• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në 100 Vjetorin e Dr.Lazer Radit, rinisim një melodi të pakëndueme

January 30, 2016 by dgreca

*(Bardit të kulturës shqiptare që u burgos dhe u internua familjarisht për 50-të vjet)/
*Gladiatorë, Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë/ jo për fatin e keq të skllavit/ as për mallkimin e ndëshkimit/ veç për atë qëndrim të ulët/ të nënshtruem e lajkatar/ atje poshtë në fund të arenës:/ Ave Cesar/ Ave Cesar!-Dr.Radi/
Nga Keze Kozeta Zylo/ New York/
Deri më sot nuk kam pasur ndonjë mik me moshë 100 vjet dhe kaq të afërt sa Dr.Lazer Radi që pikërisht në këtë datë më 29 Janar, 2016, të shënojë 100 vjetorin e lindjes së Tij.
Eshtë një memorje sa e bukur, po aq dhe ngjethëse në tërë kuptimin e fjalës, sepse kujton një shkrimtar të burgosur, internuar, përkthyes, publicist, gazetar, një burrë me plot elegancë dhe sqimë në të parë dhe të vepruar, një shqiptar që i peshonte fjala sa kalaja e Prizrenit, nga dhe kishte origjinën.
Duke e kujtuar sot nga dritarja me xhamat e akullt që sjellë refleksion me bardhësi bore nga Nju Jorku më duket sikur jam në një botë të ëndërrt, mistike, të pakapshme që gati gati kam takuar një shenjtor, Hyjni ardhur nga një planet tjetër, nga një planet që e krijonin vetëm ky soj njerëzish të rrallë si Dr.Lazer Radi.
Nuk e di pse më duket e çuditshme por edhe me shumë fat, që kam takuar një burrë gjigand që kishte jetuar Ferrin krijuar nga diktatura më e egër europiane, e cila e kishte burgosur dhe internuar për tërë jetën. Ai vinte nga ferri që dhe vetë Dantja mund të çmendej në se takohej me Dr.Radin, dhe me siguri do të krijonte rrethin tjetër të Ferrit ndoshta të quajtur, rrethi i zi hoxhist…
Une ishja një mesuese e thjeshtë në Tirane plot ëndrra të fshehta dhe reale, një mësuese që më kishte sjellë fati në kryeqytet, sepse vija nga rrethi i nje lloji tjetër skllavërimi si ai i fshatit, me nje barrë dhimbje në shpinë që e kam akoma si gungë, punën e rëndë të nënës sime, etj…, njohja imtësisht me Tiranen dhe fshatin, dallimet esenciale midis, ndoshta të gjitha këto dhe shumë ëndrra imagjinare më bën që të mbështetja energjjikisht demokracinë me të gjitha mundësitë e mia dhe të familjes sime…
Si në ëndërr kishja takuar njeriun që ishte mbyllur në rrethin e ferrit komunist, njeriun me botë të jashtëzakonshme, njeriun plot kulturë qytetarie. Ishte një ditë e mjergullt tirane nje ditë nga ato që lulet ndezëse të saksive kishin dhe pak ngjyrë meiti të pemëve të mimozave të bulevardit që dukeshin si llambushka të verdha ndriçimi dhe që bënin dritë në verbërinë kryeqytetase…
Takimi me Dr.Radin pranë shtëpisë së tij me qira nën hijen e një pjergulle me gjethe jeshile dhe disa pika me ngjyrë bakri midis, të krijonte përshtypjen se po takoje herë Sokratin dhe herë De Radën e mërguar, që tri shkronjat e para të mbiemrit si prej Perëndie i kanë të përbashkëta…
Ishte nje takim i lidhur nëpërmjet Partisë Demokristiane të Shqipërisë e cila ishte e treta pas demokratikes dhe republikanes dhe që ngelet plot kujtime sfiduese në radhën me të tjerat. Momentin e parë të prezantimit e kam shumë domethënës, por s’do të thotë se mund të jetë vendimtar për miqësi, por tek Dr.Radi ngeli vendimtar. Ai dukej si një shtegtar, si Krishti që zbriti në varr dhe pastaj erdhi ringjallja e tij. Ndonëse Dantja në Ferr kishte për udhërrëfyes Virgjilin, shqiptari Radi kishte për udhërrëfyes librin, diturinë që ja mbajtën shpirtin plot jetë dhe dritë.
Me këtë dritë si rreze dielli që vinin nga shpirti i një njeriu me botë të lirë sa vetë qielli u ndriçua sadopakëz tuneli i errët dhe i pafund ku kishim rënë.
Ai vinte nga Savra e Lushnjës, në fund të viteve 90-të nga izolimi total që iu kishte bërë regjimi hoxhist, ai vinte midis nesh si një stinë pranvere që po shpërthente pas një dimri të egër dhe të gjatë…
Artikujt e shumtë publicistik, përkthimet, librat që botoi, kujtimet historike dhe letrare si me Migjenin, “Misteret e një ministri”, “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, e shume të tjera jane një arkiv historik që koha do t’i përzgjedh dhe do t’i vendosë në bibliotekën elitare.
Prizreni ky vend qytetërimi i familjes dhe lindjes së tij, por mjerisht rënë nën kthetrat e krimineleve serbë i detyruan prindërit e tij të largoheshin pranë nënës Shqipëri në Tiranë. Sa me nostalgji i kujtonte plaku i ditur mësimet e gjimnazit në Shkodër si dhe gjithë shoqërinë që kishte përjetuar me ta.
Pasi diplomohet në gjimnazin e Shkodrës merr bursë për të vazhduar për drejtësi në Romë. Kujtimet e një djaloshi simpatik për unviersitetin dhe miqësinë me studentët ishin tejet mbresëlënëse.
Nga kujtimet dhe takimet e shumta kishja se çfarë të mësoja nga Dr.Radi, por ajo që do të më befasonte më shumë ishte se nuk dëgjova apo të ndjeja njëherë urrejtje nëpërmjet rrëfimeve dhe komenteve të tij. Ai ishte njeri i ligjit, jo vetëm që luftonte për drejtësinë e ligjit kudo, por njëkohësisht kishte mbaruar në një nga vendet perëndimore për drejtësi, pavarësisht se diktatura nuk e la ta ushtrojë. Sigurisht që i dhimbte gjer në eshtër vuajtja, burgu, mungesa e lirisë, sidomos izolimi për fëmijët që ishin jeta dhe ëndrra e tij. Dhe ja se ç’shkruante në librin “Muret e Muzgut”: Vajto çastin e humbun,
dhe fjalën e shterrun, vajto dritën e ndalun/ dhe nderin e shkelun, vajto lirinë e varun dhe dhe shpirtin e bjerrun/ dhe mbas shgrehjes në vaj/ eja/ shkundma dremitjen n’ përqafje, ta rrokim buzëqeshjen/…

