

Ansambli artistik “Trojet” në Zvicër nën drejtimin e themeluesit dhe udhëheqësit artistik Zeqë Gashi përbën një krenari dhe arritje komunitare, kulturore dhe atdhetare në mërgatën shqiptare të Zvicrës në përpjekje për të ruajtur kulturën, traditën dhe trashëgiminë identitare shqiptare në diasporë.
Intervistoi: Sokol Paja
1. Historia e themelimit të Ansamblit “TROJET”
Ansambli i këngëve dhe valleve “TROJET” u themelua më 17 prill 2013 në Winterthur të Zvicrës, fillimisht si degë e Ansamblit “Vatra” – dega Winterthur. Nisma lindi nga dëshira jonë që fëmijët e mërgatës shqiptare të mos humbnin lidhjen me kulturën e vendlindjes dhe të kishin një vend ku të mësonin vallen, këngën, gjuhën, veshjen dhe të bashkoheshin rreth vatrës ku buron bujaria shqiptare. Misioni kryesor i Ansamblit “TROJET” është ruajtja, kultivimi dhe prezantimi i vlerave të mirëfillta kulturore përmes këngëve, valleve, veshjeve, lojërave popullore dhe gjithë trashëgimisë e krijimtarisë tjetër artistike shqiptare.
Themelues të kësaj iniciative ishim unë, Zeqë Gashi, si veprimtar kulturor dhe udhëheqës i grupit, bashkë me vajzën Blearta Gashin, që u kujdes për korrepeticionin dhe organizimin e brendshëm, si dhe koreografin e atëhershëm Arsim Berisha, i cili për rreth 10 vite dha një kontribut të çmuar në ngritjen dhe formësimin artistik të ansamblit. Një mbështetje e vlefshme në atë kohë erdhi edhe nga Ansambli “Vatra” i Bülach-ut, i drejtuar nga z. Nexhmedin Isufi, që na hapi rrugën dhe na përkrahu në organizim.
Më 17 prill 2013 u mbajt audicioni i parë, ku morën pjesë 16 fëmijë dhe disa prindër. Ishte një fillim i ngrohtë dhe plot entuziazëm, ku fëmijët e parë të “TROJET”-eve vinin nga të gjitha trevat shqiptare, duke bërë që emri i ansamblit të përfaqësonte me dinjitet gjithë hapësirën shqiptare. Sot, pas më shumë se një dekade, numri i anëtarëve aktivë ka kaluar 90, ndërsa mbi 500 fëmijë e të rinj kanë qenë pjesë e ansamblit ndër vite.
Kostumet e para të ansamblit u siguruan falë përkushtimit të bashkëshortes sime, Teuta Gashi, e cila prej ditës së parë e deri sot është kujdesur vullnetarisht për veshjet, kostumografinë dhe pamjen e fëmijëve në skenë.
Pas një viti pune të suksesshme, më 5 nëntor 2014, në një mbledhje të përbashkët të kryesisë, u bë pavarësimi dhe riemërtimi i degës në ansambl të pavarur – Ansambli i këngëve dhe valleve “TROJET”.
Që nga ajo ditë, “TROJET” vepron si ansambël i mëvetësishëm kulturor në Zvicër, me mision të qartë: të ruajë, kultivojë dhe prezantojë vlerat e mirëfillta të kulturës shqiptare në mërgatë.
“Ansambli TROJET nuk mban thjesht emrin e tokës sonë – ai mban edhe shpirtin, kujtesën dhe dashurinë për atdheun në çdo hap valleje.”
2. Organizimi dhe puna me fëmijët, rritja dhe formimi i brezave të rinj
Ushtrimet në “TROJET” zhvillohen çdo të premte në mbrëmje, nga dy orë për secilin grupmoshë. Ne nuk mësojmë vetëm hapa vallesh – fëmijët mësojnë për kostumet e trevave shqiptare, për sjelljen skenike, për domethënien e valles dhe për faktin që çdo paraqitje është prezantim i kulturës sonë para publikut.
“TROJET” funksionon në tri grupmosha:
• Grupi i parë: 6–11 vjeç
• Grupi i dytë: 12–16 vjeç
• Grupi i tretë: 16+ (grupi i të rriturve)
Në secilin grup ka valltarë, këngëtarë, solistë dhe recitues. Shumë fëmijë kanë treguar prirje të veçanta artistike për këndim. Mund të veçoj këtu Marisa Mutezin, e cila ka vazhduar shkollimin në muzikë dhe ka sjellë këngë të veta, si dhe Eliza Zeqirin, që në moshë të re ka ardhur me këngë origjinale dhe po ecën me sukses në skenën muzikore.
Prania e Bacës Shaq në ansambël është një pasuri shpirtërore. Me lahutë dhe këngë kreshnike, ai e lidh brezin e ri me rrënjët më të thella të trashëgimisë sonë.
