Përshkrim
Nga arkivi i gazetarit
Abdurahim Ashiku
Pas ngeli Zogu i Zi me zhurmën e makinerive të ndërtimit, me renë e pluhurit dhe makinat e vogla e të mëdha që kërcejnë nëpër gropa në dhimbjen e një bote në transformim. Kjo nyje është prezantimi i parë me kryeqytetin, është ajo që sheh kur hyn dhe ajo që ndjen kur ikën. Kur e kalon këtë nyje, si lart po ashtu poshtë ndjen të renë, atë që është transformuar dhe atë që është në transformim, ndjen qendrën e kryeqytetit, Parkun Rinia, Lanën nën një gjelbrim të ripërtrirë. Ndjen Rrugën e Durrësit deri në lidhje me autostradën në një hapsirë që rrallë kryeqytete të botës moderne e kanë..
Mikrobusi i djalit të një mikut tim, Rexhep Manit, një njeri që gruas sime i bëri përshtypje të veçantë për kulturën e komunikimit me njerëzit, hyn në urën mbi lumin e Tiranës tek ish fabrika e tullave. Ura është e ngushtë, dy makina mund të kalojnë mbi të me kujdes, me vështirësi. Ura lidh dy rrugë, ende në zgjerim e në ndërtim që përcjellin në të dy krahët dy rradhë makinash. E ngushtë ura tek shtrydh morinë e makinave që vijnë e ikin drejt Veriut. E ndërtuar që në vitin 1963, pas shirave tepër të rrëmbyera të dhjetorit 1962, shira rryma e të cilëve e bëri aq kryeneç lumin sa ta rrëmbejë si një fije kashte urën e drunjtë, pas pasarelës së përkohëshme që na lidhëte ne studentët e bujqësorit me kryeqytetin, do të ndërtohej e betontë, e fortë. Ashtu është edhe sot. Por ajo do zgjeruar, don që të hidhen këmbë të reja mbi shtratin e lumit…E don koha, e don zhvillimi…
Ura e Matit, apo e shënuar në kujtesën e popullit si Ura e Zogut, është e heshtur, është si një urë muze, si një relike e kohës së largët. Mbi të, megjithëse nga larg, nga Greqia ku punoj e jetoj, pata parë një kronikë televizive ku me figurë e zë flitej për rikonstruksionin e saj. Sot nuk pashë ndonjë makinë të kalojë mbi të. Blloqet e betontë e kufizonin hyrjen nëpër të…
E përmenda sepse ura më kujtoi një kohë të shkuar, vitet pesëdhjetë, gushtin e vitit 1954 kur mbi të kalova natën, udhëtimet e më vonëshme ditën. Asokohe, me autobuzin e linjës niseshim nga Tirana në orën 7 të mëngjesit për t’i rënë rreth e qark nga Vora, nëpër një rrugë të paasfaltuar e për të arritur në Rrubik në mesditë. Atje, në një gjelltore që shihte Fanin, nxirrnim nga trastat bukën e marrë me triskë ose të bërë në shtëpi dhe merrnim ndonjë gjellë. Në Peshkopi arrinim vonë, shumë vonë, pas 13 -15 orë rrugë.
Kjo rrugë do të mbyllej aty nga viti 1957, do t’a përpinte liqeni i Ulzës…
Nuk hymë në Urën e Zogut, morëm djathtas me pamjen në të majtë të deltës që formohet kur bashkohet Mati me Fanin, me luginën e Fanit në njerin krah e atë të Matit në krahun tjetër. Në këtë pamje nuk ka se si syri të të mos ndalet në kurrizin e një rruge, mbi shinat që dikur kaloi treni, shina tek tuk të shqyera e të rrëmbyera. Kjo pamje do të na humbiste nga sytë kur merr krahun drejt Rrubikut e Rrëshenit për të na u shfaqur në Burrel e në luginën e lumit që të çon në Klos. Kurrize të shqyera, shina që në vend të trenave e lokomotivave mbajnë tenda rrushi, ura të betonta diku të plota e diku vetëm në këmbët e betonta, stacione treni me ndonjë kolonë betoni të lartë si dëshmi e një dëshire të parealizuar…
Lugina e Matit është ndër luginat më të bukura të vendit. Në atë luginë ka diçka epike e heroike, nga e kaluara e largët kur Sënderbeu kalonte këtej ushtrinë e vet në pusitë që i zinte armikut. Nga e kaluara e afërt kur njerëzit, varur me litar, çanin me qysqi shëmbin e gëdhendnin atë që do të hynte në historinë e jetës sonë si një monument i jashtzakonshëm trimërie e burrërie, atë që do të quhej ( që quhet edhe sot ) Rruga e Dritës.
