• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U përurua vëllimi i 6-të i veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit

November 12, 2021 by s p


Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”

U përurua sot vëllimi i 6-të i veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit.Të pranishëm ishin themeluesit e Institutit “Lumo Skëndo”, z. Uran Butka, z. Agron Shehaj, kumtueset znj. Persida Asllani dhe znj. Lindita Komani si edhe të ftuar të tjerë. Vëllimi i 6-të, një kryevepër e letërsisë epistolare shqiptare dhe evropiane. Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit dhe përballja e tij me personalitetet më të shquara të kombit dhe më të pushtetshem të Evropës në shërbim të çështjes shqiptare, si edhe një letërkëmbim dashuror i jashtëzakonshëm. Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit, që nis qysh në vitin 1896, kur ishte 16 vjeç me letrën e mençur dërguar Dr.Ibrahim Temos, veprimtar i Rilindjes, përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë shkrimore dhe krijimtarisë së tij: aty shfaqen idetë e reja iluministe të tij në çdo fushë të jetës e të mendimit, sfidat dhe vendimmarrja e tij në ngjarjet kyçe të historisë së kombit, shqiptarizmi si platformë dhe veprim, përpjekjet titanike në mbrojtje të çështjes shqiptare në krizë, këmbëngulja e palodhur për zgjidhjen më pozitive të saj, humanizmi dhe evropianizmi si frymë e model, diplomacia si mjeshtëri dhe art, debati me argumente dhe logjikë të pakundërshtueshme, elokuenca dhe sjellja fisnike, bashkëbisedimi dhe polemikat me personalitete të shquara historike shqiptare e të huaja, përfshirë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë forumesh kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi e bashkimi kombëtar, haxhiqamilizmi shqiptar, rreziku komunist, lufta për shtet ligjor dhe demokraci, miqësia dhe dashuria, por edhe kritika ekzistenciale, largpamësia, kultura sipërore, informacioni i gjerë dhe sensi zyrtar, por edhe intim dhe artistik i këtij letërkëmbimi. Tre janë kulmet e kësaj pasurie epistolare: periudha e Rilindjes, që mbaron me shpalljen e Pavarësisë; koha kur ishte anëtar dhe kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhen e kombeve në Gjenevë në mbrojtje të identitetit dhe tërësisë teritoriale të Shqipërisë përkundër politikave pushtuese serbe, greke dhe italiane, por edhe kundër politikave imperialiste të Fuqive të Mëdha shpesh në mbështetje të tyre, si edhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të Shqipërisë jug-lindore të okupuara padrejtësisht dhe të persekutuara deri në asgjësim; letërkëmbimi kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, ku mbrojti si askush tjetër çështjen çame, duke u përballur me politikat antishqiptare dhe antinjerëzore të helenizmit për shpërnguljen barbare dhe shpronësimin e popullsisë shqiptare nga trojet e tyre në vitet 1923-1926.Mid’hati pati një letërkëmbim të pazakontë, nga përmbajtja e thuktë, por edhe nga shumësia e letrave, që arrijnë në mijëra e mijëra. Të habit fakti që ku e ka gjetur kohën të shkruajë letra pa fund, kur ka pasur një veprimtari tejet intensive atdhetare, politike, diplomatike, pedagogjike, kulturore, studimore, albanologjike, kritike, botuese, letrare, memoriale, bibliografike dhe përshkrime udhëtimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai ka shkruar dhe këmbyer letra nga nevoja e kohës, me personalitete, por edhe njerëz të thjeshtë të botës shqiptare si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Mehmet Konica, Kristo Luarasi, Gaetano Petrota, Dr. I.Temo, Dr. M. Turtulli, Fan Noli, Sulejman Delvina, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ahmet Zogu, Sotir Kolea, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Dhimitër Berati, Aqif Pashë Elbasani, Eshref Frashëri, Pandeli Evangjeli, Arif Dino, Asdreni, Kolë Tromara, Kostë Çekrezi, Mihal Grameno, Avni Rustemi, Samin Visoka, Branko Merxhani, Mirash Ivanaj, Seit Kemal, Hil Mosi, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Musine Kokalari, Emine Frashëri, Abaz Kupi, Dhimitër Falo, Safet Butka, Sali Mani etj; por edhe me personalitete te shquara të politikës e diplomacisë botërore si presidenti Ëilson, Lord Robert Cecil, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Jules Cambon, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, Eric Drumond, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, D’Estornuelles de Constand, Lloyd George, Aristide Briand, Aubrey Herbert, Edit Durham, Justin Godart, Baron Hayashi, Telford Erickson, Jean Pelissier, I.S. Barnes, Morton Eden, A.J.Balfour, Rene Vivian, K.Ishii, Bill Maklin, Alexandër Kirk, Julian Emer etj. si edhe ministra, deputetë, këshilltarë, ambasadorë, shkrimtarë, kryeredaktorë agjencish, gazetash e revistash, miq dhe armiq të Shqiperisë dhe të Mid’hat Frashërit. Po ashtu, pati letërkëmbim me personalitete te shkencës evropiane si M.Shuflai, G. Weigand, E.Pittard, M.Roques, M. Tomasie, H. Pedersen, N. Jokli, Prof.Meillet, E.Legrand etj Letërkembimi është hulumtuar dhe nxjerrë në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Jashtme, dhe arkivat e bibliotekat e Turqisë, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, etj, kryesisht në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht.

