• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Përkujtohen tre heronjë të lirisë e pavarësisë

January 31, 2016 by dgreca

-Para 19 viteve, në 31 janar 1997, rrugës për realizimin e një misioni të veçantë, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së/
-Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli: Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë/
PRISHTINË, 31 Janar 2016/ Në Prishtinë po mbahet në këto momente sot Akademi Përkujtimore me rastin e 19 vjetorit të rënies së heronjëve të Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Akademia u organizua nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa në emër të institucioneve shtetërore foli ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli. Ai paralajmëroi transformimin së shpejti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.
“Jam thellësisht i bindur se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, gjatë këtij viti do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë.
Përmbushja dhe realizimi i këtyre objektivave të Forcave të Armatosura të Kosovës, paraqet plotësimin e një dëshire, jo vetëm të popullit të Kosovës, por edhe të Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe të gjithë luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të vendit tonë”, theksoi ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.
Në akademi foli edhe Rrustem Mustafa-Remi, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Llapit. Në emër të familjarëve të heronjve të pranishmit i ka përshëndetur Bajram Zejnullahu.
Delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e të cilit ishte kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri homazhe para shtatores së heroit Zahir Pajaziti në kryeqytet.
Para 19 viteve, në 31 janar 1997, rrugës për realizimin e një misioni të veçantë, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.
***
Kryetari Veseli nderoi dëshmorët Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
Sot, në 19-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, bëri nderime dhe vendosi lule pranë shtatores të heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Me këtë rast, kryetari Veseli e konsideroi janarin muaj që sjell rikujtesën e historisë tonë me shumë dhimbje, sepse nga shokët u ndanë një plejadë e tërë e patriotëve e heronjëve kombëtarë.
Në këtë vargan të historisë sonë të dhimbshme, theksoi kryetari Veseli, vend të veçantë zënë organizatori dhe komandanti i njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti me shokët e pandarë, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.
“Rënia e tyre, në fundjanarin e 1997-tës, rirreshtoi forcat çlirimtare, duke u dendësuar radhët dhe duke sjellë vlerën e sakrificës si dëshmi se liria është më e shtrenjtë se jeta. I përjetshëm është kujtimi për Zahirin, Hakifin dhe Edmondin. Lavdi dëshmorëve të kombit!”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Më pas, kryetari Veseli ka vazhduar për në fshatin Pestovë dhe ka bërë nderime pranë lapidarit të tre heronjve, në vendin e rënies së tyre.
Pas homazheve në Pestovë, kryetari Veseli vijon me vizita në Memorialin Përkujtimor “Zahir Pajaziti” në Orllan dhe në Lladofc./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: e pavaresise, Kosovë-Përkujtohen tre heronjë, të lirisë

Vatra dhe bashkësia shqiptare kremtuan me madhështi Ditën e Flamurit

December 1, 2013 by dgreca

*Kremtim solemn për 101 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë nga Bashkësia Shqiptar në New York  me rrethina/

* Orkestra “Alba” e mjeshtrit Edmond Xhani, Gezim Nikaj, Arberie Hatergjonaj, KINO, Dea Elezaj, argetuan pjesamrresit e shumte/

* Violinçelistja  e talentuar Gilberta Lucaj u duartrokit gjate per interpretim virtuoz/

Nga BEQIR SINA, Bronx New York/

BRONX – NEW YORK: Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA, shoqata më e vjetër në diasporë, në historinë e shqiptarëve të Amerikës, për një shekull e feston ditën e pavarësisë së Shqipërisë, me Bashkësinë shqiptare në New York,. Ajo ka përfshirë në këtë festë bashkësinë shqiptare, që të kremtojë me solemnitet ditën e Shtunë,101 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Restorantin Maestro’s në Bronz – Nju Jork.

Në traditën vatrane mblidhen për çdo 28 Nëntor, në një dark të përbashkët festive, shqiptarët e zonës së ashtuquajtur e “Tri-Shtetshit”, kushtuar Ditës së Flamurit – Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pothuajse të gjitha organizatat, shoqatat, dhe komunitetet fetare të tre besimeve në komunitetin shqiptarë të Amerikës – Kisha Katolike, Kisha Ortodokse dhe Xhamia e Nju Jorkut me mysafirë nga Shqipëria, Kosova dhe viset shqiptare.