Takim i parë letrar pas internimit me gjimnazistët e Tiranës

Nje ditë si mësuese e letërsisë e ftova të vinte në gjimnazin “50 Vjetori” pranë nxënësve të klasës sime kujdestare për një takim letrar. Ishte një takim impresionues një takim që zgjonte kërshërinë e nxënësve që ishin në moshën më të bukur të jetës së tyre. Dr.Lazër Radi u prit me duartrokitje nga klasa dhe për ta ishte hera e parë që bisedonin me një shkrimtar të dënuar politikisht. Biseda e tij e shtruar solli një kuvend të bukur letrar, solli në memorje dhe vitet e gjimnazit të tij në Shkodër, ëndrrat e tij të kahershme që s’u realizuan kurrë. Ai e filloi bisedën se ndihej i gëzuar që ndodhej midis të rinjve dhe ishte hera e parë që promovonte librin “Muret e Muzgut” pas daljes në Liri. Studentja e shkëlqyer Merita Gjeçi e cila dallohej në gjimnaz për njohuritë e saj të jashtëzakonshme tha se libri “Muret e Muzgut” do të ngelet për të gjithë në një nga librat më të dashur dhe më të bukur dhe nëpërmjet tij do ju kujtojmë përgjithmonë. Ajo u shpreh metaforikisht se nuk do të keni më ngricë harrese sikundër dhe shkruani në liber si: Atje pёrfund stinёve tё mia/ ku nuk shkel askush/ bie bora e harresёs…
Gjithë akumulumin e tij me rremba gjaku kulture, brenda jetesës me pranga në duar, por me shpirt të lirë ai i hodhi në letër të bardhë, ai hodhi botën e tij të lirë, atë botë që vetëm Hyu e ndjente si dhe nje cicërimë zogu që ndalonte në një kërcell peme që ishte vaji dhe gazi i tij siç do të kujtonte vazhdimisht në paralelizmin figurativ të bisedimeve.
Nxënësit duke e dëgjuar rrëfimin e tij me një elekuence të mahnitshme e cila të kujtonte një nga baballarët e ndërtimit të shtetit amerikan Benjamin Franklin i cili ka thënë: “If you would not be forgotten as soon as you are dead, either write something worth reading or do things worth writing”, që do të thotë:
“Në qoftë se ju nuk doni të harroheni para se ju te vdisni, shkruani gjëra që ja vlejnë të lexohen, ose beni gjera që ja vlejnë të shkruhen”.
Ai rrëfente për çka kishte përjetuar, rrëfente tmerret dhe vuajtjet e pafundme në burg nga xhelatët që njihnin vetëm gjuhën e kërbaçit. Rrëfente për qelitë e errta, të ftohta, të ngushta, të mykura ku rrinin të burgosurit dhe kujtoi: “E kush e merrte me mend se unë dikur miku i Migjenit do të vajtoja nën buzë kangën e të burgosunit të shkruar nga ai si: “Nëpër hekra të kryqzuem të dritares seme/ shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë/ edhe shof diellin sa një pare serme/ aq larg asht qielli nga e emja gropë”…
Sa dëshirë kishte të takohej me njerëzit, të bisedonte me ta dhe të shprehte lirshëm cfarë ndjente! Sot kur e kujtoj atë takim të paharrueshëm letrar me një njeri që vinte nga bota e burgosur më vjen keq që nuk kishim nje aparat fotografik, më vjen keq që varfëria e tejskajshme ndihej kudo…por sidoqoftë ai ngeli i paharruar në memorjen e gjimnazistëve.

Rinisim nje melodi të pakëndueme…

