Satirë nga Rafael Floqi/
Në një takim të përzemërt (dhe të paprotokolltë) me gazetarët në Tivat, investitori arab Mohamed Alabar, pronar i kompanisë “Eagle Hills” – ose siç e quajnë vendasit, “Shqiponja që fluturon mbi rërë” – deklaroi se nuk është aspak i interesuar të blejë apo të marrë me qira tokë në Mal të Zi. Jo, jo! Ai dëshiron që shteti vetë të vijë me tokën për dore dhe ta futë në projektet e tij si dhuratë fejesash. Toka është jona, projektet janë të tijat – një martesë moderne me kontratë para-martesore.
Kujtojmë se edhe kryeministri Milojko Spajiq e ka pohuar këtë dashuri të re shtet-kapital në një intervistë për Televizionin Malazez. Dashuria lind nga sytë dhe, duket, nga ofertat me plazh të gjerë.
Zoti Alabar gjithashtu u shpreh se ka biseduar disa herë me ish-kryeministrin Dritan Abazoviq – që si duket e kishte përmendur projektin e famshëm të “Plazhit të Madh” për herë të parë, ndoshta mes një cigareje dhe një dosjeje investimesh që përfundoi në ndonjë sirtar plazhi.
Kur u pyet nga gazetarët e TVMZ se përse mori pjesë në tenderin për qiratë e plazhit në Ulqin, Alabari, me një buzëqeshje prej beduini të pasur dhe një vështrim plot diplomaci, u përgjigj: “Epo, ma kujtoi Abazoviqi atë ide, ndaj dhe vendosa të mendoj më seriozisht… për të blerë një copëz parajse nën çadër shqiptare.”
Megjithatë, ai këmbënguli se nuk është e vërtetë që kërkon gjithë vijën bregdetare 13-kilometërshe të Plazhit të Madh. Ai është një njeri modest – vetëm gjysmën e saj kërkon, ndoshta edhe më pak. Me kusht që shteti, komuna dhe ndonjë sorrollatë letrash ta mbështesin me zemër të hapur.
Për të hequr çdo dyshim ekologjik nga sytë e publikut të shqetësuar, sheiku Alabar theksoi se kompania e tij është garanci për mbrojtjen e zogjve të rrallë në zonën e Kripores. Në fakt, ai madje u zotua që do t’u ndërtojë zogjve vila me pamje nga deti, nëse është nevoja.
Në fund të ditës, gjithçka që shkëlqen nuk është ar… ndonjëherë është thjesht rërë e lagur nën një marrëveshje që vetëm zogjtë e kuptojnë.
Po a janë heshtësit… të mençur?! Jo, jo! Janë të rehatuar, janë pasivë, janë konsumatorë të luksit të mosveprimit. Janë ata që shesin filozofi nga kafenetë dhe i mbyllin sytë kur qyteti u shembet nën këmbë.
E për çfarë? Për të ruajtur qetësinë e vet, për të mos prishur raportet me partinë, kushëririn e punësuar në komunë apo me tenderuesin që ndan fitimet me “besnikët”.
Heshtja në Ulqin është bërë profesion. Diplomë pa shkollë, lavdi pa kontribut! E për fat të keq, është edhe virtyti më i vlerësuar nga partitë shqiptare që e kanë kthyer këtë qytet në një minierë personale për vota dhe pazare.
Unë? Unë mund të hesht – lehtë fare nuk jam ulqinak por jam shqiptar dhe më vlon në gjak ashtu si për Durrësin tim. Dhe oreksi i Alabarit , filloi nga Beogradi i Vuçiqi, tek Durrësi i Ramës dhe tek vëllai i vogël kaçurrel Abazoviqi…
Po të dielën kur qyteti duhej të zbrazej nga shtëpitë dhe të mbushej rrugëve, heshtja ishte tradhti! Do të heshtja vetëm po të shihja që Ulqini më në fund po zgjohej. Por jo – mentaliteti i vjetër: “Çka muj unë me ndrru?” është ende gjallë. Dhe këtë e kanë mbjellë vetë partitë politike, për të na mbajtur në gjumë dhe në varësi.