Salla e madhe në lokalin e njohur shqiptarë për festa të tilla , Maestro’s, në Bronx Nju Jork, ishte e mbushur përplot me bashkatdhetarë, të cilët kishin ardhur nga gjithë zonat e Tri Shtetshit(New Jork, New Jersey, Connecticut) dhe më gjerë, për t’iu bashkuar festës, së organizuar nga vatranët në këtë solemnitet. Në mesin e pjesëmarrësve pati edhe personalitete të rëndësishme të komunitetit, lider dhe veprimtar, artistë, biznesmen, lider fetar, kryetarët të degëve të VATRES, nxënës shkollash dhe studentë, e të tjer.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit diplomatik të dy shteteve R. Shqipërisë dhe R. së Kosovës, zv/ambasadori Petrika Jorgji nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, dhe ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës. Kurse kishin ardhur edhe miq të Vatrës, nga Shqipëria, posaçërisht për të festuar së bashku me Vatranët; përfaqësuesi çamë në parlamentin shqiptarë zoti Tahir Muhedini, deputet i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, me bashkëshorten, si dhe znj. Eda Hyka sekretaria e ish Kryeministrit Berisha, z. Skënder Metalia, z. Artan Komani dhe z. Bislim Hjadarmetaj.
Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe të Shqiperise, u kenduan nga Dea Elezaj, shoqëruar prej orkestrës ALBA së drejtuar nga muzikanti i njohur Edi Xhani.
Emocionuese ishte këndimi i Hymnit kombëtar të SHBA : “The Star-Spangled Banner” , dhe Hymnit te flamurit Shqiptar, të një nxënëse shqiptare, e lindur dhe e rritur këtu në New York, Dea Elezaj : “Rreth flamurit të përbashkuar, me një  dëshir‘ e një qëllim, të gjith‘ atij duk‘ ju  betuar, të lidhim besën për shpëtim. Prej  lufte veç ay largohet, që është lindur tradhëtor,  kush është burrë nuk frikohet, po  vdes, po vdes si një dëshmor!…”

Më pas me një minutë heshtje, për të nderuar kujtimin e dëshmorëve të kombit shqiptar, dhe për ushtarët amerikanë të rënë në luftërat për liri, paqe e demokraci, si dhe kundër terrorisimit ndërkombëtar, u shoqërua nga të pranishmit me qendrim në këmbë, në shenjë respekti dhe nderi.

Lutja fetare, ose bekimi i darkës, sipas traditës, u krye nga  Pastor Fr. Nathan Preston – St. Nicholas Albanian Orthodox Church dhe Dom Pjetër Popaj famulitari i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – Hartsdale NY. I Përnd. Imam Edin Gjoni i cili për asrye shëndetësore  nuk mori pjesë nga Qëndra Islame Shqiptaro Amerikane, Queens.

Mirëseardhjen të pranishmëve, dhe mysafirëve me një përshëndetje me rasti për nder të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ua urojë kryetari i Vatrës Dr Gjon Buçaj duke thënë : “Është me të vërtet një kënaqësi e madhe, kur në festën e flamurit – të shohim kaq shumë shqiptarë të festojmë së bashku në këtë sallë. Shpresojë, që në të ardhmen të bëhemi edhe më shumë në këtë gëzim gjithëshqiptarë. Ju urojmë të gëzoni festën dhe të kaloni një mbrëmje të gëzueshme Gëzuar 101 Vjetori i Pavarësisë” tha ai.

Kremtimin solemn të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e drejtojë Sekretari i Vatrës, zoti Asllan Bushati, i cili shpesh herë foli për rëndësin e madhe të kësaj feste.

Ndërkohë e përshëndetën edhe folësi kryesorë e kësaj feste  ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës, zv/ambasadori Petrika Jorgji nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, përfaqësuesi çamë në parlamentin shqiptarë zoti Tahir Muhedini, deputet i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Dom Pjetër Popaj famullitari i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – Hartsdale NY dhe dërgoi një përshëndetje, ashtu si edhe asamblesiti i Nju Jorkut, zoti Mark Gjonaj..

