
Sokol Paja/
New York më 2 Prill 2022 – Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra organizoi një pritje madhështore në nder dhe respekt të Presidentes së katërt të Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga. Në një ceremoni të veçantë nderimi të organizuar në Selinë Qëndrore të Vatrës, patriotë, vatranë, media, veprimtarë të komunitetit shqiptar, mësues, diplomat, shkrimtarë e anëtarë të spikatur të diasporës shqiptare në USA, vlerësuan dhe nderuan Presidenten Jahjaga për rolin e saj si Presidente e Kosovës dhe veprimtaritë e jashtëzakonshme shtetformuese e shoqërore ku ajo është angazhuar pas mandatit të saj si Presidente. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën përshëndetëse e vlerësoi Presidenten Jahjaga për rolin e saj në përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, rritjen e qëndrueshme të institucioneve në Kosovë gjatë mandatit të saj presidencial, rritjen e bashkëpunimit me aleatin strategjik të kombit shqiptar, SHBAve dhe BE, aktivitete të ndryshme për fuqizimin e shoqërisë civile dhe femrës në Kosovën e pas luftës etj. Kryetari Berisha vlerësoi faktin se Kosova e ka të domosdoshme rritjen dhe bashkëpunimin me instuticionet e Shtetit Amerikan, forcimin e miqësisë, thellimin e bashkëpunimit dhe vazhdimin e proceseve integruese çka i japin Kosovës siguri dhe stabilitet në kohën e zhvillimeve të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu në fjalën e tij falenderuese kryetari Berisha vlerësoi në mënyrë të posaçme Ambasador Frymëzim Isufajn në përmbyllje të mandatit të tij si Konsull i Kosovës në New York duke e falenderuar për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm si diplomat karriere në dobi të shtetit të Kosovës, çështjes kombëtare, duke e përfaqësuar shtetin e Kosovës në mënyrën më dinjitoze të mundshme dhe duke e falenderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe shërbimin me devotshmëri të veçantë e respekt ndaj çdo veprimtarie të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë. Isufaj ishte një djal i shkëlqyer dhe një diplomat i kalibrit të lartë që nderoi Kosovën e kombin tone, tha në fjalën përmbyllëse kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Në fjalën e saj Presidente Jahgaja uroi vatranët, kryetarin Berisha dhe ekipin e ri drejtues të Vatrës për mandatin e ri dhe vlerësoi punën e Federatës Vatra, misionin, angazhimet dhe qëllimet që Vatra ka vendosur në axhenden e saj në dobi të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën e saj Presidentja Jahjaga tha se ndihej e nderuar dhe e vlerësuar në mënyrë të veçantë që ishte ftuar në Vatër në këtë shtëpi atdhedashurie dhe institucioni historik në dobi të çështjes kombëtare. “Miqësia jonë me SHBA dhe popullin mik amerikan nuk është vetëm shenjë falenderimi për gjithë kontributin që ky vend e popull mik ka dhënë për shtetin e Kosovës e kombin shqiptar përgjatë gjithë proceseve historike që ka kaluar shteti i Kosovës që nga ndërhyrja vendimtare dhe e pakursyeshme humanitare e NATO-s e deri te ruajtja e sovranitetit të kombit tonë. SHBA dhe NATO ndalën gjenocidin dhe rikthyen vlerat humane e civilizuese të popullit shqiptar. Pavarësia e pakthyeshme e Kosovës, pavarësia e Shqipërisë, rënia e komunizmit në Shqipëri, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe Pavarësia e Kosovës janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë”- përfundoi fjalën e saj Presidentja e katërt e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga. Nën drejtimin ceremonial të Presidentit të Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra e nderoi Presidenten Jahjaga me Mirënjohje me motivacion: “Për meritat e saj në ndërtimin e imazhit, jetës pluraliste e Institucionale, Sigurisë Kombëtare dhe Integrimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për kontributin e jashtëzakonshëm në fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë”.