Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow/
Qysh në fillimin e mandatit të tij të parë qeverisës, Kryeministri e shprehu qartë synimin e tij madhor se Ai nuk dëshiron që të jetë thjesht si çdo lloj politikani tjetër “i zakonshëm” dhe “tranzitor” dhe se vokacionin e brëndshëm e ka në marrdhënie me Historinë, për të mbetur në memorien kolektive si “Ndërtues” dhe “Reformator”.
NE e mbështetëm këtë aspiratë të tij anipse Shqipëria ishte (dhe fatkeqësisht është e lodhur) nga shakaxhinjtë e përparimit, të cilët na kanë premtuar “parajsa me thasë” e “progres me shpejtësi drite” dhe se vendi në gjëndjen ku ndodhet ka realisht nevojë për ndërtim dhe reforma reale për tu mbrothësuar, për të prosperuar dhe për tu futur në familjen e madhe të popujve të qytetëruar.Fatkeqësisht, u zhgënjyem dhe përjetuam pasojën e të njëjtës dileme politike të artikuluar mjeshtërisht nga Karl Popper: “Ja ne zgjodhëm udhëheqës të rinj por kush na garanton që këta të dytët do të jenë më të mirë dhe më të përgjegjshëm se ata të parët?!” Pasoja negative të kësaj zgjedhjeje popullore të cilat i shohim përditë e më tepër në realitetin tonë të përditshëm dhe në çdo fushë të jetës (arsim, shëndetësi, drejtësi, ekonomi, ekologji, arkitekturë, etj)
Me besimin e verbër tek Ndryshimi, ne pamë të kalonte përpara syve tanë përsëritja e Historisë me po të njëjtët shkatërrues të zellshëm të Interesit Kombëtar, të cilët i vunë minën edhe asaj pak që kishte mbetur nga krenaria jonë kombëtare; pamë të shëmbej një teatër kombëtar, ti humbte identiteti një stadiumi kombëtar dhe tani së fundmi të grryhet nga themelet dhe të shpërfytyrohet edhe një tjetër shënjë sinjifikative e Kombit, Sheshi i Flamurit. Që prej Antikitetit Greko-Romak, Sheshi ka pasur një domethënie të rëndësishme dhe të dyfishtë; a) Si qëndër e jetës së përbashkët sociale dhe b) Si element i fuqishëm simboliko-politik në të cilin populli shpreh jo vetëm vullnetin e tij politik me pëlqyeshmërinë apo papëlqyeshmërinë e tij kundër Sistemit por edhe përbashkësinë e vet identitare.
Por mesa duket një lider autokrat, i cili edhe në zgjedhjet e fundit lokale e afirmoi madje edhe simbolikisht qëndërzimin e pushtetit, duke u vendosur në qëndër të rrethit-trëndafil (podiumit të dizenjuar nga vet AI) teksa u propogandonte Masave, nuk do që t’ia dijë për rëndësinë identitare të vlerave kolektive që ky Shesh përfaqëson dhe bëri në emër të “ripërtëritjes urbane” atë që asnjë udhëheqës tjetër “i zakonshëm” apo “tranzitor” nuk guxoi që ta bënte; vuri barbarisht dorën mbi Sheshin e Flamurit.Por ky akt i pashembullt politik i nxitur nga inatet politike, makutëria dhe interesat pragmatike të momentit nuk është thjesht një akt barbar ndaj një perle në unazën e Zotit siç është edhe Qyteti i Vlorës por një atentat i hapur ndaj Shpirtit Kombëtar!
Për këtë akt vandal dhe shumë akte të tjera që ai ka kryer në dëm të shqiptarëve dhe interesit kombëtar, si një intelektual publik ngre zërin tim hapur dhe e akuzoj! Sot unë jam Vlora! E përtej të qënit i majtë apo i djathtë unë jam SHQIPTAR! Dhe ai Shesh, si simbol i Pavarsisë, si Frymw e Shqiponjws dhe e unitetit kombëtar përfaqëson Shqipërinë në të katër anët e saj dhe çdo shqiptar të mirë e fisnik pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Por fatkeqësisht politikanët tanë e duan Sheshin e Flamurit vetëm për foton e 28-Nëntorit dhe patriotizmës së shtirur, për hir të profesionit të tyre të vjetër dhe shoqërisë së spektaklit…Për të tjerat, nuk ka kurrëfarë rëndësie për ta. Për tu rikthyer edhe njëherë tek aspirata e Fillimit dhe marrdhënia me Historinë; meqë je piktor dhe politikan me kohë të plotë më lejo që të kujtoj piktorin e madh nga Venecia, Tiziano Vecellio: “Në fund, Historia do ti jap hisen që i takon gjithësecilit prej nesh!” Dhe ndryshe nga “historianët partizanë” dhe “skribët e Pushtetit” që e sakatojnë të Vërtetën, Historia, Bija e Kohës dhe e Kujtesës Njerëzore do të tregohet po aq e pamëshirëshme!