![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/03/272873021_1113237212810071_5513424884478542627_n.jpg)
Koçi Tahiri/
Në prill mbushen plot 110 vjet nga themelimi i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Një ngjarje historike, një përvjetor që bën krenar çdo shqiptar, brenda dhe jashtë Amerikës. Jam shumë i lumtur që në këtë përvjetor të rëndësishëm gjendem në ambientet e “Vatrës”, ku “pasardhësit” e denjë të Nolit, Konicës, Floqit, Aleksit etj., vijojnë edhe sot me shumë guxim e patriotizëm misionin historike të kësaj shoqate të shqiptarëve në Amerikë, mision historik në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës, pas lotimit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. E prita me shumë kënaqësi ditën për të vizituar “Vatrën”. E kam thënë edhe herë tjetër, “Vatra” është Meka jonë. Kushdo që shkel në SHBA, nëse nuk viziton “Vatrën”, nuk ka parë asgjë. Aty është zemra e patriotizmit, aty është e kaluara e lavdishme, krenaria dhe dinjiteti ynë. Nuk ka rëndësi mosha kur e viziton “Vatrën”. Nëse je i ri, e kaluara të frymëzon për të ndërtuar të ardhmen. Nëse je në moshë e tashmja të jep shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Vetë prania në zyrat e “Vatrës” të bën krenar, të bën të ndiesh më shqiptar se kurrë. Unë vij në këtë përvjetor të rëndësishëm te “Vatra”, në një kohë jo të mirë kur, për fat të keq, gjendja ndërkombëtare apo edhe e vetë Shqipërisë, nuk është optimale, por në kulmin e krizës botërore, pas tre dekadave të rrëzimit të komunizmit. Sot bota është e kërcënuar nga rreziku i një lufte botërore që i ka rrënjët tek urrejtja dhe pangopësia, etja për hegjemoni dhe mungesa e theksuar e dashurisë njerëzore. Ishin të tjerë burra ata që shmangën Luftën e Ftohtë, të tjerë burra, këtej e matanë Atlantikut, ata që mposhtën komunizmin, por sot situata ka agravuar rëndë. Ariu i stepave ruse është zgjuar dhe po kafshon dhimbshëm Ukrainën, duke synuar shkatërrimin e paqes dhe harmonisë së botë. Koha ka treguar se diktaturat dhe regjimet totalitare, i kanë të numëruara ditët dhe fundi i tyre është i pashmangshëm, sado që të zgjasë egërsia e tyre. Edhe situata politike dhe ekonomike në vendin tim nuk është e qetë. Unë vij te “Vatra” pas një përvoje interesante si Deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Në ato 30 e ca muaj parlamentarizëm u përpoqa, me sa munda, të jepja kontributin tim modest për atë vend. Nuk është e lehtë. Ka 30 vjet që Shqipëria është marrë peng nga njerëz të papërgjegjshëm, që kush më shumë e kush më pak kanë kontribuar në zgjatjen e agonisë dhe tranzicionin e pafundit. Edhe aty situata do të qetësohet e gjërat do të shkojnë ë vend. Askush nuk është i përjetshëm. Secili do marrë atë që meriton. Mua më shqetëson një gjë tjetër. Fatkeqësisht, vitet e fundit është rritur përqindja e antiamerikanizmit. Shqiptarët e kanë dashur Amerikën edhe ën kohët më ët vështira, edhe në kohët kur kjo “dashuri” paguhej me jetë. Sot, për fat të keq të diplomacisë, anësive politike, një pjesë e mirë e shqiptarëve janë lëkundur në dashurinë e tyre për SHBA. Kjo është goditje e rëndë që do ketë pasoja më vonë.
Por më vjen mirë se kontributi i “Vatrës” ka qenë përherë evident dhe i vyer. Personalitetet e “Vatrës” i kanë bërë thirrje gjithmonë ndërgjegjes së politikës shqiptare, gjithmonë kanë ndihmuar Shqipërinë e aq më shumë kanë lobuar pranë qeverisë së SHBA për të mbështetur Shqipërinë në proceset e saj demokrate. Ata kanë qenë përherë garant të lirisë dhe pavarësisë së saj. Janë lapidare fjalët e arta: “Nënë moj mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”. Janë këtë djem të “Vatrës” që për mëse një shekull iu gjendën Nënës Shqipëri dhe do t’i gjenden gjithmonë e do t’i dalin krah, sa herë që ajo të jetë në vështirësi. Dhe ka plot djem shqiptarë Amerika! Unë si korçar e gorar në veçanti, sot u bëj homazh të gjithë korçarëve dhe gorarëve që kanë qenë pjesë e “Vatrës”, pjesë e shpirtit të saj, ata që kanë ndihmuar dhe përkrahur çështjen shqiptare në dy shekujt e fundit. Dhe nuk janë të paktë e as të panjohur. Që në themelimin e saj shoqata “Vatra” dhe organi i saj i shtypit, “Dielli” kanë mbështetur përpjekjet dhe luftimet e çetave të Gorës e gjithë krahinës së Korçës në luftën e tyre kundër pushtimin të vendit nga forcat greke, serbe, bullgare, apo edhe ato franceze. “Dielli” evokoi shpirtin patriotik të gorarëve dhe mbarë kapedanëve që u bënë kurora e lavdisë së lirisë e pavarësisë së Shqipërisë. Nuk kishte numër të “Diellit” që të mos kishte në faqe të parë e me germa të mëdha situatën në Shqipëri, në Korçe e vise të tjera. Dy vjet më parë, në janar 2020, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por edhe si kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Besëlidhja Gorare” përshëndeta dhe urova zgjedhjen e z. Elmi Berisha në postin më të lartë drejtues të “Vatrës”. Zgjedhja e tij ishte një moment historik, sepse për herë të parë një shqiptar i Kosovës drejton “Vatrën”. Vizita ime këtu sot përkoi edhe me rizgjedhjen e tij në postin e kryetarit të “Vatrës” dhe gjej rastin ta përgëzoj e ta uroj për rizgjedhjen në përmbushjen e misionit historik të shoqatës që ai drejton. Kam besimin, ashtu si edhe ata që e rizgjodhën se ai do ta kryejë më së miri këtë misionin që i ngarkon historia dhe e kaluara e lavdishme.
E quaj veten me fat, që m’u dha mundësia të vizitoja shoqatën “Vatra”, të takoja miq, vëllezër e personalitete që i takon rrallë në jetë. Vitet do kalojnë, po Shqipëria e “Vatra” do të jetojnë! U përcjell urimet e mia më të mira në kë përvjetor të rëndësishëm!