
Mirëpritini turistët në Shqipëri, të jeni mirënjohës e falenderues për ardhjen e tyre, edhe pse nuk janë të pasur, ata japin nga vetja mundin e punës së tyre vjetore, sado e vogël është ajo, tregojnë respekt për Shqipërinë e ju duhet të ndiheni krenar për ata.
Nga Mimoza Dajçi
Termi “turisti cheap” që sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë bëhet fjalë për turistët e kategorisë “C”, dmth të varfërit, përdorur nga titullari i një korporate biznesi në Shqipëri, mendoj se është gjetje e gabuar. Sipas tij turisti i huaj që frekuenton vendin nuk mund të cilësohet as shpenzues i një buxheti mesatar, ku mesatarisht shpenzimet e turistëve llogariten rreth 412 euro për person. Dhe këtë fakt nuk e kundërshtoj.
Ai i quan turistët “cheap”. Të jesh i varfër nuk është turp, përdorimi i këtij termi nga vetë ai në këtë kontekst është i tepërt. Thotë këtë për turistët e botës përfshi edhe shqiptarët, duke lënduar më shumë akoma zemrat e shqiptarëve dhe të varfërve në botë.
Thekson se i paska parë turistët në Shqipëri tu ofrohen ushqimeve të zgarës. I paska vëzhguar e studiuar. I ndjek ku hanë, ku pinë, ku qëndrojnë, ku flenë dhe thotë turistët “cheap”. Kjo mënyrë e të deklaruari të frikëson vërtetë, tregon se akoma përndiqemi, survejohemi në mënyrë të hapur në Shqipëri nga ky zotëri apo dikush tjetër.
Ja si shprehet ai konkretisht “Mbështetur te lloji i restoranteve që parapëlqehet apo frekuentohet nga turistët e huaj që më tepër zgjedhin strukturat ku ofrohet ushqim zgare, kryesisht qofte dhe gatime tradicionale shqiptare për shkak të çmimeve ekonomike” e më tej vijon “Mbështetur tek e dhëna e shpenzimeve për person që llogariten rreth 420 euro, rezulton se në Shqipëri ka ardhur turisti i kategorisë C, pra turist “cheap” që harxhon më pak sesa harxhon një shqiptar kur frekuenton në muajt e verës resortin më të lirë në Turqi”.
Më vjen mirë që erdhi dita që bashkëkombasit e mi nga Shqipëria të lëvizin lirisht nëpër botë, frekuentojnë për pushime edhe Turqinë, harxhojnë paratë e tyre atje, por nuk e dinë se xhepat e tyre vëzhgohen, “studiohen” nga ky zotëri deri në Turqi.
Unë nuk e mohoj këtë fakt, pasi Banka e Shqipërisë i vlerëson këto shpenzime në vlerën e 2,3 miliardë eurove, në rritje me 32% krahasuar me një vit më parë dhe mesatarisht, shpenzimet e shqiptarëve jashtë llogariten rreth 332 euro për person, pavarësisht këtyre shpenzimeve vret mënyra se si e përcjell ky zotëri këtë mesazh.
Jo të gjithë turistët janë të pasur. Jo çdo kush i ka konditat e luksin të bëhet pronar me djersë të ballit me tre apo katër vila në Shqipëri. Jo të gjithë turistët (të paktën shqiptarët) ushqehen e pinë nëpër hotele me 5 Yje. Jo të gjithë turistët relaksohen nëpër resorte të shtrenjta. E folura pa sens nuk i shërben mirësisë së turizmit. Shtrij këmbët sa ke jorganin thotë një shprehje popullore. Dhe kështu veprojnë turistët e varfër.
Dihet që turizmi sjell sfida për këtë sektor dhe na ballafaqon me kultura dhe preferenca të ndryshme, por kushdo që largohet nga Shqipëria ka arsyet e hallet e tij/saj, për mbijetesë, për shkollimin e fëmijëve, për një jetë më kualitative apo për arsye të ndryshme. Jo të gjithë që largohen nga vendi janë të pasur, jo të gjithë që jetojnë larg Shqipërisë janë të pasur. Ndryshe në atdhe do të vinim me Yacht apo Jet privat. Por kjo nuk ndodh.
Vetëm një vajtje në tokën mëmë për një apo dy javë, pas 7-të apo 10-të vitesh nuk të dërgon atje se detyrimisht duhet të jesh i pasur, sepse sa më shumë i afrohesh aeroportit “Nënë Tereza” aq më tepër mbushesh me emocion, lot për vendlindjen tënde, të të parëve të tu, familjen tënde, gurëve të lagjes. Arsyet janë nga më të ndryshmet, e para turistët “cheap” kanë familjet e tyre atje që duan t’i vizitojnë, kanë probleme dokumentacionesh, sakrifikojnë që fëmija e tyre të njohë vatanin e prindërve.
Ndoshta nuk e dini por në emigracion një kryefamiljari i duhet të bëjë dy punë në ditë për të mbajtur familjen, paguar qeranë e apartamentit ku jetojnë, pasi dihet që qeratë e banesave janë rritur tashmë edhe në Shqipëri. Por në kësi rastesh jeta e emigrantit apo turistit “cheap” tregon se ai kurrë nuk lë pa paguar taksat atje ku jeton e punon me djersë dhe nuk merret me shpërdorim detyre, pastrim parash apo të bëhet pronar pallatesh brenda natës pa mund të madh, pasi siç shikojmë dyert e SPAK-ut në Shqipëri çdo ditë nuk kanë të ndalur nga denoncimet për korrupsion të lartë në vend.
Mirëpritini turistët në Shqipëri, të jeni mirënjohës e falenderues për ardhjen e tyre, pasi edhe pse nuk janë të pasur, ata japin nga vetja mundin e punës së tyre vjetore, sado e vogël është ajo, tregojnë respekt për Shqipërinë e ju duhet të ndiheni krenar për ta.