
Ambasador Sylë Ukshini/
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2007 se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë. Për shpëtimin e Serbisë nga përgjegjësia, një rol vendimtar ka pasur marrëveshja e prokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, dhe e autoriteteve të Serbisë në vitin 2003. Ndërsa, sot, votimi i Rezolutës – për të cilën 84 shtete votuan për, 19 ishin kundër e 68 abstenuan, e që 11 korrikun e shpall Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë – paraqet fitoren më të madhe kundër doktrinës serbomadhe. Ndërsa Hungaria e Orbanit, vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që votoi kundër Rezolutës, ndoqi rrugën më të turpshme të cilën do të duhet shumë punë dhe mund për ta pastruar
Miratimi i Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë paraqet një fitore të madhe të viktimave civile boshnjake në Bosnjë-Hercegovinë dhe i jep shtytje të fuqishme përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe varrimin e dinjitetshëm të tyre. Në këtë kontekst, kjo rezolutë i inkurajon përpjekjet për ndjekjen e vazhdueshme të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë që nuk janë përballur ende me drejtësinë. Si e tillë, kjo rezolutë është një thirrje për të gjitha shtetet që t’iu përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre, sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe të drejtës ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke i pasur parasysh vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë kuptim, pas vitit 2003, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë të ngjashme, e cila e shpalli 7 prillin si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin në Ruandë, 23 maji i vitit 2024 paraqet një fitore të madhe në procesin e përballjes me të vërtetën dhe me krimet për udhëheqësit e ardhshëm të Serbisë dhe Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës.
Edhe pse kjo rezolutë nuk ishte e drejtuar ndaj Serbisë, anëtare e OKB-së, presidenti serb Vuçiq prej shumë javësh kishte zhvilluar një fushatë lobimi kundër miratimit të saj. Me faktin se kjo rezolutë i shënjestron vetëm autorët e gjenocidit, retorika e Vuçiqit në fakt tregon se ai po i mbron veten dhe politikën ku ai ka bërë pjesë përgjatë viteve ‘90. Atëbotë ai ishte ministër i Informacionit në Qeverinë e Milosheviqit dhe ishte pjesë e Partisë Radiakle Serbe, e cila shprehte hapur ambiciet për një “Serbi të Madhe”.
“Ju vrisni një serb dhe ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, ishte thënia e tij famëkeqe, disa ditë pas masakrës së Srebrenicës. Jo rastësisht, Vuçiqi ka normalizuar të gjithë kriminelët e dënuar në Hagë për krimet e bëra në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Në fakt, politika që e ndjek Vuçiqi sot, por edhe Dodiku, është e njëjtë me atë të Millosheviqit dhe të Radovan Karaxhiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë. Natyrisht, kjo politikë nuk e ka fuqinë e njëjtë, sepse popujt e rajonit nuk janë në vitet ‘90, të paarmatosur përballë një Serbie që kishte përvetësuar krejt arsenalin ushtarak të Jugosllavisë së dikurshme, por në aspektin narrativ dhe ideologjik, bëhet fjalë për politika identike. Po ashtu, nuk mund të merren seriozisht as kërcënimet e Vuçiqit dhe të Dodikut për destabilizim të rajonit, pasi tani jemi në rrethana të tjera gjeopolitike, pas luftës në Ukrainë dhe agresionit ushtarak në Banjskë të Kosovës, kur NATO-ja ka rritur praninë e saj ushtarake si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë.
Në këtë kontekst, votimi i Rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk do të ketë asnjë ndikim në marrëdhëniet mes vendeve në rajon dhe as në qëndrueshmërinë e rajonit në përgjithësi. Problemi është se Serbisë i shkakton dhimbje të fortë pranimi i së vërtetës dhe dështimi i saj për ta përmbysur me gënjeshtra narracionin për atë çfarë ka ndodhur në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Tani është e qartë se nuk mund të ecet përpara pa pranimin e të vërtetës dhe të krimeve të luftës. Por, kjo sigurisht nuk mund të pritet as nga Vuçiqi dhe as nga Dodiku, të cilët paraqesin mbetjet më kontaminuese në rajon të regjimit të Milosheviqit.
