Shkruan Besim MUHADRI, New York
I lindur më 1965 në Brrut të komunës së Malësisë së Madhe (Shkodër, Shqipëri), Gjekë Marinaj, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç poet, ai është, përkthyes, kritik letrar dhe profesor i gjuhës dhe i komunikimeve angleze si dhe i letërsisë botërore në Richland College në Dallas të SHBA-së. Ai është themelues i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në SHBA në vitin 2001
Gjeka, në gusht të vitit 1990, pati botuar një poezi satirike me titullin “Kuajt”, e cila u cilësua si antikomuniste, duke u bërë edhe shkak i arratisjes së tij nga Shqipëria. Pas një qëndrimi në shtetin e atëhershëm jugosllav, ai emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në qershor të vitit 1991 arriti në San Diego, kurse më pas në Richardson të Teksasit, ku kreu Shkencat e Përgjithshme (Associate in Science) në Brookhaven College. Marinaj i vazhdoi studimet në Universitetin e Teksasit në Dallas, ndërsa në vitin 2006 u diplomua në degën e Letërsisë Botërore. Këtu e mori gradën shkencore Magna Cum Laude. Po në këtë universitet (në shkenca letrare), ai kreu edhe studimet master dhe, më vonë, edhe ato të doktoraturës.
Poezia “Kuajt” ose fillimi i triumfit poetik i Gjekë Marinajt
“Ka shumë mënyra për ta kuptuar botën. Mund të ketë mënyra logjike dhe bindëse, por ka edhe mënyra për ta provuar botën përmes metaforave poetike. Lexoni botën e rrezikuar dhe të rrezikshme të “Kuajve” nga Gjekë Marinaj…” – kështu e fillon shkrimin e saj prof. Kooseul Kim-i nga Universiteti “Hyupsung”, shkrim në lidhje me poezinë Kuajt, i botuar në gazetën koreane “Kyunggi”. Historia e botimit të poezisë është sa interesante aq edhe e dhimbshme, me titullin domethënës “Kuajt” e poetit Gjekë Marinaj, djaloshit nga Malësia e Mbishkodrës, atëherë një gazetar lokal, por i njohur në fushën e poezisë. Ajo, përveç jehonës së madhe për mesazhin e saj, njëherësh poetit të ardhshëm ia ka shkaktuar edhe arratisjen e detyrueshme nga atdheu, por jo edhe nga poezia, e cila më vonë do t’i bëhej një nga bashkudhëtaret më të dashura dhe më jetëdhënëse.
Poezia “Kuajt”, siç u tha edhe në një rast, u botua më 19 gusht të vitit 1989, në gazetën “Drita”, organ i atëhershëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i artistëve të Shqipërisë. Poezia në fjalë shpaloste diçka më të thellë. Ajo trazoi blozën e zezë në arteriet e popullit që ishte akumuluar nga pakënaqësia dhe zemërimi gjysmëshekullor ndaj regjimit komunist, siç kishte ndodhur edhe me popujt e tjerë të Evropës Lindore. Gazeta Drita thuhet se është shitur në të gjithë vendin brenda disa orësh. Njerëzit e kopjuan poezinë nëpër copa letrash dhe ia shpërndanin fshehtas njëri-tjetrit kudo që ndodheshin. Muaj më vonë, gjatë demonstratave antiqeveritare, protestuesit nëpërmjet megafonave e recituan nëpër rrugë poezinë “Kuajt”.
Kjo poezi e Gjekë Marinajt, me gjithsej 21 vargje, ku secili varg i saj ka një domethënie të caktuar, ndërlidhet me jetën, me punën dhe me fatin e njeriut shqiptar të asaj kohe, të mbyllur brenda konturave të një regjimi të egër dhe vrastar. Krahasimi me kuajt ose metafora krahasuese e kuajve me qeniet që i përngjanin njeriut është një simbolikë fatale dhe interesante meqë, përveç një poeti të talentuar, ajo paralajmëronte edhe një përmbysje mentalitetesh artistike të strukura brenda një cikli të pakuptimshëm jete.
Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
Siç shihet, tri vargjet e para shpërfaqin imazhin e qenies së shndërruar në mosqenie ose në një makinë pune që nuk ka emër të përveçëm, që nuk ka ndjenja. Në një qenie të dëgjueshme që zbaton vetëm urdhra pa pasur të drejtë ose guxim e forcë kundërshtimi. Këtë e shohim edhe në vargjet në vazhdim:
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë. Nuk qajmë,
Nuk qeshim; Heshtim, Dëgjojmë;
Hamë atë ç’na japin, Ecim nga na thonë,
Ndërkaq, vargjet përmbyllëse tregojnë përmasën e mentalitetit ose të aftësisë receptuese, përkatësisht të fuqisë së perceptimit dhe të fatit të qenies. Kjo është ana tragjike dhe fatale e qenies që ka humbur sensin e kundërshtimit, por jo edhe atë të servilitetit e të frikës. Asaj i mungon iniciativa për të kundërshtuar që nënkupton edhe topitjen fatkobe të mendjes që, njëkohësisht, reflekton edhe me topitjen e guximit, të mendjes dhe të reflektimit në situatë.
Asnjë nga ne s’është mendjehollë.
