Nga IDAJET JAHAJ/
Sa mallëngjim shkaktojnë vargjet e popullit për dertin e madh të kombit-atë të çështjes etnike! Me muzën e tij të madhërishme, ai i kënduar qëndresës heroike të shqiptarëve në shekuj dhe krenarisë për këtë mbijetesë. Janë shumë të njohura vargje të tilla – sintezë për Shqipërinë e flamurin:
Ç’bën, moj Shqipëri sërmaja?
Qysh të qiti haritaja,
Të shoi topi e mortaja,
Që kur është zënë dynjaja,
Lufton shtetet e mëdhaja,
Se kërkon flamur’ e saja…
A nuk gjëmoi e llamburiti edhe në fundin e shekullit që shkoi, lufta legjendare e kosovarëve për pavarësi e flamur? Ai flamur e ai gjak që u derdh për ‘të, u pa me admirim nga të pesë kontinentet e botës.
Sa aktualizim të përhershëm kanë shprehur e shprehin vargjet e famshme:
Shqipëri, shkëmb’ e gur,
Kështu ke qenë që kur,
Vrite, prite për flamur,
Pesëqind vjet e kusur,
Bota hiq e tinë vur…
Jo pak përpjekje ka sot në pjesë të tjera të Ballkanit që duan ta lenë në hije, ta eklipsojnë flamurin shqiptar, i cili drithëron në vatrat e në duart e popullit të pamposhtur. Por loti i madh i shqiptarëve për ndarjen etnike (që i bënë fuqitë e mëdha më 1913) pasqyrohet edhe në folklor me një epicitet tragjik të rrallë. I derdhi lumenjtë e gjakut populli, por atdheun ia copëtuan, duke i lënë pjesën më të madhe jashtë. Këtë tragjedi muza popullore e pasqyroi me tonet më elegjiake:
U mbëlodhë gjithë tok,
Tërë njësh-gegë e toskë,
I shtërnguan duart fort,
Rreth zhgabës me dy kokë…
Kështu më 1878-tën, me 1912 – tën etj, por më pas gjëma e madhe ndodhi: Kosova e Çamëria mbetën jashtë trungut amtar! (Ulqini u ish dhënë të huajve më përpara).
Ç’bën, e shkreta Shqipëri,
Rreth e rreth si në avlli,
Ndarë në katër sini…
Loti ka shprehur dertin, por edhe thirrjen, kushtrimin, mbajtjen gjallë të ndjenjës së atdhetarisë:
Qaj, Kosovë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë,
Ca Greqi, ca në Sërbi,
Jini këputur si zogjtë,
S’është e mirë ajo zoi,
Që jini ndarë me shokë…
Me ne do kini bashki,
Ësht’ e shkruar në Evropë.
Poeti popull kujton, por edhe mediton: Nuk mund të ekzistojë Shqipëria ashtu e coptuar (më katërsh!) si asnjë komb tjetër në botë! Ka kombe të tjerë, që janë ndarë në dy pjesë, po jo në katër!
Vetëm në fundin e shekullit të 20-të Shqipëria pati gëzimin e madh të çlirimit të një pjese të saj – të Kosovës. Po pjesët e tjera? Sa shekuj duhet të punojnë për ‘to, që t’i kthehen gjirit të MËMËS?
Çamëria martire, Çamëria e përgjakur dhe e shkulur, thërret në dhjetëvjeçarë:
-Pse po klan, moj Çamëri?
-Ç’të mos klaj, moj Shqipëri,
Gjithë huduti i Çamërisë
I mbeti resto Greqisë!
Dhe pastaj ajo vazhdon kushtrimin e mbijetesës nën dimrin e shovenëve të jugut:
Klajn’ Preveza me Janinë,
Klan Narta me Thesalinë,
Kërkon Shqipja Shqipërinë
S’rrojmë dot nën Greqinë!…
Dhe vaji çam për kombin e coptuar është i gjatë, drithërues, lebetitës:
…Pa shikoni varret tanë,
Për një pikëz ujë qajnë.
Në varret e të parëve tanë
Lulet e bari janë tharë!…
Aty lule duhen mbjellë,
Kombi ujë duhet të hedhë…
Në buzët e detit Jon,
Ku gjaku i shqipes kullon…
Pra, populli, nëpërmjet megafonit të madh të vargjeve kërkon vetveten, të drejtat e tij natyrore, të ligjshme. Duke prekur plagët e historisë së tij, ai evokon krenarinë e bukurinë e vetvetes, të historisë e etnisë:
Shënëdreu trembëdhjetë,
Më këmbë u ngrit vegjëlia.
Ç’e gjeti Sazan’ e shkretë?
Na e mori Italia!
Trëndafil me katër fletë,
E kish zili Evropia.
Aludimi është i qartë: Kur ish e bashkuar, me të katër vilajetet e saj së bashku, Shqipëria hijeshonte në Ballkan si komb e popull i barabartë me të tjerët. Me të katër vilajetet, pra, katër fletët e lules së rrallë – trëndafilit. Evropa e kish zili. Më pas, po ajo Evropë e coptoi, ia veçoi petalet. (Tashmë kohët kanë ndryshuar.)
Të tilla simbolika brilante gjen folklori për të shprehur dashurinë e madhe për këtë atdhe të shumëvuajtur. Populli ynë është humanist i vërtetë, demokrat e përparimtar. Kjo nuk thuhet për propagandë. Shtetet e afërt-fqinjë, por edhe të largëtit, i kanë shumë borxhe popullit tonë. Por ky, si demokrat e progresist që është, në natyrën e tij, nuk mban mëri me ta, përkundrazi, shpreh aq pastër, aq çiltër, me aq urtësi:
Ne jemi në tokën tonë,
Gjë të huaj nuk kërkojmë;
Gjitonët i lajmërojmë,
Mos na ngisni në punën tonë,
Ne duam demokracinë,
Me gjitonët – miqësinë…
E kështu, në linjën e vet, në filozofinë historike, populli ynë nënvizon atë që Udhëheqësi e flamurtari i tij i madh – Ismail Qemali, shkroi pas vitit 1913: “Kjo ndërtesë Ballkanike mund të forcohet vetëm me forcimin e Shqipërisë, e cila përbën kollonën e katërt që e mban”.