ASLLAN BUSHATI/
Nëpërmjet njoftimit të familjes dhe VOA, mësuam se më 15 maji 2022, u largu nga kjo jetë ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Bucaj. Ai lindi para 88 vitesh, në fshatin Arst të Pukës, në një familje me shumë tradita në mikpritje, bujari, pleqësi e burrëri, ku në krye të saj qëndronte i mirnjohuri i asaj krahine Mark Zogu. Gjoni pas kryerjes shkëlqyeshëm të shkollës bazë në fshat, me ndihmën e Ndoc Mirakës, u regjistru në shkollën unike “Konvikti i Maleve” në Shkodër. Aty shkëlqeu në përparim në mësime, vecanërisht matematikë dhe histori. Në këtë periudhë një ndihmesë të madhe i dha përsëri Familja Miraka e cila ishte bazike për ecurinë e tij.
Pas përfundimit të shkollës unike, u këthye në vendlindje i mbruajtur me ide atdhetare e antikomuniste. Por në këtë kohë rezistenca antikomuniste në veri, filloi të shuhej si nga mbeshtetja e pakët e perendimorëve dhe minimi i jugosllavëve. Si për shumë të tjerë arratisja nga regjimi komunist u bë alternative e vetme edhe për Gjonin, të cilën e bëri realitet së bashku me familjen në vitin 1951. Në Jugosllavi pati trysninë e vazhdueshme të autoriteteve të atij vendi, vecanërisht të shërbimit sekret UDB. Megjithatë ai përfundoi gjimnazin në Prishtinë dhe u regjistru në Fakultetin e Mjeksisë në Shkup. Pa e përfunduar atë, u arratis për në Itali, ku kreu studimet e plota dhe u diplomu Doktor. Në Itali, me ndihmën e Kol Bibë Mirakës, u njoh me Ernest Koliqin, Familjen e Gjon Markagjonit e shumë shqiptarë të njohur. Në një mjedis burrash të mencur u armatos me më shumë dituri, për historinë, etninë dhe politikën. Kështu që në moshë të re u bë Nënkryetar i Blokut Kombëtar Indipendent (BIK), detyrë të cilën e mbajti deri në fillim të viteve 2000. Madje në zgjedhjet elektorale të vitit 1992 në Shqipëri (ku fitoi Partia Demokratike), mori pjesë në fushatë si i dërguar i BIK-së në përbërjë të të cilit ishin: Gjon Bucaj Kryetar, Gjon Kadeli Nenkryetar dhe Viktor Daragjati anëtar, të cilët bënë thirrje që BIK të mbështestë PD-në.
Pas largimit nga Italia, u vendos në NY ku vazhdoi të punonte për BIK dhe Vatrën. Kur u themelu Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane u bë edhe anëtar i saj, duke qenë i ingranuar në shërbim të ceshtjes Kombëtare në të tria organizatat njëherëshi. Në këtë periudhë, ai së bashku me familjarët e tij, doli dhe foli në cdo demostratë (në NY e Uashington DC) duke mbështetur programet e Presidentit Rugova për clirimin e Kosovës.
Gjoni duke qenë atdhetarë i spikatur, me punën e tij të virtytëshme, shpejt u bë shumë i mirnjohur në komunitetin shqiptaro amerikan sepse ai ishte i qetë, i matur e i urtë, fjalë pak e punë shumë për mërgatën shqiptare e për veprimtaritë në dobi të Kombit.
Pas lënies së detyrës Kryetarit të Vatrës nga Zoti Agim Karagjozi, Dr. Gjoni (ish Nënkryetar) fillimisht u kooptu Kryetar i Vatrës dhe pastaj u rizgjodh katër herë në këtë post deri në qershor 2017 ku u vetdorëheq. Në periudhën 2012- 2017 nën drejtimin e tij, Vatra u zgjeru me degë e antarësi të re, duke u bërë një zë më i fuqishën në SHBA dhe një forcë më gjeneruese e energjive kombëtare. U bënë aktivitete e veprimtari të spikatura si: akademi shkencore me rastin e 100 vjetorit të Vatrës, festimi i 100 vjetorit në NY, botime të rëndësishme, promovime librash e dokumentash të rëndësishme etj.
Me largimin nga kjo jetë të Dr.Gjon Bucaj, Vatra humbi ish drejtuesin e saj për shumë vite. Komunitetit shqiptaro amerikan humbi atdhetarin me karakter të fortë, burrin e urtë e të matur, intelektualin e sprovuar në luftën kundër komunizmit e shokun e mirë. Familja humbi njeriun më të dashur, i cili bëri cdo gjë që gjenerata pas tij të jetojë mirë, të shkollohet e ti ketë dyert e jetës të hapura për veprimtari të dobishme në shërbim të vehtes e të Kombit.
U prehësh në paqe e përjetësi Kryetari i Vatrës Dr, Gjon Bucaj (Nderi i Kombit).