Gezim Zilja/
Shtypi Puglies shkruante më 31.05,2023: “Acquedotto dall Albania alla Puglia via libera all progettto da un miliardo. Il governo albanese ha dato il via libera all’ acquedotto che colleghera Argirokastro in Albania….” Fjala është për burimin e Syrit të Kaltër. Është një project italo-shqiptar i detajuar që fillimet i ka në vitin 2001 me qeverinë e Fatos Nanos. Aty ishte parashikuar që me realizimin e një vepre të tillë të transferohet në Puglia nga burimet ujore shqiptare një prurje e vazhdueshme jo më e vogël se 4m3/sek që do të thotë 120 milion m3/vit, e drejtuar drejtpërdrejt në rezevuarin ekzistues të Galugnanos nga i cili do të shpërndahet duke përdorur rrjetin ekzistues atje. Sipas studimeve kostua do të ishte 2.000 miliard lireta. Tubacionet pas një përshkimi prej 100km në territorin shqiptar, me tuabacione ujorë prej 85 km kalojnë kanalin e Otrantos, në një thellësi maximale 855 metra. Projekti parashikon tërheqjen e 5.5 m3/sek ujë nga Syri i Kaltër. Destinacioni përfundimatr në brigjet e Puglies do të ishte jo më pak se 4m3/sek. Në project ishin parashikuar disa degëzime në shërbim të qendrave nga kalojnë tubacionet dhe të zonave bregdetare që janë të destinuara për zhvillim turistik me një prurje prej 0,7 m3/sek, pothuaj asgjë. Në projektin e ri është parashikuar të transfrohen 150 milion m3 ujë në vit, që do të thotë që edhe ajo sasi (një curril) uji e parashikuar për zonat nga kalojnë tubacionet të jetë hequr fare. Përfitimet e rajonit të Puglias, një rajon shumë i varfër në rezerva ujore, që po shkojnë drejt shterimit të plotë do të jenë shumë të mëdha prandaj qeveria italiane për këtë investim të ri një miliard dollarësh, që do të realizohet për katër vite, është shumë entuziaste. Si zakonisht qeveria shqiptare ashtu si dhe në bisedimet me kompanitë amerikane para një muaji për ndërtimin e depozitave dhe impiantet e karburanteve në Vlorë e përfaqësuar nga Alket Hyseni, mban heshtje të plotë. Kjo heshtje dhe fshehje e kontratave ashtu si me portin e Durrësit, atë të Vlorës, fushat e naftës, ato minerare e tj, bën të dyshosh se pasuritë shqiptare të nëntokës e mbitokës po shiten ditën për diell për interesa të një grupi të vogël njerëzish. Kurrkund nuk gjen të dhëna të plota (kontratat) për koncesionet apo dhëniet me qera për ato pasuri që përmendëm më lart. Por ç’ndodh nëse Syri i Kaltër kjo mrekulli natyrore dhe shumë tërheqëse për turistët futet në tubacione dhe kalon në Italinë e Jugut?
Së pari: këto zona përfshi Gjirokastërn, Përmetin Delvinën Tepelenën, Himarën, Karaburunin, Zvërnecin, Nartën etj, janë të varfra në burime ujore në krahasim me Veriun dhe Veri-Lindjen e Shqipërisë. Pra nuk ka ujë për të shitur në këto zona. Për rezervat e Ujit të Ftohtë që derdhen në det dhe Buronjat e Kuçit ka tratativa të tjera për ta shitur ujin, kur Vlora digjet në verë për një pikë ujë.
Së dyti: Futja e ujit në tubacione do të sjellë një katastrofë ekologjike për gjithë zonën që laget nga Syri i Kaltër. Ky veprim do të bëjë që në zonën e Delvinës, Sarandës e Gjirokastrës, që lagen nga ky burim të mungojë uji, duke përfshirë dhe ujërat e përroit të Viroit në Gjirokastër që ushqehet nga Syri i Kaltër. Me realizimin e këtij projekti flora, fauna por edhe bujqësia e blegtoria e gjithë kësaj zone do të varen nga moti. Gjithë lugina ka të ngjarë të kthehet në një tokë të thatë. Gjithashtu Lukova e Ksamili nuk do të përfitojnë asgjë nga ky project. Nuk ka asnjë parashikim për gadishullin e Karburunit, një gadishull krejtësisht i thatë. Sipërfaqja e tij është më e madhe se sipërfaqja ku shtrihet qyteti i Vlorës sot. Nëse do të kishte ujë aty mund të priteshin mbi 500.000 turistë në vit. Ky ujësjellës nuk ka parashikuar asnjë pikë ujë për Karaburunin, mbi shpinën e të cilit do të ndërtohen dy rezervuar gjigandë nga 250.000 m3 secili, njëri në mesin dhe tjetri në fundin e tij. As fshatrat turistikë dhe mjaft tërheqës të Zvërnecit dhe Nartës që vuajnë mungesën e ujit nuk do të përfitojnë nga ky project.
Së treti: përse qeveria nuk shpall këtë aferë dhe të thotë se cilat janë përfitimet nga shitja e ujit të Syrit të Kaltër?
E fundit: komuniteti që laget nga ujrat e Syrit të Kaltër nuk është pyetur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë.
PS. Në project është dhe jetësimi i një marrëveshjeje për djegien e mbeturinave të qytetit të Milanos në Shqipëri. Skandali i inceneratorëve e ka bërë të pamundur deri tani një veprim të tillë.