Të dielën duhej të kishte një zinxhir njerëzor prej Plazhit të Vogël deri mbas Pazari. Duhej të dilte vetë Bashkia për të shpjeguar se çfarë po ndodh – jo të fshihej pas “transparencës digjitale” dhe premtimeve për një Dubai!
Po pse të dalin? Ata kanë rrogat. Kanë makinat. Kanë zyrat me kondicioner dhe kafen me sheqer të shtuar me tenderë. Kanë pasaportat gati nëse bëhet ndonjë rrëmujë. Ulqinin? Ulqini është thjesht një objekt kontrate për ta!
Askush nuk është kundër zhvillimit. Ne jemi kundër zhvillimit të mjegullt, me letra të fshehura, me nënshkrime nate dhe mendje që nuk flenë për qytetin, por vetëm për xhepin e vet!
Ulqini nuk ka nevojë për Dubai. Ka nevojë për kanalizime ujërash tw zeza që nuk shpërthejnë në sezon. Ka nevojë për trotuare që nuk mbarojnë nëpër mure. Ka nevojë për parkingje që nuk janë fusha të baltës. Ka nevojë për ndreqje – jo për zbukurim të përkohshëm para shitjes 100 vjeçare!
Kalaja po shembet, shkëmbi po copëtohet, qyteti po zbrazet nga të rinjtë, e këta vazhdojnë të na flasin për “investitor strategjik”. A investitor strategjik është një që merr Plazhin e Madh për 100 vjet dhe s’jep asnjë garanci për pjesën tjetër të qytetit?!
Jo, kjo nuk është strategji – kjo është grabitje me ligj! Njësoj në Durrës njësoj në Ulqin.
Dhe për ironi të fatit, qeveria zgjodhi një “biznesmen” nga Emiratet – ndoshta me shpresën se emri dhe etnia do të mbulojnë çdo pikëpyetje, e do të joshin votuesit me ndjenja fetare myslimane. Sa poshtë kanë rënë, sa e lirë është bërë politika në Ulqin: një bastard nga shkretëtira na zgjidh problemet!
Por çfarë bën Bashkia jonë? Asgjë. Përdor fjalorin e diplomacisë: “jemi të hapur për bashkëpunim”, “nuk është ende e finalizuar”, “do të bëhet analizë”. Po po! Analizë bëjnë – si ta shesin më mirë, si ta përfundojnë mandatin me sa më pak valë!
Ulqinaku? Ai ose është i lodhur… ose është dorëzuar. Tjetër nuk ka. Sepse nuk ka si të jesh ndryshe kur për 30 vjet je përdorur vetëm si numër në listë zgjedhore dhe je harruar sapo janë mbyllur kutitë e votimit.
Plazhi i Madh është zemra e Ulqinit. Kush e shkëput atë, po e gjymton qytetin. Po ua dorëzon arteriet kryesore investitorëve të përkohshëm që shohin vetëm rërën dhe jo rrënjët. Dhe kur të bëhet vonë, atëherë do të pyesim: ku ishim? Pse heshtëm?
A kanë dalë në protestë ulqinakët të dielën ?
Jo, jo!
Ulqini nuk ka nevojë aq shumë për investimet që ia ka falur Perëndia, Ulqini ka nevojë për investitor për të ndrequr shkatërrimet që ia ka bërë dora njeriut!
Në këtë farsë bregdetare, shteti hyn me tokën, sheiku me portofolin, populli me rërën… dhe zogu me këngën. Plazhi është i madh, por rrëfimi i shitjes është gjithmonë i vogël – mbështjellë me pak beton, një gotë shpresë dhe një çadër që thotë
“Plazh privat – hyrja me leje nga Sheiku”.