*Kremtim solemn për 101 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë nga Bashkësia Shqiptar në New York me rrethina/
* Orkestra “Alba” e mjeshtrit Edmond Xhani, Gezim Nikaj, Arberie Hatergjonaj, KINO, Dea Elezaj, argetuan pjesamrresit e shumte/
* Violinçelistja e talentuar Gilberta Lucaj u duartrokit gjate per interpretim virtuoz/
Nga BEQIR SINA, Bronx New York/
BRONX – NEW YORK: Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA, shoqata më e vjetër në diasporë, në historinë e shqiptarëve të Amerikës, për një shekull e feston ditën e pavarësisë së Shqipërisë, me Bashkësinë shqiptare në New York,. Ajo ka përfshirë në këtë festë bashkësinë shqiptare, që të kremtojë me solemnitet ditën e Shtunë,101 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Restorantin Maestro’s në Bronz – Nju Jork.
Në traditën vatrane mblidhen për çdo 28 Nëntor, në një dark të përbashkët festive, shqiptarët e zonës së ashtuquajtur e “Tri-Shtetshit”, kushtuar Ditës së Flamurit – Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pothuajse të gjitha organizatat, shoqatat, dhe komunitetet fetare të tre besimeve në komunitetin shqiptarë të Amerikës – Kisha Katolike, Kisha Ortodokse dhe Xhamia e Nju Jorkut me mysafirë nga Shqipëria, Kosova dhe viset shqiptare.
Salla e madhe në lokalin e njohur shqiptarë për festa të tilla , Maestro’s, në Bronx Nju Jork, ishte e mbushur përplot me bashkatdhetarë, të cilët kishin ardhur nga gjithë zonat e Tri Shtetshit(New Jork, New Jersey, Connecticut) dhe më gjerë, për t’iu bashkuar festës, së organizuar nga vatranët në këtë solemnitet. Në mesin e pjesëmarrësve pati edhe personalitete të rëndësishme të komunitetit, lider dhe veprimtar, artistë, biznesmen, lider fetar, kryetarët të degëve të VATRES, nxënës shkollash dhe studentë, e të tjer.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit diplomatik të dy shteteve R. Shqipërisë dhe R. së Kosovës, zv/ambasadori Petrika Jorgji nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, dhe ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës. Kurse kishin ardhur edhe miq të Vatrës, nga Shqipëria, posaçërisht për të festuar së bashku me Vatranët; përfaqësuesi çamë në parlamentin shqiptarë zoti Tahir Muhedini, deputet i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, me bashkëshorten, si dhe znj. Eda Hyka sekretaria e ish Kryeministrit Berisha, z. Skënder Metalia, z. Artan Komani dhe z. Bislim Hjadarmetaj.
Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe të Shqiperise, u kenduan nga Dea Elezaj, shoqëruar prej orkestrës ALBA së drejtuar nga muzikanti i njohur Edi Xhani.
Emocionuese ishte këndimi i Hymnit kombëtar të SHBA : “The Star-Spangled Banner” , dhe Hymnit te flamurit Shqiptar, të një nxënëse shqiptare, e lindur dhe e rritur këtu në New York, Dea Elezaj : “Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshir‘ e një qëllim, të gjith‘ atij duk‘ ju betuar, të lidhim besën për shpëtim. Prej lufte veç ay largohet, që është lindur tradhëtor, kush është burrë nuk frikohet, po vdes, po vdes si një dëshmor!…”
Më pas me një minutë heshtje, për të nderuar kujtimin e dëshmorëve të kombit shqiptar, dhe për ushtarët amerikanë të rënë në luftërat për liri, paqe e demokraci, si dhe kundër terrorisimit ndërkombëtar, u shoqërua nga të pranishmit me qendrim në këmbë, në shenjë respekti dhe nderi.
Lutja fetare, ose bekimi i darkës, sipas traditës, u krye nga Pastor Fr. Nathan Preston – St. Nicholas Albanian Orthodox Church dhe Dom Pjetër Popaj famulitari i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – Hartsdale NY. I Përnd. Imam Edin Gjoni i cili për asrye shëndetësore nuk mori pjesë nga Qëndra Islame Shqiptaro Amerikane, Queens.
Mirëseardhjen të pranishmëve, dhe mysafirëve me një përshëndetje me rasti për nder të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ua urojë kryetari i Vatrës Dr Gjon Buçaj duke thënë : “Është me të vërtet një kënaqësi e madhe, kur në festën e flamurit – të shohim kaq shumë shqiptarë të festojmë së bashku në këtë sallë. Shpresojë, që në të ardhmen të bëhemi edhe më shumë në këtë gëzim gjithëshqiptarë. Ju urojmë të gëzoni festën dhe të kaloni një mbrëmje të gëzueshme Gëzuar 101 Vjetori i Pavarësisë” tha ai.
Kremtimin solemn të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e drejtojë Sekretari i Vatrës, zoti Asllan Bushati, i cili shpesh herë foli për rëndësin e madhe të kësaj feste.
Ndërkohë e përshëndetën edhe folësi kryesorë e kësaj feste ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës, zv/ambasadori Petrika Jorgji nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, përfaqësuesi çamë në parlamentin shqiptarë zoti Tahir Muhedini, deputet i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Dom Pjetër Popaj famullitari i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – Hartsdale NY dhe dërgoi një përshëndetje, ashtu si edhe asamblesiti i Nju Jorkut, zoti Mark Gjonaj..
Në fjalmin e mbajtur në darkën tradicionale të Vatrës dhe Bashkësisë shqiptare në New York, folësi kryesorë e kësaj feste, kësaj rradhe ishte ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës, i cili shprehu kënaqësin e tij të veçantë për të përcjellë përshëndetjet dhe urimet me të përzëmërta në këtë datë të rëndësishme, për të gjithë shqiptarët, në emër të Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal.
“Sonte e ndiej vetën shumë të nderuar, tha ambasadori Sejdiu, kjo për dy arsye të rëndësishme sipas tij : Së pari, është nder i veçantë për mua, si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës dhe si shqiptar i Kosovës, të jemë folës kryesor në 101 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Dhe, arsyeja e dytë; pse ndihem posaçërisht i nderuar është sepse këtë nderë ma bënë VATRA-simboli dhe pishtari i veprimtarisë kombëtare, politike dhe kulturore, të diasporës shqiptare në SHBA.
Mund ta imagjinoni, se si do ndiheshin pishtarët e Vatrës në Boston, një shekull më parë, po t’iu thoshte dikush se një herë dhe një kohë, Konsulli i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës në Nju Jork do mbajë fjalë rasti në 101 vjetorin e shpalljës së pavarësisë së Shqipërisë, në një mbrëmje festive të organizuar nga VATRA. Pra, është vështirë e paramendueshme se do mund të kishte satisfaksion më të madh moral për ta” tha ai.
Ndërkaq, duke folur për 28 nëntorin, 101 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Konsulli i Kosovës, zoti Sjediu, vuri në pah rëndesin e veçantë për ne shqiptarët, që shkon përtej shpalljës së pavarësisë së Shqipërisë; mbasi si tha ai kjo datë koinçidon me ngritjen e flamurit të Kastriotëve në Kalanë e Krujes; ditëlindjen e njërit prej heronjëve më të mëdhenjë të kombit shqiptarë, Komandantit legjendar Adem Jasharit, si dhe ditën kur për herë të parë është shfaqur publikisht UÇK-ja, në Llaushë të Drenicës.
Ambasadori Bekim Sejdiu tha mes të tjerave se :”Sot 101 vjet më vonë, ne kemi arsye të kremtojmë. Sepse, ne sot kemi arsye të kremtojmë, jo vetëm një ditë të madhe, si kjo por edhe të arritura të mëdha. Nuk është vetëm fakti që ekzistojmë, fizikisht dhe politikisht, tani si dy shtete të pavarura, që na bënë të kremtojmë. Arsyet për festim janë të mëdha: Shqipëria, theksojë ai është vend demokratik, anëtar i NATO’s dhe në rrugëtim të sigurtë drejtë anëtarësimit në BE. Kosova është shtet i pavarur në rrugëtim të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në strukturat Euro-Atlantike.”
Ai permendi gjatë fjalës së tij edhe faktin se shqiptarët në Ballkan flasin në emër të vetin dhe jo që nuk mund të nëpërkëmbën më nga askush, por janë shndërruar në një prej shtyllave kryesore të paqes, stabilitetit dhe politikës së fqinjësisë së mirë në rajon. Shqiptarët kudoqoshin në Ballkan janë bërë përques të fortë të frymës Evro-Atlanike në Ballkan.
“Shqiptarët po kthehën dhe po zënë vendin e merituar në mileun e qytetërimit Perëndimor, ka theksuar zoti Sjediu, aty ku e kanë patur vendin gjithmonë e nga ku janë shkëputur disa herë në zikzaget e historisë, qoftë nga pushtimet e huaja qoftë nga rreshtimet e gabuara ideologjike dhe gjeopolitike. Shtylla më e fortë e lidhjes tonë me familjen Evro-Atlantike është marrëdhënia jonë strategjike me SHBA-të. Sigurisht që diaspora shqiptaro-amerikane është ura më e fortë lidhëse e shqiptarëve të Ballkanit me SHBA-të. Ju duhet të vazhdoni ta luani këtë rol. Këtë munda ta bëni duke mos shkëputur lidhjen me identitetin etnik, si dhe duke forcuar lidhjen me familjen tuaj të re, përkatësisht me kombin zemër-madh amerikan i cili ju ka përqafuar ju, siç i ka përqafuar shqiptarët ndër shekuj.” tha në fjalën e darkës së VATRES , ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës,
Për të pranishmit, me një risi të re të këtyre darkave festive tha kryetari i degës së Vatrës në Queens, Dr. Skënder Myrtezani, do të luaj anëtaria më e re e shoqatës VATRA,Violinçelistja e talentuar Gilberta Lucaj, e cila ka dhënë koncerte në Carnegie Hall në Manhattan dhe që nga vitin 2006 është anëtare e orkestrës filarmonike të Nju Xhersit dhe vazhdon të japë koncerte në Carnegie Hall, Avery Fischer Hall. Gilberta, shtoi ai ka shkuar gjer në Korenë e Jugut dhe ka dhënë leksione për Hudson Valley Piano klub për dy vjet si dhe ka luajtur për studentët që kishin klasa masteri si dhe në Yo Yo Ma.Eshtë anëtare e grupit Monticelli Trio.
Më pastaj mbremja festive kaloi në programin muzikor të festimit, argëtimin e saj për të cilin disponoi me shumë profesionalizëm e mjeshtëri, orkestra muzikore e grupit Alba, në drejtimin e mjeshtrit Edmond Xhanit, me këngëtarët, Gëzim Nika, Kino Gara – Mithat Saliu me mysafire speciale kësaj mbrëmje festive këngëtaren mjaft popullore nga Kosova, Arbërie Hajdragjonaj.
Nëpërmjet këngëve, melodive e valleve të interpretuar prej tyre, ata sollën me plot embëlsi, kënaqësin e dëshiruar, në darkën e Vatrës me bashkësinë shqiptare, duke e bërë kremtimin solemn për 101 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë në New York me rrethina edhe më të bukur.