Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”
U përurua sot vëllimi i 6-të i veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit.Të pranishëm ishin themeluesit e Institutit “Lumo Skëndo”, z. Uran Butka, z. Agron Shehaj, kumtueset znj. Persida Asllani dhe znj. Lindita Komani si edhe të ftuar të tjerë. Vëllimi i 6-të, një kryevepër e letërsisë epistolare shqiptare dhe evropiane. Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit dhe përballja e tij me personalitetet më të shquara të kombit dhe më të pushtetshem të Evropës në shërbim të çështjes shqiptare, si edhe një letërkëmbim dashuror i jashtëzakonshëm. Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit, që nis qysh në vitin 1896, kur ishte 16 vjeç me letrën e mençur dërguar Dr.Ibrahim Temos, veprimtar i Rilindjes, përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë shkrimore dhe krijimtarisë së tij: aty shfaqen idetë e reja iluministe të tij në çdo fushë të jetës e të mendimit, sfidat dhe vendimmarrja e tij në ngjarjet kyçe të historisë së kombit, shqiptarizmi si platformë dhe veprim, përpjekjet titanike në mbrojtje të çështjes shqiptare në krizë, këmbëngulja e palodhur për zgjidhjen më pozitive të saj, humanizmi dhe evropianizmi si frymë e model, diplomacia si mjeshtëri dhe art, debati me argumente dhe logjikë të pakundërshtueshme, elokuenca dhe sjellja fisnike, bashkëbisedimi dhe polemikat me personalitete të shquara historike shqiptare e të huaja, përfshirë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë forumesh kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi e bashkimi kombëtar, haxhiqamilizmi shqiptar, rreziku komunist, lufta për shtet ligjor dhe demokraci, miqësia dhe dashuria, por edhe kritika ekzistenciale, largpamësia, kultura sipërore, informacioni i gjerë dhe sensi zyrtar, por edhe intim dhe artistik i këtij letërkëmbimi. Tre janë kulmet e kësaj pasurie epistolare: periudha e Rilindjes, që mbaron me shpalljen e Pavarësisë; koha kur ishte anëtar dhe kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhen e kombeve në Gjenevë në mbrojtje të identitetit dhe tërësisë teritoriale të Shqipërisë përkundër politikave pushtuese serbe, greke dhe italiane, por edhe kundër politikave imperialiste të Fuqive të Mëdha shpesh në mbështetje të tyre, si edhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të Shqipërisë jug-lindore të okupuara padrejtësisht dhe të persekutuara deri në asgjësim; letërkëmbimi kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, ku mbrojti si askush tjetër çështjen çame, duke u përballur me politikat antishqiptare dhe antinjerëzore të helenizmit për shpërnguljen barbare dhe shpronësimin e popullsisë shqiptare nga trojet e tyre në vitet 1923-1926.Mid’hati pati një letërkëmbim të pazakontë, nga përmbajtja e thuktë, por edhe nga shumësia e letrave, që arrijnë në mijëra e mijëra. Të habit fakti që ku e ka gjetur kohën të shkruajë letra pa fund, kur ka pasur një veprimtari tejet intensive atdhetare, politike, diplomatike, pedagogjike, kulturore, studimore, albanologjike, kritike, botuese, letrare, memoriale, bibliografike dhe përshkrime udhëtimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai ka shkruar dhe këmbyer letra nga nevoja e kohës, me personalitete, por edhe njerëz të thjeshtë të botës shqiptare si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Mehmet Konica, Kristo Luarasi, Gaetano Petrota, Dr. I.Temo, Dr. M. Turtulli, Fan Noli, Sulejman Delvina, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ahmet Zogu, Sotir Kolea, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Dhimitër Berati, Aqif Pashë Elbasani, Eshref Frashëri, Pandeli Evangjeli, Arif Dino, Asdreni, Kolë Tromara, Kostë Çekrezi, Mihal Grameno, Avni Rustemi, Samin Visoka, Branko Merxhani, Mirash Ivanaj, Seit Kemal, Hil Mosi, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Musine Kokalari, Emine Frashëri, Abaz Kupi, Dhimitër Falo, Safet Butka, Sali Mani etj; por edhe me personalitete te shquara të politikës e diplomacisë botërore si presidenti Ëilson, Lord Robert Cecil, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Jules Cambon, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, Eric Drumond, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, D’Estornuelles de Constand, Lloyd George, Aristide Briand, Aubrey Herbert, Edit Durham, Justin Godart, Baron Hayashi, Telford Erickson, Jean Pelissier, I.S. Barnes, Morton Eden, A.J.Balfour, Rene Vivian, K.Ishii, Bill Maklin, Alexandër Kirk, Julian Emer etj. si edhe ministra, deputetë, këshilltarë, ambasadorë, shkrimtarë, kryeredaktorë agjencish, gazetash e revistash, miq dhe armiq të Shqiperisë dhe të Mid’hat Frashërit. Po ashtu, pati letërkëmbim me personalitete te shkencës evropiane si M.Shuflai, G. Weigand, E.Pittard, M.Roques, M. Tomasie, H. Pedersen, N. Jokli, Prof.Meillet, E.Legrand etj Letërkembimi është hulumtuar dhe nxjerrë në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Jashtme, dhe arkivat e bibliotekat e Turqisë, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, etj, kryesisht në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht.