
Gezim Puka/
Luigj Gurakuqi ka një kontribut të madh në letërsinë shqipe. Kur themi këtë, kemi parasysh jo vetëm krijimtarinë letrare, por sidomos edhe atë në lëmë të metrikës. Në shumë raste nga historianë të letërsisë dhe studiues të tjerë të këtij autori “Vargnimit n’gjuhë shqype” i është dhënë vendi i parë, si vepra më e hershme, që trajton çështje të vargut dhe të masës së tij.
Kontributi i Gurakuqit me këtë vepër është i madh, sepse përmes këtij traktati vjen si autor i një vepre me vlerë, që mund të konsiderohet edhe sot mjaft serioze për shkencën e letërsisë. Qysh në parathënien e veprës, ai sjell kundërvënien e “vjershënim e vargënim: e para shenjon mjeshtrin e vjershës, n’vend qi e dyta difton menyren si me bâ vargjet, t’cilet, po thom per s’ri kane me kjêne vetëm çâshtje e vremejve t’ona.”
Siç shihet, tek e para vlerëson rolin e poetit, ndërsa tek e dyta njohjen e mirë të vargut që mund të shpjerë në shkrimin e mirë të poezisë. Mendojmë se ndihmesa e kësaj vepre është shumë e madhe edhe për shembullëzimin me vargje që na vijnë nga letërsia klasike evropiane, sidomos ajo e antikitetit. Kjo është një pikë shumë e fortë për dhënien e koncepteve dhe përkufizimeve për llojet e ndryshme të vargjeve. Në tekstin akademik të Historisë së Letërsisë Shqipe (botim i 1959) kjo vepër e Gurakuqit përgjithësisht vlerësohet, por konsiderata që shprehëm më sipër për fokusimin tek letërsia klasike jepet si pikë e dobët.
Citoj: “Nga një anë, libri i Gurakuqit konsakronte ndikimin e metrikës së huaj, veçanërisht italiane, mbi metrikën tonë gjatë Rilindjes; nga ana tjetër, ai e çonte edhe më tej këtë ndikim, duke propozuar mjete të reja artistike që s’ishin përdorur akoma nga poetët tanë. Vepra e tij qe një ndihmë e mirë për vjershëtorët. Ajo kishte një të metë të rëndësishme: nuk bënte as paraqitjen më të vogël të prozodisë sonë aq të pasur popullore, nuk tregonte mundësitë e mbështetjes së poezisë së re shqipe tek eksperienca e madhe e poezisë së popullit. Gurakuqi e nënvleftësoi këtë eksperiencë.”
Këtij konstatimi do t’i bashkohen mbase më përciptazi edhe studiues të tjerë si Mark Gurakuqi tek parathënia e tij kur shkruan: “…Veçse në kapitujt që merret me metrat klasike, s’jep shembuj nga letërsia jonë, po vetëm nga poezia latine. Në “Vargnim…” L. Gurakuqi për metrat që përdoren në poezinë tonë, shembujt që jep nga poezia e vendit, pa emra. Nganjiherë për vargjet jep shembuj toskënisht e gegnisht”.
Një tjetër studiues që ka një emërues të përbashkët me citimet e mësipërme është edhe Piro Tako. Tek monografia e tij “Luigj Gurakuqi” ai shprehet: “Negativisht në krijimtarinë e tij (d.m.th. Gurakuqit) ndikoi veçanërisht absolutizimi i letërsisë klasike e i klasicizmit. Ishte pushtuar kaq shumë prej Homerit, Virgjilit, Tirteut, Anakrontit, Pindarit, Tibulit, Horacit, Safos, Dantes etj… ”
Konstatojmë se këto citime nuk lidhen më të vërtetën. Autori përmes shembujve që ka sjellë e njeh mirë edhe vargun tonë popullor, por edhe të autorëve të kultivuar të kësaj letërsie. Teoritë e tjera të letërsisë që u botuan më vonë nga Justin Rrota, por edhe nga studiues e shkrimtarë që kontribuan në kohën e monizmit, i varfëruan këto tekste sidomos nga shpjegimi më cilësor i sistemit tonik të vargëzimit karakteristik për letërsinë klasike greke dhe romake. Shumë pak u morën këto tekste me stilistikën dhe metrikën antike. Pothuajse mungonin fare në to shembuj nga kjo letërsi dhe në gjuhën origjinale edhe pse në universitet, sidomos në programin e studimit gjuhë – letërsi studiohej latinishtja. Për të treguar këtë mungesë na u desh të hulumtonim në disa tekste teorie letërsie të botuar ndër vite.
Morëm si shembull disa tekste që studioheshin në shkolla të mesme dhe në universitete. Konkretisht: At Justin Rrota: Letratyra shqype – Për klasë e ulta të shkollavet të mjesme. Sterjo Spasse “Elementet e para të teorisë së letërsisë” dhe më vonë “Elementet e para të teorisë së letërsisë – Stilistika poetike”, e vitit 1964. Një tekst tjetër për shkollat e mesme është ai i Adriatik Kallullit dhe Musa Vyshkës “Njohuri mbi teorinë e letërsisë – Për shkollat e mesme” Tiranë, 1977. “Njohuri nga teoria e letërsisë”, e vitit 1986 ka si bashkautorë Enver Muhametaj, Koçi Petriti, Sami Xhango.
Janë edhe disa botime akademike që kemi marrë në konsideratë:
Tek “Bazat e teorisë së letërsisë”(Dispenca II), botim i Universitetit të Tiranës, 1972 i bashkautorëve Jakov Xoxa, Neki Lezha, Palok Kraja, trajtohen elementet e përgjithshme të vjershërimit. Tek njëra prej çështjeve flitet për sistemi antik metrik. Citojmë: “Modelet më të mira poetike të lashtësisë ne i gjejmë në letërsinë antike greke, e cila konsiderohet një nga majat më të larta të masivit poetik botëror.” Përmenden 30 lloje këmbësh në varësi të pozicionit të rrokjes së gjatë në raport me rrokjet e shkurtra brenda këmbës. Në këtë tekst citohet edhe vepra “Vargnimi…” e Gurakuqit.
“Duhet theksuar se Luigj Gurakuqi, teoricieni i parë i metrikës sonë, duke u nisur nga ekzistenca e mbeturinave të kuantititetit në zanoret e shqipes në gjuhën e shkrimtarëve të vjetër dhe më pak në gjuhën e kohës së vet (zanore të gjata e të shkurtra), ka hedhur mendimin e përdorimit të metreve antikë dhe ka shprehur keqardhjen për mungesën e tyre në sistemin tonë metrik, duke mos e parë kështu, gjuhën tonë në zhvillimin e saj përpara, drejt një gjuhe më strukturë krejt të ndryshme nga gjuhët e vjetra antike”.
Teksti i Vehbi Balës dhe Gjergj Zhejit: “Hyrje në shkencën e letërësisë” botim i Universitetit të Tiranës, nga faqja 53 – 147 tek kreu II trajton bazat e vjershërimit shqiptar. Sqarohen mirë sistemet e vargëzimit, edhe ai sasior. Zejnullah Rrahamni tek “Teoria e letërsisë”, në faqen 104-107 trajton sistemet e vargëzimit. Flitet për sistemin sasior të antikitetit.
Meqë shohim elementin formal të vargut dhe mëshimit të tij, të cilin Gurakuqi e vlerësoi mjaft tek klasikët, duket se ai e parandjeu rëndësinë që do t’i jepej formës në vargëzim edhe nga shkollat letrare që do të shfaqeshin në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të XX, sidomos nga formalistët rusë dhe shkollat e tjera gjuhësore letrare.
“Vargenimi n’gjuhe shcype” i Luigj Gurakuqit i botuar në vitin 1906 në Napoli ka një strukturë të tillë: Parathënie; njoftime paraprake; vargje e masë t’tyne; mbi vargjet klasike; Oroe mi vjersha shqipe të moçme; Mi vargje të ri 11 rrokëshi, 10 rrokëshi, 9 rrokëshi, 8 rrokëshi, 7 rrokëshi, 6 rrokëshi, 4 rrokëshi, 3 rrokëshi. Mi liri vjershore; Mi strofa, mi strofa klasike, mi gjasëramje, mi strofa t’reja; Mi gjuhë vjershore; Mi harmoni ndjekore.
Për vetë këtë paraqitje duket një vepër e mirë e teorisë së letërsisë. Gurakuqi shkruan: “Mi Varghé Klasike. Vargu klasik ásht i permlédhun preej kámesh, t’ tsilat bâhen preej rrokesh e keto preej gni a mâ shum shkrojish. Nuk âsht névoja t’ thona ketu ch’ ka jane e saa jane shkrojét; vetem do t’flasim pak mi xântoré, t’tsilat munn t’jeen t’ gjata, t’ shkurta e t’mjédisme”.
Shumë interesant është vendi që i jep Gurakuqi “veshit” apo shqisës së të dëgjuarit për ndijimin e artit të poezisë. Me këtë përmbledhje të metrikës ai mundi të përcjellë melodicitetin e vargut antik, por edhe atë të letërsisë shqipe, qoftë përmes shembujve nga krijimtaria popullore, qoftë edhe nga ajo e kultivuar. Gurakuqi shkroi një tufë poezish vetëm në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, duke eksperimentuar vetë i pari gjithë atë llojshmëri vargjesh që i njihte aq mirë. Asokohe sistemi letrar shqiptar ishte akoma shumë i varfër me prodhim të freskët letrar.
Letërsia e Rilindjes kishte shënuar vepra të mira përtej Adriatikut, ku Gurakuqi edhe kreu studimet. Meqë ishte nxënës i zellshëm i De Radës, duket se ai mori nga arbëreshi i madh dashurinë për vargun dhe përsosjen e tij. Poezitë e tij janë shumë të pasura përsa i përket metrikës. Përdor distikun tek “Madhnia e Zotit”, tercinën tek “Deka e Zanavet”. Përdor strofën katërvargëshe, gjashtëvargëshe, tetëvargëshe dhe nëntëvargëshe. E njeh shumë mirë epërsinë e tetërrokëshit në letërsinë tonë dhe e përdor atë në poezi, krahas vargut me numër tek rrokjesh që, siç dihet, është më i rrallë.
Ai përdor pesërrokëshin, shtatërrokëshin, njëmbëdhjetërrokëshin, katëmbëdhjetërrokëshin dhe vargje të tjera të përziera. I jep shumë rëndësi theksave ritmikë edhe në poezitë e tij dhe në këtë pikëpamje është shumë i saktë. Vlen të përmendet edhe larmishmëria e rimës që ai ka përdorur në poezinë e tij, si: AABB, ABAB, ABBA, ABABCC, ABABABCC, ABCABCDEE, ABCADBCDEE, ABABCCDDEE etj.
Mbase kjo është edhe arsyeja që “Vargnimin…” e mbajti aq gjatë nëpër duar si vepër. Qëllimi ishte për ta bërë atë një traktat estetik, që t’i shërbente mjeshtërisë së poetëve, për të shtuar prodhimin letrar të angazhuar aq fuqimisht edhe në çështjen e çlirimit kombëtar.