Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy/
NGA FAIK KONICA*-
Vatra me veprimet e saj fitoi shumë miq po dhe armiq e kundërshtarë. Ajo mbajti udhën e drejtë dhe hoqi pas gjithë ata që e panë dhe e kuptuan, gjithë ata që muarën dritë prej saj; të tjerët, ata të drizave dhe të ferrave, e panë me sy shtrembur, e ndoqën dhe po e lëftojnë.
Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy. Të parët e kundërshtojnë Federatën tonë se drita e syrit të tyre është shumë e shkurtër dhe mendja aq e ngushtë dhe e pagdhendur sa nuk ndajnë dot të bardhën nga e zeza. Këta nuk janë të rrezikshëm dhe për këta ka shpresë shërimi. Koha dhe pak veprim i sjellin në udhë të drejtë.
“Ata me sy” janë të rrezikshëm dhe këtyre duhet t’u verë fre Kuvendi i pritëm, se këta janë të rrezikshëm, këta e kanë ndaluar dhe e pengojnë edhe sot e kësaj dite Federatën tonë. Përapara dhe pas cdo Kuvendi keni dëgjuar ankime, qortime, dhe grindje; përpara çdo Kuvendi ju ka rënë në dorë ndonjë gazetë a ndonjë qarkore. Që të gjitha, vit pas viti, drejtohen kundër zyrtarëve të Federatës, cilëtdo qofshin. Dhe çudia ka qenë që këto sharje e grindje kanë dalë gjithnjë prej një burimi….
Prej këtyre, mjerisht ka dhe disa që për arsyet e tyre, janë dhe anëtarë të VATRËS dhe e lëftojnë Federatën që përbrenda mureve të saj.Nga këta gjemba me helm duhet të qërohet Federata.Ne duam që të kemi një shoqëri të paqme, e cila të përparojë e të mund të arrijë qëllimet e saj të shenjta.
Cilët janë këta?- do të pyesni.
Më të shumtit i dini; të paktit, ata që lehin prapa gardhit dhe nuk guxojnë të tregojnë turirin veçse kur shtërngohen, do t’i mësoni posa të shkelni në Kuvend.
Me këta antivatranë, me ata me sy, me ata që dijnë që bëjnë keq- po bashkëpunon sot propaganda e Dudumëve kundër VATRËS!
Dhe ky fakt i bën ata ca më të rrezikshëm.
Zotërinj, Mjaft!
Mjaft hoqi Vatra nga grindavecët e përhershëm. Sot është koha që të shtihemi në gardh të fortë midis vatranëve të vërtetë dhe atyre prej ”balte”!
Me përzjerjen e Pseudopartisë në punët e brendshme të FEDERATËS, Pseudovatranët marrin një faqe tjetër që mund të rrezikojë jetën e Federatës.
Është pra në dorën tuaj që të qëroni VATRËN nga gjembat e rrezikshëm.
*Titulli origjinal: Duhen qëruar gjembat nga ara- Faik Konica, fjala para Kuvendit të Korrikut 1923, botuar si editorial në Diellin e 1 Korrikut 1923.