Sikur elita politike dhe intelektuale në Serbi të ishte e interesuar për të ardhmen e Serbisë dhe për fqinjësi të mirë me popujt e rajonit, ajo nuk do të turpërohej duke lobuar kundër rezolutës së OKB-së, që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Për më tepër, kjo sjelle e Vuçiqit është e turpshme, sepse rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
Në të gjitha librat e historisë dhe në memorien e njerëzimit, pas Holokaustit dhe pas Rezolutës të vitit 2003 mbi gjenocidin në Ruandë, kjo rezolutë e 23 majit 2024 do të jetë dëshmia më e fortë e fillimisht të dënimin ndërkombëtar të doktrinës serbe, e cila ishte projektuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë dhe e ndjekur nga Milosheviqi, Karaxhiqi, Mlladiqi, Shesheli dhe Vuçiqi.
Ky reagim tregon se Vuçiqi frikësohet se një ditë drejtësia ndërkombëtare do të trokasë në dyert e tij, kur ai të mos jetë më president i Serbisë. Ai po ashtu frikësohet se një rezolutë e tillë mund t’i fuqizojë ambiciet e Kosovës dhe të Kroacisë për të ndjekur hapat e boshnjakëve të Bosnjë për ta akuzuar për gjenocid, edhe pse Milosheviqi përmes taktikave të stërzgjatjes së procesit dhe sjelljet destruktive të prokurores së atëhershëm të Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në Ish-Jugosllavi, Carla del Ponte, ia doli të mos e merrte verdiktin final, ndërsa Serbia t’i shpëtonte akuzës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Gjenocid në Srebenicë.
Përgjegjësia e Carla del Pontes
Carla del Ponte dhe Tribunali i Hagës, edhe pse kanë kontributet e tyre për përndjekjen e kriminelëve të luftës, kanë edhe përgjegjësinë e pamohueshme sepse kanë ndihmuar edhe në relativizimin e krimeve serbe në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, si dhe në Kroaci. Sidomos Del Ponte është dalluar në këtë drejtim, duke shkelur pavarësinë dhe mandatin e Tribunalit të Hagës. Në vitin 2003 bëri marrëveshje të fshehtë me Beogradin për fshehjen e dokumenteve të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (KSM) në Beograd dhe krijimin e pamundësisë për qasje publike nga Bosnja, Kroacia dhe GJND-ja ndaj padisë eventuale për gjenocid kundër Serbisë.
Kjo marrëveshje ishte firmosur nga ministri i atëhershëm i Jashtëm i Serbisë, Goran Svilanoviqit dhe gjykatësit e Hagës (2003), me qëllim që të shmanget mundësia e dënimit të Serbisë për gjenocid në luftën e Bosnjës dhe të Kroacisë. Ky ishte kompromisi më brutal i drejtësisë ndërkombëtare me drejtësinë dhe një padrejtësi e madhe për të gjitha viktimat e agresionit shtetëror serb. Nuk është rastësi se edhe në gjykimin kundër Milosheviqit, edhe në rastin e Kosovës u hesht çështja e ekzistimit të planit serb për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve më 1998-99, i njohur me emrin e koduar “Plani Patkoi”.
