Nga Bernd Riegert/dojce welle/
Trumpi e ka akuzuar NATO-n se bën pak për të luftuar terrorizmin dhe e konsideron BE-në si të parëndësishme.
Konflikte të pashmangshme me BE-në
Sot (25.05) nis programi i vizitës zyrtare. Trumpi do të takohet shkurtimisht me krerët e BE-së, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, sepse ai e konsideron BE-në si të parëndësishme. Ai do që të lidhë marrëveshje tregtare me secilin shtet më vete. Po kjo nuk lejohet prej ligjeve të BE-së, sikurse e sqaroi kancelarja Merkel Trumpin gjatë vizitës së saj në Uashington. Pasdite Trump-i do të takohet me presidentin e ri francez Emmanuel Macron për të biseduar për marrëveshje tregtare.
Qëndrimi ndaj NATO-s
Më tej ai do të marrë pjesë në inagurimin simbolik të qendrës së re të NATO-s. Trumpi e ka akuzuar NATO-n se bën pak për të luftuar terrorizmin. Por shumë shtete të NATO-s e mbështesin prej kohësh SHBA-në në koalicionin anti-terror. Për shembull me sulme ajrore ndaj pozicioneve të IS-it.
SHBA-ja do të vazhdojë t’i mbështesë shtetet anëtare në rast nevoje, por presidenti Trump kërkon prej shteteve anëtare që t’i shtojnë buxhetet për mbrojtjen në masën 2% të prodhimit të brendshëm bruto. Diplomatët e NATO-s theksojnë se shtetet anëtare e synojnë një gjë të tillë, por ato nuk janë dakord me pretendimet e presidentit Trump që disa shtete i kanë borxhe të mëdha NATO-s. Sipas tyre NATO nuk është bankë dhe nuk ka buxhet të përbashkët mbrojtjeje.
Protesta kundër Trumpit në Bruksel
Të mërkurën në qendër të Brukselit u mblodhën disa mijëra demonstrues. Demonstruesit kërkuan mbrojtjen e të drejtave të grave në SHBA dhe respektimin e lirive fetare nga Donald Trump, i cili dëshiron t’u ndalojë kryesisht myslimanëve dhe refugjatëve sirianë të hyjnë në SHBA. Për të garantuar sigurinë e Donald Trumpit dhe të familjes së tij janë angazhuar 4000 policë dhe 400 punonjës të Shërbimit Sekret të SHBA-së.(DW)