nga Majlinda BUSHJA/Kur njeriu “copton” mendimin e tjetrit ose i ka sosur durimi, ose mosbesimi ka arritur kulmin dhe merret e pavërtetë ajo çka thuhet. Një rast i tillë ndodhi pak ditë më parë pas fjalimit të Rigerta Lokut nga Rubiku në Parlamentin e parë Rural Shqiptar, ku u fol për aktrim, e çnuk u tha aq sa dhe opozita lëvizi nga vendi. U zgjua dhe foli. Disa syresh ju turrën Rigertës, megjithëse Rigerta kishte të drejtë në ato çka foli. Madje një gazetare që nuk kishte jetuar asnjë ditë në fshat e revoltuar u shpreh se “problemi më i madh në fshat nuk është bujqësia, por krimi…”, pavarsisht se bujqësia në fshat është puna dhe puna për njeriun është jeta. Kurse krimi është si krimbi që kur lindi nuk është zhdukur, veçse luftuar gjithmonë me rezultate të përkohshme.Mirëpo, nuk është ky rasti i vetëm ku mendimi i drejtë dhe e vërteta coptohen, raste të tjera në debatet e përnatshme televizive rrëfejnë sesi nuk pranohet mendimi i tjetrit deri në copëtimin e tij, madje gjerat shkojnë deri në fyerje personale. Flasin edhe ata që nuk pajtohen me idenë, por edhe ata që nuk e kanë të plotë idenë, por hamendësojnë mbi atë që thuhet duke nxjerrë përfundime. Dhe kjo e fundit është më e keqja.
Është e vërtetë që bujqësia ka nevojë për ujë dhe asnjë fermer nuk duron dot tek sheh bimët e tij që vuajnë në temperaturë 40, apo 45 gradë në verë, ai do përpiqet të gjej një zgjidhje sado të mundimshme, nga ana tjetër duhet dhe rrugë që prodhimi të mos mbes stok. Por nuk është vetëm kjo që i jep fund problemeve në fushën e bujqësi dhe fshatit. Duhet organizim për orientimin e kulturave që duhet të mbjell fermeri, madje unë hedh idenë dhe në hapjen e “Bibliotekave Bujqësore”, të profilizuara, që ndoshta nuk mund të hapen në çdo fshat, por në çdo ish-komunë do të ishte një vlerë e mirë për cdo fermer që do të ketë sukses në punën e tij, që e do tokën dhe do të jetojë prej saj. Librat dhe informacionet, studimet shkencore nuk duhen të mbesin vetëm në zonat urbane, pasi atje ku ekzistojnë njerëzit duhet të shkojnë dhe librat. Dija kurrë nuk është e tepër, ajo të jep me tepri mundësi për të gjetur zgjidhje. Ndoshta duket një luks, në kohën kur fermerit nuk i shkon asnjë pikë uji në ara, nga ana tjetër prodhimi që kanë marrë me shumë mundim mbet pa u shitur për shkak të cmmimeve të ulta, sidoqoftë pasurimi me dije në fushën e bujqësisë, do të jepte rezultate më të mira dhe do bënte që njerëzit të kthejnë sytë nga fshati, nga fshati që duam e qeveria e thotë sa herë që i vjen rasti.
Është folur shumë për reformën në bujqësi, për fshatin që duam, për sfidat që e presin bujqësinë, rilindjen e fshatit, janë shkrepur foto nën hijen e pemëve gjatë fushatave elektorale, janë bërë premtime të majme, është shpërdoruar shumë kohë pa u konkretizuar në punë konkrete dhe njerëzit në fshat janë drejtuar kryesisht emigrimit si e vetmja shpresë për ringritje dhe për të jetuar. Fakti që të gjitha qeveritë i kanë nënvlerësuar e kanë bërë fshatin sot një vend ku ritmi i jetës ecën shumë ngadalë. Toka mund të quhet pa frikë “dheu i artë”, por shumë njerëz e kanë braktisur tokën çka e tregon dhe raporti i popullsisë qytet-fshat në ditët e sotme. Pasi toka të ushqen, kur ti “e ushqen”, por njerëzit nuk mund ta bëjnë këtë pa një pëkrahje, ndaj e kanë parë veten të humbur para kësaj sfide dhe kanë ikur. Kanë ikur dhe kanë parë sesa e prapambetur është bujqësia në vendin tonë në krahasim me vendet e tjera të rajonit e më gjerë. Kanë parë të vërtetën mbi atë që thuhet dhe bëhet realisht për bujqësinë shqiptare. Dinë të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtrat e politikës dhe politika ju është bërë gjithmonë e më e largët në shpresën e tyre.
Megjithëse forma e të vërtetës nuk është gjithmonë si një vijë e drejtë, ajo shërben për të ndryshuar të vërtetën e mëvonshme duke e bërë të pëlqyer. Le ta lëmë të vërtetën nën dritën e të gjithëve (si në rastin e fjalimit të Rigerta Lokut), disa sy që nuk kanë mundur ta shohin më parë mund të reflektojnë dhe ta ndryshojnë gjendjen. Çdo ngutje për ta coptuar si bën mirë të vërtetës, përveçse e deformon atë, duke vonuar çdo ndryshim që mund të vijë në kohë për mirë. Vërtet koha që jetojmë na ushqen përditë me mosbesim, por të vërtetës duhet t’i japim kohën e duhur para se ta flakim, e ta coptojmë. Dhe “Ujqërit e mendimeve” janë kthyer sot në frikë për të vërtetën, jo vetëm në fushën e bujqësisë, por në të gjitha fushat e jetës duke u sjell si “Zot i të vërtetave”. Ata shkojnë pas së vërtetës imagjinare duke u përpjekur ta coptojnë e largojnë nga vëmendja e opinionit publik të vërtetën e vërtetë. Në disa raste duke e zbukuruar me magjinë e gënjeshtrave që ata vet i besojnë si të vërteta. Por të vërtetës nuk duhet t’i bëjmë bishta, pavarsisht se mund të jetë e shëmtuar dhe s’na pëlqen. E vërteta është drita e ndërgjegjes dhe tregues i gjendjes që duhet të shfaqet me përmasat e saj reale, për reflektim dhe ndryshim pozitiv në sa më pak kohë.