Bashkësia ndërkombëtare dukej se ishte mjaftuar vetëm me rrëzimin e Milosheviqit dhe nuk ishte shumë e interesuar për adresimin e përgjegjësisë për të gjitha krimet dhe luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë. Prandaj, edhe pasi që Milosheviqi ishte ekstraduar në Tribunalin e Hagës për shkak të aktakuzës për krime të luftës, lidershipi i ri serb, i cilësuar kudo në Perëndim si lidership me “orientim evropian”, pareshtur u angazhua për të fshehur dokumentet sekrete të cilat dokumentonin krimet e Serbisë dhe të regjimit të Milosheviqit në Kroaci, në Bonjë dhe në Kosovë gjatë viteve ‘90. Ishte fjala, në rend të parë, për dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes (KSM) të Republikës Federale të “Jugosllavisë”, të përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, dhe i krijuar më 28 prill 1992. Ky KSM u mblodh shtatëdhjetekatër herë ndërmjet mesit të vitit 1992 dhe mesit të marsit të vitit 1999, prej të cilave pesëdhjeteshtatë herë gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Ishte organ i cili mblidhte kryeministrin e Qeverisë federale, kryetarët e dy republikave federale, Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe komandantin e ushtrisë. Milosheviqi ishte i vetmi nga të gjithë pjesëmarrësit që ka qenë prezent në të shtatëdhjetekatër mbledhjet.
Geoffrey Nice prej një viti po bënte një luftë të hidhur për të siguruar origjinalin e mbledhjeve më të larta në Beograd të KSM-së së Jugosllavisë së mbetur të Milosheviqit. Por Beogradi reziston, pavarësisht obligimit për bashkëpunim me Tribunalin, ngase ato arkiva përmbajnë fakte më evidente të rolit të Milosheviqit dhe të udhëheqjes serbe në luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.
Që të nxirret nga qorrsokaku kah fundi i fazës së akuzës në proces, Carla del Ponte në letrën që i dërgoi në fillim të majit të 2003-s ministrit të Jashtëm, Goran Svilanoviqit, obligohet se nuk do të kundërshtojë që një pjesë e arkivit të mos publikohet, nëse masat mbrojtëse, të cilat i kërkon Beogradi, mbesin të “arsyeshme” dhe në pajtim me rregulloren e Tribunalit. Beogradi i qetësuar me letrën e Carla del Pontes lëshon pe nga fundi i majit 2003. Një eksperti të Prokurorisë së Tribunalit iu lejua të shkonte e ta shikonte përzgjedhjen e arkivit të KSM-së. Por, nuk mund të kopjonte asgjë, vetëm mund të merrte shënime!
Në tetor 2003, Svilanoviqi dhe ekipi i tij i juristëve që kishin ardhur për ta mbrojtur shtetin e Serbisë para Tribunalit të Hagës, ishin aq të befasuar me fitoren e tyre saqë i frikësohen revizionit të këtij vendimi të cilin prokuroria e kontestonte.
Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, më 30 korrik 2003 gjykatësit i kishin përsëritur urdhrin Beogradit që t’i dorëzojë procesverbalet.
Beogradi e kundërshton menjëherë këtë kërkesë. Serbia e kishte bindur kolegjin gjyqësor të “rastit Milosheviq” që t’ia lejojë kufizimin e përdorimit të këtyre dokumenteve vetëm për procesin e Milosheviqit dhe që ta ndalonte përdorimin e pjesëve që e komprometojnë Serbinë në publik dhe në çfarëdo instance tjetër, pos Tribunalit. Beogradi e fitoi këtë duel duke u thirrur në “interesin jetik nacional” të shtetit serb. Rregullorja, megjithatë, parashihte se kjo masë miratohet vetëm për mbrojtjen e informatave që do të mund ta rrezikonin sigurinë e shtetit. Prokuroria e Hagës në tetor të vitit 2003 nuk dinte asgjë për argumentet dhe motivet e vendimit të kolegjit gjyqësor që me kërkesë të Beogradit mbesin sekrete dokumentet serbe të KSM-së. Këtë fakt e mësoi vetëm në janar të 2004-s kur përpiqet ta thërrasë në dëshmi Zoran Liliqin, njërin nga pjesëmarrësit e mbledhjeve të KSM-së.
