Hazir MEHMETI, Vjenë
Më 28 maj, një datë e mbarë që do shënohet gjeneratave bashkë me emrin e Rexhep Rifatit. Atë ditë në Komogllavën e vuajtjeve u dëgjua zëri i foshnjës i cili lumturoi prindërit për të nëntën herë në kullën shekullore. Sot mbushën 80 pranverat e tij me gjithë lulet e tyre dhe acarin e tyre.
Sot ai zë në ajrin e freskët të 28 majit, u rrit, u shtua fuqishëm në gjithë hapësirat ku frymojnë shqiptarët. Ishte zëri i tij që nga pranvera e tij e parë, aspak e lehtë, por Rexha me zemrën e tij të madhe sfidoi pengesat, sfidoi kërcënimet dhe mori udhëtimin e tij në shërbim të njerëzores, në shërbim të kombit.
“Do ta pushkatojmë”,- thanë barbarët serb, kur falanga e tyre lexoi Rilindjen ku Rexha derdhi djersë e mund mbi gjysmë shekulli në shërbim të kombit.
“Jo tha tjetri, ai qenka i çmendur, e shihini si qesh para pushkatimit, do t’ia helmojmë gjashtë fëmijët e tij, ata na duhet t’i zhdukim, lëshojeni me dymbëdhjetë plagë për secilin nga dy, kurrë mos t’i harron”, -urdhëroi tjetri.
Rexha, ashtu i buzëqeshur e krenar, vazhdoi udhëtimin, me gjithë sfidat dhe rreziqet e tij duke na dhuruar të gjithëve shije nga pranverat e tij. Duke na dhuruar porosinë e cila jep energji edhe për nesër. Ai nuk gjen qetësi, shtrëngoi fortë kamerën e tij në kraharor, lapsin në xhep dhe mori udhën aty ku zemra pushon me gjithë artin shekullor: bukurive të trevave shqiptare.
“Mos pritni t’ju vijnë njerëzit e ngjarjet, por shkoni tek ata!”- thënie nga përvoja jetësore e njeriut që jeton me shqetësimet e kombit, me kënaqësitë e tij. Ai jo rrallë shqetësohet, revoltohet me të metat e shoqërisë kur janë pengesë në udhëtimin e dëshiruar për të cilin Rexhep Rifati punoi tërë jetën e tij.
“Rexhep Rifati mund të quhet kujtesa ose enciklopedia e gjallë (por tejet diskrete!) e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe rrethanave që lidhen me të”, e tha miku ynë i madh Basil Schader. Zvicra u pasurua me emrin qytetarin e saj nga Kosova martire ashtu sikurse “Shqiptarët në Zvicër në 1001 pamje”, dhe më shumë.
Pesëdhjetë vjet udhëtim tokave arbëreshe, a nuk është kjo një histori e llojit të vet! Në udhëtimet e tij u pasuruan emra të rinj nga fusha e gjuhësisë, publicistikës dhe kulturës shqiptare nga Atdheu dhe mërgata. Fati e deshi që të jem pjesë e tri udhëtimeve të fundit javore. Në qenien time ishte kjo hapje horizonti të ri në njohjen e një pjese të kombit, arbëreshët, për të cilët nuk dinim sa duhet. Por mbi të gjitha mësova mbi përkushtimin e Rexhës ndaj arbëreshëve, dashurinë e tij vëllazërore e flakëruar në gjakun arbëror. Përkushtimin i tij e takuam gjithandej, kudo: në takime, muze, biblioteka, shkolla e institucione të shumta të cilat organizuan pritje vëllazërore për grupin tonë.
I mirënjohuri At Antonio Belushi e tha: “Ju i dashur vëlla Rexhep Rifati, jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës. Jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh” .
Udhëtimi ynë i fundit shënonte gjysmë shekulli të rrugëtimit të kamerës profesionale të Rexhep Rifatit dhe ishte simbolikë e veçantë, por edhe obligim respekti ndaj një pune me vlera kombëtare. Kudo që shkonim katundeve arbëreshe Rexhën e njihnin, edhe barinjtë e njihnin me të cilët ndalej të kuvendonte, të fotografonte peizazhe në fushat e gjëra arbëreshe.
Por, Rexhep Rifati nuk ndalet deri në përfundimin e librit kushtuar arbëreshëve me të cilët u mishërua në jetën tij gjysmë shekulli. Përmbylljen e projektit mbi arbëreshët, e arrin simbolikisht për ditëlindjen e tij festive, sot kur doli ekzemplari i parë me titull ARBËRESHËT. Kjo vepër e punuar me kujdes në foto e shkrim, në shqip e italisht, është thesar për arbëreshët, kombin dhe literaturën globale.
Me fjalët dhe zemrat e shokëve nga ekipi YT:
Urime Ditëlindja e 80-të!
Urime ditëlindja e veprës suaj ARBËRESHËT!