Nga Ilir Levonja/
Ka disa orë që kryeministri i vendit ka hedhur në fb një nga ato letrat me tekst fotokopje, firmë fotokopje. Nga ato të përditshmet, rutinë, me firmën e presidentit. E quaj rutinë, pasi është thjesht protokoll. Thjesht detyrë për të qënë të kujdesshëm në lidhje me kabinetet qeveritare nga bota mbarë. Që denjuan dhe i çuan një telegram urimi. Ku në gjegje të kësaj, këta, amerikanët nuk ta kursejnë aspak letrën dhe bojën. Si me thënë, një punë e bitisur nga rrogtarët. Të cilët përpiqen të mos u shpëtojë edhe grima. Pasi për Amerikën, dhe jo Trampin, praktika e komunikimit është një nivel elementar. Qoftë kur përballë është edhe shteti më modest.
Po kjo është krejt ekzaltuese në Shqipëri.
Madje konsiderohet një eveniment i madh. Dhe si ai fëmija i lumtur…, më përpara se zyra e shtypit. Kryeministri nxiton ta bëj një statut fejsbuku. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, sherri i shqiptarëve në atë rrugicën e komenteve me njëri-tjetrin. Ku një pjesë e madhe, krejt të shfrenuar, u nxjerrin sytë atyre që mendojnë ndryshe. Apo denjojnë t’i thonë shefit se, nuk është sukses qeveritar që në hyn në xhep. Po thjesht, punë e përditshme e administratës amerikane.
Madje pas kryeministrit, shtypi. Sidomos ai që mjel qeverinë. Akoma më triumfator. Duke postuar foto plot buzëqeshje të Edi Ramës. Dhe plot ngërdheshje. Apo të shtrëmbërta të Donald Trampit.
Domethënia…., që Rama e fitoi betejën. Deshi apo nuk deshi Trampi ia njohu forcën liderit të madh të Ballkanit perëndimor.
Ah sikur të ishte kështu.
Këto radhë nuk janë për të denigruar Edi Ramën. Asesi. Nuk kam se çfarë i hedh poshtë. Pasi ne shqiptarët kemi plot shprehje, plot romuse. Por që i përdorim për elokuencë, humor. A për tu dukur simpatik etj. Jo për fakte të gjalla. Ndaj dhe unë me humor po e them atë që flet puna për ‘të. Borxhi publik sapo e kaloi shifrën 72. 2%… E gjeti me 62%. Duke na radhitur në vendin e 18, në europë. Përqindja e atyre që duan të ikin nga Shqipëria. Apo që kanë ikur nga vendi, sapo e la 38% -shin.
Ekonomia informale jo vetëm që nuk u tret. Që nuk e luajti vendit pagesën në kesh 150 mijë lekë në muaj për kamarierët. Nga xhepi i pronarit që pi birrë. Dhe kur t’i ketë ai. Fronti më i gjerë i krahut të punës. Sidomos për të rinjtë. Por u pakësua në 100 mijë. Dhe i sheqerosur me togfjalshin po deshe.
Nga ana tjetër falja e faturave të prapambetura. Dhënia e tapive etj… u bënë orë të propogandës politike. Në vend që të bëheshin mubdësi riaftësimi dhe edukatë. Në raport mes qytetarit dhe faturës. Apo taksës etj.
Statuti i nënpunësit civil u zëvendësua me teserën e partisë.
Sheshi i legenave në qëndër të shtetit gëlltiti sërisht miliarda lekë. Kodrat dhe malet, zonat më të thella u bënë një hambar dhe tokë pjellore e hashashit dhe kanabisit. Policia e shtetit mori sërisht dhuratë nga qeveritë simotra ca mjete. Ku pa frikë mund të pohojmë se jemi i vetmi vend në europë, që brenda një dikasteri operojnë me dhjetra marka të ndryshme mjetesh motorike. Policitë e vendeve të tjera dominohen nga një ose dy marka, kjo o për namus të prodhimit vendas. Ose si produkt i kontratave për mjete e logjistikë.
Arsimi publik u kthye në një garë jo të barbartë. Por mundësi ekselente zgjedhjeje me sira. Dhe konkurimi vazhdon me grupime partiake të hanë të parët njëherë, pastaj të tjerët të marrin çfarë të mbetet.
Shëndetësia…, as që ia vlen të diskutohet. Mjafton të përmendësh një fakt. Që është ministër një person i zhveshur nga mandati i deputetit nga gjykata kushtetuese për abuzim me tendera, konflikt interesi etj.
Ushtria. Jemi sot shteti pas asnjë mbrojtje elementare. Pasi festuam çmendurisht marrjen në mbrojtje nga Nato. Dhe që sot nga një grip midis Moskës, Brukselit dhe Washingtonit, dridhemi e pyesim. Cilit bllok do i përkasim. Lindjes apo perëndimit….
Çfarë të vazhdojë më?
E pra Trampi është njëri i biznesit. Dhe i pragmatizmit tipik amerikan. Që i kushton rëndësi të veçantë rezultave.
Ashtu si vetë qytetarët amerikanë. Rezultave, jo demagogjisë.
Ndaj fitoi duke u thënë amerikanëve që ta bëjmë Amerikën si një herë e një kohë.
E me këto rezultate që ka Shqipëria, do e fshinte me gomë Edin Ramajve. Jo ta përshëndeste. Këtë sokol të parruar të dështimit shqiptar.