Filed Under: Featured Tagged With: Lumo Skendo

NJE LETER E RRALLE E DELEGATIT TE VATRES, MITHAT FRASHERI

April 1, 2017 by dgreca

Janar 1920 / Letra e Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit) për pavarësinë e Shqipërisë drejtuar revistës franceze « L’Europe Nouvelle »/

3Frasheri M

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Prill 2017/

Revista franceze, « L’Europe Nouvelle – Evropa e Re », ka botuar më 24 janar 1920, letrën e atdhetarit, diplomatit, shkrimtarit dhe politikanit, Lumo Skëndo (pseudonim i Mit’hat Frashërit), me titullin « L’indépendance de l’Albanie – Pavarësia e Shqipërisë ».

Në Paris mbahej Konferenca e Paqes. Për këtë arsye, Skëndo (Frashëri) i shkruan drejtorit të revistës për të shprehur shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhej asokohe Shqipëria.

Patrioti shqiptar nuk ka nguruar të ngrejë zërin ndaj copëtimit të Shqipërisë dhe të mbrojë interesat tona kombëtare për pavarësi.

Për më shumë, ju ftoj të lexoni letrën e tij në vijim :

Zoti Drejtor,

Qarkullojnë zëra se Konferenca e Paqes ka menduar t’i japë Jugosllavisë pjesën veriore të Shqipërisë (deri në lumin Drin) në kompensim të zonës së Fiumes ; Thuhet se jugu i Shqipërisë (qarqet e Korçës dhe të Gjirokastrës) do t’i dhurohen si kurban Greqisë, dhe se Italia – si luani në fabul – do të marrë pjesën tjetër (Vlorën dhe territore të tjera nën mandat).

Me padyshim, Konferenca do të vulosë këtë vendim me fjalët : Fundi i Shqipërisë !

Në mes të shekullit të XX-të, Tri Fuqitë e Mëdha liberale të universit, Franca, Britania e Madhe dhe Italia, po shkaktojnë mbi Shqipërinë të njëjtin krim ashtu si Rusia, Prusia dhe Austria despotike kryen gjatë shekullit të XVIII-të mbi Poloninë.

Anglia, duke hyrë në Luftën e Madhe, deklaronte se ajo do të luftonte për mbrojtjen e kombësive të vogla. Zoti Clemenceau, në fjalimin që mbajti në Strasburg më 4 nëntor 1919, tha se « Krerët e qeverive të kombeve të para të Botës u mblodhën në Paris për të ribërë hartën e Evropës në emër të së drejtës së popujve për vetëvendosje. »

Presidenti Wilson, në marrëveshje me të gjithë aleatët, duke përfshirë Italinë, ka thënë se kjo luftë kolosale pati për qëllim çlirimin e popujve të shtypur, mbrojtjen e të dobtëve, triumfin e drejtësisë dhe ligjit mbi forcën brutale.

