• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELITA, Laura Mersini Houghton

May 6, 2016 by dgreca

Elitës së mohuar i shtohet edhe emri i shkencëtares Laura Mersini Houghton/

Mendja e ndritur e shqiptarit thotë:” Bëmë baba. të të ngjaj! Ose…”Dardha…, bie nën dardhë”/

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj/

E kujt mund t’ia merrte mendja se kokat e shkencës botërore do t’i ftonte dhe do t’i mblidhte në Stokholm  një grua e re, një shqiptare e lindur, e rritur dhe e arsimuar në Shqipëri, një gjeni në fizikë dhe astronomi për të ballafaquar zbulimet më të reja shkencore. Kjo e re, kjo vajzë bio- shqiptare, ku në gene trashëgon fisnikërinë, është Laura Nexhat Mersini, vlonjatja me rrënjë  si nga babai dhe nga nëna. Buçasin mediat e huaja për zbulimin e saj astronomik, e përgëzojnë, e dëgjojnë me vëmendje e i miratojnë arritjet e saj shkencore, fizikanët, astronomët e shkencëtarët më në zë të botës, kurse vendi i saj hesht. Heshtin institucionet e kulturës në Shqipëri, ka mbyllur veshët Akademia e Shkencave, ka mbyllur sytë politika shqiptare ashtu siç kanë bërë me dhjetëra e qindra figura të ndritura me të cilat çdo komb tjetër do të mburrej e do të krenohej.  E si mund t’i bëjnë popullaritet Laura Mersinit?! Si mund të vlerësojnë mbesën e një beu, një familjeje të deklasuar, vajzën e një të persekutuari, i cili edhe pas vdekjes nuk e ka zënë vendin e merituar mes njerëzve të shquar të kombit?  Jo më kot gojarti popull ka thënë: “Bëmë baba të të ngjaj!”

Cili ishte i ati i  Laura Mersinit, në gjurmët e të cilit ajo eci me hapa galopante?

Me të drejtë Laura Mersini pohon:“babai, edhe pse në internim, më mësoi rrugën e lumturisë”. Cili fëmijë nuk do të ishte krenar për një baba si Nexhat Mersini, matematicieni i shquar i vendit, i pari që në kushtet e vështira të diktaturës aplikoi matematikën lineare, shkencëtari dhe bashkëpunëtor i katedrave shkencore më në zë të kohës. I vlerësuar nga universiteti Oksfordit, nga universitete të Francës, Bukureshtit apo Kanadasë për punën e tij shkencore, i cili shpesh herë binte ndesh me teoritë e Ajnshtajnit.

