Me datë 27 qershor 2024, në një atmosferë të mrekullueshme festive, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Sh.S. Lendita Hexhitasim, së bashku me Komunën e Romës, përuruan “Parkun Kosova” në zemër të Qytetit të Përjetshëm, brenda Fshatit Olimpik në lagjen Parioli, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Ceremonia u hap me fjalimet zyrtare të Ambasadores Lendita Haxhitasim dhe të Këshilltarit për Kulturë të Komunës së Romës, Prof. Miguel Gotor. Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve italiane, ambasadorë dhe anëtarë të Trupit Diplomatik, miq dhe bashkatdhetarë.
Gjatë fjalës së saj, Ambasadorja Haxhitasim theksoi se “kjo ceremoni nuk është vetëm një tribut për bukurinë e vendit tonë, por gjithashtu promovon guximin dhe vendosmërinë e popullit kosovar në rrugën e tij drejt lirisë, me Italinë si aleat. Në 25-vjetorin tonë të Çlirimit, inaugurimi i “Parkut të Kosovës” në kryeqytetin e Italisë është simbol i paqes dhe i miqësisë dhe bashkëpunimit mes popujve dhe vendeve tona. Republika e Kosovës dhe Republika Italiane ndajnë një lidhje të veçantë, të ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, mbështetjen dhe bashkëpunimin.”
Më pas, Ambasadorja shprehu një falënderim të sinqertë dhe të thellë ndaj Italisë dhe Kryetarit të Komunës së Romës, z. Roberto Gualtieri, edhe në emër të komunitetit kosovar në Itali. “Populli italian ka ofruar ndihmë dhe solidaritet për kosovarët gjatë kohëve të vështira. Studentët e rinj që do të performojnë më pas me valle tradicionale kanë lindur në Itali nga prindër kosovarë të mirëpritur gjatë luftës. Sot, bashkatdhetarët kosovarë që jetojnë në Itali janë plotësisht të integruar në të gjithë territorin, duke kontribuar në mënyrë aktive në strukturën sociale dhe ekonomike të vendit. Edhe në emër të tyre, falënderoj Komunën e Romës dhe Kryetarin Gualtieri për inaugurimin e “Parkut të Kosovës”, shtoi Ambasadorja Haxhitasim.
Në këtë ceremoni festive, Ambasada e Kosovës dhuroi gjithashtu një pemë, si shenjë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve. “Pema e kamfores e mbjellë sot për këtë rast simbolizon miqësinë e qëndrueshme mes popujve kosovar dhe italian, e përfaqësuar gjithashtu nga komuniteti historik arbëresh dhe pikërisht në Kalabri, në Komunën arbëreshe të Frasnitës, vitin e kaluar kemi përuruar “Sheshi Kosova”, i cili sot, së bashku me “Parkun Kosova” në Romë, përfaqësojnë vende takimi dhe integrimi, që shpresojmë të bëhen simbole të bashkimit dhe ruajtjes së rrënjëve tona për brezat e ardhshëm. Shpresoj që “Parku Kosova” të bëhet një pikë referimi për të gjithë dhe një shprehje e gjallë e vlerave të popullit tonë”, nënvizoi Ambasadorja.
“Fshati Olimpik në Romë përfaqëson jo vetëm një vend historik, por edhe një simbol të vëllazërisë të promovuar nga sporti dhe filozofia olimpike. Përmes këtij vendi, ne mund të reflektojmë mbi historinë dhe gjeografinë botërore, dhe sot mund të festojmë edhe demokracinë dhe Republikën më të re të Evropës, Shtetin e Kosovës. Megjithëse e re në moshë, Kosova ka fituar tashmë tre medalje të arta olimpike falë xhudokëve të saj, tre vajzave tona të arta, dardaneve Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, duke treguar kështu talentin dhe vendosmërinë e saj në sport. Parku Kosova në Fshatin Olimpik të Pariolit në Romë është një njohje e merituar edhe për këtë sukses”, u shpreh Shkëlqesia e Saj Lendita Haxhitasim.
Në fjalën e tij, Këshilltari për Kulturë i Komunës së Romës Gotor, rikujtoi historinë e Fshatit Olimpik, ndërtuar për të pritur atletët që morën pjesë në Olimpiadën e XVII-të të Romës në vitin 1960. Këshilltari shprehu entuziazmin e tij për vendimin e dedikimit të një zone të gjelbër të Kryeqytetit italian për Kosovën, të karakterizuar nga dimensioni i dukshëm ndërkombëtar, e promovuar nga pasioni i madh dhe impulsi i fortë i Shkëlqesisë së Saj, Ambasadores Haxhitasim, e cila e dëshiroi shumë këtë Park për Kosovën dhe kosovarët në zemër të Romës. Sporti bëhet gjithnjë e më shumë një mundësi e veçantë për të promovuar një mesazh vëllazërie dhe bashkimi. Urimi i Këshilltarit Gotor ishte që kjo zonë e kryeqytetit italian të jetë një homazh për një Shtet që, megjithëse i vogël nga pikëpamja gjeografike dhe demografike, është me siguri i pasur me histori dhe kulturë.
Pas fjalimeve zyrtare dhe zbulimit të pllakës, pasuan vallet tradicionale kosovare, të interpretuara nga katër balerina të trupës së vallëzimit “Bajram Curri”, studentet Eliesa, Anesa, Eleonora dhe Altina. Ritmi dhe pasioni i muzikës tradicionale përfshinë të gjithë publikun, duke bashkuar të ftuarit në një valle të bukur kosovare.