Bisedë me shkrimtaren nga Kosova znj.Sevëme Fetiqi e cila me librat e saj tërhoqi vëmendjen e Bardit të poezisë të ndjerit Ali Podrimja dhe Burrit të Kombit shqiptar Ibrahim Rugovës./
Bisedoi Keze Kozeta Zylo/
-Znj Sevëme, ju jeni nga Kosova. Nga cili vend e keni origjinën konkretisht dhe si ka qenë fëmijëria juaj?
-Unë jam nga Vushtrria (Viciana), një qytet shumë i lashtë i Kosovës, por jam shqiptare dhe kudo që gjendem në vende shqiptare në tërë Shqipërinë, ndjehem si në vendlindjen time, pasi që 23 vite jetoj në mërgim, gjegjësisht në Gjermani.
Për fëmijërinë time, e kam shumë vështirë të flas, pasi shumë herët i humba të dy prindërit dhe u përballa me shumë sfida jetësore si jetime, por çdoherë qëndrova vertikalisht duke falënderuar prirjes për poezinë dhe shkrimet, që Zoti m´i dhuroi aq heret si ngushëllim, për të vazhduar e fortë në jetë. Si nxënëse e klasës së katërt fillore, fillova të shkruaj me ndrojtje disa vjersha kushtuar nënës, mësueses, shkollës, etj. Shkollën e kam dashur gjithmonë, po ashtu librat. Kur e mbarova klasën e parë fillore shkëlqyeshem, u shpërbleva me librin “BAGËTI E BUJQËSI” të shkrimtarit tonë të madh Naim Frashërit i cili, më la shumë mbresa të thella si fëmijë, dhe nga ai çast fillova të ëndrroj të bëhem shkrimtare.
-Ju keni jetuar nën thundrën serbe. Si e keni përjetuar pushtimin serb si fëmijë dhe si e rritur?
-Veç si femijë kam filluar t´i kuptoj disa gjëra se nuk funksionojnë si duhet, se ne i kemi të ndaluara shumë gjëra, se shumë njerëz tanë kishin vuajtur dhe vuanin, ishin te pushkatuar e vrarë gjatë shekujve. Në këtë gjë dmth për ta kuptuar më mirë situatën, me kanë ndihmuar shumë gjyshi dhe gjyshja, duke më treguar shumë tregime dhe ndodhi të dhimbshme nga e kaluara, më kane folur për vuajtjet e shqiptarëve dhe jetën tonë të vështirë nën thundrën serbe. Unë atëherë isha e vogel, por sot mendoj se shumë mirë kanë bërë, që më kanë treguar dhe rrëfyer ato ngjarje të cilat çdo ditë e më tepër më janë kristalizuar në mendime dhe ndjenjën time, duke më bërë më të përkushtuar për popullin tim dhe për çështjen kombëtare.
Me vonë si studente të gjitha ato i përjetova në lëkurën time, kur si studente e vitit të parë të studimeve, në Mjekësi në Universitetin e Kosovës, u bëra pjesë dhe dëshmitare e Demonstratave të vitit 81, që nga momenti i parë i fillimit dhe organizimit të tyre. Dhe nga ajo kohë çdo ditë e më tepër ballafaqoheshim me probleme të mëdha, vuajtje, çensura të mëdha, frikë, skamje dhe jetë pa perspektivë. Isha dëshmitare e helmimeve të mëdha të rinisë shkollore, protestave, solidarizimeve, masave të dhunshme nga serbët, që çdo gjë mundoheshin të vejnë në kollaps, në Kosovë, siç ishin gazetat, televisioni, mjetet e ndryshme të komunikimit masiv etj, duke përjashtuar masovikisht popullin shqiptar nga puna, duke i mbyllur organizatat vitale, që punonin për të mirën dhe ardhmërinë e Kosovës, duke burgosur shumë njerëz të rëndësishëm të kombit, duke vrarë dhe maltretuar çdokund rininë dhe të moshuarit, gra dhe fëmijë, duke i vrarë të rinjtë në Armatën jugosllave, si dhe duke i përndjekur shumë njerëz nga shteti. Të gjitha këto jo vetëm në mua, në një popull të tërë, por edhe në historinë e kombit shqiptarë lënin gjurmë të thella dhe të dhembshme.
-I përfunduat studimet e mjekësisë? Sa ndihmon mjekësia në fushën e krijimtarisë?
A keni ndonjë poezi me temë nga mjekësia?
-Duke marrë parasysh që çdo ditë e studimeve tona bëheshin edhe më të vështira, pak kohë për të mësuar nga shqetësimet politike dhe situatat e rënda; në anën tjetër kushtet e vështira ekonomike, si jetime që isha, fatkeqësisht s´munda t´i vazhdoj studimet pas semestrit të gjashtë, kështuqë as më vonë nuk arrita që ta vazhdoj dhe ta përfundoj.
Mendoj se mjekësia nuk ndihmon për të shkruar poezinë, por poezia ndihmon që një mjek të jetë më i ndjeshëm, më i gatshëm ta kuptojë pacientin dhe të jetë më human ndaj sëmundjes dhe gjendjes së tyre shëndetësore. Mirëpo, sot fatkeqësisht kemi shumë pak mjekë human.
Njeherë gjatë studimeve, në ushtrime të lëndës së patologjisë isha e prekur shpirtërisht nga një paciente e re, nga dhimbjet e saj dhe shkrova një poezi, për guximin dhe forcën e saj që kishte për t´i përballuar dhembjet, kur shpohej ashti i saj, për të marrur palcë, që nevojitej për shërimin e sëmundjes së leukemisë. Ja si shkruajta: Në duartë e mia
shpëtim kërkon/ kush ia vjedh ylberin nga ngjyrat e jetës/ qelizat e trazuara dëshmojnë/
pakësim i leukociteve të gjakut/ shpoj ashtin e saj të bardhë/ marrë një ind nga dhembja/
me palcë të ashtit të saj/ndërtoj lundër ngushllimi/Ajo vetëm hesht/ shikon mantelin e bardhë/ kafshon hekurin/ Heshtja e saj/ është hekur…
-Ju keni botuar poezi qysh në moshë të re. Ato janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme. Cilat kanë qenë konkretisht ato dhe a ishin mësuesit të prirur për t’ju frymëzuar për mëtej?
-Në fillim poezitë i shkruaja në një fletore timen, që më pëlqente shumë, mbaja rregullisht nga fëmijëria edhe ditarin tim, ku shkruaja për përshtypjet e mia gjatë ditës, për brengat dhe për simpatitë rinore. Dhe, ato i lexoja në orët letrare, që mbanim në shkollë, ose në gara të ndryshme të shkollave të qytetit. Aty, mësimdhënësit e mi, e vërrejten prirjen time për poezinë dhe natyrisht, se më jepnin kurajo, më lavdëronin dhe më përkrahnin çdoherë pozitivisht, që të vazhdoj dhe të mos ndalem me shkrime. Me kohë poezitë e mia çdoherë e më tepër e fitonin atë pjekurinë e vet, duke u rritur dhe unë. Poezitë e para i kam botuar në gazetën e fëmijëve “PIONERI”. Në shkollën e mesme, u zgjodha Kryetare e Klubit Letrar të shkollës. Fillova t´i botoj poezitë në gazetën e shkollës, pastaj edhe në gazetën e Rinisë “ZËRI I RINISË”, që botohej në Prishtinë. Me këtë rast, falënderoj stafin e atëhershëm redaktues të Kulturës, në këtë gazetë, e veçanërisht redaktorin, shkrimtarin dhe publicistin Shaip Beqiri, që m´i botonte poezitë. Kjo ishte një përkrahje e madhe për mua, si dhe një nxitje, që të mos ndalem kurrë së shkruari.
