Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar të hënën Protokollin e pranimit të Malit të Zi në NATO, duke e përmbyllur procedurën e ratifikimit në SHBA, ka bërë të ditur Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.
Shtëpia e Bardhë nuk ka njoftuar zyrtarisht për nënshkrimin e Protokollit.
Senati amerikan më herët e ratifikoi Protokollin me një shumicë të votave të senatorëve nga të dyja partitë, me 97 vota për dhe vetëm dy kundër, Rand Paul dhe Mike Lee.
Pas hapjes së dritës së gjelbër për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, senatorët vlerësuan se kjo do të forcojë Aleancën dhe njëkohësisht të forcojë edhe demokracinë dhe pavarësinë në Mal të Zi, bën të ditur Zëri i Amërikës në gjuhën serbe.
Gjithashtu thanë se anëtarësimi i Malit të Zi do të forcojë edhe sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe do t’i dërgojë porosi të fuqishme Rusisë “që po provon të pushtojë fqinj dhe të ndryshojë rendin botëror”.
Pas nënshkrimit të protokollit nga presidenti amerikan për zgjerimin e Aleancës, mbetet që këtë procedurë të verfikimit ta përmbyllin edhe Spanja dhe Holanda.
Zyrtarët malazezë presin që Mali i Zi të bëhet anëtar i barabartë i NATO-s në samitin e radhës në fund të muajit maj në Bruksel.