Në koncertet tona marrin pjesë edhe interpretues monologësh e këngëtarë gruporë, kështu që programi ynë nuk është vetëm vallëzim, por një mozaik i plotë i kulturës shqiptare.
Në fund të çdo muaji, nën drejtimin e Albulena Gjotës, zhvillohet programi edukativ “Këndi i Diturisë”. Ky aktivitet ka për qëllim që fëmijët të mos vijnë vetëm për valle, por edhe për njohuri kulturore, historike, gjuhësore e poetike, duke zhvilluar edhe vetëbesimin e tyre.
3.Grupi artistik dhe krijimtaria skenike
Repertori dhe puna artistike e “TROJET”-ve zhvillohet nga grupi artistik i brendshëm i ansamblit. Për këtë pjesë janë përgjegjës Donjeta Gashi, Ensar Morina dhe Leotrim Gashi. Ata përgatisin vallet, mbajnë disiplinën artistike, përshtatin programet sipas moshave dhe sigurojnë që ansambli të ketë gjithmonë skenë të pastër e program të denjë.
Për krijimtari të reja dhe vepra koreografike më të mëdha bashkëpunojmë me koreografen e mirënjohur Suzana Drenica, e cila sjell rregullisht koreografi që pasqyrojnë bukurinë e folklorit tonë.
Në këtë punë janë të përfshira edhe valltaret e rritura të ansamblit – Eriona, Nora, Melisa, Emira e të tjera – të cilat mbikëqyrin grupet më të vogla, ndihmojnë në prova dhe ruajnë disiplinën artistike.
4.Një familje shpirtërore
“TROJET” nuk është vetëm ansambël, por një vendtakim i përjavshëm i komunitetit. Këtu fëmijët rriten me vetëbesim, me ndjenjë përkatësie dhe me dashuri për atdheun, gjuhën dhe kulturën. Shpesh në skenat tona paraqiten tri gjenerata së bashku – dhe kjo është pasqyra më e bukur e asaj që duam të arrijmë.
Një falënderim i veçantë u takon prindërve që i sjellin fëmijët rregullisht, kryesisë së ansamblit dhe grupit punues që e mbajnë këtë tempull arti e kulture gjallë tash më shumë se një dekadë.
5.Aktivitetet kryesore dhe e ardhmja
Gjatë këtyre viteve, ansambli “TROJET” ka marrë pjesë në shumë koncerte dhe ngjarje kulturore në Zvicër dhe Evropë. Çdo vit në kalendarin tonë janë të fiksuara së paku tre koncerte të mëdha:
• Koncerti i 28 Nëntorit, Dita e Flamurit
• Koncerti i 17 Shkurtit, Dita e Pavarësisë së Kosovës
• Koncerti festiv i muajit mars, kushtuar grave dhe nënave shqiptare
Për festat kombëtare, programet tona janë pa hyrje, në nderim të dëshmorëve të kombit dhe sakrificës së atyre që bënë të mundur lirinë dhe pavarësinë e atdheut në Shqipëri e Kosovë. Përveç koncerteve tona, çdo vit marrim 3–4 ftesa për të përfaqësuar kulturën shqiptare në aktivitete të komunitetit zviceran.
Kemi pasur ftesa edhe për festivale ndërkombëtare në Tunizi, Tuz, Vlorë dhe Gjirokastër, por jo gjithmonë kemi mundur të marrim pjesë për shkak të angazhimeve shkollore të fëmijëve.
Një nga paraqitjet më të rëndësishme ka qenë pjesëmarrja në Festivalin Amerikano-Shqiptar në SHBA, ku “TROJET” u paraqit me program të pastër shqiptar. Në këtë fundjavë, jemi pjesëmarrës në Festivalin Mbarëkombëtar në qytetin e Lozanës (CH).
Synimi ynë është të vazhdojmë të jemi një adresë e sigurt e kulturës shqiptare në Zvicër dhe t’i japim brezit të ri një model të qartë se si mund të jesh i integruar, pa u shkëputur nga rrënjët.
6.Çmimet dhe vlerësimet
Gjatë veprimtarisë sonë jemi nderuar me shumë mirënjohje e falënderime nga institucione shqiptare në Zvicër, nga komunat ku veprojmë, si dhe nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës. E vlerësojmë në mënyrë të veçantë përkrahjen e konsullit të Republikës së Kosovës në Zvicër, si dhe përkrahjen morale e institucionale të shteteve të Kosovës dhe Shqipërisë. Falënderim i veçantë u takon mediave që veprojnë në Zvicër, veçanërisht portaleve Albiinfo, SAM24, HelveticALForum dhe shumë të tjerave që kanë pasqyruar me dashamirësi punën tonë. Një falënderim i posaçëm për TVSH, RTK dhe AlbRadio CH, që promovojnë vlerat e ansamblit në programet e tyre kulturore.
