

New York, 2 qershor 2024- Në Kensico Dam Plaza, Valhalla, NY, Qendra Kulturore Nënë Tereza e Famullisë Zoja e Shkodrës dhe zyra e Parqeve të Qarkut Westchester organizuan një festë madhështore në nder të traditës e trashëgimisë kulturore e shpirtërore shqiptare në Amerikë. Një aktivitet mbresëlënës patriotik, komunitar e atdhetar. Nën kujdesin e veçantë të Dom Pjeter Popaj famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, dhe organizatorit Fran Çotaj, festivali i traditës e trashëgimisë shqiptare në Amerikë vjen si një pasuri dhe identitet i pastër kombëtar shqiptar, një traditë e moçme shqiptare e trashëguar ndër breza. Aktiviteti kulturor gëshetoi në vetvete kulturë, sport, muzikë, këngë e valle shqiptare të shoqëruara me guzhinë tradicionale shqiptare e panair artizanal kombëtar. Me vite me radhë kjo festë e kthyer në traditë tashmë shënoi çaste të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Drejtuesi artistik i veprimtarisë kulturore Fran Çotaj bashkë me Grupin Rozafati drejtuar nga koreografe Agjelina Nika “Mjeshtër i Madh”, këngëtarët Ermina Bushi-Lleshaj, Valdet Luka, e Dj Edi, e kthyen festivalin në një festë magjike për të pranishmit e shumtë. Kjo festë komunitare shqiptare bashkon mbarë shqiptarët që vijnë nga mbarë trevat shqipfolëse por që jetojnë e veprojnë në Amerikë. Dita e traditës shqiptare është kthyer në një festival mbarëkombëtar shqiptar që ruan dhe përjetëson kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.