Nga Ramazan Çeka/
Vlerësimi i punës së bukur, të vështirë, por edhe të respektuar të gazetarëve në gjithë hapësirën multimediale ka qenë prej vitesh një prioritet i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Qarkun e Shkodrës, jo vetëm për ata që prej shumë vitesh kanë krijuar biografinë dhe karrierën e tyre personale, por veçanërisht për ata që i kanë hyrë me pasion kësaj rruge dhe që rëndom quhen gazetarë të rinj. Pas dy vitesh shkëputjeje, për shkak të pandemisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptar në Qarkun e Shkodrës mblidhet sërish, tashmë në edicionin e pestë të tij, për ceremoninë e ndarjes së çmimit “Hamit Boriçi”, një aktivitet i përvitshëm, i cili, siç thamë më lart, ka si qëllim evidentimin dhe vlerësimin e punës së gazetarëve më të spikatur në fushën e medias së shkruar dhe audiovizive. Organizatorët nën drejtimin e z. Gasper Marku, kryetar i Unionit të kësaj dege, ishin kujdesur që takimi të zhvillohej në nivelin e duhur profesional, ashtu siç i ka hije një shoqate, jo vetëm gazetarësh, por edhe miqsh, pasi e veçanta e aktivitetit ishte se personaliteti, emri i të cilit titullonte çmimin ishte edhe vetë fizikisht në sallë. Këtë e bëri të ditur vetë z. Gaspër Marku, që pak çaste para fillimit deklamoi se këtë takim do ta nderonin me pjesmarrjen e tyre dy personalitete të gazetarisë shqiptare: Hamit Boriçi dhe Aleksandër Çipa me cilësinë e kryetarit të UGSH-së, të cilët të shoqëruar edhe nga pedagogia e Gazetarisë, anëtare e këshillit Drejtues të RTSH, zonja Ardita Reçi formuan kështu edhe panelin e nderit të aktivitetit. Po kaq i nderuar ishte edhe auditori i takimit ku merrnin pjesë gazetarë dhe drejtues të mediave lokale, por edhe më gjërë, intelektualë të njohur, qytetarë dashamirës si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Aktiviteti, i cili u zhvillua në Bibliotekën e Qendrës Rinore “Arka”, u hap nga gazetari i mirënjohur Gazpër Marku, i cili kërkoi nga të pranishmit një minutë heshtje, si homazh në nderim të kolegëve gazetarë që ndërruan jetë gjatë periudhës së pandemisë dhe si shkak i saj. Ata edhe në mungesë gjejnë vend në kujtimet e gjithsecilit të pranishëm dhe do mbeten gjatë në memorien e tyre dhe gjithë qytetit të Shkodrës. Më pas z. Marku ia dha fjalën kryetares së Këshillit Bashkiak Shkodër, zonjës Briselda Kadia e cila i dorëzoi Profesor Hamit Boriçit titullin “Mirënjohja e Qytetit” të akorduar nga Bashkia Shkodër që në vitin 2020, por të pamundur për t’ia dorëzuar në një ceremoni si kjo për arsye të pandemisë. Këtë vlerësim Profesor Hamit Boriçi e pranoi me shumë emocion dhe me një nderim të thellë ndaj Qytetit të Shkodrës, qytetarëve të këtij qyteti, institucionit të Bashkisë e në veçanti për gazetarët, të cilët i quajti kolegë të nderuar. Po me kaq emocione filloi edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve nga Kryetari i UGSH – Qarku Shkodër z. Gaspër Marku. Në këtë edicion u akorduan tetë çmime: Gazeta “Dukagjini” u vlerësua me motivacionin: “Që prej vitit 2003, kur u botua numri i parë dhe deri më sot kur është në proces numri i 222-të, Gazeta “Dukagjini”, është sistematikisht e pranishme për lexuesin shkodran, atë kombëtar dhe mbarëkombëtar, me botim në letër dhe online. 3077 artikuj cilësorë dhe professional të botuar në vite nga 575 autor, janë një kontribut me shumë vlerë, jo vetem për promovimin e vlerave të pasura historike dhe turistike të Dukagjinit dhe rajonit verior, por edhe të të gjithë vendit në përgjithësi”. Gazetarja Alma Mehmetaj me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV Rozafa dhe Radio Motiv. Por, në të njëjtën kohë, edhe drejtuese e këtij institucioni në kohë të ndryshme, duke dhënë kontributin e saj organizativ të këtij institucioni”. Gazetarja Sidola Osja me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e spektakleve televizive me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV1 Channel”. Gazetari Luan Kadia-RTSH Shkodra, me motivacionin: “Gazetar, drejtues i emisioneve dhe prezantues i edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, prej shumë vitesh në Radio Shkodra dhe në vazhdim edhe në RTSH Shkodra. Në të njëjtën kohë me një kontribut të çmuar në kronikat e përgatitura për TVSH-në”. Gazetari Gjon Gjeka-TV A2 CNN me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV A2 CNN për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Gazetari Dori Gjerga-TV Euronews me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV Euronews për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësëishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Faik Sadiku, një pasionant i kahershëm i fushës së sportit, por edhe i gazetarisë sportive, i cili edhe pse asnjëherë nuk punoi si profesionist në media, është një penë shumë e vlerësuar nga lexuesit, brenda dhe jashtë vendit. Ajo që e bën të veçantë Faik Sadikun, është edhe botimi i 5 librave për figura të spikatura të sportit shkodran dhe më gjërë, të cilët pritet të pasohen edhe me botime të tjera, që ai i ka në projekt. Tonin Frroku, gazetar dhe drejtues i emisioneve sportive dhe më gjërë, karriera e të cilit nisi rreth 40 vite më parë në qytetin e Shkodrës ku shërbeu për shumë vite me mjaft profesionalizëm. Më pas, edhe pse zhvendoset familjarisht në qytetin e Korçës, ku ka angazhime shumë të rëndësishme mediatike lokale dhe kombëtare, ai asnjëherë nuk e harroi vendlindjen duke vijuar të kontribuojë mediatikisht për Shkodrën dhe rajonin verior. Emocionet ishtn prezente si asnjëherë tjetër pasi prezenca e Profesor Hamitit në panel e bënte këtë ceremoni edhe më dinjitoze dhe motivuese, një frymëzim që nuk ngurruan ta shprehin as gazetarët e vlerësuar me këtë emër të madh në fushën e medias shqiptare, siç u shpreh edhe z. Gaspër Marku kur tha se: “Jemi me fat që e kemi akoma në mesin tonë këtë ikonë të gazetarisë shqiptare”. Përshëndetja dhe vlersimi i z. Aleksander Çipa ishte mjaft mbresëlënës dhe motivues njëkohsisht për gjeneratat e reja të gazetarisë dhe gjithë këtë komunitetin e medias. “Shkodra dhe komuniteti i gazetarëve të Shkodres janë një referencë e shkëlqyer për gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë shqiptarë ndaj dua t’ju falenderoj për punën dhe vullnetin tuaj dhe besoj se është fjala më e çmuar për gjithë këtë ditë po kaq të çmuar”, tha në fjalën e tij z. Çipa. Në këtë aktivitet u bë edhe promovimi i librit “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar” një përmbledhje me kumtesa e studime që doli në dritë nën kujdesin e studiueses Rita Shkurtaj, njëkohësisht edhe kryetare e shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”. Ky aktivitet iu bashkangjit shumë natyrshëm gjithë takimit jo thjesht për të prezantuar punën e një grupi studiuesish, por për vlerat që mbart ai material shkencor dedikuar xhubletës, kësaj pasurie kombëtare, e cila ishte prezent edhe fizikisht edhe në sallë, pasi gjatë kësaj ceremonie performuan me veshjet e tyre dy djem e dy vajza nga Gjimnazi “Dodë Kaçaj” Bajzë, të veshur me çakçir e xhubleta, të shoqëruar nga mësuesja kujdestare Florina Laçaj. Xhubleta Shqiptare është një pasuri me vlera mbarëkombëtare e cila pritet që së shpejti të hyjë edhe në mbrojtje të UNESCO-os, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore. “Kjo pasuri 4500 vjeçare është pasaporta e identitetit tone kombërar, prandaj meriton të promovohet sa më shumë, sidomos nga mediat, të cilat me forcën e zërit, fjalës dhe pasqyrimit të vlerave të saj zgjon interesin e turizmit kulturor, ndihmon në ruajtjen, kultivimin dhe trashëgimin ndër breza”, tha ndër të tjera znj. Rita Shkurtaj. Për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar”. I gjithë aktiviteti u mbyll me një koktei dhe shtërngim duarsh si një premtim për t’u takuar sërish në aktivitete të tjera po kaq të rëndësishme. Prill 2022