Sokol Paja
Foto: Ilir Cubi/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me shoqatën “Skënderbej” dhe shoqatën “Mati” promovuan veprën e kontributorit të shquar të ushtrisë kombëtare, komunitetit e kombit shqiptar z.Asllan Bushati. Kontributi në fushën e sigurisë kombëtare dhe publicistika ekskluzive kushtuar efekteve dhe pasojave të elementëve të sigurisë në shtete, shoqëri e kombe pasurojnë kontributin e z.Bushati në morinë shkencore të veprave dedikuar ushtrisë, kimisë e armëve bërthamore. Në mesazhin e kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, lexuar në promovim nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj cilësohet se ushtaraku i shquar z.Asllan Bushati në serinë e librave seriozë e dinjitozë na ka dhuruar së fundmi nga repertori i tij shkencor një libër fenomenal për çështjet e sigurisë kombëtare dhe temat që ndërlidhen ngushtë me të. “Një mendim ushtarak ndryshe” duhet thënë se është ndër librat më seriozë në diasporën e Amerikës përsa i përket temës së sigurisë e mbrojtjes, hulumtimeve publicistike me bazë sigurinë, kiminë dhe ushtrinë” cilësoi në mesazhin e tij kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha. Në mesazhin e Editorit të Diellit lexuar nga moderatori i shkëlqyer Bujar Verzivolli cilësohet se libri “Një mendim ushtarak ndryshe” përbën një kontribut publicistiko-shkencor të rëndësishëm për forcat e armatosura, agjencitë inteligjente dhe katedrat e fushës së sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare. Z.Bushati ka një trashëgimi të shkëlqyer teksa shërbeu me përkushtim e profesionalizëm për 28 vite si komandues në strukturat e kimisë ushtarake dhe gjithëarmëshe” përfundon mesazhi i editorit. Gjeneral Armand Vinçani në mesazhin e tij në promovim lexuar nga aktivisti Mark Qehaja shprehet se: Çdo ngjarje që referohet në libër ka për autorin një përqasje të re e ndryshe nga shumë klishe që jemi mësuar të shohim në një histori të deformuar e krejt të indoktrinuar. Për Gjeneral Bushatin është e papranueshme që historia dhe individët që e bënë atë deri më sot të shihen vetëm bardhë e zi. Çdo personalitet i kohëve të mëparshme kanë anët e tyre pozitive e padyshim asnjëri nuk mund ti shpëtonte ndikimeve të shoqërisë në periudhën e trasformimeve radikale që kishin përfshirë edhe vendin tonë ashtu si gjithë shtetet e tjera të Europës. Autori i kushton një vëmendje të veçantë personaliteteve kombëtare që u lanë në harresë apo u anatemuan e njollosën si armiqtë më të betuar të kombit kur e vërteta ishte krejtësisht ndryshe. Figura të tilla si e Mbretit Zog, Mid’hat Frashëri, Mustafa Kruja e Abaz Kupi shërbejnë për autorin si shembuj klasikë të deformimit të së vërtetës e cila kërkon që secili të marrë atë që realisht meriton” thuhet në mesazhin e z.Vinçani. Nga shoqata “Skenderbej” foli Bashkim Shehu i cili theksoi se kthjelltësia e arsyetimit dhe thjeshtësia e mënyrës së të treguarit në të gjitha temat e cekura në libër, janë realisht armët më të fuqishme që Gjen. Bushati ka përdor për të dorëzuar dhe për ta bërë këtë libër mjaft të rëndësishëm”. Nga shoqata “Mati” e veprimtarë të ndryshëm shqiptaro-amerikanë përshëndetën promovimin dhe lartësuar figurën e z. Asllan Bushati duke u ndalur në veprimtarinë e gjatë në ushtrinë shqiptare dhe në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.