



SOKOL PAJA/
Me iniciativën e Shoqatës Humanitare “Trieshi” me datën 17 Tetor 2021 në Restorant Tesoro D’Italia 160 Marble Ave, Pleasantville, NY 10570 u mbajt takimi përkujtimor me rastin e 40 vjetorit te vdekjes tragjike të fizikantit Profesor Agron Lucaj, profesor në degën e fizikës pranë departamentit matematiko-natyrore të Universitetit të Prishtinës. Përfundimi i tij tragjik, flitet dhe përflitet dhe sot e kësaj dite qoftë në vendlindjen e tij, Triesh, Malësi e Madhe, por edhe nga kolegët e tij pranë katedrës universitare. Në fillim të ceremonisë përkujtimore u mbajt 1 minut heshtje për të ndjerin Profesor Agron Lucaj. Tubimin përkujtimor e moderoi Kolë Cacaj i cili ndër të tjera deklaroi se Dr. Agroni ishte një djalë i shkëlqyer i shkolluar në universitete prestigjioze, një djalë i mrekullueshëm që bën krenar çdo malësor e shqiptar. Kolë Cacaj lexoi shkrimin e z.Fikret Lulanaj për të ndjerin Agron Lucaj ku ndër të tjera tha se Dr. Agroni ishte “Ylli shkencor që shëndrit qiellin e Malësisë. Emër i lartë në fushën e shkencës, emër që lartëson emrin e universiteteve të shquara dhe të çdo shqiptari”. Fjalën më pas e mori Doktor Palok Camaj bashkëkohës i Dr. Agronit në kohën e studimeve të doktoraturës i cili deklaroi se Agron Lucaj ishte një djal me zemër shqiptari të madhe e zemër malësori të fortë. Palokë Camaj tregoi kohën me Agronin në Prishtinë, Zagreb, Prizren, formimin e tij, peripecitë e jetës së Agronit dhe dëshirën për kontribuar në Malësi. Vdekja e Agronit e verboi Malësinë. Ai tha se rrymat serbe ishin të interesuara apostafat për likuidimin e Agronit. Zef Gjokaj deklaroi në kumtesën përkujtimore: “Jam këtu për të ndarë me ju kujtime të bukura e të dhimbshme për mikun tim Agron Lucaj. Ishte i thjeshtë dhe modest. Gëzonte autoritet të lartë në mesin e kolegëve. Ai i ndihmonte dhe i mbante shumë afër studentët nga Malësia” tha ai. Z.Gjokaj tregoi me detaje çastet e fundit të Agronit mes jetës dhe vdekjes dhe impresione të ndjesive të ankthit e dhimbjes për ndarjen tragjike nga jeta. Gazetari Gjek Gjonlekaj theksoi se armiqtë e shqiptarëve i kishin inat njerëzit e dijes. Shkolla e Trieshit duhet ta kujtojë dhe përkujtojë Agron Lucajn si i pari malësor me emrin Agron dhe pë kontributin e tij në shkencë. Z.Gjonlekaj kujtoi Gjon Gjekën, babain e Dr. Agronit si patriot të madh dhe ndërtimin e identitetit kombëtar tek heroi i kombit Shqiptar Gjergj Kastrioti. Kol Gjelaj referoi në kumtesën e tij profilin e Agronit të ardhur nëpërmjet profesorëve, miqve, kolegëve, studentëve bashkëkohës të Agronit. “Fati deshti që një karrierë tejet premtuese të ndalohej në fillimin e saj, dhe sot nuk mbetet tjetër por e imagjinojmë se cili do të ishte limiti i karrierës së tij personale dhe profesionale” tha në fjalën e tij Kol Gjelaj. Lena Lucaj Gojçaj vajza e Zefit, mbesa e Agronit, dërgoi një letër që e lexoi Kol Gjelaj. Ajo falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit dhe u ndal te roli i Dr. Agronit dhe ndikimi në formimin e saj. Ai pati një ndikimin tek të gjithë ne përtej jetës së tij. Pjetër Lucaj, nipi i Profesor Agronit shprehu mirënjohje të thellë e respekt në emër të familjes për pjesëmarrësit, kumtuesit dhe organizatorët në këtë tubim përkujtimor. “Na dha lumturi qiellore dhe familja do ta kujtojë përjetë veprën e tij. Lavdi” deklaroi Pjetri i përlotur dhe i mallëngjyer për xhaxhain e tij të jashtëzakonshëm Profesor Agron Lucajn. Mëhill Velaj ku u ndal te roli dhe figura e Agronit si shqiptar dhe si shkencëtar dhe kërkoi që ti propozohet Universitetit të Prishtinës titulli i lartë i nderit Honoris Causa për Agron Lucajn. Xheladin Zeneli përshëndeti fondin Trieshi dhe familjen për këtë organizim madhështor dhe u fokusua te roli i Dr.Agronit si shqiptar i suksesshëm me ndikim kombëtar e ndërkombëtar. Përfaqësuesi i Shoqatës Malësia e Madhe Shaqir Gjokaj falenderoi të gjithë kumtuesit e pjesëmarrësit për organizimin. