Esse nga Vjollca PASKU/
Në strehën e gjumit trupi kërkon shplodhjen e ditës, ndërsa shpirti rendjen e lirë nëpër ëndrra. Në darkë më ishte bërë zakon, që nga dritarja të shikoja yjet dhe hënën. Duke u kotur mes mendimesh të përgjumura, hëna rrëshqiti si pëllumb drite i bardhë dhe u mbyll në kapakët e syve të mi. Ndërgjegjja, ajo mbretëri e vogël e pafjetur asnjëherë, vepron, përgjigjet edhe në botën e gjumit. Gjithmonë më brente pyetja: -A janë dëshirat e fshehura thellë në ëndrrat e natës? U gjenda papriturnë dridhjet e dritës që lëshonte bishti i bardhë gjigant i hënës.Fluturoja, por kënaqësia dhe ankthi njëkohësisht më përshkojnë. Në majën më të lartë në malin Demavend në Bagdat, pikërisht në një rrudhë vertikale, brenda një kornize guri, reflektonte dritë floriri një llambë e cila më përngjante me llambën e Aladinit. E mora e gëzuar në dorë dhe e lëmova instinktivisht për të pritur të shfaqej ajo krijesë gjigante, e cila do të plotësonte tri dëshirat e mia. Në antitezë me përfytyrimin tim, një krijesë e vogël fluturake, por e fuqishme, më foli Brenda qenies time: -Thuaj dëshirën e parë!
-Të ndjej gjënë më të bukur në botë…- thashë unë.
-Ndje rrahjet e zemrës dhe kupto gjuhën e saj!-më tha. Ndjeva zemrën time që u hap në gjithë universin. Isha e pranishme njëkohësisht në çdo yll, në çdo planet, në çdo hapësirë. Më pas gjithçka zvogëlohej. Vargjet e yjeve hynin në qenien time. Këtë ndjesi e sjell vetëm dashuria, e cila është kaq e madhe dhe e nxënë në kraharorin e vogël njerëzor. E ruajtur më së miri në shpirtrat e pastër, njehësori I ndjenjës nuk kishte përmasa. Tashmë isha një ndjenjë kozmike e një thesari shpirtëror. Lotët e shenjtë të zemrës dëshmuan mrekullinë e ndjerë…
-Dëshira e parë e jotja u konsumua, thuaj të dytën dëgjova- zërin e xhindit..
-Të prek gjënë më të mrekullueshme në këtë botë…
Vizioni i ndjenjës më dërgoi në festën e lindjes së një fëmije. Kur dora ime preku lëkurën e mëndafshtë të fëmijës së porsalindur, preka gjithë planetin tokë, të mbështjellë nga drita e agimit, preka lotët e shiut të parë të pranverës dhe përkëdhela buzëqeshjen e ylbertë në ngjyrën e virgjër të krijimit. E mblodha me çarçafin e kënaqësisë këtë krijesë, të mrekulluar nga djepi i tokës, përkundur me palmat e kaltra të qiellit.
-Dëshira e tretë e jotja? – u dëgjua përsëri zëri i xhindit.
– Të shoh vazhdimësinë e brezave të mi-u përgjigja.
Vizioni më dërgoi me shpejtësinë e dritës, në vazhdimësinë e erërave kohore. Të gjithë brezat e rrjedhur nga rrënjët e mia, jepnin maksimumin për të dhënë më të mirën e vetes së tyre. Termi “vazhdimësi” do të thoshte luftë për të dritësuar djerrinat e errësirës tokësore. U ndjeva krenare dhe e lumtur…
Xhindi më tha:- Të tre dëshirat e tua u plotësuan, por më e çuditshmja,është se të gjithë njerëzit më kanë kërkuar, pasuri, mbretëri, pushtet,lavdi…Ndërsa ti, vetëm të ndjesh, të prekësh, të shohësh,përse?…
-Sepse nuk dua të marrë diell me kredi, ta paguajë zemra bosh pa dashuri. Nuk dua katet e larta të lavdisë, ti shoh njerëzit të zvogëluar. Nuk dua të ardhme vazhdimësie, pa kaluar në pikat e nxehta të vuajtjes në hartën e tokës. Nëse do t’i kisha si me magji të gjitha,shpirti im do vdiste dhe jeta ime nuk do të vegjetonte…- u gjegja unë.
-Atëherë ti nuk ke nevojë për mua. – tha xhindi i xhindosur dhe zhduk si hija nga drita e bardhë. U zgjova me këto tinguj fjalësh, duke pyetur vetveten…