Në fjalmin e mbajtur në darkën tradicionale të Vatrës dhe Bashkësisë shqiptare në New York, folësi kryesorë e kësaj feste, kësaj rradhe ishte ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës, i cili shprehu kënaqësin e tij të veçantë për të përcjellë përshëndetjet dhe urimet me të përzëmërta në këtë datë të rëndësishme, për të gjithë shqiptarët, në emër të Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal.

     “Sonte e ndiej vetën shumë të nderuar, tha ambasadori Sejdiu, kjo për dy arsye të rëndësishme sipas tij :  Së pari, është nder i veçantë për mua, si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës dhe si shqiptar i Kosovës, të jemë folës kryesor në 101 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

      Dhe, arsyeja e dytë; pse ndihem posaçërisht i nderuar është sepse këtë nderë ma bënë VATRA-simboli dhe pishtari i veprimtarisë kombëtare, politike dhe kulturore, të diasporës shqiptare në SHBA.

  Mund ta imagjinoni, se si do ndiheshin pishtarët e Vatrës në Boston, një shekull më parë, po t’iu thoshte dikush se një herë dhe një kohë, Konsulli i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës në Nju Jork do mbajë fjalë rasti në 101 vjetorin e shpalljës së pavarësisë së Shqipërisë, në një mbrëmje festive të organizuar nga VATRA. Pra, është vështirë e paramendueshme se do mund të kishte satisfaksion më të madh moral për ta” tha ai.

    Ndërkaq, duke folur për 28 nëntorin, 101 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Konsulli i Kosovës, zoti Sjediu, vuri në pah rëndesin e veçantë për ne shqiptarët, që shkon përtej shpalljës së pavarësisë së Shqipërisë; mbasi si tha ai kjo datë koinçidon me ngritjen e flamurit të Kastriotëve në Kalanë e Krujes; ditëlindjen e njërit prej heronjëve më të mëdhenjë të kombit shqiptarë, Komandantit legjendar Adem Jasharit, si dhe ditën kur për herë të parë është shfaqur publikisht UÇK-ja, në Llaushë të Drenicës.

      Ambasadori Bekim Sejdiu tha mes të tjerave se :”Sot 101 vjet më vonë, ne kemi arsye të kremtojmë. Sepse, ne sot kemi arsye të kremtojmë, jo vetëm një ditë të madhe, si kjo por edhe të arritura të mëdha. Nuk është vetëm fakti që ekzistojmë, fizikisht dhe politikisht, tani si dy shtete të pavarura, që na bënë të kremtojmë. Arsyet për festim janë të mëdha: Shqipëria, theksojë ai është vend demokratik, anëtar i NATO’s dhe në rrugëtim të sigurtë drejtë anëtarësimit në BE. Kosova është shtet i pavarur në rrugëtim të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në strukturat Euro-Atlantike.” 

       Ai permendi gjatë fjalës së tij edhe faktin se shqiptarët në Ballkan flasin në emër të vetin dhe jo që nuk mund të nëpërkëmbën më nga askush, por janë shndërruar në një prej shtyllave kryesore të paqes, stabilitetit dhe politikës së fqinjësisë së mirë në rajon. Shqiptarët kudoqoshin në Ballkan janë bërë përques të fortë të frymës Evro-Atlanike në Ballkan.

     “Shqiptarët po kthehën dhe po zënë vendin e merituar në mileun e qytetërimit Perëndimor, ka theksuar zoti Sjediu, aty ku e kanë patur vendin gjithmonë e nga ku janë shkëputur disa herë në zikzaget e historisë, qoftë nga pushtimet e huaja qoftë nga rreshtimet e gabuara ideologjike dhe gjeopolitike. Shtylla më e fortë e lidhjes tonë me familjen Evro-Atlantike është marrëdhënia jonë strategjike me SHBA-të. Sigurisht që diaspora shqiptaro-amerikane është ura më e fortë lidhëse e shqiptarëve të Ballkanit me SHBA-të. Ju duhet të vazhdoni ta luani këtë rol. Këtë munda ta bëni duke mos shkëputur lidhjen me identitetin etnik, si dhe duke forcuar lidhjen me familjen tuaj të re, përkatësisht me kombin zemër-madh amerikan i cili ju ka përqafuar ju, siç i ka përqafuar shqiptarët ndër shekuj.” tha në fjalën e darkës së VATRES , ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës,