Shqipëria u gjymtua për herë të parë në 1878 ; për të dytën herë, u copëtua në 1913, në Konferencën e Londrës ; E megjithatë, kjo Konferencë, e cila u formua nga përfaqësuesit e kombeve të mëdha : Franca, Anglia, Italia, njohu një Shqipëri të vogël e të pavarur. Për shqiptarët është i rëndësishëm ky shirit (rrip) i vogël toke ; ata dëshirojnë të jetojnë, të  mos vdesin. Ata dëshirojnë pavarësinë e plotë dhe refuzojnë çdo mandat.

Pra, marrëveshja e 1913, qenka një copëz e thjeshtë letre ?

Në Evropë masakrojnë Shqipërinë, ndërsa në Azi krijohen shtete të pavarura. A është kjo ironi apo një komedi makabre ? Morali ?

LUMO SKENDO

Delegati i Shoqërisë Panshqiptare « Vatra »

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

* (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania): https:// www.darsiani.com

Filed Under: Featured Tagged With: Letra e delegatit te Vatres, Lumo Skendo, Mit'hat Frasheri

U përurua Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”

September 23, 2016 by dgreca

  U përurua Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” në Tiranë. Kishin ardhur drejtues të institucioneve kulturore dhe shkencore të vendit, personalitete  të shquara: studiues, historianë, shkrimtarë, botues, gazetarë, pedagogë, studentë etj. E përshëndetën themelimin e këtij instituti, zotërinjtë: Bujar Leskaj, Beqir Meta, Agron Tufa, Artur Roshi, Bilal Kola, Sulejman Gjana, Halit Shamata, Reshat Kripa,Lulzim Brahja e të tjerë. Z. Tomor Dosti i dhuroi institutit portretin e Mit’hat Frashërit, që mbahej nga ati i tij,Hasan Dosti, në selinë e “Komitetit Shqipëria e Lirë” në Njy York. Botuesi i mirënjohur Bujar Hudhri i dhuroi institutit veprën e plotë të shkrimtarit Ismail Kadare në 20 vëllime, po ashtu edhe botuesi ndriçim Kulla kolanën e Mendimit Shqiptar. Ndërsa studiuesi  Bardhyl Adem Selimi  dhuroi botimin “Adem Gllavica”  njëri nga luftëtarët më të mëdhenj të çështjes kombëtare të Kosovës.

Drejtori i Institutit Uran Butka lexoi mesazhin e urimit të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare: “ I uroj institutit “Lumo Skëndo” mbarësi dhe jetëgjatësi, për të përmbushur testamentin e Lumo Skëndos dhe për të ndriçuar të vërtetën historike të përçudnuar. Fshehja e së vërtetës është një katastrofë morale që mund të kthehet në një katastrofë të mirëfilltë për një popull, që përpiqet të dalë nga errësira në dritë.”

    Po japim për lexuesit e gazetës sonë fjalët e themeluesve të institutit.

    Agron Shehaj:

“Dëshira për të themeluar Istitutin e Studimeve Historike lindi nga nevoja për të njohur të vërtetën mbi historine e vendit tim,  për të ditur kush jemi, nga vijmë dhe ku do të shkojmë. Sot, nëse dua të di mbi të kaluarën, gjej kryesisht botime të bëra gjatë regjimit komunist. Do të  ishte shumë naive nga ana ime të mësoja prej atyre historinë e kombit tim. Kushdo që  ështe sadopak objektiv, e ka të qartë se ato botime janë të manipuluara për një synim te caktuar politik dhe nuk kanë vlera autenticiteti historik. Pra, nevoja për të lexuar e për të ditur historinë e vërtetë , na obligoi mua dhe z.Butka të krijonim  Institutin e Studimeve Historike, për t’i sjellë brezit të sotëm e të nesërm botime shkencore, të mbështetura tërësisht në dokumente e dëshmi, që hedhin drite mbi historinë tonë të përbashkët, në mënyrë sa më objektive e të pavarur. Ne besojmë se është një detyrim qytetar dhe intelektual  i domosdoshëm, që brezave të sotmë e të ardhshëm t’ju japim burimet e duhura dhe instrumentet e nevojshme, që të informohen e të brumosen si njerës të lirë dhe shqiptarë të mirë e të devotshëm, për të përballuar sfidat e vështira të kohës, të integrimit mbarëshqiptar dhe europian”.

