Duke kujtuar Migjenin dhe shkrimin e tij, “Urime per 1937”/
Sa here qe afrohet Viti i Ri, mendja gjithnje me shkon te shkrimi, skica e Migjenit: “Urime per 1937”, sidomos kur jane pervjetoret e plote, si ky i sivjetmi. E di qe kete ndjenje e kane edhe shume te tjere. Me kujtohet ne vitin 1987, me rastin e 50 vjetorit te ketij shkrimi, gazetari Ali Sutaj e ka botuar nje shkrim ne gazeten “Rilindja” te Prishtines. Ky Shkrim i Migjenit ne shikim te pare te duket nje shkrim i thjeshte, i rendomte, por mjaft domethenes me nenkuptime figurative e filozofike tipike migjeniane…
“Shok i dashtun un pergjithesisht nuk shkruej urime, as per Krishtlindje as per Bajram, as per ditelindje as per ndoj feste tjeter. Nuk shkruej pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotesohen nji per qind se pothuej te gjitha dalin nga hipokrizia. Bota kete e din, por njisoj vazhdon te shkruej urime. As per Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja. Por kesaj here due te hy ne radhen e njerezve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937…”
Keshtu shkruante, keshtu uronte Migjeni 80 vite me pare. Me nje ironi e sarkazem te holle u uronte shokeve te tij gjume te embel qe te mos i shihnin vuajtjet e njerezve rreth tyre, ta ndien veten te gezuar edhe kur nuk duhej te ndiheshin te gezuar, kur vuanin ne rrethanat shoqerore te asaj periudhe. Ishte pikerisht ajo natyra e ndieshme e qenjes se Migjenit, ajo ndjenja e dhimbjes per vuajtjet e te tjereve qe edhe ne raste te tilla gazmore te nderrimit te motmoteve nuk e linte ate te qete, te patrazuar, indifferent. Ne nderrimin e motmoteve njerezit shpresojne se gjera te mira do te ndodhin ne jeten e tyre ne Vitin e Ri, si ne boten magjepse te perrallava e legjendave te lashta. Por koha si kuptim fizik vetevetiu nuk sjell asgje, eshte vetem nje levizje qarkore e monotone qe perseritet e perseritet nder vite, shekuj e mijevjecare. Kohen e bejne njerezit, boten e ndryshojne njerezit, per te mire apo per te keq. Jane veprimet apo mosveprimet e njerezve qe e percaktojne, e vulosin, i japin drejtimin nje periudhe te caktuar historike, qe ndryshojne rrjedhat e historise. Nganjehere per te mire, nganjehere per te keq.
Nga viti 1937 kur Migjeni e shkroi kete urim, derguar ne adresen e ndergjegjes se brezave te tere (edhe neve), eshte e sigurt se shume gjera kane ndryshuar, por edhe shume gjera, ceshtje qe e kane shqetesuar Migjenin gjate tere jetes se tij te shkurter e plot vuajtje, ende jane te pranishme ne shoqerine e sotme shqiptare. Nuk ka nevoje te hy ne imtesira se lista eshte teper e gjate dhe kam friken se mos ndoshta po dal nga tema. Prandaj, duket se ky urim nuk eshte shkruar para 80 vjeteve, por eshte shkruar dje. Urimet e familjareve, shokeve e miqve per njeri – tjetrin jane urime te ciltera, shprehin deshirat per nje vit te suksesshem, plot shendet e lumturi. Por ne urimet e politikaneve, ministrave e kryeministrave, kryetareve te shteteva qe ua drejtojne popullit, ka mjaft dyfytyresi (hipokrizi). Premtojne shume ne nderrimin e motmotove, por shume pak nga ato premtime permbushen (realizohen). Dhe jane pikerisht keta politikane, ministra e kryeministra, kryetare shtetesh qe kane nevoje te nderrojne veten e tyre, sjelljet e tyre, sepse nga veprimet apo mosveprimet e tyre varen fatet e popullit, fatet e vendit. Ne keto caste te nderrimit te viteve uroj qe politikanet, udheheqesit tane t’i nderrojne sjelljet, shprehite e tyre, te heqin dore nga joshjet dhe lakmite vetanake per pasuri te pakufizuar e te paligjshme e t’u rreken me perkushtim detyrave per te cilat e kane kerkuar voten e popullit, ceshtjeve madhore te kombit tone. E di qe kjo nuk eshte nje gje e lehte per njerezit tane, por ia vlen qe ta provojne pak.
Migjeni e ka njohur mire filmin dhe i ka percjellur me interesim filmat e kohes se tij, prandaj e permend Greta Garbon ne rolin e saj ne filmin “Mbreteresha Kristina”. Po te kishte jetuar me shume dhe po ta kishte pare filmin “Gone with the wind” (“Perftoi me eren”apo “Iken me eren”, 1939) me siguri do ta kishte permendur Scarlet O’ Haren dhe fjaline e saj me te cilen perfundon edhe filmi: “After all, tomorrow is another day” (“Pas te gjithave (ose tekefundit) neser eshte nje dite tjeter”).
Sidoqofte, me gjithe zemer: Urime per 2017! Gezuar!
Filadelfia, 1 janar, 2017
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.