Kush qe kalë mbreti, Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe I bënë shalë të artë Kush qe kalë fshatari Pati samarë me kashtë Kush qe kalë i egër Tërë jetën fjeti jashtë…
Bashkëdyzimi i biografisë së autorit me biografinë e qenies
Poezia e Gjekë Marinajt karakterizohet nga një shkrirje ose bashkëdyzim i biografisë së autorit me biografinë e qenies. Kjo nënkupton edhe ndërlidhjen e autorit me atdheun dhe qenien e tij. Të dyja, bashkë edhe me talentin dhe pasionin, janë çelësi i suksesit dhe i rrugëtimit krijues të poetit.
Nëse marrim për analizë librin e tij “Lutje në ditën e tetë të javës”, i cili hapet me ciklin “Mesnatë pa kalendar”, shohim se poezitë e këtij cikli, ashtu sikurse edhe pjesa dërrmuese e poezive të Marinajt “përbëjnë një rifreskim fundamental të poezisë bashkëkohore, me një përkushtim substancial të poetit plot çiltërsi metafore dhe shpirt të gjerë komunikimi”. Por, poezia e Marinajt ka edhe formën tradicionale. Të shkruarit, mbase për një masë më të gjerë lexuesish, herë-herë ngjan me poezinë e Lasgush Poradecit, veçmas me distikun e tij karakteristik, por edhe për nga përsosuria dhe aspekti ritmik i saj.
Poezia e Marinajt, në përgjithësi, është poezi brenda së cilës shpërfaqen pasazhe drithëruese, meditative. Gjatë leximit të saj, lexuesi sikur e qetëson shpirtin përmes imazhesh poetike që lëvizin me lirshmëri. Ato janë disa poezi për fshatin, vendlindjen, Nënën etj. (te cikli “Në duart e nënës”). Ndërkaq, poezitë e ciklit “Rrëfimi i Rozafës”, ku autori i këndon Shkodrës, Kosovës, Rozafës, Nënë Terezës, Skënderbeut etj., janë poezi të cilat shpërfaqin dashurinë humane, jo erotike:
Nën iluzionin se një grua vlen më pak se një burrë, Më murosën mua.
…
Nën pretekstin se te gjithë patën të drejtë, Edhe unë murosa brenda vetes fjalën “vrasje”.
(Rrëfimi i Rozafës)
Ndërkaq, poezitë e ciklit “Sugjerim me zë të ulët” janë poezi që brenda vetes bartin disfatat njerëzore dhe vështirësitë e njeriut në jetë. Ato përcjellin njëkohësisht mesazhin e qartë të përballimit të sfidave të jetës.
Cikli poetik “Ailuropoja në gjyqin e fjalës”, është një cikël me poezi kushtuar poetëve, Vilson Blloshmit dhe Gjenc Lekës, jeta e të cilëve u takon realiteteve të ndryshme, të mbushura me vuajtje ose lavdi. Përveç poezive dhe dedikimit për poetët e pushkatuar nga regjimi më 1977, aty shohim edhe poetin tonë kombëtar, Gjergj Fishtën, të mohuar për pesëdhjetë vjet me radhë e prapë të ripranuar, pastaj tragjizmin e poetit fatkeq por shumë të talentuar, Frederik Rreshpjes etj.:
“Poetit i pati humbur me kohë harmonia e trupit
Me ndjenjën. Koordinimi i shpirtit me vargun jo.”
Poezia e Gjekë Marinajt, si tërësi, është një poezi që shënon një pikë kthese në poezinë shqipe. “Ajo është një lëndë universale plot trazim shpirtëror, dijesh, kulturash dhe emocionesh të thella. Ato kanë një dendësi artistike, forcë dhe imazhe që shkojnë nga ato të drejtpërdrejtat deri te surrealistet. Ajo është një dëshmi poetike për njerëzimin, i cili ka akoma shumë sfida dhe punë për të bërë, duke bartur ideale të forta të jetës dhe të lirisë.”
Ajo është një poezi, në të cilën natyrshëm shpërthen shkëlqimi i rinisë, me atë energjinë erotike dhe maturinë e një poeti të pjekur. Ajo mbetet një lirikë që në vete mbart konceptin e përsosurisë ritmike dhe të një parimi organizues simetrik, ku me përpikëri gërshetohen gradacioni poetik dhe aluzionet e vargjeve me harmoninë mes përmbajtjes dhe formës, dimensionit semantik dhe artistik të figurës etj. Poezi e shprehjes së atdhedashurisë që konceptohet si formë eksplicite e shprehjes filozofike, në universin e së cilës shpaloset pesha e etikës së krijuesit për imazhet, idetë dhe mesazhin e vargut. Marinaj na del si një poet elegant, me shprehje të përpunuara filozofike meditative që kultivon një poezi të mishërimit të harmonisë së mrekullueshme midis shpirtësisë ballkanase dhe asaj planetare.
Pa dyshim se Gjekë Marinaj është një poet interesant dhe i rëndësishëm i diasporës shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Krijimtaria e tij është dhe do të mbetet në fokus të studimit por edhe të përkthimit dhe të depërtimit në letërsinë jo vetëm amerikane, ku tashmë ai është i integruar, por edhe në atë botërore.