Duke pritur me emocion vitin e 100-të të Dr.Lazer Radit ku Hëna me reflekset e magjishme blu shtrihet mbi dëborën e virgjër të ballkonit, para syve të mi ngrihet madhërishëm si një lis me abetaren në duar, binomi prizrenas. Skulptura e ndërtuar enkas për të në imagjinatën time ngrihet në zemër të botës në Parkun qendror në Manhattan siç kanë vendin dhe shumë të tjerë ndërmjet tyre dhe Robert Bërns, poeti kombëtar i Skocisë, ndonëse mjerisht duam shekuj t’i ngjasojmë Skocisë për të çmuar vlerat kombëtare dhe për të hedhur në kosh antivlerat.
Dhe në faqen e hapur të librit në skulpturë do të desha të shkruhej poezia e tij
“Ave Cesar” shkruar në internim në Savër të Lushnjes në vitin 1982. Dhe ja poezia e Tij: “Gladiatorë/ Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë/ jo për fatin e keq të skllavit/ as për mallkimin e ndëshkimit/ veç për atë qëndrim të ulët/ të nënshtruem e lajkatar/ atje poshtë në fund të arenës:/ Ave Cesar/ Ave Cesar!
Dhe ecën imagjinata ime poetike për t’i nxjerrë nga qelitë e ftohta me gojë të ngrira qeveritarët e kulturës që kanë mbyllur zemrat e tyre me dryn të ndryshkur dhe heshtin… Eci dhe dëgjoj zërin e një juristi, studjuesi, eseisti, gazetari, përkthyesi që nuk meket kurrë. Edhe Ai ecën, ecën me libër nëpër Manhattan, dhe bëhet këngë lirie, hark vetëtime në botë…
Ti je bard i kulturës kombëtare, ku mund të kuvendohet burrërisht në odat e shtruara me qilimat me ngjyrat marramendëse, ti i le popullit tënd lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjen e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme këngët që t’i kemi borxh përjetësisht… Ti je prijetar që ndalon tehet e bardha të thikave mbi kokat e zogjve dhe ecën përpara me ballin që praron vetëm fllad lirie, edhe pse shtëllunga mjegulle të zeza ende fshihen pas plisit tënd të bardhë si bora e bjeshkëve. E në këtë fantazi me ëndrrat e tua mbush qiellin me yje zjarr. Në qerpik të yjeve zë rrënjë dhimbja që bëhet mal.
Në këtë 100 vjetor fjalët shqip në librat e tu më bëhen jehonë që vijnë nga bjeshkët e nëmuna ndërsa ti si Pëllumb Paqeje fluturon për të takuar miqtë e besës dhe tund kujtesën mjerisht të ndërtuar mbi themele harrese… Në këtë përvjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve. Dhe ja disa vargje të saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.
Në këtë 100 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të përëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem manushaqez naimjane e mpitë dhe e qetë.
Çdo shkronjë në librat e tu është frymë, është ajër, është metaforë e gjelbërt, si sytë e vashës që të kishin magjepsur në rininë studentore.
Ti qëndron si ciceron nëpër muzeume dhe rrëfen historinë sa tragjike dhe të bukur të kombit tënd. Ecën nga njeri pavion në tjetrin me një trok shekulli të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si ty, për të ikurit prej Soi.
Petalet e shpirtit tënd puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë. Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.

