Dr. Paulin Marku/
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane këtë vit celebrojnë 100-vjetorin e zyrtarizimit diplomatik. Për shqiptaret është nder dhe privilegj që të kemi mik, shtetin demokratik, i cili u gjend në krah të shqiptarëve në momente vendimtare për kombin shqiptar. Diaspora shqiptare në Amerikë ka patur rol të rëndësishëm në ngritjen e marrëdhënieve politike e diplomatike me përfaqësues të politikes dhe administratës amerikane për interesa të çështjes kombëtare. Ajo që mund të pohohet dhe është për t’u vlerësuar përgjatë këtyre dekadave shqiptarët e Amerikës, edhe pse larg fizikisht, ndjenja e atdhedashurisë dhe dëshira e madhe për të kontribuar për vendlindjen ka qene dhe vazhdon të jete e fortë. Përpjekjet e vazhdueshme të shqiptareve për të bashkërenduar forcat dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kane qenë një zë i forte qysh para zyrtarizimit të marrëdhënieve diplomatike e deri në ditët e sotme. Në këtë proces Federata Pan-shqiptare “Vatra” zë një vend të rëndësishëm në ngritjen dhe kultivimin e këtyre marrëdhënieve ndërkombëtare.
Federata Vatra, qysh në fillesat e saj kur u zyrtarizua në vitin 1912 përpiqej të bënte me dije opinionit publik amerikan dhe shprehte pakënaqësitë në lidhje me padrejtësitë që ju bënë territoreve shqiptare. Më, 17 nëntor 1912 Vatra organizoi një miting të madh në Boston për të kundërshtuar publikisht, ndaj planeve të Aleancave Ballkanike dhe Fuqive të Mëdha për copëtimin që i kanosej të tokave shqiptare. Shpërthimi i Luftës Ballkanike dhe aleancat e krijuara në dëm të tokave shqiptare, u kundërshtuan nga vatranët dhe pati reagime të forta nga Vatra. Mitingu i 17 nëntorit 1912 u finalizua me një telegram dërguar presidentit të Amerikës, William Howard Taft, ku i kërkonin të ushtronte autoritetin e tij për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi. Po ashtu, Vatra iu dërgoi telegram Perandorisë Austro-Hungareze, Gjermane, Mbretit të Italisë, ministrit te Jashtëm të Rusisë, ministrit të Jashtëm të Francës si dhe Papës në Vatikan.
Vatra i ndiqte me interes të gjitha ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri, dhe më shqetësuesja për t’a në këtë periudhe ishte “Konferenca e Ambasadoreve ne Londër” mbajtur 1912-1913 me përfaqësues ndërkombëtare nga (Britania e Madhe, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia, Franca dhe Italia) . Vendimi i “Konferencës së Paqes në Londër” që përgjysmoi territoret shqiptare u kundërshtua fort nga shqiptaret. Vatra shprehej kategorikisht kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, e cila shprehte pakënaqësitë me organizimin e protestave dhe pati shkrime të shumta në shtypin periodik të gazetës Dielli.
Me fillimin e luftës së Parë Botërore dukej sikur politika amerikane nuk po interesohej për të drejtat e popujve të shtypur, ndërsa me hyrjen e saj në luftë ngjallte shpresa se kjo fuqi e madhe do të sillte ndryshime në spektrin e gjere gjeopolitik dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitin 1917 Ministri i Marinës së SHBA i bënte thirrje Vatrës të organizojë diasporën shqiptare të Amerikës për të dërguar marinarë shqiptare në flotën e Adriatikut. Shqiptaret iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së ministrit. Në një telegram dërguar presidentit amerikan, në emër të 60 000 shqiptareve që jetonin në Amerikë, Kol Tramara, i deklaronte solemnisht se shqiptaret “do ta quajnë për nder të luftojnë për njerëzinë, lirinë, qytetërimin dhe të drejtat e kombeve të vogla nën flamurin e lavdëruar te Amerikës”. Shqiptarët mbajtën premtimin dhe dërguan më shume se 3000 shqiptar mbi baza vullnetare dhe iu bashkuan ushtrisë amerikane. Shqiptaret pohonin që ky qëndrim është në përputhje me interesat kombëtare dhe e gjykonin se ishte një mundësi e mirë për të ndihmuar Shqipërinë dhe Amerikën, si dhe për të dëshmuar se janë në anën e amerikanëve.