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës dhe foli për rëndësinë e kremtimit të kësaj ngjarjeje dhe arritjet e Dr. Agronit në shkencë si një mision i papërfunduar. Jeta e Agronit do të jetë shembull dhe motivim për të rinjtë malësorë” – deklaroi nënkryetari i Federatës Vatra Dr. Pashko Camaj. Vëllezërit Lucaj, Marku, Gjoka dhe Pjetri shprehën mirënjohje për të gjithë të pranishmit dhe shtruan një drekë vëllazërore në përkujtim të axhës së tyre të dashur dhe të paharruar Profesor Agron Lucaj.
KOL GJELAJ: PËRKUJTIM NË PËRVJETORIN E VDEKJES TRAGJIKE TË PROFESOR AGRON LUCAJ
Agron Gjon Lucaj lindi në Stjepoh, Triesh, komuna e Podgoricës (atëherë Titograd) më 7 Korrik, 1949. Baba i Agronit, Gjoni njihej ndër shqiptarët e Malit të Zi si atdhetar, edukator dhe mësimdhënës prej vitit 1909. Agroni kryen shkollen fillore Gjergj Kastrioti-Skenderbeu (e emëruar kështu pikerisht nga Gjoni) në vendlindje me nota dhe sjellje shembullore. Në mungesë të shkollave shqipe asokohe, Agroni si edhe një numër i kosiderueshëm nxënësish nga Malësia regjistrohet në Shkollen Normale në Prizren në vitin 1964/65 por së shpejti kalon në shkollën Normale të Prishtinës për shkak të kushteve më të volitshme. Shkollat Normale asokohe ishin shkolla të mesme 5-vjecare të konceptuara për përgatitjen e mesimdhënësve në shkollat 8-vjecare. Agroni i pëfundoi të gjitha klasat me sukses të shkëlqyeshem dhe mbaroi shkollën e mesme në vitin shkollor 1968/69.
Shumica e nxënësve nga Malësia pasi mbaronin Normalen ktheheshin në vendlindje dhe punësoheshin nëpër shkollat fillore të Tuzit ose fshatrat përreth. Mirëpo, Agroni përtej se shkëlqente si nxënës zbulon një afinitet dhe talent për shkencat natyrore. I inkurajuar nga kjo dhe me dëshirën e babës Gjon, Agroni vendos mos të kthehet në vendlindje, por të regjistrohet në degën e Fizikës pranë Universitetit të Prishtinës në vitin shkollor 1969/1970.
Menjëherë pas fillimit të studimeve, falë talentit të tij dhe etikës së punës tërhoqi vëmëndjen e profesorëve dhe kolegëve të tij. Si rezultat, fill pas mbarimit të vitit të parë, Universiteti i ofron bursë të cilin e mori për tre vitet e ardhshme. Kolegu dhe miku i Agronit, profesori dhe shkenctari i njohur nga Kosova Dr. Jahja Kokaj, i cili pastaj ishte ligjerues në disa Universitete nëpër Europë dhe Amerikë, mes tjerash edhe në Universitetin prestigjoz amerikan “Carnegie Mellon University” kështu e përshkruan njohjen me Agronin në një kumtesë të tij në vitin 2011: “Agronin e njoha që në bankat Universitare në Prishtinë. Ishte disa vjet më i ri se unë, apo në fillim të studimeve kur unë përfundoja universitetin. Por takimi me një djalosh që me pamjen e tij shtatgjatë, flokë dhe fytyrë të butë, për mua ishte i jashtzakonshëm apo jetësore. Intelegjenca që buronte nga fjalët e tij të mencura dhe të ëmbla, bujaria dhe burrëria ishin tipare që rrezatonin nga një djalosh i rrethit të mbi Shkodrës, që tani ndriçonte si yll i rrallë në mesin e kolegëve në Departamentit të Fizikës në Prishtinë”.