29 Janar, 2016
Staten Island, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: e Dr.Lazer Radit, Keze Zylo, ne 100 vjetorin

NE 100 VJETORIN E PAVARESISE SHQIPTARET VERSHUAN NE TIMES SQUARE

November 29, 2012 by dgreca

Nga Times Square Beqir Sina/
 
Zyrtarët e lartë të qytetit Manhattan Borough President Scott M. Stringer, Bronx Borough President Ruben Diaz Jr dhe Assemblymember Mark Gjonaj – Avokati Stephen (Stivi) Kaufman, ish-zyrtar i bashkisë së Nju Jorkut, festuan së bashku me shqiptarët në sheshin më të madh në botë – në zemër të New Yorkut, Times Square./

MANHATTAN NEW YORK CITY : Në Shtetet e Bashkuara, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët me madhështi shënuan ditën e tyre të pavarësisë. Çdo gjë kulmoi dje mbasdite deri në orët e vona të mesnatës në kryeqendrën e botës në New York. Për disa orë  sheshi u “pushtua” nga shqiptarët dhe në mes të sheshit u dha një koncert me këngë dhe valle shqiptare. Grupet e djemëve dhe vajzave  me kostume folklorike kënduan dhe vallëzuan shqip në ritmin e daulles – Ngado që të shihje në shesh dukej vetëm flamuri kuq zi icili valvitej nga shqiptarët plot gëzim dhe e kishte  ndezuar sheshin kuq e zi. 

Në ndërkohë NASDAQ do t’ua uronte shqiptarëve 100 vjetorin e pavarësisë teksa njëra nga tabelat e mëdha elektronike, të saj  në sheshin Times Square në Manhattan do të shfaqete “befasisht” me një ndriçim vezullues flamurin shqiptar dhe do të shkruhej :”Happy Birthday Albania ” 
     Në këndin kryesorë ishte vendosur tribuna e improvizuar ku zyrtarët e lartë të qytetit Manhattan Borough President Scott M. Stringer, Bronx Borough President Ruben Diaz Jr dhe Assemblymember Mark Gjonaj – Avokati Stephen (Stivi) Kaufman, ish-zyrtar i bashkisë së Nju Jorkut, festuan së bashku me shqiptarët në sheshin më të madh në botë – në zemër të New Yorkut, Times Square. Ata ishin mysafirë të nderuar  të rreth një mijë shqiptarëve të cilët u mblodhën në këtë shesh për t’a “ndezur” kuq e zi – edhe këtë shesh të famshëm të qytetit New Yorkut, si në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku shqiptarët festuan me madhështi 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë,
    Shqiptarët, e “Tri Shtetshit” nga New Yorku, New Jesey dhe Connecticut,  bijtë dhe bijat e Shqipërisë në Amerikë u mblodhën së bashku në festimin e tyre të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në ndërkohë që  një billboard e madhe në sheshin Times Square, aty ku çdo vit bie nga shtiza globi i viti të ri, u ndriçua për të përkujtuar këtë rast “Ditëlindjen e Shqipërisë – Happy Birthday Albanai”. Ndërkohë në shesh valviteshin flaujt kuq e zi dhe grupet e vallëtarëve të veshur me kostumet popullore këndonin së bashku me të rinjët e të rejat këngë valle shqiptare.

     Organizatori, Fondacioni i shoqërisë Shqiptaro-Amerikane  nderojë me këtë rast  post-mortum personalitet e Ismail Qemalit, Adem Jasharit dhe Tahir Sinanit si edhe veprimtarin e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëri nga zyrtarët e Zërit të Amerikës, Dr. Elez Biberaj(Director of Eurasia Division, VOA ). Çertifikatën e nderit e mori i biri i tij Ken Biberaj – i cili ka vendosur kandidaturën për anëtar të Këshillit Bashkiak të Qytetit të Nju Jorkut.

     Mes pjesmarrësve ishin një numër i madh i lederve të komunitetit shqiptarë, gazetarë, artistë, nxënës shkollash, studentë, klerikët e dalluar të komunitetit si dhe shumë personalitete të rëndësishme, biznesmen dhe afaristë të njohur të komunitetit shqiptarë në Amerikë, diplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë në New York dhe Washington,  si edhe Ylli i i Vallëzimit Tony Dovolani si dhe aktoria e famshme me origjin shqiptare Drita Davanco
   Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, u kënduan nga këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Merita Halili, shoqëruar prej orkestres së drejtuar nga mjeshtri i firzamonikës Raif Hyseni.

   Festimi i shqiptarëve në sheshin e famshëm Times Square arriti në ekstazin e tij – kur çdo gjë në shesh ishte ndezur vetëm Kuq e Zi dhe kudo dëgjohej “ushtima” korale e këtyre mijra njerëzve që gëzonin me mënyrën e tyre dhe borhorsinin vazhdimisht  “Albania – Albania – Shqipëri Shqipëri  – Shqipëri Etnike – Shqipëri Etnike”.
 Presidenti i qytetit të Manhattanit Scott Stringer me këtë rast për të nderuar  100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ka nderuar disa prej këtyre udhëheqësve të shquar të komunitetit  duke lëshuar një dekret të veçantë(Proklamat) e cila deklaron një shpallje zyrtare, e cila njeh me këtë rast “Ditën e festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Qyetetin e Manhattan – New Yorkut”.

 “Shqiptaro-amerikanët janë përcaktuar nga një angazhim të fortë ndaj diversitetit etnik, pluralizmit fetar dhe lirisë fetare,e përcaktuar për lirinë për të gjithë qytetarët e saj ,në këtë qytet i cili në “miniaturë” është e gjithë bota” tha Presidenti i qytetit të Manhattanit Scott Stringer,  duke shtuar se “Pothuajse 40 për qind e njujorkezëve janë të lindur jashtë këtij qyteti – madje edhe përtej oqeanit dhe shqiptarët ashtu si komunitetet e tjera janë një pjesë e rëndësishme e këtij metropol i botës, dhe qytet i të gjitha racave dhe kombësive të botës.”

  “Unë jam krenar për të u bashkuar sot me miqtë e mi në komunitetin shqiptar dhe më tej për të festuar këtë moment të rëndësishëm, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Komuniteti shqiptar vazhdon të rritet dhe është në zhvillim, dhe suksesi i tyre është i pranishëm kudo në New York dhe të 5  qytetet, Brooklyn, Staten Island, Queens, Manhattan, dhe Bronx. Këto qytete janë bërë shtëpi e dytë për popullsinë më të madhe shqiptare në New York City, dhe në këtë ditë feste e madhe për të gjithë shqiptarët ne rikonfirmojmë së bashku angazhimin tonë për të punuar me komunitetin shqiptar për të ndërtuar dhe forcuar këtë qytet tha Bronx Borough President Ruben Diaz Jr . 
     “Ne jetojmë në vendin më të madh në botë, një vend që ju lejon për të festuar trashëgiminë dhe kulturën tuaj, ndërsa duke u bërë një anëtar produktiv i shoqërisë amerikane – një Assemblymen tregojmë se jemi pjesë vitale dhe e integruar e këtij vendi të bekuar nga Zoti  “, tha Mark Gjonaj i cili është shqiptari i parë në këto 100 vjet pavarësi që në Amerikë, që zgjidhet në një post kaq të lart të qytetit të New Yorkut.. “Në këtë ditë të rëndësishme, tha Gjonaj ua uroj shqiptarëve në të gjithë botën – për një festë të lumtur për këtë përvjetor 100 e cila është një ditë krenarie edhe për ne shqiptarët e Amerikës dhe natyrisht shqiptarët në mbarë botën. ”

     “Ditë historike për komunitetin shqiptar. Shqiptaro-amerikanët të cilët kanë kontribuar aq shumë në qytetin tonë të gjallë, dhe është e natyrshme që njujorkezët janë sot duke festuar 100 vjet të pavarësisë së Shqipërisë, dhe duke e shënuar me këtë manifestim të veçantë në “zemër” të qytetit të New Yorkut, këtë festë. Bizneset e shqiptarëve dhe shpirtit sipërmarrës, ka ndihmuar të rritet ekonomia e qyteti tonë dhe ndjenja e tyre e detyrës qytetare dhe aktet e mirësisë kanë bërë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e ndryshimeve në këtë qytet, i cili është më i zhvilluari në botë. Është privilegji im të bashkohem me ju shqiptarët e New Yorkut, në festimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë “, tha Avokati Publik Bill de Blasio.

     “Në këtë rast i rëndësishëm, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane – ngjarja më e madhe deri tani në historinë krenare të Shqipërisë – po shënohet me madhështi mbasi duhet të faleminderojmë së pari Manhattan Borough President Scott M. Stringer i cili “na ka hapur përsëri dyert e Broadway dhe e “lëshoi” për të festuar në shqiptarët sheshin Times Square “, tha Esad Rizai, Themelues i Fondacionit Shqiptar të Shoqërisë Amerikane. 
     “Kjo festë po shënohet tha zoti Rizai me gëzim dhe nder nga shqiptarët kudo, edhe këtu në Shtetet e Bashkuara dhe nëpër në botë. Scott M. Stinger ka treguar përsëri përkushtimin e tij ndaj popullit shqiptar, dhe ne e dimë që ai me krenari qëndron pranë nesh si ne të festojmë këtë ditë të madhe. Në frymën e Besës si na mësuan të parët tanë dhe etërit tanë, këtu në Amerikë, Shqipëtarët kudo që janë sot dhe ju vlon gjak shqiptari,  shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë dhe një falënderim për mikun ton të madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ”

     “Në këtë ditë, shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në botë po festojnë me gëzim dhe krenari të ligjshme këtë njëqindvjeçar i Deklaratës së Pavarësisë”, tha Ambasadori Ferit Hoxha, Shefi i Misionit të Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Nju Jork, duke përshëndetur tubimin e shqiptarëve në sheshin Times Square së bashku me Konsullin e Përgjithëshëm i Shqipërisë në New York zoti Dritan Mishto, të cilët ishin pjesë e këtyre organizimeve në New York.    “Pavarësia ishte rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve për liri e pavarësi e cila pati mbas vetes edhe mbështetjen e vërtetë nga populli miqësorë, në radhë të parë ky vend i bekuar i Shteteve të Bashkuara Amerikës. Unë jam veçanërisht mirënjohës Presidentit Scott Stringer dhe stafit të tij, për zellin që treguan në bashkë-organizimin e kësaj ngjarje, në këtë vend – në këtë qytet dhe në këtë shesh në një botë mitike. Unë e konsideroj këtë ngjarje në qytetin e dritave të shumëllojshme dhe shumëngjyrshe, në një vend  dhe shesh që gjithmon dhe kudo shkëlqen nga madhështia, një ngjarje të veçantë që na bëri edhe më krenar për të qenë shqiptarë. ”

 

Filed Under: Kronike, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, e pavaresise, ne 100 vjetorin, ne Times Square, shqiptaret, vershuan

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT