Sokol Paja/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 50 flamuj kombëtarë, 50 libra shqip e 50 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe “Hasan Prishtina” të Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” Waterbury, Connecticut. Në një vizitë vëllazërore e të përzëmërt, zyrtarët e Vatrës arkëtari z.Besim Malota, vatrani z.Bashkim Shehu dhe editori i Diellit u pritën nga kryetari i Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” z.Agim Ismaili, z.Azmi Isaku – përgjegjësi i Xhamisë shqiptare të qendrës ” Hasan Prishtina”, Guri Rexhepi – nënkryetari i qendrës dhe Zimer Kaliqi, anëtar i kryesisë. Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” u krijua në vitin 1983 duke dhënë një kontribut të çmuar e historik për kombin e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej vitit 1983 pranë kësaj qendre funksion shkolla shqipe “Hasan Prishtina” duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetin kombëtar shqiptar. Kryetari i parë historik i qendrës që sot ka rreth 600 anëtarë ka qenë Zaim Kica, ndërsa z.Ismaili është kryetari i 18-të në historinë e qëndrës. Vatra ofroi mbështetjen dhe vlerësoi punën e shkëlqyer patriotike e komunitare të qendrës “Hasan Prishtina”. Drejtuesit e qendrës vlerësuan Vatrën dhe garantuan bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen për kauzat kombëtare ku Vatra është lider i padiskutueshëm në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe punën e shkëlqyer patriotike të shoqatave e organizatave patriotike për ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut. Më herët Vatra ka shpërndarë flamuj, libra, abetare e gazeta edhe në shkollat shqipe New York e New Jersey.