NGA PËLLUMB GORICA/
Një udhëtim për në Ujëvarën e Sotirës së Gramshit, pamvarsisht kapërcimit të shtigjeve të vështira, herë- herë me pengesa, të ngjan se hap brenda teje një hapsirë të mrekullueshme gjelbërimi dhe uji. Është një hapsirë e çuditshme që shoqërohet me dashurinë për natyrën. Me ndërtimin tektonik, natyra ka krijuar mjedise të bukura, peisazhe tërheqëse dhe veçori: male, shpella, kanione, ujvara, liqene… Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë ato. Me kureshtjen për eksplorimin e kësaj natyre, si një nga arsyet më interesante, ajo të ofron mundësi t’i largohesh paksa përditshmërisë stresuese.
Një udhëtim i bukur
Pikërisht me pasionin e udhëtarit jemi nisur në Ujëvarën e Sotirës. High Albania Mountain Club, organizatore e udhëtimeve, ka vite që mundëson grupe vizitorësh vendas, por edhe të huaj të eksplorojnë natyrën shqiptare. Ujëvara e Sotirës është një nga perlat e natyrës sonë. Por, të shkosh atje është një aventurë, edhe pse ajo ndodhet 16 km larg qytetit të Gramshit, nën këmbët e malit Tomorr. Udhëtimi ynë drejt Ujëvarës së Sotirës shoqërohet nga një mugëtirë e lehtë, që herë davaritet në qiell e të pengon disi të sodisësh peisazhin parakalues. Për kilometra të tëra të shoqëron rrjedha e lumit Devoll. Prurjet e ujit, herë në njërin krah e herë në tjetrin, gurgullojnë mes zajeve e nëpër brigjet e gjelbërta. Befasohesh me pamjet e maleve në sfond. Grykat e ngushta dhe majat e thepisura,me ndjesinë e tyre madhështore rrethohen nga retë. Që këtu imazhi i malit Tomorr të përshëndet me rrezet e ngrohta këtë mëngjes. Pasi përshkon rrugën, që kalon në të djathtë të rrjedhës së lumit Devoll, aty ku H/C i Banjës po hedh shtat, e po konturohet si vepër energjitike e Shqipërisë, të shfaqet qyteti i Gramshit. Konfiguracioni i tij shtrihet në një kodër buzë lumit Devoll. Një qytet i vogël dhe me shumë gjelbërim, i krijuar para 60 vjetësh, e që e ka zanafillën nga fshati me të njënjtin emër. Dikur, para 40 vjetësh, këtu u ngritën fabrika dhe uzina ushtarake, ndërsa sot kjo industri nuk ekziston. U shkatërruan me një egërsi të pashembullt, dhe punëtorët mbetën të papunë, por jo vetëm kaq. Për të përballuar jetën në kushtet e reja që erdhën, shumica me familjet e tyre morën rrugën në emigracion, dhe në qytete të mëdha: si Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë. Në një pushim të shkurtër në qëndër të qytetit, e ndjen freskinë që vjen nga mali Tomorr. Është një ajër i dlirë dhe i pastër si vet mali i lartë. Ajo që të bën më shumë përshtypje në Gramsh, që në fillim është fakti se, banorët janë të qetë dhe të kulturuar, e gjithë respekt, që mishërohet në shpirtgjerësin e tyre.
