
Kastriot Fetahu/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” u krijua në 28 prill 1912 dhe mori çertifikatën nga shteti i Massachusetts në 13 qershor 1912, ku figurat kryesore të saj ishin dy korifej, Fan Noli dhe Faik Konica. Formimi i një diaspore mund të artikulohet si udhëtimi thelbësor drejt bërjes; një proces i karakterizuar nga rigrupime të pandërprera, rekreacione dhe përsëritje. Së bashku këto veprime të theksuara përpiqen të hapin hapësira të reja të vetëdijes postkoloniale diskursive dhe performuese.
Prej themelimit të saj kjo Federatë mori menjëherë atributet e një qeverie në mërgim, pasi Noli dhe Konica lobuan fuqishëm në Europë dhe SHBA për të mbrojtur interesat dhe kërkesat kombëtare shqiptare deri në mbarimin e luftës së parë botërore, e më pas u mbajt Konferenca e Paqes në Paris në vitet 1919-1920 në të cilin Presidenti Amerikan Woodrow Wilson vendosi veton ndaj planeve të armiqve të Shqipërisë duke mbrojtur integritetin territorial në fjalimin e tij më 6 maj 1919 kur deklaroi se “Shqipëria duhet të jetë e pavarur!”
Është gazeta “Dielli” që trajtonte çdo ditë problemet e Shqipërisë në ato vite të stuhishme e deri në ditët e sotme.
“Vatra” dhe “Dielli” i saj ishin institucione prestigjioze kombëtare për të bashkuar shqiptarët e jashtë kufijve në qëndrimin e përbashkët për ruajtjen territoriale të kombit tonë. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA në vitin 1922 ishte një fitore e madhe për shqiptarët dhe në këtë mes është edhe kontributi i Federatës “VATRA” në këtë arritje madhore. Po kështu edhe në çlirimin e Kosovës lobimi i Federatës Vatra dhe Antoni Athanas, i cili takoi Presidentin Bill Klinton, bëri të mundur përfshirjen e fuqishme të SHBA në krijimin e dy shteteve shqiptare në zemër të Europës, duke trashëguar nga Noli dhe Konica fuqinë e saj për të kontribuar në çështjen shqiptare. Vatranët janë krenaria e diasporës shqiptare për këtë trashëgimi dhe e ardhmja është premtuese për fatet e kombit tonë, duke qënë edhe Federata Pan-Shqiptare Vatra një faktor i rëndësishëm kombëtar.
Në planin e ruajtjes së vlerave kulturore, gjuhësore dhe arsimore, Vatra “i ngjan UNESCO” për seriozitetin e saj. Ngritja e Flamurit në festën e Pavarësisë është atdhedashuria e diasporës nën udhëheqjen e Federatës VATRA për të revokuar tek emigrantët shqiptarinë dhe flamurin tonë.
Vizitat e Presidentit Amerikan George J Bush dhe gjashtë Sekretarëve Amerikanë të Shtetit, James Baker në 1991, Madeleine Albright në 2000, Colin Pawell në 2003, Hillary Clinton në 2012, John Kerry në 2016 dhe Antony Blinken në 2024 janë tregues të marrëdhënieve të ngushta midis SHBA dhe Shqipërisë dhe Federata VATRA është gjithmonë aty, një urë lidhëse në detin e miqësisë Shqiptaro-Amerikane.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” janë seriozisht të angazhuar që idetë e Fan Nolit dhe Faik Konicës të progresojnë për mbrothësinë e shqiptarëve dhe ëndrrës së bashkimit të trojeve kombëtare, duke e bërë Shqipërinë, Kosovën e kombin shqiptar faktor paqeje e sigurie në Ballkan e më gjerë.