Në vitin 1985, si studente e botova librin e parë me poezi “KURORË E KALTËR” , redaktor i të cilit ishte poeti ynë i madh, i ndjeri Ali Podrimja, libër që u vlerësua me shpërblimin “HIVZI SYLEJMANI”, që ndante atëherë gazeta e lartpërmendur. Ky libër, gjithashtu u vlerësua edhe me kritika pozitive nga kritikët letrar Dr. Ibrahim Rugova dhe Ramadan Musliu. Pastaj poezitë e mia u botuan edhe në shumë gazeta dhe revista kosovare dhe në Maqedoni si RILINDJA, FJALA, KOHA, FLAKA E VËLLAZËRIMIT, etj.
-Si e përjetuat Luftën e Kosovës ju dhe familja juaj?
Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, unë me familje gjëndeshim në Gjermani, mirëpo i kishim atje shumë anëtarë të tjerë të familjes, për të cilët mërziteshim. Mirëpo, mërzia dhe pikllimi ynë nuk ishte vetëm për familjet tona, por edhe për tërë popullin shqiptar, që jetonin atje dhe përjetonin terror të paparë dhe ndjekje nga vatrat e tyre, nga regjimi dhe agresori serb.
Tryeza shtrohej për të ngrënë bukë, por askush nuk ulej në tryezë nga ankthi, pikëllimet, mbeteshim gjatë pagjumë, duke pyetur për të gjithë, çfarë fati do të kanë, a janë gjallë, apo tashmë i kanë vrarë, masakruar e pushkatuar. Për vëllaun e madh nuk kam ditur tri javë se ku gjendet dhe a është gjalle apo i vdekur. Padyshim, se edhe shumë të tjerë mërgimtarë gjëra të njëjta kanë përjetuar, bile edhe më të rënda. Ishte gjëja më e vështirë të jeshë larg, të brengosesh dhe të mos mundesh të ndihmosh asgjë. Me fjalë është vështirë të përshkruhen përjetimet e atëhershme. Por, ata që të gjitha i kanë përjetuar në lëkurën e tyre dhe kanë parë tmerre tronditëse, ata e kanë pas shumë më vështirë, sepse para syve të tyre i kanë humbur njerëzit më të dashur, janë dhunuar, shtëpite iu kanë djegur e shkatrruar etj.
Gazeta “Rilindja” ju ka botuar një përmbledhje poetike me titull “Dëshmia e kthimit tim”. Cilat jane disa nga përjetimet vetanake në këtë përmbledhje?
Gazeta “RILINDJA” ma ka botuar edhe librin e parë “KURORË E KALTËR”, redaktor i të cilit ka qenë poeti ynë Ali Podrimja. Në vitin 1998 ma botoi edhe librin e dytë “DËSHMIA E KTHIMIT TIM”, redaktor i të cilit ishte Rrahman Dedaj. Ky titull i librit lindi spontanisht , sepse tetë vite kishin ikur pa shkuar në Kosovë. Poezitë e këtij libri kryesisht i karakterizon malli i madh per atdhe, kur dihet se vitet 90-ta ishin shumë të vështira për shqiptarët në përgjithësi. Edhe ky libër u mirëprit atëherë nga kritika letrare.
Kur shkova pas tetë vitesh në Kosovë, e gjeta Kosovën të mjerueshme, shtëpia të djegura, ajrit i vinte ende tym e barot, ishte skamje e madhe dhe njerëzit të pikëlluar. Por, ishin te lirë. Ishin kthyer pas luftës në vatra të tyre, por të lodhur dhe të rraskapitur. Dëshiroja të kthehesha për krejt në atdhe, por ku të ktheheshim, ishim të tepërt aty.
Duhej të pritnim ditë më të mira për kthim. Por ato ditë të mira ende s´kanë ardhë. Edhepse liria u fitua, paqja ende s´është askund, fatkeqësisht.
Ju përdorni një gjuhë të pastër shqipe, pa snobizma siç ndodh rëndom ndër shkrues të ndryshëm. Si keni arritur ta përdorni kaq bukur gjuhën shqipe dhe cilat janë disa nga vështirësitë si emigrantë, për ta transmetuar ndër brezat e ardhshëm? Ndërkohë në një poezi, ju i thoni bijës tuaj Blertës:
Blertë loti në faqe/ ishte më i rëndë se Bjeshkët e Nemura/ në prehrin e Tokës!
Në vendlindjen time, përpara, është folur gjuha me shumë barbarizma, që kanë rrjedhur nga gjuha turke e vjetër dhe gjuha serbe. Për atë nga fillimi i shkollimit tim, jam zotuar se unë për vete do ta përdor gjuhën e pastër dhe s´do të huazoj fjalë të huaja. Edhe fëmijtë e mi mundohem t´i edukoj në atë drejtim gjuhësor, dmth kur flasin shqip të flasin pastër, kur flasin gjermanisht të flasin pastër gjermanisht e jo ti përzjejnë këto gjuhë, siç është rasti te shumë fëmijë të bashkatdhetarëve tanë.
Çdo gjë e dua të pastërt dhe origjinale, edhe pse i flas gati pesë gjuhë, gjuhën shqipe dhe katër të huaja, kuptohet gjuhën angleze pak e kam harruar, por bazën e kam marrë në shkollë dhe e shkruaj, si dhe e kuptoj mirë.
Sot më pengojnë shumë këngë, që kanë të huazar tinguj nga këngët e huaja…për poezinë e sotme, mos të flasim. Nëse e dëgjoj një këngë shqipe dua të jetë shqipe e tëra dhe origjinale. Mirëpo, tash në tregun e lirë njerëzit bëjnë çmos, sidomos në Ballkan, huazohen gjërat në të gjitha gjuhët. S´din njeriu, a dëgjon këngë shqipe, serbe, turke apo rome.
Unë mendoj se gjuha shqipe, tradita, kënga duhet të ruhen, të jenë sa më origjinale, sepse vetëm ashtu ne e ruajmë identitetin tonë kombëtar, e sidomos ne, që jetojmë larg atdheut, në mërgim.
Poezinë kushtuar bijës sime Blertës, e kam shkruar në ditët e para të mërgimit, në momente malli dhe vuajtjeje për vendin tonë që e braktisëm. Blertën e ndava nga shkolla, vetëm sa kishte filluar, pastaj nga shoqet dhe familja që e donin shumë. Dhe, ajo mërzitej pa masë, ndjehej e huaj dhe e vetmuar në mërgim, kërkonte të kthehej në vendin e saj të lindjes. Unë me poezi, me “tregime të trilluara” mundohesha ta ngushëlloj, e në të vërtetë përmes poezisë mundohesha ta ngushëllojë edhe veten.
Cilat tema nga frymëzimet e poetes Fetiqi dominojnë në poezi të saj dhe a ndikojnë ato pozitivisht për ta zbutur mallin e lexuesve mërgimtarë?
Pasi që jetoj një kohë të gjatë në mërgim, edhe shumica e poezive të mia kanë temë mallin ndaj atdheut. Deshëm s´deshëm, atdheu çdoherë është me ne. Unë zyrtarisht jam integruar mirë këtu në Gjermani, mirepo shpirtërisht ende frymoj me Kosovën.
Në shtëpi flasim shqip, mendojmë shqip, qeshim e qajmë shqip, programet televizive shqipe i përcjellim, miqtë dhe shoqet i kemi shqiptare. Kështuqë, edhe poezitë lindin me temë malli, që burojnë nga shpirti im.
Sa për lexuesit mërgimtarë, mund të them se ka pas shumë të interesuar për librat e mi, të cilët i kam shpërndarë në të katër anët e botës, si dhuratë atyre, që kur përmallohen, të lexojnë poezi malli, për të mundur më lehtë ta përballojnë mallin ndaj atdheut. E sa ndikojnë poezitë e mia te ata, ata duhet ta japin mendimin e tyre.
Si jeni organizuar në Gjermani dhe me çfarë merreni konkretisht së bashku me familjen Tuaj?
Për të ardhur në këtë gjendje ku jemi sot, s´ka qenë aspak lehtë në një vend të huaj. Në fillim ka qenë shumë vështirë. Është dashur të mësojmë gjuhën, pastaj të ndjekim shumë kurse për integrimin në shoqërinë gjermane, të cilat i kemi arritur me sukses t´i kryejmë. E kemi fituar qëndrimin e përhershëm në Gjermani, banesen dhe punën. I kam tri vajza, vajza e madhe Blerta, është magjistre e Sociologjise dhe Pedagogjise dhe punon ne Frankfurt, si Pedagoge e diplomuar, si dhe në punën e dytë, punon ne Gjyqin FAMILJAR poashtu si pedagoge-vlerësuese e çështjeve familjare. Dy vajzat tjera, Bleranda dhe Brikena shkojne në shkollë ende. Brikena ndjek edhe shkollën e muzikës ne Piano. Unë punoj në një ordinancë dentale, si ndihmëse e mjekut në Labor.
Kam punuar dy vite edhe si mësuese në shkollë shqipe për mësim të fëmijëve tanë mërgimtarë. Mirëpo, për mungesë të shumë nxënësve, shkolla është mbyllur, për çka mendoj se është dëm i madh dhe shqetësuese kjo, sepse çdo ditë e më tepër takoj fëmijë tanë, që as me njehsue shqip nuk dijnë, edhe pse të dy prindërit i kanë shqiptar. Shumica e prindërve nuk kanë motivacion të duhur, që t´i motivojnë fëmijtë e tyre, që të mësojnë gjuhën e tyre amtare, krahas gjuhës së shtetit ku jetojnë.
Si është e Organizuar jeta e mërgimtarëve krijues në Gjermani?
Nga vet fakti se mërgimtarët, që migruan pas viteve të 90-ta, ishin shumica intelektual dhe ndër ta edhe shumë krijues, u ndje nevoja që të themelohet një Lidhje e Krijuesve, që do t´i mblidhte në gjirin e vet, shumë krijues, të cilët do të aktivizoheshin në tërë Gjermaninë, do të organizonin manifestime te ndryshme letrare e artistike. Kështuqë, në vitin 2006 u themelua Lidhja e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve në Gjermani. Me hapa të shpejtë, në gjirin e saj, u aktivizuan shumë shkrimtarë, poet, krijues të ndryshëm. Ata me vullnetin e mirë organizuan dhe organizojnë Manifestime dhe Takime Tradicionale kushtuar Pavarësisë, Flamurit Kombëtar, kushtuar Flakës së Janarit, Azem Shkrelit etj. Në punën e saj tetëvjeçare, kjo Lidhje pati shumë aktivitete të pasura, ku morën pjesë shumë aktivist, poet dhe shkrimtarë, këngëtarë e piktorë.
Më vonë edhe shtetet tjera ndjen nevojën, që të formojnë Lidhjet simotra, porsi në Gjermani. Nga bashkpunimi ynë i frytshëm me Lidhjet e shteteve tjera, erdhëm deri te ideja ta formojmë një LIDHJE TË KRIJUESVE TË MËRGATËS dhe ta zvogëlojmë Botën në një miniglob krijuesish. Kështuqë në nëntor të vitit 2013 ia arritem në Kuvendin e pare në Koblenz, t´i mbledhim Krijuesit nga e tërë mërgata dhe ta realizojme idenë fantastike te Artit. Deri më sot flasin me sukses edhe rezultatet e aktiviteteve tona, të cilat paraqiten gjithmonë në faqet e Internetit, në Facebook etj.
Shpresojmë një ditë, që aktivitetet tona t´i zhvillojmë edhe në Amerikë, përtej oqeaneve, pasi që edhe mërgimtarët tanë nga Amerika janë të përfshirë në Lidhjen tonë.
Ju faleminderit . Paçi gjithmonë suksese e nderuara poete
Ju falënderoj edhe juve znj. Kozeta për vëmendjen Tuaj ndaj krijimtarisë sime. Në Vitin 2015, ju dëshiroj shumë suksese në punën Tuaj Krijuese dhe të shenjtë si mësuese e fëmijeve shqiptarë në Amerikë.
2 Janar, 2015
Staten Island, New York