Në Shkopet pimë një kafe në një lokal ku syu nuk ka se si të mos të ndalet tek një tabelë ku shkruhet në formë harku “ Hidrocentrali i Shkopetit -1963 “. E kam vizituar atë hidrocentral në shkëmb menjëherë pas ndërtimit. E kam vizituar edhe hidrocentralin e Ulzës, menjëherë pas ndërtimit, në vitin 1957. Detyra e gazetarit më ka përcjellë në mjediset e brendëshme të të dy hidrocentraleve në fund vitet ’70. Hidrocentrali i Ulzës, ndërtimi i tij, ka një histori që nuk ka se si mos të jetë një nga monumentet më madhështore të historisë sonë të pasluftës. Në një stadium të lojrave me dorë në Athinë, një burrë i moçëm nga jugu i Shqipërisë ma pat përcjellë mendjen menjëherë në Ulzë. Jo në Ulzën e sotme me Liqenin e bukur që pikturon me hollësi retë në kaltërsinë e qiellit, por me Ulzën e viteve ’50- të me vullnetarët nga e gjithë Shqipëria, me Ulzën që pas hekurudhave, bëri hapa të fortë në zgjimin e gruas dhe vajzës shqiptare, në luftën kundër analfabetizmit dhe në frymën shoqërore, në Ulzën që lidhi dashuritë e mëdha midis të rinjëve e të rejave, dashuri që thyen zakonet e egra të kohës. Në një shtëpi tiranase një përmetar që në ato vite kishte punuar në Peshkopi me rininë, më tregon se si punonin asokohe për të zgjuar brezin e ri nga errësira e së kaluarës, si punonin për t’i përcjellë të rinjtë dhe të rejat që nuk kishin kaluar kufijt e fshatit, në hidrocentral…Një faqe, nga më të lavdishmet e historisë sonë të re që çuditrisht është fshirë nga media jonë, është fshirë nga politika jonë pas tabusë se ajo kohë dhe ato veprime, ato hidrocentrale dhe ato tubime- shkollë ishin të regjimit komunist e të Enver Hoxhës. Ato tubime, ato hidrocentrale, që nga ai i vitit 1951 që i dha, siç thotë kënga, “Ujë e Dritë Tiranës” e deri tek ai i Vaut të Dejes, Fierza e Komani, ato tunele të hidrocentraleve që nga ai i Selitës ku emri i Sabri Shinit hyri në legjendën e kohës si “luani i tunelev” e deri tek ai i Fierzës e Komanit, ishin dhe janë djersë dhe gjak i një populli të tërë, ishin dhe janë emancipim i gjërë dhe i thellë i një brezi sakrificash teje të mëdha. Dhe në qoftëse ky brez, këta njerëz, të nxitur nga një idealizëm i lartë ngritën në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale ( të Tiranës, Ulzës e Shkopetit ) a nuk meritojnë një mirënjohje të thellë kombëtare? A nuk meritojnë një lapidar të madh diku në luginën e Matit apo gjetkë ? Dhe në qoftëse ata njerëz, të nxitur nga ideali i kohës, bënë në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale, pse brezi i sotëm, politikanët e sotëm, në pesëmbëdhjet vjet nuk ndërtuan asnjë hidrocentral, madje edhe një hidrocentral të lënë përgjysëm si ai i Banjës e lanë në harresë, e abandonuan dhe e shaktërruan ?…Dhe marrin dritë nga djersa dhe gjaku i brezit të shkuar ?…
…Me Burrelin më lidhin shumë kujtime të moshës së rinisë dhe të kohës kur punoja si gazetar i ATSH-së. Sot, tek përballem me të diçka më gëzon dhe më shqetëson. Bulevardi kryesor i tij ëshë çarë nga kanale të shumtë. Po rikonstruktohet. Po zgjerohet e po transformohet, po bëhet më i bukur se ka qenë. Kjo më gëzon. Po ajo që më hidhron janë gardhet dhe gardhiqet e tij, produkt i një mentaliteti të ngushtë për pronën. Burreli, për t’a kaluar atë, ka pasë një unazë, ose më mirë me thënë dy gjysëm unaza. Njera shkonte djathtas për të dalë tek rruga e Qafë-Shtamës dhe muzeu historik, e tjetra shkonte majtas për të zbritur pjerrësinë e fortë e për t’u takuar poshtë me gjysmën tjetër të unazës. Nëpër të parën shonin e vinin makinat e rënda të ngarkuara me mineral kromi e me metal ferrokromi. Në të dytën shkonin e vinin skodat me rimorkio që merrnin kromin e Bulqizës, Batrës, Cërrujës. Të dy këto gjysëm unaza të Burrelit nuk jetojnë më. Ato janë coptuar si të ishin prej kashte nga pronaret e trojeve… Dhe ne… detyrohemi të kalojmë rrugicave të tij, mes pallateve e pazareve për të dalë në qosh të tij, përballë burgut të njohur të tij, nën një lloj “burgimi” rrugor.
Lugina nga Zenishti në Klos është shumë e bukur. Mati ujë kristal, herë zhytet e herë del kanioneve të thella të gjelbruara. Misri, nën ujin jetëdhënës të një kanali në funksion harbon duke mbajtë nën krahë kallinj të mëdhenj që varin mustaqet e gjata deri poshtë. E re në këtë luginë janë lokalet e shërbimit, njeri më i bukur se tjetri, ngritur në burime ujrash, në tunele gjelbrimi. Në këto lokale, po të gërmosh pak nën cipë, do të gjesh djersën e emigrantëve, të djemëve të Matit që rrahën Greqinë, Italinë, Gjermaninë, botën. Matjanët nuk kanë qenë shquar për shërbime të ushqimit social. Ky konstatim imi, i jetuar në shumë vite udhëtimi e pune, sot ka ndryshuar, është bërë tjetër. Djemtë e Matit, bashkë me paratë dhe investimet, sollën në vendlidje edhe përvojën e tyre në shërbimet e ushqimit social nga vendet ku punuan e jetuan…
Në Klos, kur merr kthesën e i ngjitesh të përpjetës për në Qafë të Buallit vështrimin m’a qepin me gajtanë, pashë më pashë, dy pamje.
Njera lidhet me një luginë që shkëputet nga ajo e Matit dhe merr djathtas. Andej ka kaluar në histori ajo që në gjuhën e popullit quhet “Rruga e Dibrës” e në gjuhën e historianëve quhet “Rruga e Arbërit”. Historitë e kësaj rruge i kam dëgjuar që në fëmini, asokohe kur babai me një kalë misër apo groshë, udhëtonte drejt Tiranës duke bërë tre ditë vajtje e tre ditë ardhje rrugë më këmbë. E prisnim me gëzim por edhe me frikë atë javë të lodhëshme udhëtimi. Me gëzim e prisnim se do të merrnim ndonjë rrobë të re, ndonjë karamele, portokall apo ullinj që me bukën e misërt shkonin shumë. Me frikë e prisnim se Shkalla e Tujanit, nga tregimet e shumëta ishte shkalla e frikës, shkalla ku kuajt, në atë tërkuzë ecjeje nëpër shkëmb, rrëshqisnin e nuk i gjëndej nami e nishan kafshës dhe mallit. Kësaj rruge, të transformuar disi në kohë, thuhet se do të kalojë rruga e re drejt Dibrës e më tej drejt Gostivarit e Tetovës. Madje, në fushatën elektorale, pamë nga Athina kryeministrin të presë shiritin e fillimit të punimeve.. Kur të bëhet (kurdo që të bëhet ) Tirana me Peshkopinë nuk do të jetë më larg se Tirana me Fierin.
Nga lartësia ku po ngjitem, në vështrim pa i ulur sytë, ushëtoj me mendje në një tjetër rrugë, rrugë që thonë se është rrahur nga makinat në fund të viteve 40-të. Në atë rrugë, shtruar me një kalldrëm të trashë, kam udhëtuar në tetor të vitit 1964 në shoqëri të një publicisti të madh, të një diplomati të dëgjuar, të Javer Malos. “Gazi”, me 15 – 20 kilometra në orë, na ngjiti në bjeshkët e Shëngjergjit, një bukuri e rrallë e maleve tona të Shqipërisë së Mesme, pamjen madhështore të të cilës e ruaj ende në kujtesë. Nuk e di pse kësaj rruge nuk ia kam dëgjuar zërin, nuk e di pse kjo bukuri e maleve tona mbahet ende fshehur nga syri i udhëtarit vendas dhe të huaj. Asaj kohe mund të justifikohej me sekretet ushtarake e strategjike. Sot nuk ka asnjë arsye që ajo rrugë, ato vende të heshtin…
Kur ngjitesh në Klos Katund, Patini që zhytet mes gjelbrimit t’i ngjit sytë si me zamkë. Të ngjit edhe veshët nëpërmjet një kënge me çifteli, një kënge të re epike, këngë që flet për një djalë të fisit të Pisleve, Flamurin, një djalë për të cilin një regjisor grek ka krijuar një film të tërë, filmin ‘ Omiros ‘ – Pengu. Një emigrant që është edhe në këngë, edhe në film…
Duke u ngjitur më lart vështrimi më ndalet te dy traverbankët dhe tek fabrika e pasurimit të kromit e Klosit. Traverbankët synonin nivelin e pestë të minierës së kromit të Bulqizës. Nëpër to do të kalonte lumi i kromit shqiptar. Do të kalonte edhe lumi i ujërave të nëntokës së Bulqizës që do të vinte nën ujë pjesën kodrinore e malore të luginës së Matit. Fabrika e pasurimit të kromit do të lidhej me hekurudhën. Traverbankët e shohin luginën si dy sy të verbër. Fabrika, në shkatërrimin e saj hesht.
Kështu hesht edhe Rampa e Qafës së Buallit në ballin e së cilës sa e sa herë kam zbritur dhe kam fotografuar njerëzit në punë. Ajo synonte nivelin e pestë në zbritje e ngjitje me kamionë…
Bulqiza është po ajo. Me fabrikën e pasurimit në qetësi, me minierën mbi krye që nuk nxjerr më shumë krom se sa nxirrej një herë e një kohë në një muaj, me qytetin që duket se mbijeton nga tregëtia e rrugës dhe kafenetë e shumëta, me qytetin e ri dhe atë të vjetër në mes të të cilëve është ringjallur këneta e dikurshme, një “liqen” zgjerohet ditë për ditë e vit për vit…
Kur hyn në luginën e Zallit të Bulqizës ndjen bukurinë që sjellin livadhet e Zerqanit. Kur del prej saj e hynë mes për mes Shupenzës, përshtypje të bën gjelbrimi i misrit dhe i jonxhës, ngarkesa e pemëve, shfrytëzimi deri në madhësinë e pëllëmbës së dorës i tokës. Përshtypje të bëjnë ndërtimet e bukura me çati të tipit alpin, lokalet e ngritura e në veçanti një lokal që zgjatet mbi ujrat e Drinit, pak poshtë ku ai takon ujërat e Zallit, ujëra që vijnë nga Bulqiza, Ostreni e Okshtuni.
Maqellara është këthyer në një qytet të vërtetë. Këtë përshtypje nuk t’a krijojnë vetëm ndërtesat e bukura në qendër dhe në fshatrat për rreth por edhe gjallëria e jetës, gjallëria që sjellin duart punëtore të maqellarasve, të emigrantëve që prej vitesh rrahin rrugët e largëta të Evropës..
Qenokut, në majë të të cilit ndahen të Dy Dibrat, ajo e poshtmja me Nëntë Malet dhe e Sipërmja me Dibrën e Madhe m’atanë, prerë mizorisht nga Evropa e 1913-s, i ka mbetur diçka nga e kaluara, I kanë mbetur disa blloqe me kumbulla ( që këtë vit nuk kanë prodhuar fare), i kanë mbetur edhe arrat që pas plakjes së kumbullave do të përbëjnë një pyll të tërë. Kështu e patëm menduar në vitin 1966 me Xhavit Hysën kur piketonim dhe mbillnim bllokun frutor të Qenokut, bllok asokohe me 53 mijë rrënjë pemë. Në një pjesë të tij, atje ku në dorë e morën “të zotët e zabelit” këtë ide të madhe të Xhavit Hysës, njeriut që meriton një lapidar të madh për ndihmesën teknike e shkencore në krijimin e blloqeve të mëdhenj frutorë në Dibër e sheh të gjallë…
Kthesa e Llasenit të sjell në pëllëmbë të dorës Peshkopinë. E ndarë mes për mes nga përroi i llixhave, e prerë në dy pamje që të japin qytetin në dy kohë, atëhere kur nga një fshat i zakonshëm u kthye ( nga prerja drastike që iu bë qytetit të Dibrës ) në kryeqendër të krahinës dhe pamjes sot. Peshkopia duket si një gonxhe që matet të çelë. Nga e bukura e pesëmbëdhjet vjeteve të shkuara ka mbetur shetitorja e saj ku blinjtë përqafohen njeri me tjetrin në tërë gjatësinë, ku njerëzit, të pa shqetësuar nga makinat, shetisin mbrëmjeve dhe mëngjeseve, ku duart e kujdesëshme mëngjeseve e mbrëmjeve lajnë, si të lajnë shtëpinë e tyre, tërë gjatësinë e rrugës. Nga e kaluara, nga ajo që jam rritur e jam gëzuar si fëmijë, nga lulishtet e shumëta që shoqëronin tërë rrugët e qytetit, nga lulishtet e Agush Selishtës, njeriut biografia fioristike e të cilit fillon nga Pallati i Pionierëve në Tiranë, lulishtja pas monumentit të Skënderbeut e Parku Rinia, pothuajse asgjë nuk ka mbetur, pothuajse të gjitha janë shëndrruar në beton e pllaka të ngjyrave të ndryshme…
Në perëndim të ditës, atëhere kur dielli pushon paksa mbi Runjë, mora rrugën drejt Zdojanit, fshatit tim ku linda dhe kalova fëmijërinë për t’u çmallur me gurët e drurët, me vendet dhe njerëzit, me pamjen me Drinin tërkuza e ujtë e të cilit më sjell shumë kujtime e ngjarje…
Abdurahim Ashiku
Tiranë – Peshkopi 13 gusht 2005.