100 vjetori i masakrës serbe mbi popullatën shqiptare në fshatin Qafë të Gostivarit, është përkujtuar me një manifestim të mbajtur në këtë fshat dhe të organizuar nga Komuna e Gostivarit dhe e Kërçovës.
Manifestimin e hapi banori më i vjetër i këtij fshati, banori 82 vjeçar Ismail Rexhepi, kurse theks i veçantë gjatë manifestimit ju kushtua heroinës së kësaj ngjarje, 18 vjeçares Sulltanë Qafa e cila 100 vite më parë e gjendur para një tmerri që po shkaktonin bandat e çetnikeve serb.
Në fjalimin e tij, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta potencoi se ky katund ju takon dy komunave, Gostivarit dhe Kërçovës dhe se paraqitet si krenaria jonë e përbashkët.
“Ne jemi popull shumë i vuajtur, nuk ka shtëpi shqiptare që nuk është torturuar dhe masakruar nga sunduesit e huaj. Nëpër tokat shqiptare kanë kaluar sundues të huaj, qëllimi ka qenë për të na zhdukur. Në aspektin historik jemi kombi më i vjetër, jemi kombi më i ngritur, jemi kombi më i ditur, i takojmë kohës antike. Të tjerët, duke ardhur në tokat tona, për të na i marrë pasurinë tonë kanë bërë masakrime të paparapara në historinë e njerëzimit. Këtë masakrim nuk e duroi Sulltana e Qafës dhe prandaj ajo është heroina e atdheut dhe e respektuar jo vetëm nga banorët e Kërçovës dhe Gostivarit, por nga e gjithë shqiptaria. Sulltana e Qafës, si hero e kombit u takon gjithëve shqiptarëve. Kurse neve si udhëheqës, si qeveritar, na jepen obligime që ne ta çojmë amanetin e dëshmorëve të kombit në vend dhe sa të jetë jeta, në do të punojmë në interes të atdheut, në interes të kombit se shpirtrat e tyre nuk do na lejnë rehat, do na ndjekin deri sa të realizohet amaneti i tyre. Të bashkuar duke mos u përçarë në do ta realizojmë amanetin e të gjithëve dëshmorëve”, tha mes tjerash Bejta.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, theksoi se kjo histori i takon shekullit të kaluar, por ne jemi shekulli që do ta përjetësojmë kujtimin e dëshmorëve të asaj kohe.
“Si çdo trevë shqiptare edhe kjo treva jonë gjatë rezistencës tonë shekullore, përveç atdhetarëve të spikatur dhe të mëdhenj nxori edhe një vajzë trime dhe të guximshme, e cila me heroizmin e saj iu bashkëngjit ushtrisë shqiptare të nënave dhe motrave tona që pareshtur kanë dhënë jetën për lirinë tonë. Sulltana jonë e madhe është pasardhëse e vijës heroike të nënave tona që nga mbretëresha Teuta, Elena Gjika, Bublina e Çamërisë si dhe Shotë Galica dhe Xheva jonë e madhe, bashkëshortja e heroit tonë të madh Femi Lladrovcit. Në këtë vit kujtojmë atë vit të mbrapshtë të 1913-ës, dhe jemi koshient se nuk do të lejojmë kurën e kurës që të përsëritet pushtimi i tokave tona. Ne jemi rrugës së mbarë, që padrejtësitë e shekullit të kaluar ti japim fundin që e meriton dhe ardhmërinë tonë ta kurorëzojmë me lirinë e çdo cepi të atdheut tonë”, tha Dehari.
Doktori i historisë, Ilmi Veliu, tha se e veçanta e këtij manifestimi është fakti se po organizohet zyrtarisht dhe për herë të parë nga drejtuesit e dy komunave shqiptare, Kërçovës dhe Gostivarit.
“Qafa është fshat me histori Ilire dhe përgjatë shekujve, askush nuk ka arritur të ja ndryshojë emrin. Sot është kufiri midis Kërçovës dhe Gostivarit. Në Iliri ka qenë kufiri mes Dardanisë dhe Penestisë kurse më vonë mes Vilajetit të Kosovës dhe Manastirit. Sulltana e Qafës është heroinë njëjtë si Mbretëresha Teuta dhe Shote Galica, por dallon në një gjë. Ajo nuk kishte as armatim si Shote Galica as mbretërinë e Teutës, por me gërshërë mori hakun për popullin e vet”, tha Veliu.
Manifestimi kaloi nën frymën e programit kulturor dhe artistik që në skenë e sollën shoqëri kulturo artistike dhe solistë të Gostivarit dhe Kërçovës.
Në fund u ndanë edhe mirënjohje për personalitete të cilët në një formë kanë dhënë kontributin e tyre, në mesin e të cilëve edhe për kryetarin e Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari.(BS)