Agroni përfundoi studimet e fizikës në afat rekord në vitin 1973 me nota të shkëlqyeshme. Fill pastaj punësohet si profesor në shkollën e mesme të cilën e kishte mbaruar vite më parë, por e cila ishte shëndrrua nga Normale 5-vjeçare në Akademi Pedagogjike 4-vjeçare. Aty punoi një vite, dhe në vitin 1974 i ofrohet punë si asistent në katedrën e Fizikës. Menjëherë pas, i inkurajuar nga sukseset e njëpasnjëshme, Agroni rregjistrohet në studimet pasuniversitare pranë Institutit më të specializuar shkencor në ish-shtetin Jugosllav “Rugjer Boshkoviq”, pjesë e Universitetit të Zagrebit. Në këtë Institut pranoheshin studentet me kredenciale më të larta dhe me rekomandime nga katedrat shkencore nga Universitetet e ish-Jugosllavisë. Agroni zgjodhi për specializim lëminë e Fizikës Nukleare.
Profesor Kokaj shkruan “Puna si asistent në Departamentin e Fizikës dhe studimet posdiplomike në Zagreb ishin shtigje të përbashkëta që fati deshi të na bashkonte një një miqësi më të afërt dhe fatkeqësisht më vonë në ndarje të hershme dhe të kobshme. Mahitë intelegjente në takimet e Departamentit në kohën kur ishte asistent, por edhe qëndrimet e tij serioze dhe vizionare shkencore kanë mbetë jo vetëm kujtesë e pashlyeshme por edhe shembull i kolegëve të Departamentit të Fizikës që aq shumë po i mungon”. Puna me studentët në Prishtinë dhe udhëtimet në relacionin Prishtinë-Zagreb, kryesisht me tren, si dhe kompleksiteti i lëndës ishin tejet të vështira të përballoheshin. Pos kësaj, Agroni në vitin 1976/77 detyrohet të shkojë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pas mbarimit të ushtrisë, kthehet në misionin e tij shkencor, edhe kësaj here del faqebardhë, dhe me notat më të larta gradohet me titullin “Magjistër i Shkencave të Fizikës”. Pastaj, pa humb kohë vazhdon studimet e doktoraturës.
Gjatë studimeve intensive shkencore në Zagreb, Agroni vazhdon të shkëlqejë dhe fiton rrespekt dhe admirim nga vetë stafi ligjërues. Këtë e ilustron prapë profesor Kokaj: “Departamenti i Fizikës Nukleare drejtohej nga zonja e moshuar Lidia Kolombo, e cila gëzonte reputacion ndërkombëtar si eksperte e fushës. Ishte ajo që e zgjodhi Agronin si bashkëpuntore në disertacionin e Doktorturës”. Profesor Kokaj vazhdon më tej “Një rast, erdha për të takuar Zonjen Kolombo në laboratorin ku bëheshin hulumtime në Institut, në laboratorin ku punonte Agroni. Në një bisedë të shkurtër me të, nuk mundi te mos thonte edhe këtë fjali: “Në karrierën time shumë të gjatë shkencore dhe pedagogjike, Agronin e kam doktorant të veçantë. Agroni është njeri dhe shkencetar i veçantë” përfundoi profesoresha.
Në ndërkohë në Universitetin e Prishtinës Agroni fiton titullin Docent, e pastaj Profesor Universitar. Në vitin 1980/81 përfundon pjesën teorike të disertacionit të doktoraturës, dhe kërkon nga Universiteti i Prishtinës që ta lejonte të largohej nga mësimdhënia deri sa të plotësonte pjesën eksperimentale. Agroni gjatë kësaj kohe herë pas here frekuentonte tubime shkencore brenda dhe jashtë shtetit. Gjuhën anglishte e kishte përvetësuar dhe vazhdonte me kurset intensive, sigurisht tue vërejtë se kariera e tij në shkencë në të ardhmen do të kalonte kufijtë e katedrës së fizikës në Universitet. Reputacioni ndërkombëtar i Institutit “Rugjer Bishkoviq” hapte horizonte të reja dhe pa kufi anë e mbanë botës. Viti shkollor 1981/82 ishte tejet i rëndësishëm në jetën shkencore dhe private të Agronit. Ndërkohë që ishte fejuar, kishte ble veturën e re, po kompletonte studimet e doktoraturës, dhe priste një të ardhme të zgjidhte çështjen e banesës. Në shtator 1981 vizitoi vendlindjen dhe të afërmit e tij. U kthye në Prishtinë ku studentët dilnin në provim para tij. Pas disa ditësh vazhdoi për në Zagreb me tren në relacionin Prishtinë-Beograd-Zagreb. Të nesërmen e mbërritjes në Zagreb vazhdoi aktivitet e tij ditore, duke përfunduar në mbremje me kurs të gjuhës angleze. Duke u kthyer në banesën e tij, në një udhëkryq, tramvaji që kalon aty e goditi. Shtrohet në spital në koma, ku pas disa ditësh ndërron jetë në moshën 32 vjeçare.
