nga MSC Albert HABAZAJ/
Emri i autorit Idajet Jahaj është i dëgjuar nëpërmjet botimeve, qysh nga vitet 1975 e në vijim, në mënyrë ritmike deri më sot, si punëtor i palodhur i penës. Idajeti jep kontributin e vetë në pesë fusha të dijes: në letërsi, në gjuhësi, në biografi, në arsim dhe në gazetari, dhe ky kontribut shfaqet në horizontin e botës sonë si pesë gishtat e dorës, që kur i hap më ngjajnë si konstelacion yjor, si yll me pesë cepe e kur i mbledh bëhen një grusht, një bosht i diturisë dhe i kulturës në tërësi. Mësues në profesion, një jetë mik i krijimit, ndryshe nga kolegët e tij të penës, Idajet Jahaj operon në raportin krahasimtar ndërdisiplinor, sidomos në masën e krijimt letrar me prodhimin historik.
Profili krijues i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Idajet Jahaj dritëron edhe në punën kërkimore shkencore, ku harmonizohet fisnikërisht bukur fakti historik me rrafshin letrar. Ndër punimet historiko – letrare (me portrete, meditime etj.) të autorit Jahaj, sidomos me monografinë e veçantë historiko – kulturore “Flakadanët e historisë” për 15 figurat e ndritura të historisë së Lumit të Vlorës, me fokus gjeografik trekëndëshin Kuç – Velçë – Gjorm, në segmentin e stuhishëm kohor 1847 – 1920, kumbon qartë tingulli vetëtimtar i filozofisë historike (apo historisë filozofike), si thelb nga universi i emocionit historik. Trimat e kryengritjeve popullore nga Lumi i Vlorës me emër të rëndë në Historinë Shqiptare, me Gjolekën e Kuçit në ballë, me Lulo Habaz Mehmetin e Tërbaçit, me Cane Miftarin e Smokthinës, me Selam Hasanin e Velçës, me Mete Çobon, me Dule Zoton, me Shako Xhakën, me shtatë Leskodukajt e Bolenës, me Miro Tërbaçen legjendare, me Sali Vranishtin, Zigur Lelon, Selman Hysenin, Halim Xhelon e heronjtë e Luftës së Njëzetës me bijtë e tjerë të shpatës shqiptare të Lumit të Bardhë, pena e Idajet Jahos i shndërroi në monumente kombëtarë në lëvizje. Ata ploptësojnë portretin epik lab, himariot e vlonjat në rrjedhat e kohës, sikurse Çelo Picari Rrapo Hekali, Tafil Buzi, Sokrat Leka, Jani Rexho, Idriz Guri, Dervish Ali Dukati, Hodo Nivica, Maro (Mete) Kondi, Numan Bala, Kanan Maze, Sado Koshena, Avni Rustemi, Osman Haxhi Nuri, me ballin e yjeve Ismail Qemalin, që shkëlqejnë në qiellin e ndezur të lavdisë historike të kombit, krahas trimave dhe trimëreshave të tjera shqiptare, që kanë dalë e kanë bërë emër të lartë nga të gjitha krahinat e banuara me Shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë, që janë dhe e ndjejnë veten Shqiptarë, nga Çamëria në Kosovë, nga Ulqini në Shkup, nga Sazani në Dibër, nga Mitrovica në Prevezë, nga Janina në Tuz, nga Manastiri në Shkrel. Pena me firmën Idajet Jahaj i ka rrokur vezullueshëm këto treva shqiptare me kontribute për historinë, kulturën dhe arsimin kombëtar, ndërsa personazhet historikë, që lartpërmenda, qarkullojnë në trupin e tij me gjakun e tij, janë në palcën e tij kombëtare, janë musht i ndjenjës poetike dhe i forcojnë koherencën studimore.
Profili krijues i Idajetit shfaqet në katër drejtime. Së pari, si poet (me 8 libra poetikë të botuar plus 6 të tjera në proces) klasifikohet në poezinë e vargut të lirë, ku spikat simbolizmi metaforik. Në larminë tematike sundon motivi filozofik. Së dyti, në krijimtarinë e tij dallon mendimi letrar dhe tregimi i shkurtër, sidomos tek vëllimet “Në qiejt e këngëve”, “Kur çelin lulet e para” etj., ku larmia e motiveve, aspektet jetësore, dramat vetiake e sociale jepen të gjalla, me ngjyra artistike e lëng estetik. Së treti, punimet historiko – letrare (portrete, meditime etj.) vijnë për lexuesin në tingullin e historisë filozofike si universe të emocionit historik. Së katërti, proza e shkurtër “Loti i Diellit dhe hënëzat e limonit” lëvron një gjini të palëvruar gjer më sot, të paktën në Vlorë, me subsatncë liriko- filozofike – poetike (larg gjigandomanisë romaneske të sotme, që të gufos, sidomos nga shkëlqimi mediatik verbues, i ngritur mbi paterica tarafesh, miqësish të vogla në kurriz të shijes së qytetarit, që nuk i sjellin asnjë dobi lexuesit) krijimtaria e Idajet Jahos na jep mesazhin që të shikosh ylberin e lotit në qelizë, jo në paraqitjen e madhështisë e malicitetit, nga moli në mol.