Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, dekorohet me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”/
-Jacobson: Kosova duhet të vazhdojë të ndërtohet si një shtet demokratik e gjithëpërfshirës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Korrik.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumire ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, të cilën e dekoroi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.
Presidentja Jahjaga e falënderoi ambasadoren Jacobson për mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe gjithashtu për përkrahjen e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi. Presidentja Jahjaga e vlerësoi miqësinë e ambasadores Jacobson dhe përfaqësimin e denjë të SHBA-së në Kosovë, thekson njoftimi dërguar nga Presidenca kosovare.
Ambasadorja Jacobson e falënderoi Presidenten Jahjaga për nderimin me Medalje Presidenciale dhe e vlerësoi si shumë të veçantë miqësinë me qytetarët e Kosovës. Ajo gjithashtu e vlerësoi rolin dhe angazhimin e Presidentes Jahjaga si faktor uniteti dhe theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të ndërtohet si një shtet demokratik e gjithëpërfshirës.
Presidenti Obama nominon Greg Delawie-n për Ambasador të SHBA-ve në Kosovë, njoftonte Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars.
“Ambasada e SHBA-ve ka kënaqësinë të konfirmojë se Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë. Kushtetuta e SHBA-ve kërkon që Presidenti të marrë këshillë dhe pajtimin e Senatit të SHBA-ve para se të emërojë ambasadorët. Përkundër raporteve të fundit mediale në Kosovë Senati ende nuk ka mbajtur dëgjim apo votim lidhur me këtë nominim”, theksonte komunikata e dërguar.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Në 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë, ndërsa më 18 korrik, po atë vit historik të shpalljes së pavarësisë, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.