Për të pranishmit, me një risi të re të këtyre darkave festive tha kryetari i degës së Vatrës në Queens, Dr. Skënder  Myrtezani, do të luaj anëtaria më e re e shoqatës VATRA,Violinçelistja  e talentuar Gilberta Lucaj, e cila ka dhënë koncerte në Carnegie Hall në Manhattan dhe që nga vitin 2006 është anëtare e orkestrës filarmonike të Nju Xhersit dhe vazhdon të japë koncerte në Carnegie Hall, Avery Fischer Hall. Gilberta, shtoi ai ka shkuar gjer në Korenë e Jugut dhe ka dhënë leksione për Hudson Valley Piano klub për dy vjet si dhe ka luajtur për studentët që kishin klasa masteri si dhe në Yo Yo Ma.Eshtë anëtare e grupit Monticelli Trio.

Më pastaj mbremja festive kaloi në programin muzikor të festimit, argëtimin e saj për të cilin disponoi me shumë profesionalizëm e mjeshtëri,  orkestra muzikore e grupit Alba, në drejtimin e mjeshtrit Edmond Xhanit, me këngëtarët, Gëzim Nika, Kino Gara – Mithat Saliu me mysafire speciale kësaj mbrëmje festive këngëtaren mjaft popullore nga Kosova, Arbërie Hajdragjonaj.

Nëpërmjet këngëve, melodive e valleve të interpretuar prej tyre, ata sollën me plot embëlsi, kënaqësin e dëshiruar, në darkën e Vatrës me bashkësinë shqiptare, duke e bërë kremtimin solemn për 101 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë në New York me rrethina edhe më të bukur.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: 101 vjetorin, e pavaresise, festuan, Vatra me bashkesine shqiptare

NE 100 VJETORIN E PAVARESISE SHQIPTARET VERSHUAN NE TIMES SQUARE

November 29, 2012 by dgreca

Nga Times Square Beqir Sina/
 
Zyrtarët e lartë të qytetit Manhattan Borough President Scott M. Stringer, Bronx Borough President Ruben Diaz Jr dhe Assemblymember Mark Gjonaj – Avokati Stephen (Stivi) Kaufman, ish-zyrtar i bashkisë së Nju Jorkut, festuan së bashku me shqiptarët në sheshin më të madh në botë – në zemër të New Yorkut, Times Square./

MANHATTAN NEW YORK CITY : Në Shtetet e Bashkuara, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët me madhështi shënuan ditën e tyre të pavarësisë. Çdo gjë kulmoi dje mbasdite deri në orët e vona të mesnatës në kryeqendrën e botës në New York. Për disa orë  sheshi u “pushtua” nga shqiptarët dhe në mes të sheshit u dha një koncert me këngë dhe valle shqiptare. Grupet e djemëve dhe vajzave  me kostume folklorike kënduan dhe vallëzuan shqip në ritmin e daulles – Ngado që të shihje në shesh dukej vetëm flamuri kuq zi icili valvitej nga shqiptarët plot gëzim dhe e kishte  ndezuar sheshin kuq e zi. 

Në ndërkohë NASDAQ do t’ua uronte shqiptarëve 100 vjetorin e pavarësisë teksa njëra nga tabelat e mëdha elektronike, të saj  në sheshin Times Square në Manhattan do të shfaqete “befasisht” me një ndriçim vezullues flamurin shqiptar dhe do të shkruhej :”Happy Birthday Albania ” 
     Në këndin kryesorë ishte vendosur tribuna e improvizuar ku zyrtarët e lartë të qytetit Manhattan Borough President Scott M. Stringer, Bronx Borough President Ruben Diaz Jr dhe Assemblymember Mark Gjonaj – Avokati Stephen (Stivi) Kaufman, ish-zyrtar i bashkisë së Nju Jorkut, festuan së bashku me shqiptarët në sheshin më të madh në botë – në zemër të New Yorkut, Times Square. Ata ishin mysafirë të nderuar  të rreth një mijë shqiptarëve të cilët u mblodhën në këtë shesh për t’a “ndezur” kuq e zi – edhe këtë shesh të famshëm të qytetit New Yorkut, si në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku shqiptarët festuan me madhështi 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë,
    Shqiptarët, e “Tri Shtetshit” nga New Yorku, New Jesey dhe Connecticut,  bijtë dhe bijat e Shqipërisë në Amerikë u mblodhën së bashku në festimin e tyre të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në ndërkohë që  një billboard e madhe në sheshin Times Square, aty ku çdo vit bie nga shtiza globi i viti të ri, u ndriçua për të përkujtuar këtë rast “Ditëlindjen e Shqipërisë – Happy Birthday Albanai”. Ndërkohë në shesh valviteshin flaujt kuq e zi dhe grupet e vallëtarëve të veshur me kostumet popullore këndonin së bashku me të rinjët e të rejat këngë valle shqiptare.