Uran Butka:

Themelimi i Institutit “Lumo Skëndo” shënon një ngjarje të re dhe domethënëse në fushë të kulturës kombëtare, por edhe një mundësi për të kontribuar në rrafshin historik.

Domethënia qëndron jo vetëm tek emri i Institutit “Lumo Skëndo”, që na nderon dhe na përkushton tej mase, por edhe tek tek përcjellja e heshtur, e nëndheshme, e anatemuar, e mohuar, e frikshme dikur, mandej në këto vite të tranzicionit demokratik, edhe e lirë edhe e penguar e frymës dhe e veprës së tij madhore, ende e panxjerrë në dritë të plotë. Lumo Skëndo, në vitin 1929 la një testament të pashembullt deri atëhere, me anën e të cilit linte gjithë pasurinë e tij kulturore dhe materiale për të ngritur një institut të pavarur të studimeve shqiptare:

“Unë, Mid’hat Frashëri, në shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testamnent, duke ushqyer shpresën se pas vdekjes sime do të ekzekutohet pikërisht vullneti që dëftenj këtu: Ç’kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobila, karta, plaçka, para’ etj., i lë për krijimin e një “INSTITUTI ALBANOLOGJIE” që të jetë një qendër e studimevet shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë, të qendërsojë dhe të udhëheqë studimet që përkasin Shqipërinë dhe shqiptarëvet… Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputet gjë. Gjithë sa më kanë mbetur nga im atë ( Abdyl Frashëri- shënimi im) dhe nga ungjërit ( Naim dhe Sami Frashëri, shënimi im) dhe që sot formojnë muzenë time familiare, dëshëronj që të ruhen prapë në formë të një muzeje së vogël brënda në Institut. Ushqenj besimin e plotë se kjo dëshira ime do të zbatohet besnikërisht prej pasonjësve të mi në gjithë shekujt që do të vijnë dhe lutja ime drejtuar Fuqisë së Madhe që tani s’e kupëtojmë dot, do të jetë të kenë gjithë shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të Kombit, që shqiptarizma të bëhet një dëshirë dhe një konviktim i thellë dhe që çdokush të kupëtojë se e mira e Kombit është e mira jonë private, se nderi dhe lavdi i shqiptarëvet të gjithë është edhe nderi dhe lavdi ynë personal”.

Synimi kryesor  i këtij Instituti është hulumtimi, studimi dhe botimi i një historie të pathënë apo të pashkruar, njëherësh edhe ndreqja e historisë shqiptare të tjetërsuar dhe të falsifikuar nga regjimi dhe historiografia komuniste, që ende vret.

Do të marr vetëm një shëmbull të thjeshtë, simbolik, por edhe të njohur tanimë si një dhunim historik tipik: Aktin e Pavarësisë. Edhe për faktin që lidhet me emrin e Midhat Frashërit, nga njëra anë si firmëtar i Pavarësisë, nga ana tjetër si i retushuar në këtë akt nga falsifikatorët e historisë (njëri prej tyre, madje kryesori: Kristo Frashëri me Albumin e Pavarësisë të vitit 1965 e retushoi i pari) kanë vënë mbi emrin e tij një ndërtesë, për ta fshirë nga historia, por nuk e fshinë dot nga kujtesa e kombit. Bashkë me emrin e tij, kanë mbuluar edhe firmëtarin tjetër, Lef Nosin, i cili e ruajti dhe e botoi aktin e Pavarësisë, që e kemi edhe sot falë tij, ndërkohë që këta dhunues mjeranë janë fshirë nga historia, ndërsa Lef Nosi jeton. Janë mbuluar me një foto tjetër emrat e Mustafa Krujës, Ferit Vokopolës etj, gjithsej nëntë firmëtarë të zhdukur nga Akti i Pavarësisë. Absurditeti tjetër qëndron edhe në faktin që sipër firmave të kryetarit Ismail Qemali dhe nënkryetarit Nikollë Kaçorrit, janë ngritur emrat e dy firmëtarëve gjirokastritë…Pra u falsifikua dhe u deformua gjithçka, veçanërisht periudha e Pavarësisë, sidomos koha e Princërisë dhe Mbretësisë dhe në mënyrë të përbindshme periudha e Luftës së Dytë Botërore , e Luftës civile dhe e Socializmit, natyrisht për interesa ideologjike, politike, pushtetore dhe delirante të Enver Hoxhës dhe të kastës së tij staliniste.

Në këto vite të tranzicionit demokratik, krahas trysnisë postkomuniste, është bërë përpjekje për ta korigjuar këtë shëmtim, që po helmon e disinformon brezin e ri, por më tepër këto kanë qenë përpjekje individuale të studiuesve dhe historianëve të vërtetë. Tekstet e historisë për universitetet dhe shkollat e mesme janë në frymë dhe në gërmë po ato të historiografisë së mëparshme. Kjo gjendje  është  me pasoja të rënda jo vetëm për brezin e ri, por edhe për fatin e një populli të tërë. Shqiptarët i ka vrarë më tepër se plumbi, padrejtësia e historisë,  falsifikimi i saj, denigrimi dhe përbaltja e përsonaliteteve të shquara, glorifikimi i pushtetarëve, kriminelëve dhe antikombëtarëve.

Për të bërë ndryshimin, ne themeluam këtë institut të pavarur nga politika apo të  qepurit pas qeverisë , siç thoshte Mid’hat Frashëri, duke menduar se mund dhe duhet të punojmë institucionalisht dhe me shpresën e bashkëpunimit me ato institucione dhe ata historianë objektivë, brenda dhe jashtë shqipërisë, që do të vijojnë me kurajo dhe shkencërisht korigjimin dhe shkrimin e historisë sonë kombëtare.

Shpirtrat e tronditur të shqiptarëve, jo vetëm nga luftrat e vazhdueshme, traumat e mënxyrat që kanë përjetuar, por edhe nga mashtrimi i madh gjysëmshekullor komunist dhe leximi i keq i historisë, i cili vazhdon edhe sot, ka nevojë më së shumti për të vërtetën.

Puna e parë e Institutit do të jetë realizimi i projektit të rëndësishëm të hulumtimit, studimit dhe botimit të veprës së plotë të Lumo Skëndos në dhjetë vëllime. Mandej projekte të tjerë për ndriçimin e ngjarjeve të rëndësishme historike dhe të përsonaliteteve historike, veprimtari kulturore, konferenca e seminare kombëtare e ndërkombëtare, botime dhe publikime të studimeve historike, mbështetja me projekte e studimeve historike, nxjerrja e materialeve arkivore nga arkivate të vendit dhe ato të huaja, që lidhen me historinë, inkurajimi i të rinjve, sidomos i studentëve për t’u angazhuar në studime, debate e veprimtari historike, si edhe ushqimin e rrjeteve sociale të internetit me materiale të shkruara e filmike për publikun më të gjerë. Projekti më madhor i Istitutit është, që në bashkëpunim me studiuesit dhe historianët brenda dhe jashtë vendit, të hartojë dhe të botojë në disa vëllime tekstin “Historia moderne e Shqipërisë”.

Në udhën tonë do të kemi bashkëpunim institucional intensiv me Institutin Albanologjik  dhe Istitutin e Historisë së Prishtinës si edhe me institucionet kulturore e shkencore të Maqedonisë, Malit të ZI dhe të Diasporës shqiptare.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Historike, Instituti i Studimeve, Lumo Skendo, Peurimi

ELITA SHQIPTARE,DETYRA DHE PËRGJEGJSIA E SAJ

May 15, 2013 by dgreca

Shkrimi është një mesazh për intelektualët dhe ata të cilët pozicionojnë vehten në etalonin e quajtur elitë politikanësh të sodit.Ky shkrim është shkruajtur në gazetën „Përpjekja Shqiptare „ e vitit 1936,nga i madhi Mit’hat Frashëri,që i përkon kohës së sodit,kur mendjemadhësia e politikanëve,kryetar partish por edhe ata intelektuale ende s’gjejnë gadishmëri uniteti përballë rreziqeve që i kanosen shqiptarëve dhe trojeve shqiptare,gjithmonë në emër të disa„integrimeve“ çudibërëse.(Eugjen Shehu) ***

… Elitë thuhen njerëz të zgjedhur,por të zgjedhur jo prej ndokujt.Më mirë t’u themi të shquar,me një cilësi që na duket më e madhe,më e bukur,më e dobishme se e të tjerëve.Persona të tillë të heqin respekt,kanë një influencë morale që na detyron të dëgjojmë opinjonin e tyre dhe t’u bindemi me bindje morale vullnetare.Ata imponohen shpirtërisht,bëhen udhëheqës se janë si një fener,si një yll,si një dritë që na rrëfen udhën.Ndër ata gjejmë një thesar dëshirash dhe aspiratash dhe ideali dhe prirjet e tyre na duken sikur janë tonat.Ndër ata kthejmë sytë kur kemi nevojë dhe kërkojmë ndihmë.
Por edhe kur s’kemi nevojë,kurdoherë ngrejmë vështrimin drejt tyre – ata imponohen vetë,na janë pranë : fryma dhe afshi i tyre na prijnë,na ngrohin,na tregojnë shtegun,pa e ndjerë ne,pa e parë.
Ai veprim formon fuqinë tonë,bën rojtjen tonë të vërtetë.Elita,jo vetëm përfaqson pjesën më të vlefshme të një kombi por është udhëheqëse e shoqërisë për die,për gjykim,për estetikë,për jetën kolektive dhe tendenca historike,për besim dhe fillozofi.
Tani vjen pyetja : A kemi një elitë ne ? Më pëlqen përgjigjja pohimiste,se ashtu i do njeriut shpirti.
Por,duke kapërcyer këtë trap,themi ; Duhet të kemi,meqenëse është një nga konditat kryesore të jetës.Dhe atëherë vjen vetiu : Si do ta formojmë ? Më parë të kujtohet kushti themelorë : ata njerëz nuk formohen kur na pëlqen neve ;as e krijojmë dot ;as e kemi në dorë që të lindin.Bëhen vetiu,i bën Fati,Zoti,Natyra.Dhe bëhen vetë,me një durim të gjatë,ose më mirë akoma në qoftëse gjenia,naltësi e jashtëzakonshme e intelegjencisë është një dhuratë që vjen së sipërmi,puna e vetë njeriut,vullneti i tij i pareshtur,kur s’e kemi në dorën tonë fatin,atëherë na mbetet vetëm mjeti i dytë,atë i cili mvaret nesh,që mvaret nga intelegjencia dhe karakteri ynë.Edhe të dy këmbët mbi të cilat ngrehet elita,s’janë veçse inteligjencia dhe karakteri ,kjo e fundit më parë akoma se tjatra; e para duhet të jetë në shërbim të së dytës,si një ndihmesë,një skllave e bindur : me këto kondita mund të fitojë elita atë autoritet moral,intelektual dhe shoqëror.Mos më thotë kush në vesh,mos t’i shkojë kujt mendsh se „qeveria“ o „ministria“ mund të krijojë e mbryjë një Elitë për vendin tonë. Kjo do të ishte sikur të vërë kush buallin përpara qeres.A supozojmë se ata që janë në ofiqet zyrtare,formojnë batalione dishekujsh ? kjo do të ishte një send ideal.Por,të qe kështu,atëherë s’do të kishim nevojë të lodheshim.Të ishte e mundur që me një urdhër,me një dekret të krijoheshin merita,zotësia,vlefta dhe intelegjencia,atëherë do të ishim njerëzit më të lumturit të dheut.Nuk do të detyroheshim të mejtohemi,të kemi brengë,të ndjejmë mungesën e një gjëje të nevojshme,nga e cila pothua se varet gjithë rrojtja jonë,nga çdo kënd,nga çdo pikëpamje që ta shikojmë.Më parë a e kemi besimin e fortë se,merita,vlefta janë sendet e brendshme të shpirtit dhe jo shkëlqime të jashtme ? A jemi vërtetë të bindur – dhe duhet medoemos të jemi – se vlefta është intrenseke dhe joekstrensike,se kujdes i kujdo duhet të jetë për të qenë dhe jo për tu dukur ?Vetëm ky besim,ky konviktision,e bëjnë njeriun të punojë me seriozitet,të njohë detyrën dhe përgjegjsinë e tij,të kuptojë se ka një barë mbi supet,një peshë të madhe për të bartur.Dhe kjo vleftë e vërtetë e bën njeriun të jetë modest,larg demagogjisë.Elita s’ka të bëjë me pozitat zyrtare e shkallët e larta.Ajo s’ka nevojë për fuqi materiale.Forca e saj është krejt morale,me besimin që frymëzon te opinioni i të tjrëve,vlefta e tyre shpirtërore.Jo fjalët,por sjelljet,karakteri,integriteti i tyre,i bëjnë ata superioritet të padukshëm.
Duke mejtuar udhën e gjatë bërë prej popujve fatbardhë në fushën e gjërë të përparimit dhe të lumturisë,nuk mundim të mos ndjejmë thellë në zemër një melankoli dhe të kuptojmë më mirë përgjegjsinë tonë.Studimi dhe meditimi duhet ti japë njeriut çelsat e virtytit dhe të karakterit.I lumturi që gjen një shkëndijë drite,duhet ta konsiderojë veten e tij jo si viktimë,por si misionar,jo i hedhur në këtë lëmë për të vuajtur,por i lindur për të mbushur një detyrë.Ai që me djersën e tij,me durimin e vazhdueshëm të tij,ka fituar,ka fituar një shkallë në dijeni e në moral,ai s’ka dyshim se duhet ta shohë të lumtur veten.Ndërgjegjja e një vlefte së vërtetë a nuk është shpërblimi më i madh që mund të ketë ? Ku mund të mbijnë hithrat e ankimit a të dëshprimit,kur çdo agim i bie dritën e kënaqësisë shpirtërore ? Duke u larguar nga lotët dhe klithjet e viktimit,misionari gjen fuqinë e tij : duron,punon.
Vini re si punohet ; A harrojmë se,edhe më e vogla e aftësisë,e zotsisë,lyp një studjim,një lodhje,një vuajtje,një punim të gjatë,a nuk e dimë se asgjë në botë s’fitohet pa e merituar,pa e blerë me djersën dhe rënkimin tonë të përditshëm ? Në qoftë se jemi bindur se asgjë s’na zbret qiellit e gatitur dhe e gatuar,atëherë dëshprimi s’gjen vend te ne,por kënaqësi,qetësi dhe gëzim në jetën e njeriut,t’i provojë se lumturia është kur mbushim detyrën dhe përpiqemi të arrijmë qëllimin ? A nuk është njeriu mjaft krenar në këto kondita dhe kjo krenari modeste dhe e mbrendshme a nuk është rroga jonë më e madhe,më e ndershme ? Mësoni shqiptarët të punojnë me gëzim,të jenë gazmorë dhe optimistë dhe do t’u kini bërë më të madhin e shërbimeve.Mund të thuhet se vetëm ky shërbim do të jetë mjaft për të pasur lumturinë,se atje do të jetë burim i vërtetë i fuqisë shpirtërore ….
Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyreve që ,së bashku,formojnë kombin,do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësi e vetes së tij ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që e quajmë komb.Do t’ish një ushtrim shpirtëror,me rezulltat të madh për neve dhe për të afërmit tanë.Elita,a nuk duhet të ketë për qëllim të parë përmirësimin e vetes së saj,fitimin e virtytit,të karakterit dhe të diturisë ? Misionari a nuk duhet të ketë në çdo minutë parasysh shembëllën dhe jetën e të shenjtit që ka zgjedhur për model,dhe a nuk përpiqet t’i afrohet modelit me durim,respekt dhe disiplinë ?
A nuk është e mundur që njeriu,kjo krijesë që i thotë vetes me mend,të rojë e hequr zvarrë prej rrethanash materiale,prej dorës së verbër të ngjarjeve,pa ndjerë,pa manifestuar asnjë reaksion,asnjë sforcim,pa mbrojtur veten ? A ëstë e mundur të rrojë njeriu,të themi më mirë : të rrojmë ne,pa parë,pa vështruar,pa mejtuar,pa gjykuar,pa punuar ?
Ata që ngrihen makar dy gisht mbi nivelin ordiner,duhet të kuptojnë përgjegjsinë e tyre…LUMO SKËNDO
(Përgaditi Eugen SHEHU)

Filed Under: Kulture Tagged With: elita, Eugjen Shehu, Lumo Skendo, Mithat Shehu

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT