
Të dashur vatranë;
Të nderuar bashkatdhetarë;
Gëzuar 112 vjetorin e themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”.
Në këtë ditë historike dhe të lavdishme për shqiptarët e Amerikës në veçanti përkujtojmë me nderim e respekt të veçantë atërit që e themeluan Vatrën Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Kirka e të gjithë patriotët, atdhetarët e kontributorët deri në ditët e sotme.
Vatra e kombit tonë, e atdheut të begatë, e shpirtit kombëtar shqiptar, e historisë sonë të pasur e të lavdishme, Vatra e vlerave patriotike e atdhetare, e identitetit dhe trashëgimisë së shkëlqyer shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rroftë përjetë e mot duke qëndruar në piedestalin më të vyer të vlerave, historisë e lavdisë sonë si popull e si komb.
Historikisht roli dhe kontributi i Federatës Vatra për komb, atdhe e komunitet ka qenë jetik. Misioni i shenjtë i Vatrës për ti shërbyer atdheut dhe çështjes kombëtare e vazhdimësia historike dhe në ditët më të vështira, është frymëzim e krenari për çdo vatran e çdo shqiptar.
Përulje të thellë, mirënjohje të veçantë, nderim dhe respekt për çdo vatran e kontributor që nga themelimi e deri sot.
Vatra si bashkësi e shenjtë patriotike, intelektuale, morale dhe atdhetare i ka udhëhequr e frymëzuar shqiptarët e Amerikës e trojeve etnike shqiptare.
Vatra shërbeu si dalëzotëse e popullit, kombit e shtetit.
Vatra është e shenjtë pasi në çdo kohë në themel të veprimtarisë patriotike kishte interesin kombëtar dhe të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ata ishin.
Vatra është krenari kombëtare dhe identitare e çdo shqiptari ku jeton, vepron e punon.
Gëzuar përjetë e mot Vatër e shtrenjtë e kombit tonë.
Zoti e bekoftë “VATRËN”.
Zoti e bekoftë Amerikën, Shqipërinë e Kosovën.
Zoti i bekoftë shqiptarët dhe trojet tona etnike.
Me gëzim të veçantë
Kryetari i Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”
Dr. Elmi Berisha