     Organizatori, Fondacioni i shoqërisë Shqiptaro-Amerikane  nderojë me këtë rast  post-mortum personalitet e Ismail Qemalit, Adem Jasharit dhe Tahir Sinanit si edhe veprimtarin e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëri nga zyrtarët e Zërit të Amerikës, Dr. Elez Biberaj(Director of Eurasia Division, VOA ). Çertifikatën e nderit e mori i biri i tij Ken Biberaj – i cili ka vendosur kandidaturën për anëtar të Këshillit Bashkiak të Qytetit të Nju Jorkut.

     Mes pjesmarrësve ishin një numër i madh i lederve të komunitetit shqiptarë, gazetarë, artistë, nxënës shkollash, studentë, klerikët e dalluar të komunitetit si dhe shumë personalitete të rëndësishme, biznesmen dhe afaristë të njohur të komunitetit shqiptarë në Amerikë, diplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë në New York dhe Washington,  si edhe Ylli i i Vallëzimit Tony Dovolani si dhe aktoria e famshme me origjin shqiptare Drita Davanco
   Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, u kënduan nga këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Merita Halili, shoqëruar prej orkestres së drejtuar nga mjeshtri i firzamonikës Raif Hyseni.

   Festimi i shqiptarëve në sheshin e famshëm Times Square arriti në ekstazin e tij – kur çdo gjë në shesh ishte ndezur vetëm Kuq e Zi dhe kudo dëgjohej “ushtima” korale e këtyre mijra njerëzve që gëzonin me mënyrën e tyre dhe borhorsinin vazhdimisht  “Albania – Albania – Shqipëri Shqipëri  – Shqipëri Etnike – Shqipëri Etnike”.
 Presidenti i qytetit të Manhattanit Scott Stringer me këtë rast për të nderuar  100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ka nderuar disa prej këtyre udhëheqësve të shquar të komunitetit  duke lëshuar një dekret të veçantë(Proklamat) e cila deklaron një shpallje zyrtare, e cila njeh me këtë rast “Ditën e festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Qyetetin e Manhattan – New Yorkut”.

 “Shqiptaro-amerikanët janë përcaktuar nga një angazhim të fortë ndaj diversitetit etnik, pluralizmit fetar dhe lirisë fetare,e përcaktuar për lirinë për të gjithë qytetarët e saj ,në këtë qytet i cili në “miniaturë” është e gjithë bota” tha Presidenti i qytetit të Manhattanit Scott Stringer,  duke shtuar se “Pothuajse 40 për qind e njujorkezëve janë të lindur jashtë këtij qyteti – madje edhe përtej oqeanit dhe shqiptarët ashtu si komunitetet e tjera janë një pjesë e rëndësishme e këtij metropol i botës, dhe qytet i të gjitha racave dhe kombësive të botës.”

  “Unë jam krenar për të u bashkuar sot me miqtë e mi në komunitetin shqiptar dhe më tej për të festuar këtë moment të rëndësishëm, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Komuniteti shqiptar vazhdon të rritet dhe është në zhvillim, dhe suksesi i tyre është i pranishëm kudo në New York dhe të 5  qytetet, Brooklyn, Staten Island, Queens, Manhattan, dhe Bronx. Këto qytete janë bërë shtëpi e dytë për popullsinë më të madhe shqiptare në New York City, dhe në këtë ditë feste e madhe për të gjithë shqiptarët ne rikonfirmojmë së bashku angazhimin tonë për të punuar me komunitetin shqiptar për të ndërtuar dhe forcuar këtë qytet tha Bronx Borough President Ruben Diaz Jr . 
     “Ne jetojmë në vendin më të madh në botë, një vend që ju lejon për të festuar trashëgiminë dhe kulturën tuaj, ndërsa duke u bërë një anëtar produktiv i shoqërisë amerikane – një Assemblymen tregojmë se jemi pjesë vitale dhe e integruar e këtij vendi të bekuar nga Zoti  “, tha Mark Gjonaj i cili është shqiptari i parë në këto 100 vjet pavarësi që në Amerikë, që zgjidhet në një post kaq të lart të qytetit të New Yorkut.. “Në këtë ditë të rëndësishme, tha Gjonaj ua uroj shqiptarëve në të gjithë botën – për një festë të lumtur për këtë përvjetor 100 e cila është një ditë krenarie edhe për ne shqiptarët e Amerikës dhe natyrisht shqiptarët në mbarë botën. ”

