiptare, një milionë! Kurse sot, vazhdon Fallmeryer, më 1860, shqiptarët kanë mbetur po aq, një milionë, në kohën që turqit osmanë kanë arritur 16 milionë!
Shifrat do të ndiqeshin me një shpërfillje të çuditshme midis vetë shqiptarëve! Gjithfarë avokatësh do të dilnin për të përligjur orën e mbetur të popullsisë, thënë ndryshe të tretjes së Shqipërisë. Një million, në disa qindra vite?! Vërtet pak e çuditshme, por sidoqoftë e shpjegueshme. Dhe sytë e ekspertëve, e pas tyre ata të qeveritarëve, ministrave, kryeministrave, presidentëve, ngrijnë me atë ngrirjen e veçantë të pagdhendjes.
Një dëshirë e habitshme që të jetë ashtu.
Shifra një million nuk i ndahet Shqipërisë, gjatë disa shekujve.(Anglia, ndërkaq, për të sjellë veç një shembull, nga tre-katër milionë, arrin në 40-50 milionë). Shqipëria, si në një kurth fatal, s’lëviz. Në vitet ’20, është po aq, një million! Në vitet ’50, ’60, po aq, një million. Të gjithë ngulnin këmbë për të.Nga Enver Hoxha, te Stalini, te Çubrilloviqi. Pse? Asnjë shpjegim!ç
Një ditë kur mashtrimi ka rrezik të shpërthejë haptas , ndodh një kapërcim i befasishëm: nga një milion, Shqipëria shkon tre milionë. Asnjë shpjegim përse është fshehur shifra kaq kohë! Përse është ngulmuar! Ç’grup armiqësor ka qenë në themel të mashtrimit! Ç’prirje revizioniste! Ç’agjenturë e huaj! Ç’puç!
Asgjë. Shifra tremilionëshe për gati 30 ose 40 vite sundon në Shqipëri.Kundër çdo logjike.Nën vështrimin guhak të zyrtarëve, dijetarëve, ministrave.Në komunizëm. Në paskomunizëm. Gjer tek dreka e fqinjit të Malit të Robit. Gjer te skandali i dy viteve më parë, kur popullsia e Shqipërisë u shpall aq sa numri i zgjedhësve: dy milionë e tetëqind mijë!Dhe asnjë habi nga askush!
Shqipëria vazhdon të tretet në sytë e të gjithëve.
*Marrë nga libri më i fundit I shkrimtarit Ismail KADARE ”Mëngjeset në kafe Rostand”-Motivet e Parisit-Onufri 2014