Vuajtjet, lufta e klasave e denigrimi i familjes dhe fisit të tij, nuk ia zbehën djaloshit Mersini trashëgiminë  kulturore  të familjes, as dëshirën e tij të ethshme për të njohur botën e pafundme të numrave dhe kalkulimeve. Ai nuk u step as nga shiu e as nga bora , herë i ngrënë, herë i pangrënë, herë i mbathur e herë i zbathur, përditë me çantën në sup duke zgjidhur me mendje ekuacione me shumë të panjohura, ecte më tepër se një orë në këmbë nga Çeprati në Vlorë. Aty kreu shkollën tetëvjeçare dhe gjimnazin “Ali Demi”.  Në shkollën e mesme  shkëlqeu talenti i tij i rrallë, duke qenë fitues i disa olimpiadave të matematikës në shkallë vendi. Në këtë mënyrë rriti e madhoi emrin, autoritetin dhe famën e gjimnazit “Ali Demi”, që u rendit një ndër shkollat e mesme më të shquara të vendit. Arritjet e tij prej gjeniu ishin pasojë e studimit sistematik. Ai i ri  i papërtuar, me shumë vullnet, edhe pse i përndjekur nga Sigurimi i Shtetit, përkthente gjithë arritjet shkencore të kohës, nga rusishtja dhe anglishtja.  Paralel me aplikimet e reja shkencore në fushën e matematikës dhe statistikës edhe jashtë vendit, ai ishte i pari matematicuien apo ekonomist në vendin tonë që përfundoi studimin për aplikimin e matematikës lineare në prerjen e materialeve për të fituar ndërmarrja apo shteti edhe nga mbeturinat ose hedhjet.  Pas kryerjes së studimeve me rezultate të shkëlqyera, ai meritonte të ishte graduat akademik, pedagog statistike a matematike në Universitet.  Gjithsesi nuk duhet harruar që ishte një i persekutuar  dhe vetëm  për aftësitë e rralla që kishte, e emëruan Shef Plani në Kombinatin e Konservave “Ernest Telman” në Vlorë, ku punoi deri në vitin 1968. Aty vuri në jetë arritjet e para të susksesshme për zbatimin e matematikës lineare, një zbulim që e transferoi atë në Ministrinë e Financave, e cila  ishte qëndra studjuese e ekonomisë dhe financës në vend, ku punoi me passion në vitet 1968- 1970. Metodat racionale të tij, Ministria i vuri në përdorim  në të gjithë vendin,  si në Uzinën Mekanike të Gjirokastrës dhe më pas ky aplikim gjeti zbatim në të gjithë sektoret e ekonomisë si në rrjetin ujor në Portin e Durrësit,si dhe në  shfrytëzimin optimal të burimeve ujore dhe energjetike të lumit Drin. Nga Ministria e Financës dërgohet për specializim në Rumani, ku kishte institucione shkencore të konsoliduara. Përdorimi i matematikës lineare nga Nexhat Mersini solli rritjen e vlerave financiare dhe njëkohësisht u bë burim të ardhurash për ekonominë e rrënuar shqiptare. Më pas Nexhat Mersini i dha vlerat e tij shkencore në Akademinë e Shkencave, pikërisht  në Institutin e Studimeve Ekonomike. Ndërkohë ai ka qenë bashk’autor në shumë libra universitarë për financimin e ekonomisë dhe futjen e metodave matematikore në ekonomi.

Por lufta e klasave i qëndronte mbi kokë si sopata e Liktorit, ndaj e degdisën në Përmet dhe më pas në Dukat të Vlorës. Edhe pse larg familjes, ai vazhdoi studimet shkencore. Pas botimit të 3 librave për metodat matematikore të aplikuara në ekonomi, paralelisht punonte me një libër për Krizën Ekonomike Botërore, ku pikërisht në këtë studim ra ndesh me teoritë e Ajnshtajnit. Me ndarjen nga jeta në një moshë dhënieje vlerash shkencore, ai la shumë projekte në mesrrugë. Megjithatë ai baba i palodhur, që punoi në shërbim të së mirës, i dhuroi së bijës dashurinë për numrat, vullnetin për të njohur të fshehtat e botës që na rrethon dhe dëshirën për të kërkuar më shumë nga vetja.

 

Laura Mersini duke realizuar veten, plotësoi edhe  dëshirën e të Atit për të qenë “Dikushi”

 

Nuk thonë kot: “Dardha bie nën dardhë!”  Jo gjithmonë nga prindër të mirë dalin fëmijë të mirë, nga prindër artistë  nuk mund të bëhen fëmijë artistë, as nga prindër shkencëtarë nuk do të lindin  fëmijë shkencëtarë. Gjithsesi geni trashëgohet. Dhe këtë e dëshmon shkencëtarja e re Laura Mersini Houghton.

Fillimet e shekullit të XX-të dhe të shek XXI-e bënë opinionin të ulen me nderim para dy grave dijetare, pothuaj të së njëjtës moshë për kohën që jetuan dhe që bënë epokë në shkencë.

Në fillim të shek. XX-të polakja Marie Kyri që kishte studiuar për matematikë e fizikë, duke punuar dhe studiuar në Universitetin e Sorbonës në Paris, zbuloi vlerën e energjisë së Uraniumit dhe përdorimin e kësaj energjie në dobi të njerëzimit. Ishte e para grua që më 1911 mori çmimin Nobel.

Kurse sot Laura Nexhat Mersini nga Vlora, pretendente për çmimin Nobel, po provon se Teoria e Big Bang-ut dhe e ekzistencës së ‘vrimës së zezë’ është e pamundur.

Dr. Laura Mersini-Houghton, Profesore në Universitetin e Karolinës së Veriut, në Chapel Hill, mbështetet në teorinë e saj frymëzuese në një matematikë brilante.

Një grua shqiptare, një  gjeni, Mari Kyri e sotme e fizikës së kozmosit, jo vetëm që është më e mprehta nga të gjithë fizikantët e sotëm atje, por ka edhe kurajon të demonstrojë zbulimin e saj shkencor . Pikërisht për këtë arsye, fundgushtin e  kaluar (24-29 gusht )ajo mblodhi në Suedi 32  shkencëtarë nga e gjithë bota për të deklamuar  se Teoria e shpërthimit të Big Bang- ut  është e papranueshme për shkak të energjisë së jashtëzakonshme që i duhet një shpërthimi të tillë. Gjë të cilën ajo e vërtetoi para shkencëtarëve me kalkulime matematikore brilante,  mbështetur në ligjet e Fizikës dhe Astronomisë. Madje në atë javë të takimit në Suedi ishte edhe shkencëtari më i madh i këtij shekulli në këtë fushë Stephen William Hawking , i cili sot  është fizikani, matematicieni, kozmologu dhe astro fizikani britanik më i rëndësishmi dhe më i njohuri në fizikën teorike.

Albert Ainshtaini dhe Stephen Howking, ia kanë kushtuar gjithë karrierën e tyre shkencore, ekzistencës së vrimës së zezë në univers, gjë që Laura Mersini e kundërshton. Këmbëngulja e saj për të arritur aty ku është sot, ka nisur qysh me shkollimin e saj. Prindërit duke parë prirjet dhe inteligjencën e lartë të vajzës, e mbështetën të ndiqte rrugën 5 vjeçare të fizikës, një fushë ku e kanë dominuar vetëm burra. Laura Mersini kreu studimet pasuniversitare në SHBA, fillimisht si studente ‘Fulbright’ në janar 1994. Më pas u specializua dhe u pajis me M.Sc.në Universitetin e Marylandit dhe në vitin 2000 mori doktoraturën në Universitetin Wiskconsin-Milwaukee. Ajo punoi si shkencëtare dhe vazhdon të thellohet për origjinën e universit dhe të materies në fiziko-kozmologji;  për misterin e energjisë së  erës, që përbën 75% të energjisë së universit; për “teorinë e fijes” në fizikë; për gravitetin dhe teorinë kuantike në hapësirën e lakuar. Tashmë ajo po kalon tej fizikës së 100 viteve, teori që kishte arritur se, një yll kur vdes shkakton në vetvete,  apo shndërrohet në një vrimë të zezë. Ajo pretendon se është e pamundur që vrimat e zeza të ekzistojnë. Dhe ajo mbështetet në matematikë për ta provuar këtë.

Laura Mersini-Houghton me të gjitha mjetet e shkrimit (edhe matematikën e re të fizikës), ajo deklaron se Teoria e kuanteve gjithmonë ka thënë se informacioni nga universi asnjëherë nuk mund të humbasë , nuk mund të zhduket. Teoria e re matematike e fizikës së Dr.Mersini-Houghton, një teori që  rrëzon të tjerat,  shpjegon pse vrimat e zeza – ashtu si na kanë mësuar të besojmë -nuk mund të ekzistojnë! Shumica e fizikanëve besojnë se universi shpërtheu nga një njësi që filloi të zgjerohej me Big Bang-un 13.8 miliardë vite më parë. Nëse është e pamundur për këto njësi (singularitete) të ekzistojnë, atëherë edhe teoria e Big Beng-ut vihet në pikëpyetje, së bashku me vrimat e zeza. Cili ishte entuziazmi i saj mbi zbulimin? “Ende nuk jam e shokuar” ,- thotë ajo . Çuditërisht të njëjtën gjë tha edhe Mari Kyri kur fitoi çmimin Nobel.

Sipas Dr Laura Mersini-Houghton, “Fizikantët janë përpjekur të ndërthurin këto dy teori – teorinë e Ajnshtajnit mbi gravitetin dhe mekanikën kuantike –për dekada, por ky skenar i sjell këto dy teori në harmoni dhe kjo është vërtet një punë e madhe”.Fizikantja gjeniale shqiptare thotë: “Harmoni!”,  Sipas saj ndoshta universi është shumë më harmonik sesa shpërthimet dhe kolapset siç është folur. Madje ajo pohon se sot shkenca astro-fizike nuk bënë fjalë për univers, por për multivers

 

Si e priti  Shqipëria këtë arritje të suksesshme të shkencëtares Laura Mersini Houngton?