     “Ditë historike për komunitetin shqiptar. Shqiptaro-amerikanët të cilët kanë kontribuar aq shumë në qytetin tonë të gjallë, dhe është e natyrshme që njujorkezët janë sot duke festuar 100 vjet të pavarësisë së Shqipërisë, dhe duke e shënuar me këtë manifestim të veçantë në “zemër” të qytetit të New Yorkut, këtë festë. Bizneset e shqiptarëve dhe shpirtit sipërmarrës, ka ndihmuar të rritet ekonomia e qyteti tonë dhe ndjenja e tyre e detyrës qytetare dhe aktet e mirësisë kanë bërë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e ndryshimeve në këtë qytet, i cili është më i zhvilluari në botë. Është privilegji im të bashkohem me ju shqiptarët e New Yorkut, në festimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë “, tha Avokati Publik Bill de Blasio.

     “Në këtë rast i rëndësishëm, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane – ngjarja më e madhe deri tani në historinë krenare të Shqipërisë – po shënohet me madhështi mbasi duhet të faleminderojmë së pari Manhattan Borough President Scott M. Stringer i cili “na ka hapur përsëri dyert e Broadway dhe e “lëshoi” për të festuar në shqiptarët sheshin Times Square “, tha Esad Rizai, Themelues i Fondacionit Shqiptar të Shoqërisë Amerikane. 
     “Kjo festë po shënohet tha zoti Rizai me gëzim dhe nder nga shqiptarët kudo, edhe këtu në Shtetet e Bashkuara dhe nëpër në botë. Scott M. Stinger ka treguar përsëri përkushtimin e tij ndaj popullit shqiptar, dhe ne e dimë që ai me krenari qëndron pranë nesh si ne të festojmë këtë ditë të madhe. Në frymën e Besës si na mësuan të parët tanë dhe etërit tanë, këtu në Amerikë, Shqipëtarët kudo që janë sot dhe ju vlon gjak shqiptari,  shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë dhe një falënderim për mikun ton të madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ”

     “Në këtë ditë, shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në botë po festojnë me gëzim dhe krenari të ligjshme këtë njëqindvjeçar i Deklaratës së Pavarësisë”, tha Ambasadori Ferit Hoxha, Shefi i Misionit të Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Nju Jork, duke përshëndetur tubimin e shqiptarëve në sheshin Times Square së bashku me Konsullin e Përgjithëshëm i Shqipërisë në New York zoti Dritan Mishto, të cilët ishin pjesë e këtyre organizimeve në New York.    “Pavarësia ishte rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve për liri e pavarësi e cila pati mbas vetes edhe mbështetjen e vërtetë nga populli miqësorë, në radhë të parë ky vend i bekuar i Shteteve të Bashkuara Amerikës. Unë jam veçanërisht mirënjohës Presidentit Scott Stringer dhe stafit të tij, për zellin që treguan në bashkë-organizimin e kësaj ngjarje, në këtë vend – në këtë qytet dhe në këtë shesh në një botë mitike. Unë e konsideroj këtë ngjarje në qytetin e dritave të shumëllojshme dhe shumëngjyrshe, në një vend  dhe shesh që gjithmon dhe kudo shkëlqen nga madhështia, një ngjarje të veçantë që na bëri edhe më krenar për të qenë shqiptarë. ”

 

Filed Under: Kronike, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, e pavaresise, ne 100 vjetorin, ne Times Square, shqiptaret, vershuan

DOLI NGA SHTYPI NUMRI SPECIAL I DIELLIT ME 108 FAQE

November 23, 2012 by dgreca

Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, natën e së shtunës të 24 Nëntorit 2012,doli nga shtypshkronja Gazeta Dielli, edicion i special. Gazeta ka 108 Faqe. Ky është botimi i dytë brenda një viti(2012) kur Dielli botohet me 108 faqe. Botimi i parë u bë me 28 prill 2012 me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, ndërsa i dyti, është ky i tanishmi.