Gramshi, vendi i mrekullive turistike…
Ndonëse, infrastruktura rrugore le shumë për të dëshiruar, kjo vështirësi bëhet e papërfillëshme çdo ditë nga dhjetra adhurues. Duhet thënë lexuesit, që krahinat e Gramshit janë një vend me kontraste gjeografike dhe peisazhe të mrekullueshme, që dita ditës po kthehen në një shkretëtirë të mjerueshme. Në përgjithësi ato i ka mbërthyer një zhgënjim, që vështirë të tejkalohet shpejt. Madje rruga e keqe dhe kushtet më elementare të jetës, e kanë bërë pjesën më të madhe të banorëve, që të braktisin këtë trevë dhe të largohen. Si kudo, ku më shumë e ku më pak, të njënjtat probleme ka. Por, në krahinat e Gramshit shenjat e braktisjes janë të dukshme. Po çfarë po mbetet pa emigruar? Pyjet po ja shkatërrojnë, gurët po ja marrin. Ështe fatkeqësi që ajo po shkatërrohet nga babëzia e pandalshme njerzore nën fjalën zhvillim. Është një katastrofë si shumë të tjera drejt degradimit ashtu si shoqëria, edhe flora e fauna jonë. Me tepër se kurrë, tani njerëzit duhet t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të ndalin rrënimin e natyrës, por edhe institucionet duhet të mendojnë më shumë për turizmin malor, pasi natyra e ka bërë punën e saj. Nëse në Ujëvarën e Sotirës, Kanionin e Holtës, Shkëmbin e Kopaçit, Liqenin e Zi, Shpellën e Kabashit, Grabovë, Kanionin e Seraselit, Kalanë e Irmajt apo edhe të Tërvolit, infrastuktura e rrugëve me terrene të vështira shkon në nivelin e duhur, as diskutohet që e gjithë treva e Gramshit do të ketë gjallërinë e vendeve turistike. Madje mund të bëhet e zhvilluar nga ana ekonomike dhe sociale, si një magji pak e eksploruar. Gjithçka varet nga vullneti, jo vetëm i pushtetarëve, por edhe i banorëve, që të japin kontributet e tyre. Ndoshta nuk është momenti për të shkruar më gjatë për këtë gjë, por kjo evidenton krizën e thellë morale në thelb të të paaftëve, që përpliten në kërkim të identitetit të humbur në pellgut ujëqelbur të një përditshmërie të amullt dhe pa ide. Ndaj, me potencialin panoramik, kulturor e historik që ka kjo trevë kërkohet më shumë impenjim për ta bërë atë të vizitueshme, jo vetëm nga vendasit, por edhe turistët e huaj. Gjithsesi, duhen përgëzuar inisiativat e gramshiotëve, që në faqet elektronike sensibilizojnë opinionin për bukuritë e peisazheve të trevës.
Reliev piktoresk rural
Por le të kthehemi tek udhëtimi ynë i mëtejshëm drejt Ujëvarës së Sotirës. Kalojmë Devollin ujëshumë ndërmjet urës që lidh Gramshin me krahinën e Sulovës. Gjelbërimi e bën më të magjishëm udhëtimin. Ndaj bisedat rrjedhin natyrshëm për udhëtimet, vendet e bukura, eksperiencat. Jani, më i moshuari i grupit të vizitorëve, u jep udhë bisedave me informacione të ndryshme. Aleksandri, Roza, Artani ndërhyjnë dhe ajo bëhet më interesante. Fisniku në rolin e ciceronit tregon për ujëvarën, vendet ku do kalojmë, për malin Tomorr e për çdo gjë tjetër. Me këtë rast është për tu përmendur diçka shumë e veçantë e kësaj krahine të mbushur me lumenj, kodra, pyje, e monumente natyrore, si dhe historike. Një karakteristikë është se rrjedha e dy lumenjve; e Devollit dhe e Tomorricës që kalojnë përbri saj, por edhe e dhjetra përrenjve kanë krijuar një peisazh të veçantë. Ajo është një krahinë e punës, mëndjes, traditave të rralla e të admirueshme, të mikpritjes, respektit dhe bujarisë. Bukuritë e saj janë magjepëse dhe një privilegj për çdokush që i viziton ato. Në valëzime kodrash, që zgjaten pa mbarim, e që lartësohen drej malit Tomorr, aty këtu shfaqen vendbanime me pamje mbresëlënëse, e secili prej tyre paraqitet me veçanti karakteristike. Kushtet e përshtatshme gjeografike dhe klima e kanë bërë Sulovën të banueshme, që nga koha e hershme e zhvillimit të saj. Dora e njeriut i ka qëndisur akoma më shumë peisazhet e gjelbëruara, dhe tokat i kanë mbjellë me gjithfarë bimësh e drurësh frutorë. Duke jetuar me natyrën, sulovarët arrijnë të jetojnë edhe kështu, por dëshpëruese është rruga e pashtruar dhe e ngushtë, ku nuk shkëmbehen dot automjetet, që asnjë pushtet nuk ka arritur të ua ndërtojë ashtu siç duhet. Një rrugë gjarpëruese, që ngjitet e zbret kodrave të buta me ulje e ngritje të vrazhdë, e ku zgjaturinat e tyre priten nga rrjedha e lumit të Tomorricës, i cili i shoqëron për kilometra të tëra.
Rritur me Tomorrin në sy e në zemër
Tomorri është një nga malet më madhështore në Ballkan, dhe pamjen më të bukur e ka në krahinat e Gramshit. I magjepsur s’ngopesh, duke vështruar këtë mal, mahnitës e mbizotërues ai shpaloset gjithmon, i mbuluar majave me qeleshen e borës. Ecim dhe në qiell grumbuj resh të bardha shtëllunga – shtëllunga shfaqen lartësive të malit. Dielli i ngrohtë rrethuar nga copëza qielli të kaltër në kurorën e tij, e ka hedhur vellon shkëlqyese. E sodit dhe të jep të drejtën të meditosh në heshtje. Me madhështinë shekullore të shenjtërisë, perënditë e kanë bekuar atë, edhe me ujin kristal të burimeve, e bukururinë e pamata të pyjeve dhe shkëmbinjëve. I kam admiruar përherë këto vise, dhe i kam shijuar që në fëmijëri, duke ruajtur vazhdimisht dëshirën për të ardhur kohë pas kohe me kujtime e mbresa të bukura. Ndaj, nuk i shmagem dot emocioneve kur i shkel përsëri. Bashkë me mua ecën edhe fëmijëria me imazhin e Tomorrit madhështor, që të tërheq me pamjen e tij të paharrueshme dhe emocionale si një ëndërr, të kërleshur nga retë e bardha.
Ja dhe Sotira!
Makinat ndaluan njëra pas tjetrës dhe ne zbritëm. Rrugëtimi ynë na solli shpejt në Sotirë, e sapo ndalojmë kemi kohë e mundësi t’i hedhim një sy fluturimthi këtij vendbanimi. E ngritur poshtë disa bregoreve, Sotira të shfaqet me ato pak shtëpi çatigri nën hijen e pemëve. Diku më tutje të pret një natyrë e zemëruar me formacione erozionesh të degraduara, por edhe egërsia e peisazhit të braktisur nga jeta e banueshme njerzore. Mbase kjo ndjesi te shkaktohet kur vështron pamjen mjerane të lagjes së sipërme të Sotirës, që të ngjall një zbraztësi në shpirt me shtëpitë e gurta në rrënim e sipër. Ashtu të rrënuara e sado të braktisura, ato mbeten dëshmitare të pakundërshtueshme të banimit të hershëm, si dhe një trashëgimi për brezat. Largimi i shumë familjeve e ka shuar gjallërinë. Tani ka mbetur vetëm qetësia dhe cicërimat e zogjëve, por edhe ndonjë kumbim i zbehtë zile bagëtish.
Peisazhe mahnitës
Duke ngjitur rrjedhën e lumit të Sotirës, që humbet mes gurëve ngjyrë gri me madhësi të ndryshme, e mes gjelbërimit të një pylli që fëshfërin lehtë e të çlodh, morëm rrugën për në Ujvarë. Rruga është e vështirë, por ky detaj nuk të pengon të sodisim peisazhin me një ndjesi të pakrahasueshme, të lëndinave me bar e lule, ajrin e pastër dhe blerimin përthithës të pranverës. Syri të mbushet me kënaqësi. Rrezet e diellit tashmë të ngrohta, e po aq të këndshme në këtë stinë, janë një emocion i veçantë dhe e çiltërsojnë peisazhin. Tingëllojnë cicërimat e zogjëve të përzier me zhurmat e tjera të stinës. Vështrimin e marramenduar s’mund ta largojmë lehtë nga tufa bagëtish të përhapura në një pllajë të gjerë. Era lëkund lehtë degët e pemëve me lule, të ngjyrave të ndezura, që shpërndajnë aromën e tyre. Kështu të joshur nga pamjet e pashlyeshme herë pas here ndalojmë, dhe sodisim me kënaqësi bukurinë e peisazhit. I gëzohemi kësaj gjallërie buisëse. Përballë shfaqen konturet e një shkëmbi gëlqeror me një pamje tërheqëse. Ecën dhe ndjen një shprushje në shpirt, i yshqyer aq magjishëm nga atmosfera e ujëvarës së Sotirës me mrekullinë e saj. Shushurima e rrjedhjes së ujit vjen si muzikë magjepëse. Shumë rrallë të ndodh në jetë e natyrisht sytë dhe shpirti të fluturojnë nga gëzimi i pushtuar prej kënaqësisë. Padyshim rruga e gjatë,e aspak e përshtatshme në ngjitje, mbërritja aty dhe pamja mrekulluese me gurgullimën e fuqishme të ujit, të freskon ledhatueshëm, e të heq si me dorë lodhjen. Venitet ajo, edhe nga pesha e emocioneve, kur sytë përplasen në masivin e malit Tomorr të mbuluar me borë. Artani, më entuziasti i grupit tonë tund kokën, buzëqesh duke shijuar pamjet. Jemi përpara një mikrobote mrekullie, me ujra që rrjedhin tërsëllimë prej barkut të shkëmbit, dhe që shkumbzohen papushim. Këtu hijëzimi i pyllit me drurë të llojeve të ndryshme dhe të harlisur, por edhe lëndinat me bar e lule, të dhurojnë një tjetër kënaqësi çlodhëse, ashtu si ajri i lagësht, që drithërohet nga forca e ujit e të shpupurit flokët.
E bukur në çdo stinë
Ujëvara e Sotirës është veçanërisht tërheqëse në pranverë, kur edhe bora e malit fillon e shkrin, por në periudhën e verës ajo shteron prej uljes së nivelit të ujrave. Lidhur me këtë ujëvarë, gjeologu Selim Marishta, bir i Sotirës shkruan se ajo buron në rrugëfshehjen brenda shkëmbinjëve gëlqeror të malit të Tomorrit. Më shumë shton ai, ajo është një ujëvarë unikale në vendin tonë, si për nga forma e daljes dhe e derdhjes së ujit në trajtë çurgjesh. Ujërat e saj dalin nga dy tre çarje, njëra përmbi tjetrën. Pak metra nga ujëvara gjendet edhe një katarakt, që rrjedh nga përroi i fshatit Dardhë të Beratit. Uji rrëzohet me uturimë mbi 100 m, duke u përplasur në fund të shkëmbinjëve mbi disa gurë të mëdhenj, për të krijuar një pellg të vogël me ngjyrë të gjelbër. Pas rënies ujëvara rrjedh në një lum të vogël, por këto dy vitet e fundit ndërmjet një kanali ekologjik, e kanë bërë ekonomike atë me fuqinë prodhuese për të përfituar energji nga një H/C i vogël.
Epilog përshtypjesh
Ja kështu të ngazëllyer nga ajo ç’ka vështruam në udhëtimin tonë magjik me qetësinë e lëndinave të gjelbëruara,Tomorrin madhështor dhe ujëvarën, pikërisht aty ku edhe u çlodhëm, nisëm sërish rrugën e kthimit nën morinë e përshtypjeve. Në ambientet mirseardhës të një lokali, teksa pijmë kafenë e kthimit ke dëshirë që të shohësh sy më sy malin madhështor dhe banorët e Sotirës. Është një dialog pa zë, por shumë nënkuptues. Ndaj, epitetet më të zgjedhura për të janë të pamjaftueshme, dhe jo aq metaforike. Sepse, këtu e prek gjelbërimin, ndjen freskinë, aromën flladitëse të luleve, vështron bardhësinë e borës, lëndinat, ngjyrat e këndëshme, dëgjon tingujt gjallërues, blegërimën e bagëtive në kullota, ndaj në shpirt lumturohesh. Duke falenderuar, shtrënguam duart miqësisht me ata, që na dhanë mundësinë e shijimit të kësaj kënaqësie, që rrallë ndonjeherë mund ta përjetosh, duke ëndërruar për rikthimin.
Petriti says
Ngado që “fluturon” si pëllumb, mbetesh një njeri që ke pse të lexosh, dhe ne kemi kohë që befasohemi këndshem sa herë na përcillni shkrime si keto.