Sipas Marrëveshjes me Svilanoviqin, Beogradi nuk ia dorëzoi Prokurorisë së Tribunalit procesverbalet nga mbledhjet e caktuara. Prokuroria e Hagës duhej të kënaqej me raportet zyrtare që i ishin dorëzuar arkivit të KSM-së, ku ndonjëherë i mungojnë disa faqe.
Beogradi me çdo kusht synonte ta ruante dënimin e shtetit serb për gjenocid. Po të shpallej shteti serb fajtor, pushteti i ri në Beograd do të duhej të merrte përgjegjësinë dhe t’u paguante miliarda dollarë dëmshpërblim fqinjëve të vet.
Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e Tribunalit të Hagës, thotë se zyrtarët serbë ishin të bindur se arkivat e KSM-së mund të shkaktonin dënimin e Serbisë për gjenocid.
Pra, “interesi jetik nacional” i shtetit serb i paraqitur para Tribunalit, në fakt ishte fshehja e të gjitha informatave para GJND-së që do ta akuzonin. Por, Prokuroria nuk e kupton pse gjykatësit e Tribunalit i ndihmojnë një shteti që t’ia mohojë ekzistimin e dëshmive një instance tjetër ndërkombëtare të OKB-së. Trupi gjykues i Tribunalit, i ngarkuar në rastin e Milosheviqit, lejon që Beogradi ta bindë se ndëshkimi i GJND-së do ta rrezikonte pozitën ndërkombëtare të Serbisë dhe do të shkaktonte dëme të pariparueshme në shtet dhe në ekonomi.
Gjykatësi britanik, Richard May, xhamajkasi Patrick Robinson dhe koreano-jugori O-Gon Kwon i dhanë përparësi stabilitetit të supozuar të shtetit para interesit të drejtësisë e të vërtetës dhe kështu iu nënshtruan fjalës kyçe në raportet ndërkombëtare. Me këtë, ata u bënë bashkëpjesëmarrës të rrenës, duke u shtirur se nuk e dinin që “interesi jetik nacional” tashmë ishte përdorur për arsyetimin e krimeve për të cilat tash ishin ngarkuar që t’i gjykonin. Pesë gjykatës të trupit gjyqësor të Apelit konsideronin se “interesi jetik national”, në të cilin thirret Serbia që të sigurohet e që GJND-ja të mos e dënojë për gjenocid, nuk ishte i pranueshëm dhe se trupi gjykues, i ngarkuar me rastin e Milosheviqit, e kishte pasur gabim kur në vitin 2003 e kishte barazuar me çështjen e “sigurisë nacionale”, ashtu që të arsyetojë shpëtimin e masave mbrojtëse në arkivin e KSM-së. Serbia arriti ta ndalojë përdorimin si prova të disa pjesëve të dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes në procesin gjyqësor të GJND-së. Kështu pesë gjykatësit e trupit gjykues të Apelit u bënë pjesëmarrësit vullnetarë të manipulimit, nën organizimin e autoriteteve të Beogradit, me qëllimin e vetëm që ta nxisin një trup tjetër gjyqësor, GJND-në, ta bënte gabimin e njëjtë gjyqësor, ngase nuk kishte qasje në dokumente. Ky rrezik u konfirmua në vitin 2007, kur GJND-ja, 14 vjet pasi Bosnja kishte ngritur padi kundër Serbisë për gjenocid (1993), insistoi se shteti serb nuk ka vepruar drejtpërdrejt në Srebrenicë dhe njëkohësisht e liroi nga fajësia Milosheviqin. Për këtë arsye, nënkryetari i trupit gjykues, gjykatësi jordanez Ali-Kasauneh u ankua përse GJND-ja nuk kishte kërkuar “qasje te dokumentet e KSM-së, që padyshim do t’ia thjeshtësonte punën Gjykatës”. Dhe padyshim do të mundësonte hapjen e përcaktimit të lidhjeve më të drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit dhe varrezave masive në Srebrenicë, në Kroaci dhe në Kosovë si dhe për vendosjen në lidhje me përgjegjësinë juridike të shtetit të Milosheviqit për gjenocidin në Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.
“Interesi jetik kombëtar”, në të cilin thirreshin autoritetet në Beograd, e që e kishin vërtetuar gjykatësit e Tribunalit ashtu që e ndalonin qasjen e publikut në tërësinë e arkivit të KSM-së, më në fund mundësoi që të shtrembërohej e vërteta. Pra, kur Serbia flet për arkivat, ajo e ka të qartë se tashmë ka mbaruar punë, ajo ka marrë masat që arkivat të cilat e zbulojnë përgjegjësinë e shtetit serb të mbahen të mbyllura dhe në këtë mënyrë të mbetet e padënuar doktrina serbomadhe. Serbia “demokratike” pranoi që Milosheviqi të gjykohej vetëm për përgjegjësi individuale, por jo që shteti serb ta merrte përgjegjësinë për krimet e luftës. Kjo i bie se krimet i bëri Milosheviqi, por jo Serbia! Ai u bë përgjegjës vetëm për mosndalimin e gjenocidit në bazë të Konventës së Gjenevës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidi (1948). Në këtë mënyrë, Svilanoviqi arriti sukses të madh me marrëveshjen që bëri me gjykatësit e Triunalit për të pamundësuar qasjen publike dhe të GJND-së në dokumentet sekrete të KSM-së.
Por, edhe Del Ponte ndoqi qasjen politike, domethënë, atë të bisedimeve me udhëheqjen politike të Serbisë, që shpiu në këtë kompromis. Dhe siç shkruan Nevenka Tromp, ligjëruese në Studimet për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit, Holandë, për këtë kompromis Del Ponte pati mbështetjen e drejtpërdrejtë të ndihmësve të saj të marrëdhënieve diplomatike dhe publike brenda Prokurorisë, të cilët ndikuan drejtpërdrejt te Del Ponte dhe, në këtë mënyrë, në politikën e saj të bashkëpunimit të Prokurorisë. Ky veprim krijoi përshtypjen e shumë vëzhguesve se TPNJ-ja nuk e respektoi transparencën dhe vendosjen e drejtësisë, as të drejtën e viktimave dhe publikut për të ditur se çfarë kishte ndodhur gjatë luftës dhe si. Për më tepër, debati publik se kush përfitoi më tepër nga kjo marrëveshje e dëmtoi kredibilitetin e TPNJ-së dhe i solli përfitim më së shumti Serbisë.
Si rrjedhojë e këtij angazhimi të drejtpërdrejtë të Del Pontes, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2007 se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë. Për shpëtimin e Serbisë nga përgjegjësia, një rol vendimtar ka pasur marrëveshja e prokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte dhe e autoriteteve të Serbisë në vitin 2003. Ndërsa, sot, votimi i Rezolutës – për të cilën 84 shtete votuan për, 19 ishin kundër e 68 abstenuan, e që 11 korrikun e shpall Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë – paraqet fitoren më të madhe kundër doktrinës serbomadhe. Ndërsa Hungaria e Orbanit, vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që votoi kundër Rezolutës, ndoqi rrugën më të turpshme të cilën do të duhet shumë punë dhe mund për ta pastruar. Orbani duket se ka harruar që Evropa nuk jeton më në vitin 1937, por se ka arritur në vitin 2024 dhe se bazohet në vlera krejtësisht të tjera.