Në ballinën e gazetës më të vjetër të botës shqiptare, DIELLI, e cila botohet në SHBA që prej 15 shkurtit 1909, 103 vite të shkuara, është vendosur një portret i Atit të Shtetit të Pavarur, Ismail Bej Qemal Vlora, veper e realizuar nga Eltjon Valle 2012, koleksion privat i Z. Renato Skenderi.

   Editoriali i Diellit i kushtohet këtij jubileu të madh dhe mban titullin”100 vjet shtet”, Përshëndetja e sekretares Hillary Clinton zë vend të dukshëm, për t’ia lënë vendin materialeve dhe dosierëve historikë në shqip dhe anglisht, që i kushtohen përvjetorit të njëqind të Pavarësisë dhe Ismail bej Qemalit. Nëpër faqet e Diellit parakalojnë figura historike që kanë zënë vend në këta 100 vjet, si Isa Boletini, Dom Nikollë Kacorri, Vehbi Dibra, Mithat Frashëri, Ahmet Zogu, Fan s Noli, Faik Konica, Mehmet Pashë Dërralla, Thanas Floqi, Dedë Gjo Luli, Ali Pashë Gucia,Adem Jashari, Sali Gjuka, Babë Dudë Karbunara, Ferit Vokopola, Bajram Curri, Elez Isufi, Gjeneral Telini, Bajram Daklini, publikohet historia e Flamurit Kuq e Zi nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu deri më sot, Histori te Plaves dhe Gucise, Kryengritja e Shkupit, Historia e burrave që udhëhoqën Shqipërinë, publikohet historia e marrdhënieve të Vatrës me Ismail Qemalin, një speciale për Charls Telford Ericson, për priftim martir Papa Kristo Negovani, fjalimi i Nolit në Lidhjen e Kombeve dhe Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës, një speciale për dëshmorin e lirisë Vezir Ademaj, si dhe nje special per heroin Agim Ramadani,botohen reportazhe nga festimet në SHBA etj. Për herë të parë zbardhet e plotë vizita e presidents se Kosoves dhe e dy Kryeministrave shqiptare me 12 nëntor 2012 në Kullën e Rrustem Gecaj në Llukë të Decanit, botohet një speciale me figura të Camërisë, botohet krijimtari letrare etj. Në këtë numër shpalosen edhe histori të shqiptarëve të Amerikës; si dhe nis botimi i Listave te dhurimeve të vatranëve nën moton “Të shpëtojmë Shqipërinë” -3 Qershor 1917. Në këtë numër botohen edhe urime nga vatranë dhe degët e Vatrës, ku rekordin e mban Dega e vatrës në Michigan.urime kanë publikuar në Dielli edhe shumë prej bashkatdhetarëve dhe institucionet fetare.

Gazeta DIELLI përvec se do të dergohet tek abonentët në shtete të ndryshme të Amerikës, në shitje mund ta gjeni ën shitoret e Bronxit, ajo do të jetë e pranishme edhe në darkën e  Vatrës dhe Bashkësisë Shqiptare kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë, që organizohet të dielën e 25 nëntorit 2012 në Restorantin Maestros, ku është konfirmuar një pjesmarrje shumë e madhe.

I falenderoj te gjithe ata qe paten miresine te na ndihmonin ne kete numer special , reklamuesit, degen e Vatres ne Michigan, bashkepunetoret, dhe ne menyre te vecante,  dizajnerin Danny BLLOSHMI dhe konsulentin Yoshi Waterhouse nga Vignelli Associates Designer Firm. Ky numer ka nje faqosje special.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: dalip, Dielli Special, e pavaresise, greca, per 100 vjetorin

10 KALORËSIT E PAVARËSISË MARSHOJNË DREJT VLORËS

November 22, 2012 by dgreca

Dhjetë kalorës, mes tyre edhe një vajzë që e thërrasin “Shotë”,te merkuren me 21 Nentor, kanë kaluar doganën e Morinit /

 Nga Sulejman Dida/

 Dhjetë kalorës janë nisur nga Kosova drejt Vlorës si 100 vjet më parë. Një mënyrë kjo për të kujtuar delegacionin me në krye Isa Boletinin, që u nis të merrte pjesë në ngjarjen historike. Flamurtari i grupit, Artan Nikiqi, tregon se grumbullimi është bërë në Prishtinë ditën e martë, ndërsa dje kanë marrë rrugën në orën 06.00 të mëngjesit. “Jemi nisur në mëngjes herët nga Prishtina, në drekë kemi bërë një pushim në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit e bujtjen do ta bëjmë në Kukës”, thotë Artani duke shtuar se gjithçka është programuar deri në detaje për të mbërritur në datën 28 Nëntor në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Në ditën e parë, “kalorësit e pavarësisë” kanë përshkuar rreth 120 kilometra nga Prishtina në Kukës, ndërsa qindra kilometra të tjera do të përshkohen në ditët në vijim. Enver Raça nga Prishtina (Obiliqi) thotë se në përbërje të grupit janë përfaqësues nga krahinat kryesore të Kosovës, Mitrovica, Karadaku, Rrafshi i Dukagjinit, etj., dhe se pranimi në grupin e kalorësve nuk ka qenë një detyrë e lehtë. “Kemi nisur përgatitjet pesë apo gjashtë muaj më herët dhe janë pranuar vetëm personat që dinë të kalërojnë, që janë të fortë dhe që i shkojnë me të vërtetë një delegacioni si atë kohë”, thotë Raca. Itinerari i udhëtimit nuk është nëpërmjet tunelit, por rrugës së vjetër nga Puka, gjithkund në gjurmën ku eci Isa Boletini me delegacionin e Kosovës 100 vite më parë. Ata do të kalojnë malet e Kalimashit, të Shën Mërisë, të Gdheshtës e Qafës së Malit e kështu me radhë. Në ndalesën e tyre të shkurtër në doganën e Morinit, një vajzë emigrante nga Zvicra, të cilën e thërrasin Shotë (në kujtim të Shote Galicës) bën në emrin e tyre formalitetet e duhura doganore. Një prej tyre thotë: “Ah, çou bre baca Isë, çou bre baca Isamil Qemali dhe ti Hasan Prishtina”. Iniciativën private të këtij grupi kalorësish e ka mbështetur një fermë private kuajsh hipizmi në afërsi të Prishtinës, si dhe një agjenci kosovare e turizmit alternativ.(Kortezi-Shqip)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 10 kaloresit, e pavaresise, Sulejman Dida

Artikujt e fundit

  • Rrulat e Detit të Vdekur ndryshuan kuptimin tonë për Biblën. Ato mund të jenë disa prej tyre edhe më të vjetra nga sa mendonim?
  • MEDIA SHQIPTARO – KANADEZE NË PEISAZHIN MEDIATIK KANADEZ – “TV PASQYRA SHQIPTARE”, TELEVIZIONI I SHQIPTARËVE TË KANADASË
  • Çlirimi i Kosovës – 12 Qershor 1999: Një kthesë historike drejt lirisë dhe shtetndërtimit
  • Nga diaspora në atdhe: Homazhe dhe përurime në Prishtinë për nder të 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës
  • “26th anniverssary of Kosova Liberation: a sucsesfull democratic state-buidling story”
  • Kulti i vëllezërve martirë – nga Flori e Lauri te Muji e Halili  
  • Here is our day-to-day schedule for the Albanian Film Festival 2025!
  • 7 senatorë për t’u ndjekur kur republikanët bëjnë ndryshime në projektligjin e madh të Trump
  • 100 vjet kisha ortodokse shqiptare e Shën Gjergjit në Trumbull Connecticut
  • AKTI BARBAR I VRASJES SË NXËNËSVE NË GRAC, DHEMBJE E MADHE  
  • “Tërbimi Ariut Polar nga breshëri i Dronëve të Ukrainës”!
  • GJON MILI – PARARENDËSI I “FOTOVE SELFIE”
  • RRETHANAT HISTORIKO-POLITIKE QË ÇUAN NË THEMELIMIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZERENIT MË 10 QERSHOR 1878
  • Përballë një bote në ndryshim…
  • “DITA E ÇAMËRISË” NË GJILAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT