Kosta Nake/
Novela “Krushqit janë të ngrirë”, Tiranë 1981 – 1983
Pas romanit “Dasma”, kjo është vepra e dytë e Ismail Kadaresë që gjithçka e vendos në një segment kohor prej dy – tre ditësh dhe synon të hedhë dritë mbi dhunën e egër të ushtruar nga forcat policore serbe mbi studentët që kërkonin Kosovën republikë, të demaskojë përpjekjet e organizmave politike që donin të shfokusonin vëmendjen e opinionit publik brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë. Në fillim të viteve ’80 Kosova për shumicën e shqiptarëve brenda Shqipërisë ngjante me një planet të largët.
Natën e 31 marsit 1981 në spitalin e Prishtinës i jepet ndihmë studentëve të plagosur, por zhduket libri i tyre. Ky është shkaku që të lajmërohen mbledhje të njëpasnjëshme diferencimi dhe akuzat e serbit Kostiç bien mbi kirurgen Teuta Shkreli e cila është njëkohësisht shefe pavioni. Kjo ka bërë që Kadare ta organizojë materialin në trajtën e një polemike, pastaj e plotëson me ringjalljen e monstrave të Rankoviçit – Dobrilla, Vlladani dhe Jovica, që jo vetëm janë kundër zbutjes së klimës me shqiptarët, por dhe mezi presin hapjen e dosjeve. Ka dhe një pozicion luftarak nga angjencia TANJUG dhe ngjarjet kulmojnë me hedhjen e një bombe në ambasadën jugosllave në Tiranë.
Ngrirja shekullore e krushiqve mes dy popujve që këqyret nga studiuesi Martin Shkreli – bashkëshort i Teutës, dukej sikur po zbutej simbolikisht me dashurinë mes Shpend Brezftohtit dhe Mladenka Markoviçit, por ajo akullohet sërish nga kjo përplasje dhe po simbolikisht konkludohet si e pamundur me vrasjen pas shpine të tij; siluetat e dy të rinjve në një mbrëmje pas trungjeve të pemëve mbeten thjesht një iluzion i gabuar i Martinit. E shkruar më shumë se 40 vjet më parë, novela e kthyer tashmë në roman, ruan vlera edhe për të sotmen.
Libri “Tri këngë zie për Kosovën”, Tiranë 1998
Kadare na kthen gjashtë shekuj pas, më 28 qershor 1389, kur një aleancë ballkanike e krishterë e përbërë nga serbë, boshnjakë, shqiptarë e vllehë u thye prej ushtrisë otomane të Sulltan Muradit në një kasaphanë njerëzore që vazhdoi për dhjetë orë. Janë tri novela me një ekonomizim të jashtëzakonshëm të fjalëve, siç mund ta bëjë vetëm Kadareja. Dy popuj që jetojnë në armiqësi prej qindra vitesh, bashkohen kundër një rreziku më të madh në betejën e Fushë Kosovës, por atë që arrin ta bëjë turku, nuk e përtyp dot urrejtja e bluar aq gjatë. Rapsodët shqiptarë dhe serbë vazhdojnë refrenin e lashtë:
“O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët”,
“Ngrehuni burra, se po ia behin shkjetë!”
Gjetja më e bukur, sa artistike aq edhe ideore, është udhëtimi i detyruar pas disfatës i lahutarit shqiptar Gjorg Shpendi me rapsodin serb Vladan drejt kancelarive europiane, demonstrimi i folkut ballkanik dhe vazhdimi i avazit të vjetër.
Gjetja e dytë është monologu i gjakut të Sulltan Muradit derdhur dhe mbetur në Fushë Kosovë. Shkojnë vite, ai ndjehet i shpërfillur dhe, çuditërisht, kur dëgjon zhurmën e afrimit të forcave ushtarake, ato nuk janë turke, por ballkanase në një kacafytje të re. Sulltanin e ka zëvendësuar Sllobodani me thirrjet histerike për genocid ndaj shqiptarëve. Tri mijë vjet më pas qytetërimi ballkanik rinxori thonjtë e barbarisë me një milion shqiptarë të dëbuar nga trojet e tyre, me pesëmbëdhjetë mijë viktima, me dy mijë e katërqind luftëtarë të vrarë, me pesë mijë njerëz të zhdukur.
Sot, si gjashtëqind më parë, si njëzet vjet më parë, Gjorgu dhe Vladani janë të detyruar të përshkojnë të njëjtën udhë. Do ta rikujtojnë refrenin me kushtrimin e rrezikut? Do këndojnë sërish:
“O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët”,
“Ngrehuni burra, se po ia behin shkjetë!”
Libri “Mbi krimin në Ballkan – Letërkëmbim i zymtë” Tiranë 2011
Jo vetëm gratë, por edhe perandorët shikohen në pasqyrë. Kur rruhen, kur kontrollojnë kravatën e qendërzuar, kur ndonjë tufë flokësh ka dalë jashtë rreshtit, kur provojnë syzet e reja optike. Por këtë herë është fjala për të hedhur një sy te pasqyra e veprave se mos ka ndonjë hapësirë që ka shpëtuar në morinë e angazhimeve. Dhe pa e hequr pardesynë e shkrimtarit, i kthehet çështjes kombëtare duke u futur në tregun e rrëmujshëm të politikës. “Mbi krimin në Ballkan” është një përzgjedhje e fokusuar te fati i Kosovës para dhe pas genocidit serb. Vetë autori e ka ndarë në tri pjesë që paraprihen nga një hyrje analitike.
Te hyrja Kadare nënvizon se diplomacia shqiptare duhet të jetë përherë aktive, pasi diplomacia dhe media serbe janë duke prodhuar një kundër-rrymë antishqiptare që peshën e fajit ta ndajnë, ose ca më mirë t’ua hedhin shqiptarëve që heshtin. Si në Shqipëri dhe në Kosovë politikëbërësit janë prekur ka tre lloje korona virusesh: etja për pushtet, etja për para, etja për lavdi. Përplasja me serbët nuk siguron asnjë nga këto të trija. Pastaj përdhunimi në masë i grave shqiptare ka mbetur një kafshatë e hidhur nga ato të Migjenit.
Në pjesën e parë janë letrat që u dërgohen disa prej personaliteteve më të larta të botës Xhorxh Bush, Fransua Miteran, Vacslav Havel, Papa Gjon Pali II, Zhak Shirak si dhe përfaqësuesve shqiptarë në Rambuje; kjo jo vetëm i bën nder Kadaresë, por tregon edhe përmasat e personalitetit të tij.
Në pjesën e dytë është intervista që Kadare i ka dhënë gazetarit Aleksandër Çipa. Ideja më e guximshme e tij është mundësia e pajtimit të shqiptarëve dhe serbëve, një largpamësi që e provoi koha. Bën një shpjegim për librin e vet “Krushqit janë të ngrirë” si dëshmia e parë dhe e vetme artistike e një masakre të papërfytyrueshme në zemër të Europës. Ai tund sërish kambanat e alarmit se në Shqipëri janë shtuar të lajthiturit që shesin mend dhe dalin shesheve mediatike me pallën e kritikës, se “marrëzia po përparon çdo ditë duke ia zënë vendin normalitetit”, se “Shqipëria është kthyer sot në vendin më të çoroditur të Europës.” (f.85)
Në pjesën e tretë autori citon faqe nga ditari i vet ndërkohë që zhvilloheshin bisedimet e Rambujesë. Me guxim ka bërë çmitizimin e figurës së Adem Demaçit dhe tendencave për të ngritur në piedestalin e heronjve kombëtarë Mandelat e Europës. Jo vetëm për këtë rast, heronjtë duhet të përcaktohen nga mbrojtja e interesave të atdheut nga të huajt dhe jo nga përplajset e dyshimet politike mes shqiptarëve.
Duke iu kthyer figurave të sotme politike në Shqipëri e Kosovë, Kadare analizon krekosjen e tyre (dhi e zgjebur bisht përpjetë – e përkufizon populli ynë) me maturinë dhe përulësinë që kanë treguar figurat kryesore historike të popullit shqiptar.
Edhe pse Shqipëria e mori ftesën për anëtarësim në BE duke i dhënë fund mëdyshjes “Ku do shkojë Shqipëria, po e braktisi Europa dhe SHBA?” përsëri libri ka interes jo vetëm për të portretizuar në mënyrë më të plotë Kadarenë, por edhe për të kuptuar disa qasje antishqiptare jashtë dhe brenda Shqipërisë.