Shkruan Dr. Lulzim Nika/
Të gjitha dokumentet e kohës, në veçanti ato të Arkivave të deklasifikuara nga Arkivat amerikane, dëshmojnë për rolin konstruktiv të liderëve politikë të UÇK-së dhe angazhimin e tyre për arritjen e paqes në Kosovë.
Dokumentet më të çmuara gjatë hulumtimit personal, janë ato të Arkivit të presidentit Klinton që për herë të parë iu ofrohen hulumtuesve dhe publikut. Pas kërkesës time, nga tetori i vitit të kaluar dhe lejes për qasje në ato dokumente, kam qenë i përkushtuar për të gjurmuar sa më shumë dokumente që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.
Këtu, sipas dokumenteve, dëshmohet roli i veçantë i disa personaliteteve shqiptare që patën ndikim vendimtar për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Në tetor të vitit 1998, amerikanët në mesin e shumë partnerëve për të arritur paqen në Kosovë e trajtonin edhe bashkëpunimin me UÇK-në si faktori më i rëndësishëm për një marrëveshje paqësore për Kosovën. Këtë e dëshmojnë shumë shkresa dhe dokumente të kohës të bëra nga zyrtarë të qeverisë amerikane.
Në analizat e shërbimit inteligjent amerikan, një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit për lirinë e Kosovës, zë presidenti Ibrahim Rugova, që mund të thuhet me një fjalë, nga këto dokumente, ishte projektuesi dhe ndërtuesi i autostradës diplomatike të shtetit të Kosovës me Amerikën (Dok. FOIA 2017- 0034- F Ibrahim Rugova).
Një rol të rëndësishëm, në këto analiza të shërbimit inteligjent amerikan, i kushtohet edhe liderit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, me ç’rast vlerësohet si partner kryesor në arritjen e paqes dhe stabilitetit të ardhshëm të Kosovës.
Besimi në udhëheqësit e UÇK-së ishte aq i madh dhe bashkëpunimi aq i ngushtë, sa në një rast me diplomatët evropianë, vetë sekretarja e shtetit, Albright, thotë se “ju garantoj që këto obligime ndërkombëtare, UÇK-ja do t’i zbatojë në përpikëri, pasi liderët e saj, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kanë dëshmuar lidership të përgjegjshëm dhe shumë konstruktiv në arritjen e paqes në Kosovë” (Dok.FOIA 2019-0344 F George Stephanopoulos and Kosovo: Box 1.).
Po ashtu, në bisedat e presidentit Klinton dhe Jelcinit nëpërmjet telefonit, pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, presidenti Klinton thotë se “liderët politikë të UÇK-së kanë dëshmuar lidershipin e një force, të përgjegjshëm dhe ndërtues të një Kosove të barabartë për të gjithë”.
Rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për ndërkombëtarët e sidomos për amerikanët, ishte edhe transformimi i UÇK-së në TMK dhe zotimi për ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë në Kosovën e lirë.
Rolin konstruktiv të Kadri Veselit në bashkëpunimin me aleatët tanë e sidomos me SHBA-në në ruajtjen e interesit të përbashkët nga rreziku i organizatave terroriste dhe qëllimeve të tyre në Kosovë për të instaluar pa siguri, ishte i jashtëzakonshme dhe shumë i vlerësuar nga amerikanët.
Të gjitha dokumente e diplomatëve dhe përfaqësuesit e presidentit Klinton, dëshmojnë për masakrat çnjerëzore të shtetit serb në Kosovë kundër popullsisë civile shqiptare.
Qeveria amerikane ishte zotuar që këta kriminelë duhej të dalin para drejtësisë pasi gjurmët e krimeve ishin prezentë në të gjithë territorin e Kosovës (Dok. FOIA 2012- 0956-F International Criminal Court: Boxes 1-7).
Sot, pas këtyre viteve të suksesshme të organizimit politik e ushtarak, arriti në pikë kthese dhe detyroi disa diplomaci të organizojnë rishkrimin e historisë dhe UÇK të quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, duhet të jetë më aktiv në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe nëpërmjet një rezolute të shprehet mospajtimi me terminologjinë e përdorur nga ana e Gjykatës Speciale, edhe në rast të efektit të paktë, ajo duhet të mbetet si dokument i mospajtimit.
UÇK-ja mbetet bazamenti i themelimit të Republikës së Kosovës pa i mohuar edhe gjithë ata breza që luftuan me pendë dhe pushkë dhe nuk u pajtuan me okupatorin serbo-sllav, duke qenë përjetësisht mirënjohës për kontributin dhe sakrificën sublime për liri.