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përjetojnë kulmin e saj shkencor, një astronome shqiptare, që quhet Laura Mersini (Houngton nga i shoqi).

Shkencëtarja nga Vlora, e bija e një shkencëtari, me origjinë fisnike, bijë enjë familjeje të deklasuar, është e njohur gjërësisht në rrethet akademike botërore dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave më të rëndësishme në botë, por në Shqipëri nuk e ka marrë një vëmëndje të tillë as nga mediat. Sepse politika shqiptare merret me “punë të mëdha”. Moskushtimi i vëmendjes ndaj këtij personaliteti botëror , ndaj një intelekti që lind vetëm një herë në shekull, që aq më tepër është grua, është një nënë, është një bijë shqiptare, është treguesi më i mirë i luftës së klasave që vazhdon edhe me brezin e katërt të të mohuarëve. Babë e bijë të shpërfillur. Çfarë mëkati?

Me të drejtë pyes :a do të zhduket ndonjëherë difrencimi klasor në Shqipëri? Përgjigjen e kësaj pyetje ma dha i madhi Prof.Dr. Isuf Luzaj, i cili rrëfen: “Teksa shoqëroja Filozofin e madh Zhan Pol Sartri, gjatë një vizite akademike 18 ditore në SHBA,i ftuar erdhi edhe në Universitetin ku unë jepja në disa kurse, filozofinë e tij mbi ekzistencilizmin, ky më tha:” Sa më shumë i sinqertë, i vendosur, i zgjuar, trim të jetë, një komunist-kryetar shteti, aq më shumë gabime, aq më të pakoregjueshme gabime, aq më të tmerrshme gabime do të bëjë, pa pasur tjetër alternativë veçse krimit, për të vazhduar në udhën e tij të gabuar, i udhëhequr nga filozofia e gabuar marksiste-engeliste-leniniste”- thënie, të cilën Filozofi Isuf Luzaj e quan “Epitaf Lapidar”  (I.Luzi- Filozofia e Bukurisë, fq-196).

E bindur nga thënia e Sartrit të madh, them se ashtu siç janë mohuar, shpërfillur apo harruar mjaft vlera kombëtare, emblena të kulturës sonë, ashtu do të ngelen, në harresë sa e sa potenciale  vlerash të tjerë që kanë prejardhje fisnike apo bijë nga prindër intelektualë me kulturë perëndimore.  Kjo mungesë interesimi nga media apo poltika shqiptare, nuk e pengojnë Laurën që të bëjë e të thotë gjënë e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Sepse Bota nuk do t’ia dijë se nga vjen, ç’kombësi ka, nga cila klasë shoqërore rrjedh, apo çfarë gjuhe flet?  Bota vlerëson dijet dhe trurin e avancuar të saj.

Ndaj me gjithë shpirt i uroj Laurës jetë të gjatë, suksese në shkencën e bukur të kozmogjisë dhe së shpejti me çmimin “Nobel”, sepse është krenari për të gjithë ata që vlerësojnë suksesin !Urime zonja shkencëtare!

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Vlorë 1 maj 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: elita, Laura Mersini Houghton, Vilhelme Vrana Haxhiraj

ELITA SHQIPTARE,DETYRA DHE PËRGJEGJSIA E SAJ

May 15, 2013 by dgreca

Shkrimi është një mesazh për intelektualët dhe ata të cilët pozicionojnë vehten në etalonin e quajtur elitë politikanësh të sodit.Ky shkrim është shkruajtur në gazetën „Përpjekja Shqiptare „ e vitit 1936,nga i madhi Mit’hat Frashëri,që i përkon kohës së sodit,kur mendjemadhësia e politikanëve,kryetar partish por edhe ata intelektuale ende s’gjejnë gadishmëri uniteti përballë rreziqeve që i kanosen shqiptarëve dhe trojeve shqiptare,gjithmonë në emër të disa„integrimeve“ çudibërëse.(Eugjen Shehu) ***

