Nga Ilir Levonja/
Në vitet 1960, me një vendim të presidiumit të kuvendit popullor të kohës. U vendos që 7 marsi të njihej si dita e mësuesit. Kjo për nder të mësonjëtores së parë shqipe, në Korçë, po atë muaj të motit 1887. Atëhere në Shqipëri ishte e ligjëruar të mësohej gjithçka, përveç shqipes. Arabishtja e xhamive, osmanishtja e zyrave të Dovletit, greqishtja e qishave, vllahishtja ose arumunçja. Tek-tuk gjuha e frëngut dhe inglizit, ama veç shqipja jo.
Një akt i një grupi arsmitarësh të diplomuar jashtë vendit. Dhe me mbështjen e emigrantëve. Një e drejtë e fituar me çmim të lartë, aq sa sot shqiptarët e thonë me gojën e një mytesarifi, komandant xhandarmaje Anadolli. Kushedi me sa gjak e mund është paguar kjo rade (leje) për hapjen e shkollës së parë shqipe.
Megjithëse edhe ajo u doli hundësh. Më keq se vitet a shekujt e deriatyshëm. Nga të mësuarit skutave të shtëpive ku mbanim zairet. Për faktin e vetëm se, shqipja ishte herezi. Një paradoks social perandorak. Ku të gjithë e kuptonin, ama ne shqiptarët jo.
Një ngjarje e madhe që poeti ynë kombëtar, një nënpunës doganash, Naim bej Frashëri do e lavdëronte me vargjet ”lum si ti moj Korçë lule/ që le pas shoqet e tua”.
Por le t’i kthehemi ca fakteve që si një ironi e madhe na bien kokës.
Dhe që ne, nën atë euforinë, karakteristikë unikale e sojit tonë. Këtej bëjmë patriotin. Këtej mbulojmë të pëgërën. Këtej nuk ndërgjegjësohemi e t’i japim sharmin shqiptar. Mësuesit, apo arsimit në përgjithësi.
A është mësuesi vërtetë figura më e nderuar, kështu siç po e pretendojmë?
Marrim vetëm një fakt administrativ. Mësuesit nuk gëzojnë një status të nënpunësit të administratës. Për rrjedhojë në çdo ndërrim qeverish, janë të kërcënuar me vendin e punës. Madje edhe në arsim. Karriera bëhet përmes partisë. Jo për merita shkencore.
Biles i ndërgjegjësuar për këtë, arsimtari i kohës studion për të forcuar partinë, me diplomat apo kualifikimet e tia. Se sa vetveten apo figurën e nderuar të mësuesit a pedagogut.
Mësuesi, pavarsisht deklaratave nëpër statute publike, është figurë tallje. Një lloj modeli për t’i thënë tjetrit me sarkazëm, rri o mësues, rri. Kjo për shkak të atij statuti të mangët. Atij nënshtrimi kolektiv të profesionistëve të vërtetë karshi partisë.
Por edhe po ta quajmë të mirëqënë, postin politik të një mësuesi. Si drejtor shkolle përshembull. Eshtë një ngërç i madh në raport me kohën dhe arsimin bashkëkohor. E para se drejtori nuk emërohet për merita shkencore, por partiake. E dyta nuk emërohet në bashkëpunim me komunitetin e zonës ku vepron shkolla, por nga një mbledhje natën partie. E treta, drejtori nuk është punëdhënës. Që domethënë nuk të merr në punë. Ashtu si praktikat e kohës në botën perëndimore. Në punë të merr drejtoria arsimore, një praktikë tashmë e vdekur në botë, veç në Shqipëri jo. Drejtori merr në punë pastrueset, kurse arsimtarët janë një treg fitimprurës për drejtorinë dhe partinë. Vendet e punës shiten. Për rrjedhojë, vendi i punës nuk është kurrë i sigurt. Po ashtu edhe posti i drejtorit. I cili sado meritave, sado përgatitjes, nesër del një plaçkë e pavlerë. Që e zëvendëson çdo lloj i paafti.
Nga ana tjetër arsimi në përgjithësi vuan akoma nga metollogjia e shkuar e notës. Jo e kredit në pjesëmarrje. Testimet janë një treg i madh fitimi i një grupi njerëzish. Të cilët hiqen sikur testojnë, por në të vërtetë të shtrydhin për një kartmonedhë. A një drekë me meze e raki. Nga roli i mikut dhe ndërhyrjeve. Ndërkohë që në botë provimi a testimi është i vëzhguar nga kamerat, jo komisioni njerëzor.
Por këto lihen qëllimisht evazive. Në mënyrë që partia të ket pushtet…, mbi arsiminin tënd. Që është rënie sociale. Mbi diplomimin tënd. Që është kancer social. Mbi emërim tënd … Që është vdekje sociale. Një ndërrmarje serash me xham, për mbashtrimin dhe kultivimin e korrupsionit. Të edukatës na merre, futi diçka në xhep. Jepi se pa paguar nuk bëhet. Nuk shkojënë shkollë se duan lekë.
Jo rastësisht analfabetizmi kap shifrat mbi 18% të vendit.
Mbi 40% e shoqërisë janë vetëm me arsim 9 vjeçar. Ku 10% e marrin pa qënë fare aty. Mjafton të kenë emrin ose nr e amzës. Le të kenë ikur. Le të jenë në Greqi, Itali, Gjermani. Kudo le të jenë.
Nga ana tjetër arsimi është i mbytur nga paralelizmat e teksteve.
Nga tregu i teksteve të pavaruara. Apo dispenca.
Dhe lidhur me ato që thamë më sipër… përpjekja intelektuale për tu lëvruar në truallin e vet, karshi Anadollit e qishës greke. Sot Shqipëria lehtësisht mendon se është e çliruar. E unifkuar në arsim. Kur Turqia i kërkon me ngulm të rishikojë tekstet. Arsimit laik i ofron atë fetar. Në analogji me këtë, falemi greqisht. Edhe pse qisha nuk ka kërkuar as sot e kësaj dite një ndjesë për martirët arsimdhënës të Kolonjës. Ndërkohë që e bëri Vatikani për inkuizicionin katolik të mesjetës.
Vet shkollat si objekte, janë godina pa fitime dytësore. Mjaftohen me orarin mësimor. Dhe aq. Sidomos ato të sistemit 9 vjeçar. Nuk ofrojnë asnjë program pas mësimor. Aq sa të zhurmshme janë në mëngjes, aq të vdekura në mbrëmje. Ndërkohë në botë afrojnë plot gjëra, plot programe…, një lloj zerme plot energji e komunitetit ku operon.
Çfarë të thuash më? Në ditën e arsimit? Në ditën e mësuesit?
Eh, harrova…, shpërblimin. Pagën e 13-të në fund të vitit.
Po më mirë të vazhdojmë si turma. Urra, rrofshin mësuesit. Rroftë arsimi. Ia bëfshim në kokë për vit, si ngahera.