Me datën 15 mars 1918, Federata Vatra i dërgoi një telegram presidentit të Amerikës, Woodrow Wilson lidhur me protektoratin italian mbi Shqipërinë. Telegrami përshkruan situatën në Shqipëri të vitit 1918 duke marre spunto nga e shkuara historike dhe padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar. AQSH, F. Shoqëritë Shqiptare në SHBA, V.1918, D. 15, fl. 1-9, citoj pjesë të telegramit: Kohë mbas kohe, pjesë të Shqipërisë janë shkëputur për të kënaqur pretendimet ushtarake të shteteve fqinje, dhe në qoftë se Konferenca e Paqes do t’i përmbahet principeve të kombësisë, atëherë duhet të ngrejë në këmbë një shtet me dinjitet të madh, me një territor më të gjerë se ky i shtetit të sotëm të Shqipërisë, duke përfshirë edhe qytetet e Prevezës, Janinës, Ohrit, Dibrës, Shkupit, Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Gjakovës dhe malësitë e Plavës, Gucisë, Hotit e Grudë.
Lobimi i diasporës shqiptare për të krijuar mundësi komunikimi dhe lidhje me përfaqësues të lartë në SHBA ishin të vazhdueshme. Në një letër të Kol Tromarës drejtuar Mehmet Konicës më 30 korrik 1918 nga Boston, thuhet që Fan Nolit ka zhvilluar një takim shumë të rëndësishëm me Presidentin Wilson dhe i pohonte se, citoj: “Fan Noli u takua me Presidentin Wilson në bordin e anijes “May flower” më 4 korrik 1918, duke qenë i ftuar si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve të Amerikës për të shoqëruar Presidentin në varrin e G. Washingtonit. Ai pati rastin të fliste më se njëherë me Presidentin rreth Shqipërisë. Presidenti Wilson e dëgjoi atë me dashamirësi e interes dhe i tha: “Unë do të jem një zë në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe do të përdor atë për të mirë të Shqipërisë”.
Po ashtu, një tjetër bisede e rëndësishme në interes të çështjes kombëtare është takimi i Fan Nolit me ish-presidentit e SHBA, Roosvelt. Më 25 korrik 1918, Noli pati një bisedë të gjatë me ish presidentin Roosvelt në Klubin Harward të New York-ut. Kolonel Roosvelt i dha këtë mesazh për shqiptarët: “Unë besoj se Pavarësia e Shqipërisë mund të rivendoset nën proteksionin e garancinë e përbashkët të Amerikës, Anglisë, Francës. Unë do të jem i gëzuar sikur të bëja ndonjë gjë që është në dorën time për të arritur këtë rezultat”.
Vatra arriti të organizojë dhe dërgoi një delegacion për në Evrope në prag të Konferencës së Paqes të mbajtur në Paris. Shqiptarët synonin të arrinin të mbronin tërësinë territoriale të tokave shqiptare. Shpresohej se ShBA do të ishte një mike pajtuese midis të gjithë kombeve ballkanike, të gatshme për konflikte dhe pas një periudhe të caktuar do të krijonte mundësinë e përcaktimit të kufijve në Ballkan në bazë të parimit të etnive dhe të vetëvendosjes.
Konferenca e Versajës, organizuar prej 18 janar 1919 – 21 janar 1920 kishte qellim shuarjen e konflikteve me moton dhënia fund e gjendjes së luftës midis palëve të konfrontuara. Konferenca që në fillim u kthye në arenë debatesh midis vetë fuqive fituese për shkak të ndarjes së përfitimeve. Në këto rrethana Shqipëria ishte vendi që rrezikonte copëtimin. Kuvendi i mbledhur në Paris ishte për të vendosur fatet e popujve dhe të territoreve,i cili ndiqej me interes të madh. Pra, fatet e kombeve te vogla, ishin në dore të të mëdhenjve. Përsa i përket diskutimeve të çështjes së Adriatikut dhe rreth Shqipërisë, presidenti Wilson shprehej se memorandumi “ruan në një masë të gjerë unitetin e shtetit shqiptar” kurse kompromisi i 14 janarit “e ndan popullin shqiptar midis tri fuqive te huaja”. Ndërhyrjeve SHBA me qëndrimin e vendosur të presidentit Wilson, i detyroi aleatët evropian të tërhiqen dhe rezultoi shpëtimtare për shtetin shqiptar.
Përfaqësues të Vatres në Amerikë, me në krye Kosto Cekrezin ishin në kontakte të vazhdueshme me senatin amerikan, me Departamentin e Shtetit dhe me personalitete te ndryshme politike amerikane.
27 marsi i vitit 1920 është një date e rëndësishme për marrëdhëniet shqiptaro amerikane, ndonëse Shqipëria nuk kishte zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me ShBA. Për here të parë emërohet një përfaqësues i Shqipërisë, një komisioner pranë departamentit te shtetit, (edhe pse nuk kishim marrëdhënie zyrtare diplomatike). Ky ishte një sukses i madhe politik, në te cilin Vatra ishte kontribuues kryesor për emërimin ne ketë post te rëndësishëm. Komisioneri shqiptar i kërkonte qeverisë Amerikane: njohjen e pavarësisë dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Shqiptarët përpiqeshin të bindnin qeverinë amerikane dhe shefin e diplomacisë amerikane për vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjës që përfaqëson vullnetin e palëkundur të popullit shqiptar në harmoni të përcaktimit të SHBA në favor të pavarësisë së Shqipërisë dhe me vendosmërinë e Presidentit Wilson që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi.
Pas kongresit te Lushnjës, i cili u mbajt në janar të vitit 1920, Vatra i përqendroi objektivin e saj për njohjen e qeverisë shqiptare nga Departamenti i shtetit.
Një tjetër takim i rëndësishëm me përqendrim të institucionalizimit të Shqipërisë me ShBA ishte takimi i Kosto Cekrezit me sekretarin Amerikan të Shtetit, më 7 prill 1920 ku i kërkonin përkrahje në konsolidimin e shtetit shqiptar nga pala institucionale amerikane.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Colby i deklaronte Cekrezit se duhet të presim dhe pak kohë për njohjen. Takimet vijonin të ishin pjesë e agjendës së përfaqësueseve shqiptarë me përfaqësues të larte mund të citohet takimi me sekretarin e Presidentit, Timulty; drejtorin e punëve të Ballkanit W. D Robbins etj… në vijimësi të takimit, Cekrezi mori përgjigje pozitive nga Robbinson ku i deklaroi se çështja e njohjes “ u vu në udhë nga ana e tij sipas vijave të përgjithshme dhe se ishte përgatitur memorandumi, me anë të cilit i rekomandohet Sekretarit të Shtetit njohjen e Shqipërisë”.
Vatra me diasporën shqiptare ishin të përqendruar për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe njohjen e Tiranës zyrtare nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Duhet theksuar se, Shqipëria ishte vend i panjohur për popullin amerikan, por falë lobimeve e takimeve me përfaqësues të larte të Shtetit Amerikan, ata arritën të jenë një zë i fuqishëm për interesa kombëtare. Përpjekjet për njohjen e Tiranes zyrtare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike janë një rezultat konkret dhe patën rendësi të veçantë për të prezantuar çështjen shqiptare në Departamentin e Shtetit dhe për t’ju bërë të njohur opinionit publik amerikan nëpërmjet medieve dhe më gjerë. Bashkëpunimi dhe investimi i diasporës shqiptare me në krye Federatën Pan-shqiptare “Vatra” ishte aktor kryesor për vendosjen e marrëdhënieve institucionale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot, në ketë vit jubilar te 100 vjetorit, mund të thuhet se Vatra dha një ndihmese të madhe së bashku me diasporën shqiptare të Amerikës në interes të kombit, në ruajtjen e trashëgimisë etnike si dhe për koordimin e veprimeve të tyre përkrah të mëdhenjve. Vatra arriti të organizoje diasporën shqiptare nëpërmjet një qendre për të koordinuar nismat si një organizim unik për të përfaqësuar forcat kombëtare dhe me qellim për të ndihmuar aspiratat në ShBA dhe me gjerë. Vatra ia doli me sukses nëpërmjet bashkëpunimit midis shqiptareve dhe me kontakte te vazhdueshme me institucionet e larta amerikane duke qenë një zë i larte për mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombësve duke ndikuar pozitivisht për të përdorur ëndrrën e lirisë në shërbim të vendit ku jetojnë dhe për ti shërbyer kombit.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë mban datën 28 korrik 1922 kur shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë e tij, pas vetos së presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson që vuri në Konferencën e Paqes në Paris, për t’i rikthyer pavarësinë Shqipërisë. Ky 100 vjetor shënon një prej ngjarjeve më të rëndësishme për shqiptarët në arenën ndërkombëtare si një prej pikave kulminante për diplomacinë shqiptare në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me ShBA. Kontributi i diasporës shqiptare në Amerike ishte mjaft i rëndësishëm gjatë këtij procesi ndërkombëtar, ku padyshim Vatra dhe vatranët ishin aktore të rëndësishëm gjate këtij procesi.