… Elitë thuhen njerëz të zgjedhur,por të zgjedhur jo prej ndokujt.Më mirë t’u themi të shquar,me një cilësi që na duket më e madhe,më e bukur,më e dobishme se e të tjerëve.Persona të tillë të heqin respekt,kanë një influencë morale që na detyron të dëgjojmë opinjonin e tyre dhe t’u bindemi me bindje morale vullnetare.Ata imponohen shpirtërisht,bëhen udhëheqës se janë si një fener,si një yll,si një dritë që na rrëfen udhën.Ndër ata gjejmë një thesar dëshirash dhe aspiratash dhe ideali dhe prirjet e tyre na duken sikur janë tonat.Ndër ata kthejmë sytë kur kemi nevojë dhe kërkojmë ndihmë.
Por edhe kur s’kemi nevojë,kurdoherë ngrejmë vështrimin drejt tyre – ata imponohen vetë,na janë pranë : fryma dhe afshi i tyre na prijnë,na ngrohin,na tregojnë shtegun,pa e ndjerë ne,pa e parë.
Ai veprim formon fuqinë tonë,bën rojtjen tonë të vërtetë.Elita,jo vetëm përfaqson pjesën më të vlefshme të një kombi por është udhëheqëse e shoqërisë për die,për gjykim,për estetikë,për jetën kolektive dhe tendenca historike,për besim dhe fillozofi.
Tani vjen pyetja : A kemi një elitë ne ? Më pëlqen përgjigjja pohimiste,se ashtu i do njeriut shpirti.
Por,duke kapërcyer këtë trap,themi ; Duhet të kemi,meqenëse është një nga konditat kryesore të jetës.Dhe atëherë vjen vetiu : Si do ta formojmë ? Më parë të kujtohet kushti themelorë : ata njerëz nuk formohen kur na pëlqen neve ;as e krijojmë dot ;as e kemi në dorë që të lindin.Bëhen vetiu,i bën Fati,Zoti,Natyra.Dhe bëhen vetë,me një durim të gjatë,ose më mirë akoma në qoftëse gjenia,naltësi e jashtëzakonshme e intelegjencisë është një dhuratë që vjen së sipërmi,puna e vetë njeriut,vullneti i tij i pareshtur,kur s’e kemi në dorën tonë fatin,atëherë na mbetet vetëm mjeti i dytë,atë i cili mvaret nesh,që mvaret nga intelegjencia dhe karakteri ynë.Edhe të dy këmbët mbi të cilat ngrehet elita,s’janë veçse inteligjencia dhe karakteri ,kjo e fundit më parë akoma se tjatra; e para duhet të jetë në shërbim të së dytës,si një ndihmesë,një skllave e bindur : me këto kondita mund të fitojë elita atë autoritet moral,intelektual dhe shoqëror.Mos më thotë kush në vesh,mos t’i shkojë kujt mendsh se „qeveria“ o „ministria“ mund të krijojë e mbryjë një Elitë për vendin tonë. Kjo do të ishte sikur të vërë kush buallin përpara qeres.A supozojmë se ata që janë në ofiqet zyrtare,formojnë batalione dishekujsh ? kjo do të ishte një send ideal.Por,të qe kështu,atëherë s’do të kishim nevojë të lodheshim.Të ishte e mundur që me një urdhër,me një dekret të krijoheshin merita,zotësia,vlefta dhe intelegjencia,atëherë do të ishim njerëzit më të lumturit të dheut.Nuk do të detyroheshim të mejtohemi,të kemi brengë,të ndjejmë mungesën e një gjëje të nevojshme,nga e cila pothua se varet gjithë rrojtja jonë,nga çdo kënd,nga çdo pikëpamje që ta shikojmë.Më parë a e kemi besimin e fortë se,merita,vlefta janë sendet e brendshme të shpirtit dhe jo shkëlqime të jashtme ? A jemi vërtetë të bindur – dhe duhet medoemos të jemi – se vlefta është intrenseke dhe joekstrensike,se kujdes i kujdo duhet të jetë për të qenë dhe jo për tu dukur ?Vetëm ky besim,ky konviktision,e bëjnë njeriun të punojë me seriozitet,të njohë detyrën dhe përgjegjsinë e tij,të kuptojë se ka një barë mbi supet,një peshë të madhe për të bartur.Dhe kjo vleftë e vërtetë e bën njeriun të jetë modest,larg demagogjisë.Elita s’ka të bëjë me pozitat zyrtare e shkallët e larta.Ajo s’ka nevojë për fuqi materiale.Forca e saj është krejt morale,me besimin që frymëzon te opinioni i të tjrëve,vlefta e tyre shpirtërore.Jo fjalët,por sjelljet,karakteri,integriteti i tyre,i bëjnë ata superioritet të padukshëm.
Duke mejtuar udhën e gjatë bërë prej popujve fatbardhë në fushën e gjërë të përparimit dhe të lumturisë,nuk mundim të mos ndjejmë thellë në zemër një melankoli dhe të kuptojmë më mirë përgjegjsinë tonë.Studimi dhe meditimi duhet ti japë njeriut çelsat e virtytit dhe të karakterit.I lumturi që gjen një shkëndijë drite,duhet ta konsiderojë veten e tij jo si viktimë,por si misionar,jo i hedhur në këtë lëmë për të vuajtur,por i lindur për të mbushur një detyrë.Ai që me djersën e tij,me durimin e vazhdueshëm të tij,ka fituar,ka fituar një shkallë në dijeni e në moral,ai s’ka dyshim se duhet ta shohë të lumtur veten.Ndërgjegjja e një vlefte së vërtetë a nuk është shpërblimi më i madh që mund të ketë ? Ku mund të mbijnë hithrat e ankimit a të dëshprimit,kur çdo agim i bie dritën e kënaqësisë shpirtërore ? Duke u larguar nga lotët dhe klithjet e viktimit,misionari gjen fuqinë e tij : duron,punon.
Vini re si punohet ; A harrojmë se,edhe më e vogla e aftësisë,e zotsisë,lyp një studjim,një lodhje,një vuajtje,një punim të gjatë,a nuk e dimë se asgjë në botë s’fitohet pa e merituar,pa e blerë me djersën dhe rënkimin tonë të përditshëm ? Në qoftë se jemi bindur se asgjë s’na zbret qiellit e gatitur dhe e gatuar,atëherë dëshprimi s’gjen vend te ne,por kënaqësi,qetësi dhe gëzim në jetën e njeriut,t’i provojë se lumturia është kur mbushim detyrën dhe përpiqemi të arrijmë qëllimin ? A nuk është njeriu mjaft krenar në këto kondita dhe kjo krenari modeste dhe e mbrendshme a nuk është rroga jonë më e madhe,më e ndershme ? Mësoni shqiptarët të punojnë me gëzim,të jenë gazmorë dhe optimistë dhe do t’u kini bërë më të madhin e shërbimeve.Mund të thuhet se vetëm ky shërbim do të jetë mjaft për të pasur lumturinë,se atje do të jetë burim i vërtetë i fuqisë shpirtërore ….
Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyreve që ,së bashku,formojnë kombin,do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësi e vetes së tij ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që e quajmë komb.Do t’ish një ushtrim shpirtëror,me rezulltat të madh për neve dhe për të afërmit tanë.Elita,a nuk duhet të ketë për qëllim të parë përmirësimin e vetes së saj,fitimin e virtytit,të karakterit dhe të diturisë ? Misionari a nuk duhet të ketë në çdo minutë parasysh shembëllën dhe jetën e të shenjtit që ka zgjedhur për model,dhe a nuk përpiqet t’i afrohet modelit me durim,respekt dhe disiplinë ?
A nuk është e mundur që njeriu,kjo krijesë që i thotë vetes me mend,të rojë e hequr zvarrë prej rrethanash materiale,prej dorës së verbër të ngjarjeve,pa ndjerë,pa manifestuar asnjë reaksion,asnjë sforcim,pa mbrojtur veten ? A ëstë e mundur të rrojë njeriu,të themi më mirë : të rrojmë ne,pa parë,pa vështruar,pa mejtuar,pa gjykuar,pa punuar ?
Ata që ngrihen makar dy gisht mbi nivelin ordiner,duhet të kuptojnë përgjegjsinë e tyre…LUMO SKËNDO
(Përgaditi Eugen SHEHU)

Filed Under: Kulture Tagged With: elita, Eugjen Shehu, Lumo Skendo, Mithat Shehu

Artikujt e fundit

  • NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS
  • Vatra Chicago, shans historik në përpjekjet për çështjen kombëtare
  • U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË CHICAGO
  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT