-nga një kallzim-/
Nga Idajet Jahaj/
Patën një periudhë që ata u mërzitën me popullin e tyre. Populli ishte vesves, ters dhe kryeneç. Diskutonte keq e i shpërfillte në çdo gjë.
Secili prej pjestarëve të tij turfullonte me tjetrin, pa ndjenjën e tolerancës.
Kështu vepruan edhe në një kuvend sqarimi me ujin, zjarrin e moralin. Se pjestarët e popullit ishin sherrxhinj e donin t’i dëbonin.
-Mosni,-i tha popullit zjarri, shumë i nevrikosur.-Mosni, se unë, po ika, nuk kthehem më te ju! Vetëm në ndonjë pyll do më shikoni, duke përpirë gjethet e degët e tij të thata apo të blerta.
Populli qeshi dhe nuk ia vuri veshin kësaj fjale.
Zjarri iku e ata (populli) e panë vërtet nga larg duke përpirë pyllin.
-Do vemi ta marrim,-thanë pjestarët e tij.-Kemi gabuar ndaj zjarrit.
Dhe thonë se morën farën e tij, pas një hezitimi të gjatë…
Por nuk e patën mirë punën me ujin. E shpërdoronin, talleshin, e hidhnin ndaj njëri-tjetrit me grushte, e shanin.
-Mosni,-u tha uji,-se, po ika, nuk kthehem më, si zjarri. S’do më gjeni dot. Do futem thellë në tokë!
S’e besoi këtë gjë populli, dhe vijoi mospërfilljen ndaj ujit.
Po uji, i mërzitur shumë, iku nga sipërfaqja e u fut thellë në tokë. Populli ulëriti, se s’duronte dot për ‘të. Plasi nga etja, për pak ditë. Pjestarët e tij gulçonin e shfrynin ndaj vetes për gabimin me jetën e tyre-ujin. Ku nuk e kërkuan, po nuk e gjetën. Vendosën të gërmojnë tokën. Thellë, thellë, e, më në fund, gjetën një sylynjar të tij. Si u shndritën sytë kur e panë! Gërmuan e gërmuan, e, si e lanë të madhohej, i vunë çikrik e e nxorrën në sipërfaqe. Tashmë çdo pikë të tij e puthnin më parë se ta pinin! “Kemi gabuar shumë,-thoshnin me njëri-tjetrin kokëulur,-na fal o syri-qelibar i jetës!”
Por, duke qenë vesves, populli mërziti edhe moralin. E shanin kot, e qesëndisnin, nuk e përfillnin. Por morali, në kulmin e inatit të tij të kristaltë, ia pat popullit:
-Rri urtë, se, po ika, nuk më gjen dot më, si zjarrin dhe ujin.-Aha, unë një fjalë kam e s’e kthej dot më. Nuk do më gjeni, sikur edhe tokën e qiellin të bëni bashkë.
Nuk e besoi populli e vijoi sharjet e tij prej vesvesi.
Dhe thonë se morali iku. Me të vërtetë. Ku nuk kërkoi populli: në det, në tokë, në qiell. Gërmoi brenda vetes,-në tokën dhe qiellin e ndërgjegjes. Pa me përcëllim, kujoi me brengë, po moralin nuk e gjeti më.
-E shihni?-thanë për një gojë zjarri e uji.-Ai s’u kthye, si ne. Ne u treguam zemërgjerë.
Moralit s’i dëgjohej kurrkund triva1) e zëri. Populli pa ‘të mbeti si kufomë, meit2) i verdhë, e s’i vërshëllente kush.
________
1)triva-rruga
2)si i vdekur