Familja, shokët, dashamirët, stafi univerzitar në Prishtinë dhe ai i Institutit në Zagreb ishin të shokuar. Profesor Kokaj e përshkruan kështu marrjen e lajmit për fatkeqësinë e Agronit: “Qëllova në Prishtinë kur nuk mund t’iu besoja veshëve, kur me thane se Agroni kishte pase fatkeqsi, i kishte ra treni dhe plagose per vdejke. O zot, thoja si munde te bie ai far kolosi ne gjendje shume diteshe komatoze. O Zot, si do te kam fuqi te udhetoj per ne vendlidjen e Agronit qe ta vorrosim kete kolos te diturise, ta vorrosi nje pjese shum te dashur te zemres sime.”
Në varrimin e tij në vendlindje në Triesh, jo larg shkollës fillore, ishte pothuaj se krejt Malësia, shumë studentë nga Malësia erdhën enkas nga Prishtina. Një autobus plot studentë dhe kolegë, profesorë dhe dashamirës të Agronit ishin po aty. U lexuan letra ngushellimi nga Instituti ‘Rugjer Boshkoviq”, Universiteti i Prishtinës! Kolonel Dr. Tom Berisha kishte ardhe nga Zagrebi dhe lexoi një letër tejet prekëse. Në fund profesor Kokaj me dhimje shkruan këto fjalë: Udhtimi në bjeshke dhe kodra shkambore deri në fshatin Stjepohe, Triesh ishte i gjatë dhe lotët rreke nuk më lejonin ti shoh ato kodra shkambore. Ishin grandioze dhe për mua trishtuese, por të dashura e të lezetshme, si dhe sublime, kur dija që në këtë vend Agroni im ka vrapuar dhe rritur me lojërat e tij fëminore. Trupi i tij madhështore i gjatë dhe i dashur për mua, tani ishte shtrire në arkivol në të cilin kishe bërë rrugëtimin e fundit nga Zagrebi për në shtëpinë e tij të fëmijërisë. Udhëtimin e fundit që erdhi në lulen e rinisë”. Vdekja e Agronit preki dhe ndryshoi shumeë jetë. Vite më vonë Dr. Anton Berishaj, pedagog në Universitetin e Prishtinss tregonte se emri i Agronit nuk ishte hequr nga dera e kabinetit të tij në Universitet me vite pas vdekjes. Para disa vitesh në Tuz u mbajt një Akademi përkujtimore ku morën pjesë pothuaj se krejt katedra e Fizikës pranë Universitetit të Prishtinës, si edhe personalitete pranë rektoratit të Universitetit, me rektorin në krye. Disa nga profesoret e ri nuk e kishin njoftë, por kishin dëgjuar prej kolegëve të tyre. Disa nga koleget e tij tregonin se vite më vonë profesorët e Institutit në Zagreb ende vazhdonin ta kujtonin Agronin. Vdekja e tij kishte lënë një boshllëk në katedrën e Fizikës për vite me rrallë. Agron Lucaj si asnjë student nga Malësia arriti majat e shkencës në moshë të re, bile nëse nuk duhej të humbte një vit më shumë në shkollën e mesme dhe një vit për shërbim ushtarak, udhëtimet e tij të shpeshta dhe të lodhta mes Prishtinës dhe Zagrebit, ai me siguri të gjitha këto suksese i kishte mbërrijtë edhe më heret në jetë. Në fund, fati deshti që një karrierë tejet premtuese të ndalohej në fillimin e saj, dhe sot nuk mbetet tjetër por e imagjinojmë se cili do të ishte limiti i karrierës së tij personale dhe profesionale.