Por Carla del Ponte nuk mund të shfajësohet asnjëherë, pasi ajo po ashtu konsiderohet se e mban fajin kryesor përse Millosheviqi vdiq pa u dënuar për krimet në Kosovë. Me këtë qëndrim, Del Ponte e pamundësoi dënimin e krimeve të tmerrshme të regjimit të Milosheviqit, të cilat filluan në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe vazhduan edhe në Kosovë. Ajo nuk e kishte as vullnetin dhe as guximin e pararendëses së saj kanadeze, Louise Arbour, e cila në maj të vitit 1999 i ngriti aktakuzë Milosheviqit për krimet e rënda që ndodhën në Izbicë, Mejë, Reçak, Prekaz, Krushë, Suharekë dhe shumë krime të tjera të rënda, si dhe për dëbimin e afro 80 për qind të shqiptarëve të Kosovës në maj të vitit 1999. Ky akt i Arbourit ishte me rëndësi historike, për faktin se kishte pasur rezistencë dhe nuk ishte pritur mirë në shumë qendra ndërkombëtare perëndimore, të cilat dëshironin që Milosheviqi edhe më tej të mbetej pjesë e një marrëveshjeje politike për përfundimin e luftës në Kosovë.
Vendosmëria e zonjës Arbour, me të cilën Beogradi ishte tallur në janar të vitit 1999 kur ajo provoi të hynte në Kosovë për të hetuar masakrën e Reçakut, bëri që Slobodan Milosheviqi të jetë presidenti i parë i një shteti që përballej me aktakuzë për krime lufte. Ai së pari ishte akuzuar për krimet në Kosovë, sepse Louis Arbour i kishte bindur gjykatësit në Hagë se ka dëshmi të mjaftueshme për krimet në Kosovë dhe se është e lehtë të dëshmohej se Milosheviqi, si president i shtetit, mbante përgjegjësi direkte për ato krime që kishin ndodhur në Kosovë. Ndërkohë, kundër Milosheviqit ishin ngritur edhe dy aktakuza të tjera, njëra për Bosnjë-Hercegovinën e tjetra për Kroacinë. Por, përderisa ishte lehtë të dëshmohej se forcat serbe kishin bërë krime në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, nuk ishte lehtë të dëshmohej edhe përgjegjësia e drejtpërdrejtë e Milosheviqit për këto krime, pasi që ato kishin ndodhur “jashtë territorit të Serbisë”.
Ndërkohë, në stërzgjatjen e procesit gjyqësor ndikoi edhe marrëveshja sekrete që Del Ponte bëri me Beogradin për mbajtjen të mbyllura të dokumenteve serbe të cilat hidhnin dritë mbi vendimet e Milosheviqit dhe të kreut ushtarak të Serbisë mbi luftën në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Kjo bëri që edhe më shumë të komplikohej procesi. Gjatë këtij procesi të stërzgjatur, Milosheviqi vdiq pa iu shqiptuar verdikti. Por, me librin e saj shumë të diskutueshëm “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës”, Carla del Ponte bëri një akuzë të rrejshme ndaj Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), duke e akuzuar për trafikim organesh të serbëve të vrarë dhe foli për “shtëpinë e verdhë” dhe në këtë mënyrë ajo ka ndihmuar edhe në relativizimin e krimeve serbe, duke e krijuar përshtypjen se të gjitha palët në territorin e ish-Jugosllavisë kanë bërë krime. Kjo qasje ka ndikuar që doktrina serbe të mbetet edhe më tej e padënuar.
Rezoluta e AP të OKB-së është një fillim i mirë, i cili duhet të vazhdojë edhe me dënimin e krimeve, spastrimin etnik dhe gjenocidin serb në Kosovë, i cili pikënisjen e tij e kishte te Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, të cilin e kishte përmendur edhe Del Ponte, kur më 12 shkurt 2002 nisi procesi kundër Slobodan Milosheviqit.
Nisur nga kjo, miratimi i Rezolutës së OKB-së për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë duhet të aprovohet dhe të njihet edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pasi një hap i tillë do ta rreshtonte Kosovën në radhët e shteteve që e votuan dhe e sponsorizuan këtë rezolutë për njohjen e holokaustit ballkanik.
(Koha.net).