Megjithatë, për mua çmimi më i madh është kur shoh fëmijët që dalin në skenë me flamur dhe prindërit që lotojnë nga gëzimi.
7. Përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore
Çdo program i Ansamblit “TROJET” përbëhet nga valle të trevave shqiptare, këngë burimore, recitime dhe prezantim i kostumeve. Ne ruajmë mënyrën e veshjes, karakterin e krahinës dhe ritmin origjinal – që fëmijët të kuptojnë se nuk po ndjekin thjesht një kurs vallëzimi, por po bëhen bartës të një trashëgimie.
“TROJET” ka pasur gjithmonë edhe rol vetëdijesues. Përmes programeve tona kemi përcjellë mesazhe patriotike, kemi përkujtuar festat kombëtare dhe kemi krijuar atmosferë bashkimi mes mërgimtarëve.
8.Rritja e patriotizmit te fëmijët
Mund ta them me bindje se puna kulturore e ansamblit ka ndikuar fuqishëm në forcimin e ndjenjës kombëtare te fëmijët dhe të rinjtë. Ata e flasin më shumë gjuhën shqipe, njohin simbolet tona, e ndiejnë flamurin dhe kuptojnë pse festohet 28 Nëntori, pse 17 Shkurti është ditë e shenjtë, pse këndohet për Drenicën, Rugovën e Çamërinë. Për fëmijët që lindin në Zvicër, këto nuk janë të dhëna që vijnë vetvetiu – dikush duhet t’ua mësojë me dashuri, dhe “TROJET” e bën pikërisht këtë çdo javë.
“TROJET” është shndërruar në tempull të artit dhe kulturës shqiptare në Zvicër – një vend ku rritet dashuria për atdheun përmes këngës, valles dhe traditës. Në një kohë kur rreziku i asimilimit dhe harresës është real, “TROJET” qëndron si një dritë që ruan gjuhën, zakonet dhe identitetin kombëtar. “Këtu fëmijët mësojnë të jenë shqiptarë me shpirt e me krenari.”
9. Kush është Zeqë Gashi
Jam bashkëshort i Teutës dhe baba i katër fëmijëve. Me bashkëshorten time kemi rritur fëmijë të edukuar kombëtarisht, të lidhur me rrënjët e tyre dhe me dashuri për artin shqiptar. Atdhedashuria ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sonë familjare – e kemi jetuar, jo vetëm folur për të.
Kam dashur artin dhe kulturën shqiptare që në fëmijëri. Besoj se kultura është mënyra më fisnike për ta ruajtur kombin tonë, sidomos në mërgatë. Patriotizmi për mua fillon në familje – me gjuhën, me historinë, me ruajtjen e traditës. Ai vazhdon në shoqëri, me punë të ndershme dhe me dashuri për njerëzit. Të punosh me nder, të mos harrosh rrënjët dhe t’i përcjellësh këto vlera brezave që vijnë – kjo është mënyra ime për ta dashur atdheun.
Këtë frymë e kam bartur edhe te “TROJET”. Ansambli është bërë pjesë e jetës sime, një familje e madhe shpirtërore ku të vegjël e të rritur punojmë me përkushtim e dashuri. Krijimi i “TROJET”-ve ka qenë një mision personal e shoqëror për të ruajtur kulturën dhe identitetin tonë në zemrën e Zvicrës.
Puna në “TROJET” është vullnetare, por e mbushur me shpirt. Falënderim i përzemërt për kryesinë aktuale të ansamblit: Taip Zeqiri, Blerim Bunjaku, Albulena Gjota, Blerim Qollaku, Hamim Xhemaili dhe Bubekir Morina, si dhe udhëheqësit artistik Ensar Morina, Donjeta dhe Leotrim Gashi.
Falënderim i veçantë për bashkëpunëtorët e viteve të para – Arsim Berishën, që për 10 vite dha kontribut të madh artistik, si dhe Petrit Bytyqin, Fazli Zuzakun, Xhevdet Jahiun, Merita Pajazitin dhe Sami Kuqin, për kontributin e tyre të çmuar në ngritjen e ansamblit.
Në këtë rrugëtim kemi pasur pranë intelektualë, diplomatë, krijues e miq të shumtë që na kanë mbështetur me dashuri.
Me ta ndajmë të njëjtin qëllim: të ruajmë dhe promovojmë kulturën shqiptare në mërgatë, me besim se rrënjët e një populli janë gjuha dhe kultura e tij.
10. Fjalë përmbyllëse
Në Ansamblin “TROJET” ndihemi krenarë që prej më shumë se një dekade jemi bërë tempull arti e kulture për fëmijët tanë në Zvicër. Misioni ynë është i qartë: ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim brezave gjuhën, këngën, vallen dhe identitetin shqiptar. Faleminderit prindërve, fëmijëve, mediave dhe sponsorëve që na kanë përkrahur në këtë rrugëtim. “Të punojmë që të na vlerësojë e ardhmja.”